top of page

Faruk Myrtaj: FATI I VËSHTIRË KOMBËTAR, I KËSAJ SHQIPËRIE NË KRYQËZIM


 

Edi Rama veshi sërish mantelin e "kolaboracionistëve", pa thënë dot ku e mori me qira, për të kaluar lumin apo detin, që ky të mos bëhet edhe oqean si për paraardhësin e vet.  Sigurisht edhe ai e di se ende është në përdorim "Dosja" e përgatitur nga kabineti i fundit i Partisë së Punës në pritje të Perez de Kuelar, 1990. 

Në tërë fjalorët e botës, të qenit “kolaboracionist” s’mund të mos lidhet me veprime që u bënë dhe mbeten së pari kundër njeriut, Njerëzimit dhe drejtpërdrejtë interesave vertebrare te kombit te vet.  Ndër kombet që i dinë, gëzojnë dhe vuajnë këto sjellje apo shtirje janë edhe shqiptarët si hebrenjtë.

Rama e di se janë më shumë se shqiptarët ata hebrenj në Knesset që nuk e besojnë, kur thotë të pavërteta, apo rreket si “shërbëtor i shumë zotërinjve”, por e detyron vet-zgjedhja për të vazhduar. Tek e fundit, është problemi i tyre me kryeministrin e vet, teksa ne bëjmë mirë të merremi me këtë tonin!

Pra, të mos presim t’i thotë të gjitha vet Rama, kur E Sotmja që i duhet vetëm atij, të mos mbetet dot e Ardhme e shqiptarëve.

 

Pse thirret në përdorim hera herës fjala “kolaboracionist”?

 

Edi Rama foli gjerë e gjatë për mrekullinë shqiptare ndaj fatit të hebrenjve, por nuk i zuri ngoje nacionalistët shqiptarë (as Mid’hat Frashërin që vet e ktheu në Tiranë). Jo se nuk e di vlerën dhe vendin e tyre në të vërtetën historike shqiptare, por sepse mjedisi ku krijon shumicë i akuzoi, ua nxiu jetën për breza të tërë, pa e marrë vesh të vërtetën kurrë.

Ndryshe nga ai, Ata, “kolaboracionistët” e viteve ’40, nuk llogaritën pushtet, as emrin e tyre si ego vetjake. Pranuan tu hidhet pluhur mbi mantelin e tyre si mëmëdhetarë, vetëm e vetëm që atdheu i tyre dhe shqiptarët të dëmtoheshin sa më pak nga Lufta.

Burra të kulturuar-siç ua thotë edhe Edi Rama kur i duhet ndonjë orë me fjalë të bukura për ta, si të fisëm, por edhe njerëzisht të paqmë, por jo thjesht për stinë politike që vijnë e shkojnë.

Ai e di se vjen një orë kur i duhet tua kërkoj shqiptarëve t’ia lenë mënjanë, disa prej këtyre Fjalimeve Ujdisura me Klas Fjale, me Shqipen e Faik Konicës dhe Imzot Nolit, sic shprehet ai vet (duke i bërë shenjë Kongresit të Standardit të rrijë urtë për pak!). mbajtur në rrethanë të caktuar. As ai vet nuk do t’ia fshinë, jo!

Edhe Ai vet i lë mënjanë, që nesër pasnesër të mund të hyjnë në Muzeun ku kërkon ta zhvendosë veten sezonale dhe Shqipërinë e përgjithnjëshme, a thua Memoria kombëtare u bindet urdhrave dhe shijeve të individëve arrivistë.

Mjaft të kujtojmë vendosjen e fotove të 40 Shenjtorëve të Krishtërimit shqiptar mbi Bulevardin Dëshmorët e Kombit, (a thua në vend të anëtarëve të Byrosë politike dhe të më të shquarve anëtarë të Komitetit Qendror), dhe natyrshëm të pyesim: Ç’u bë me to?!

“Kolaboracionistët” e Luftës ishin nacionalistë shqiptarë së pari, të dijes dhe arsyes humane që pastaj arritën të bëheshin europianistë po kaq të mëdhenj. Kurrë s’do mund të dëshironin ndëshkimin pa faj të hebrenjve që u gjendën në këtë vend, natyrshëm bën gjithçka t’i ruanin ata.

 

Rama i di por nuk i duhet këto ditë t’i thotë të vërteta të tilla!

 

Do t’i hapte telashe vetes dhe historisë, që ende shkruhet e botohet në Akademinë e emëruar prej tij.

Ai e di, e kanë zënë ngoje edhe vet, e ka lexuar edhe te të admiruarit e letrave shqipe, që e dinë abdikimin e Ahmet Zogut, pastaj arratinë e nacionalistëve, të gjithë për në Perëndim!

Ai e di se nuk ishim të pushtuar me shpallje lufte nga Gjermania dhe, për pasojë, në Shqipëri nuk u shfaq ajo struktura ngjethëse anti-humane e nazistëve që merrej me zbulimin dhe ndëshkimin e hebrenjve.

Mbase është dhembshuria shën-Tereziane e shqiptarëve për njerëzit në hall, që iu bashkua administrimit në heshtje të ‘qeverive kolaboracioniste’ që mbeti përgjithnjë fisnike, humane.

 ***

S’mund të mos vëmë re se historia dhe qëndrimi përballë saj, përsërite edhe në ditët e sotme.

‘Kolaboracionizmi’ shumë-planesh, derivat e sezonal, i Ramës s’ka dot shëmbëllim me ndonjë pandehmë, sjellë si merak të largët, për Vjosa Osmanin apo me ata që u ofruan si mëmëdhetarë në kohë të vështira.

Çdo politikan i përgjegjshëm do merrte përsipër të bënte gjithçka për hir fatit të Kosovës, pra të Shqipërisë. Çdokush në postin e vet, do duhej tu mbetej detyrimeve të një Kosove, e gjitha falënderuese, edhe para-ardhësve të presidentit të sotëm amerikan, duke qenë njëherazi europianist pa-shmangshëm, madje edhe pas detyrim-përcaktimeve që mbase e lodhin dinjitetin e politikanit shqiptar.

 

E çfarë se, pas kësaj, nga çdokush, duhet paguar një lloj çmimi?!

 

Rama nuk mund të dyshohet për mos-dijeni, apo mos-kuptim të realiteteve botërore.

Ai e di mirë se sa e vështirë është të mbetesh burrështetas në Tiranë.

Mbase çdokush prej atyre që u erdhi hera të qeverisin në emër të shqiptarëve, u gjend përballë Fatit të Vështirë Kombëtar, të kësaj Shqipërie në kryqëzim prej natyre.

Qoftë edhe thjesht prej pa-fatësisë së para-ardhësve, bën mirë të mos kërkoj të ndjehet për asnjë moment i shpëtuar nga Vetja. Mbase edhe atij do t’i duhet t’i lë vend kohës -por edhe ditës, të mirë-kuptohet për shërbimet e detyruara.

Tek e fundit, mbase s’është më e vështirë bashkëpunimi me Të Tjerët për vendin e kombin, se sa të bërit ‘kolaboracionist’ thjesht për Veten.

1 Comment


Fatmir Terziu
2 hours ago

Një shkrim-editorial. mjeshtri "Farukiane". Ky shkrim fin i Faruk Myrtajt kërkon lexim të ngadaltë dhe ndërgjegje të zgjuar. “Fati i vështirë kombëtar, i kësaj Shqipërie në kryqëzim” nuk është thjesht një polemikë politike, por një reflektim etik mbi kujtesën, përgjegjësinë dhe rrezikun e përdorimit selektiv të historisë. Faruku, me një penë efikase, e trajton nocionin e kolaboracionizmit jo si etiketë retorike për konsum ditor, por si koncept moral me peshë historike dhe humane. Pikërisht këtu qëndron forca e shkrimit. Ajo mbetet efikase në dallimin mes bashkëpunimit për mbijetesë kombëtare dhe kolaboracionizmit për përfitim vetjak. Faruk Myrtaj na kujton se historia shqiptare nuk lexohet bardh e zi, dhe se shumë figura të damkosura padrejtësisht nga ideologjia, vepruan në kushte tragjike për…

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page