Faruk Myrtaj: A ËSHTË DOT SHQIPËRI E SHQIPTARËVE
- 7 hours ago
- 2 min read

Sa më shumë flet aq më shumë mbyllet. Sa më transparent rreket, aq më autokrat dhe kalorës i vazhdimësisë kundër hapjes reale dhe pluralizmit faktik.
Sapo e dëgjuam, në sy e në vesh të Evropës.
‘’...Ka problem se disa thonë: ‘’Nuk na duhen të huajt’’!
Dhe është e çuditshme se këtë e thonë ata që bërtisnin ‘Poshtë Komunizmi’!
O Njera o Tjetra!
Po të bërtisni ‘Poshtë komunizmi’, duhet të vijnë të huajt!
Nëse nuk vijnë të huaj atëherë Rroftë komunizmi…’
Keshtu u shpreh KM i radhes.
Le të gjendet një Njeri i Vetëm prej Shqiptarëve, që artikulohet kështu, siç do t’i duhej Edi Ramës që të fshihej në argumentin kundër tij!
Qeverive të Tiranës u kërkohet vetëm transparencë dhe politikë zhvillimi sa më kombëtare, të zhveshur prej fatit vetjak të Njëshave të radhës si qiraxhinj në Kryeministri.
Rama duket se është penduar që solli Mit’hat Frashërin, që s’ishte kurrë kundër të huajve, në të kundërt me ata që e lejuan të kthehej në atdhe vetëm vdekur!
Ishin ‘çlirimtarët komunistë’ ata që u shtirën se ishin me të huajt deri më 1945-ën. Sapo u bënë me pushtet, u prishën me të Huajt, pra me Perëndimorët, dhe hynë nën Dimrin e madh të vetmisë së Tyre, ku fatkeqësisht mbetën shqiptarët për gjysmë shekulli.
Nacionalistët mbetën në mërgim, në Perëndim, me Të Huajt!
Ngaqë pluralizmi u dekretua nga sipër, komunistët ndërruan disa herë emrin, në socialistë e rilindiotë, gjer edhe demokratikë u vetëquajtën, që Rama i sotëm e sheh këtë shoqëri si pronë e përkatësi vetëm të tyre: ‘O të Huaj o rroftë komunizmi’!
(Më i vërtetë po të thoshte Rrofshin Rilindiotët, se ish-komunistët e thjeshtë, ata që nuk vidhnin dhe që e duan Atdheun si jo-komunistët, kurrë nuk u bënë dot pronarë në Tranzicion.)
Rama dhe komplementarët e tij nuk i shohin të pranishëm mëmëdhetarët, mos o Zot, nacionalistët, mendje-hapurit jashtë ideologjive, profesionistët, ekonomistët, privatët dhe investitorët intelektualë, shqiptarët që janë bërë pjesë e Evropës dhe e duan atdheun krejt ndryshe nga socialistët rilindiotë.
Sidomos prej 2008-ës e neutralizuan pluralizmin, e bën të pakthyeshme 7501-in, krijuan ‘Pronarët e Dy Partive’, dhe pretendojnë se vetëm këta e duan Evropën!
Pra vetëm këta, pa asnjë lidhje me Kinën, kanë të drejtë të thonë:
‘’Vetëm ne i duam të Huajt dhe... komunizmin e fshehur!’’








Comments