Faruk Myrtaj: E MBUSHI QYTETIN ME VETEN E TIJ
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 5 min read

(tregim)
Të nesërmen, si të mos kishte ndodhur kurrgjë, në gjendje të kthjelltë humori, ishte ai që i befasoi kur nisi tu tregonte se natën e shkuar kishte parë ëndërr të gjatë...
Kisha dalë në rrugët e Qytetit. Ngjitja pankarta, parulla dhe portrete në mure. Më e bukura ishte se, në të gjitha parullat e pankartat shkruhej emri im. Kudo portretet e mia. Isha unë, që i vendosja në mure. E mbusha Qytetin me veten time! Më besoni?!
Të tjerët në atë zyrë, as kësaj here, s’folën. Si në kujdesje të mos ia prishnin ëndrrën. Mezi pritën që ora në murin përballë, të shënonte fundin e kohës zyrtare. U ngritën, ngadalë e pa zhurmë por edhe që të viheshin re prej tij. Pra: ishte ora të dilej.
“Po, po...Po vij edhe unë.”
U ngritë. Vendosi letrat në dosjet, i mbylli brenda sirtarit të vet, të cilin e kyçi. Arriti te pardesyja e vet, e hodhi krahëve, futi krahët në mëngët dhe bëri për nga dera. S’pranoi të dilte përpara të tjerëve. Dolën ata, por ai vonoi ca.
E pritën atje jashtë. Me durim, gjersa nga atje brenda u dëgjua zëri i tij. I një të befasuri, në ngut e në pafuqi. Klithmë qenieje mbetur në kurth.
Nxituan për te ai. T’i kishte mbetur çelësi në bravë, dora t’i qe mpirë, apo s’mbyllej kanati në kuadratin e derës?
U shfaq i shkalafitur, i skuqur, si në turp ndaj tyre.
- Nuk po dal dot nga dera!”
- Nuk del dot nga dera?!
- Siç e shikoni...
Dridhej i tëri. Diçka e rrallë, brutale, ndodhte në të. E mundimshme, torturuese edhe pse, si e tillë, i jepte një si hovje energjie. A thua sikur pikërisht këtë kishte pritur. Një si gëzim i brendshëm i shfaqej si pa dashur në fytyrë, e vetmja pjesë që arrinte t’i dilte nga dera.
- Nuk mundem...s'di si të dalë!
- Eja, pra! Na jep dorën, të ndihmojmë të dalësh!
Ua zgjati dorën, bëri lëvizje në dëshirë për të dalë por, në çastin kur dukej se e kapërcente pragun, mbetej aty.
Ulte kryet, ishte gati ta vendoste kokën në gjoks, që të mos i përplasej te portiku, edhe pse në syrin e dy të tjerëve kishte së paku një pëllëmbë lartësi boshe deri atje lart.
Provoi vet, disa herë, të dilte brinjas, të nxirrte së pari njerën shpatull nga kuadrati i derës, derë në të cilën mund të kalonin tri njerëz njëherësh, por jo ai, që edhe i vetëm mbetej si në kurth merimange të padukshme.
Të tjerëve, do tu ishte e justifikueshme të mos e mbanin dot të qeshurën, por dukej se ai njeri po mbetej brenda. Edhe mirësjellja më elementare detyronte heshtje dhe seriozitet. Absurde të pranoje se s’dilte dot, por ai s’linte dyshim që shtirej. Gati ia dëgjonin prekjen e supeve në faqet e derës, përplasjen e kokës në portikun e sipërm, kur provonte të dilte.
Pa asnjë sukses në tërë atë përpjekje, skena po kthjellohej, e veshur me qetësinë e një manteli të ftohtë regjisorial. Njeriu në hall qe pikërisht ai dhe, megjithatë, vetëm në fytyrën e tij, jo të dy të tjerëve, qe derdhur një fashë drite që ia breroi kryet e vështrimin. Mbase kot kërkonin ta nxirrnin prej andej, gjersa ai po bezdisej nga ngulmi i tyre.
Më në fund, ishte ai që u kërkoi ta linin, aty dhe të iknin.
- Mbase kështu është thënë për mua! Ikni pra!
- Si të ikim?! E ti...?!
- Fat i shkruar...
E panë që u tërhoq me hapa të qetë, për te tavolina e tij e punës, u ulë, u çua përsëri, hoqi pardesynë si në një fillim dite pune, e vendosi në kremastar, u kthye sërish te tavolina, hapi sirtarët, nxori dosjet, i vendosi përpara vetes, ulur në karrigen e tij.
Madje qetë-qetë nisi të shfletonte, si të ishte kujtuar se në fund të fundit puna ia largonte njeriut hallet e kësaj dynjaje!
- Njoftoni nga shtëpia se sonte nuk do kthehem…
***
“Sonte…”, po thua? Vetëm sonte? Po nesër, si i bëhet?!
Si të thoshin në shtëpi të tij? Vetëm atyre? Po të tjerëve, që dinin për zyrën e punës? Mijërave, prej të cilëve ishin përcjellë ditë më parë, për të hyrë në këtë zyrë, si...?
Njoftuan vetëm familjen e Tij, për atë natë.
Të nesërmen, serish, e ftuan te dilte, ta ndihmonin të dilte.
Vet ai duhej të vendoste. Nuk lëvizi nga tavolina.
me pak akoma, tanimë as ata, të tjeret, s’mund të hynin në zyrë. S’mund ta ndihmonin, as të pritnin, më pak akoma të heshtnin.
Dolën prej aty dhe njoftuan tërë sa menduan se duhej të dinin.
Ca nëpunës së sigurisë, por edhe kureshtarë, erdhën menjëherë. Si për t'u bindur se Ai kishte mbetur vërtet brenda zyre. Provuan të shihnin ç’ndodhte kur trupi përftonte përmasa të tilla që, edhe të padukshme, e kishin kthyer në një lloj pengu. Mbase ajri rrethe-qark asaj dere zyre, bymehej e ngrinte pikërisht kur ai provonte të dilte nëpër të.
E menduan edhe prishjen e derës, të skeletit të drunjtë, shkepjen e kornizës, por dëgjuan zërin e tij. Ua tha shkoqur që çdo përpjekje për të tjetërsuar këtë institucion, Krye-Zyrën, siç sapo e quajti ai.
Do të kishte pasoja të rrepta, të pa-mendueshme. Jo vetëm për të, jo veç për atë Zyrë.
“Për tërë qytetin. Për tërë vendin…”, saktësoi.
Teksa tha këto, shfaqi një fytyrë të shpupurishur, si pas një zgjimi prej ç’kushedi përhënieje. Kush e di ç'frymë e shfaqte si prej lënde tjetër, e rrëfente autoritar të paepur në seriozitet ngjethës dhe heshtje të mynxyrtë.
Lëvizjeve të tij, të parehatshme mbi karrige, mbase ngaqë do t’i duhej të mbetej përgjatë ulur aty, por edhe dy syve- të një syprine të rrumbullakët ore akrepat e të cilës rrëfenin kohë në shterje, nuk u rrihej dot përballë.
Versioni tjetër, të nxirrej për tu shpëtuar, qoftë edhe me dhunë, (ngaqë gjer edhe vet Sokratin, ashtu e kishin larguar nga Sheshi i Athinës) u la mënjanë, si i rreptë përtej meritës, i parakohshëm, edhe nëse për këtë mos-veprim do të pendoheshin dikur.
Tek e fundit, ai ishte përzgjedhur prej tribunëve dhe senatorëve, përpara se të tre të përuroheshin në “Sheshin e Popullit”, për atribut të asaj Zyre.
“Sheshi i Popullit”, mësuar të priste duke duartrokitur, qe plot. Aty i gjeje, sa herë, në pritje të lajmit të fundit. Nëpërmjet altoparlantëve, ngazëllenin duke dëgjuar zërin e tij. E dëgjuan kur tha:
- E pranoj fatin!
Brohoritën edhe për fjalët që vijuan, duke i mbushur me hamendje të vetat, teksa shpërndaheshin rrugicave për në shtëpitë dhe jetët e tyre.
Pas kësaj, për një kohë që askush s’kujtohej për ta matur, gati-gati u fol më për nxjerrjen e Tij prej Atje brenda.
“Mbase ky është edhe fati jonë! Le të mbetet atje!”
Qenë mësuar që, në temperatura të larta, prej magme thellësish të panjohura, gjendej gjithnjë dikush që ofronte shtigje. Edhe kësaj here u tha, e dëgjuan, u vendos.
Zyra, krye-Zyra pra, do të thirrej me emrin e tij. Le të mbetej i vetëm në të. Ngaqë atje do ishte, kishte nge të merrej me tërë sa ata të zyrës së bashku. Zëri i tij, prej distancës me ata në Shesh, po tingëllonte edhe më i magjishëm.
E vetmja gjë që shqetësonte atë qytet, prej asaj dite e më pas, ishte Jeta. Më saktë jetë-gjatësia e Tij. Drita s’do shuhej kurrë në atë Zyrë. Ndërtesa ku ndodhej krye-Zyra, u vendos të thirrej me emrin e tij. Rrugët që çonin deri atje, sheshi përpara saj, morën edhe ato emrin e Tij.
Se-kush e pa të udhës që edhe Sheshi I Popullit të merrte emrin e Tij, por ishte vet Ai që e shmangu tërë urtësi këtë vajtje-mendje. Megjithatë, askush nuk u befasua dhe nuk u ndje ditën kur vet Qyteti mori Emrin e Tij.
Tërë Fjalët e Tij që arrinin te Sheshi i Popullit, pranoheshin si urdhra të dashur. Prej atje brenda, po vendosej gjithçka.
Ca të huaj, vizitorë nga kush-e-di-ku, edhe pse s’dinin gjë për të, thanë: “Ka përmasa mitike, kjo që ndodh tek ju! Ndryshe, si mund të hynte Atje prej nga ku s’del dot më?”
Me kalimin e kohëve, edhe pse për të njëjtën pyetje, po besohej se Ai aty kishte qenë. Prej qëkur!
(1997-2025)









Comments