top of page

Fadil Maloku: Kosova mes Perëndimit të adhuruar dhe "të huajve" të urryer!

ree

1. Modeli i frikës ksenocentriste (xenocentrism)


Thënë më thjeshtë, ka kuptimin e mbivlerësimit të tepruar të kulturave të huaja (aktualisht tek ne kjo ndodh me identifikimin e tepruar me kulturën perëndimore), të cilat pas luftës u shfaqën si modele shumë atraktive identifikuese, për shkak se përveç tjerash përbënin edhe një lloj satisfaksioni moral për gjithë ndihmën që shtetet perëndimore i ofruan Kosovës gjatë kohës së kërcënimit fizik dhe gjenocidit që ushtronte regjimi serb. Shikuar nga kjo dioptri, nuk ka asgjë të keqe në këtë drejtim, ngase të gjithë jemi të pajtimit se si vend, si shtet dhe si popull i përkasim Perëndimit, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Por, ajo që po ndodh realisht në këtë proces të tepruar identifikimi ka të bëjë me ato vlera dhe me atë sistem deviant vlerash, të cilat në çdo shtet perëndimor kontestohen si me fuqinë e ligjit ashtu edhe me normat dhe rregullat morale të këtyre shoqërive.



2. Modeli i frikës ksenofobiste (xenophobia)


Është një tip tjetër i identifikimit, përkatësisht përpjekja për të mos u identifikuar me vlerat dhe mënyrën e sjelljes së të tjerëve, që mendoj se gjithnjë e më shumë po hyn në jetën tonë të përditshme sociopolitike në Kosovë. Ksenofobia, pa hyrë në prejardhjen e fjalës (që nënkupton frikë nga e huaja, urrejtje apo edhe frikë patologjike nga të huajt), është në thelb mohimi dhe përçmimi i gjithçkaje që vjen nga popujt dhe vendet tjera.

Në realitetin tonë kosovar kjo dukuri mund të kuptohet si një lloj obsesioni ndaj rrezikut të perceptuar nga vlerat dhe sjelljet sociale, sidomos kulturore, të të tjerëve – pra si antipod i hapur ndaj gjithçkaje që është e huaj për kulturën, mentalitetin, mënyrën e të menduarit dhe vepruarit social të vendit. Ky obsesion paragjykues dhe injorues ndaj çdo gjëje të huaj në të ardhmen mund të prodhojë jo vetëm situata të rrezikshme deviante (mbyllje në vetvete, stres dhe pasiguri totale në raport me vetveten dhe të tjerët), por edhe pasoja që do të pengonin funksionimin e sistemit të sjelljes morale autoktone, si dhe sistemin ligjor, politik, social e kulturor. Që të dy frikërat, në realitetin tonë nuk do të duhej të këndvështroheshin në mënyrë irracionale e paragjykuese, ngase lehtë mund të eskalojnë në shovinizëm, racizëm dhe urrejtje fetare. Shtetet ksenofobe e shohin kulturën dhe vlerat e veta kombëtare si të drejtë pronësore të patjetërsueshme, edhe për shkak të bindjes se ekspozimi i tepërt ndaj kulturave të huaja fashit idealet e tyre për “pastërtinë” kombëtare, racore e fetare.Në fakt, ksenofobia, në kushtet e një procesi globalizues, shfaqet si dobësi dhe paaftësi për t’u integruar në familjet më të mëdha, siç është ajo evropiane. Nga ana tjetër, edhe ekstremi tjetër – ksenocentrizmi – ka mangësitë e veta, ngase mbivlerëson vlerat dhe modelet e huaja të sjelljeve sociale, politike, ekonomike e sidomos kulturore. Kështu që, në kushtet e shoqërisë kosovare, si ksenocentrizmi ashtu edhe ksenofobia janë dy frika të paarsyeshme edhe për një arsye tjetër: të dyja krijojnë ndasi dhe tëhuajsim të skajshëm të vlerave kombëtare shqiptare, në vend që të nxisin ballafaqim të shëndetshëm me kulturat e tjera – gjë që është kusht për t’u bërë pjesë e garës ndërqytetërimore e ndërkulturore.


3. Cila është rruga jonë?


Po jetojmë në një ambient social e kulturor dinamik, ku vlerat globale gjithnjë e më shumë po lokalizohen dhe anasjelltas. Ky proces i “dhënie–marrjes” është bërë një agjent lëvizës që na bën të kuptojmë se, si shoqëri e re demokratike, duhet patjetër – por me masë dhe jo me rezerva paranoike – të ndjekim rrugën aristoteliane të “mesit të artë”.

Kjo, sepse kultivimi ekstrem i cilitdo nga modelet e sipërpërmendura të frikës mund të na sjellë në situata konfuzioni e animi të panevojshëm, duke na vënë përballë dilemës nëse jemi pro apo kundër integrimit të këtyre vlerave në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit tonë të përditshëm.

Në fakt, barrikadimi përballë vërshimit të këtyre vlerave nuk do të duhej të na bënte as më pak e as më shumë patriotë dhe qytetarë të Kosovës. Rreshtimi ekskluziv kah vlerat deviante, qofshin ato perëndimore apo lindore, vetëm sa e vonon seriozisht integrimin tonë të synuar dhe ndërtimin e kapaciteteve e institucioneve demokratike – për të cilat qytetaria kosovare është e interesuar. Prandaj, “mesi i artë” duket të jetë rruga jonë më e mirë... (Dal nga "laborarori" sociologjik)

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page