top of page

Fabula shqiptare edhe në gjuhë të huaja




Shkrimtari Vangjush Saro publikon librin “L’ÂNE ET LE CHEVREUIL” (“Gomari dhe Kaprolli”)


Shkrimtarët shqiptarë prej kohësh po përcjellin krijimet e tyre edhe në gjuhë të huaja; e jo thjesht si vlera vetjake, por si arritje të letërsisë shqipe dhe kulturës sonë kombëtare. Këto ditë, u publikua në Amazon libri me fabula “L’ÂNE ET LE CHEVREUIL” (“Gomari dhe Kaprolli”). Versioni në frëngjisht i fabulave vjen nga përkthyesi dhe poeti i njohur Edmond Tupja. Ilustrimet janë realizuar nga piktorja Alma Skënderi. Libri “Gomari dhe Kaprolli” (me titullin “Gomar apo Kaproll?”) është publikuar më herët (në shqip) nga ERIK Botime.


Aktualisht, shkrimtari Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada); krahas kontributeve në prozën letrare, kinema e publicistikë, është ndër emrat e njohur në zhanrin e fabulës. Disa kohë më parë, autori botoi librin “Dear Fox!” (E dashur Dhelpër!) fabula në prozë, sjellë në anglisht nga Besnik Rika dhe Brizeida Saro, shoqëruar me një parathënie të shkruar nga Dr. Daniela Hasa, pedagoge e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës.

Lexuesi dhe kritika letrare kanë qenë gjithnjë të vëmendshme ndaj autorit në fjalë; veças për fabulat e tij. Fatmir Terziu, Pandeli Koçi, Vangjush Ziko, Petraq Risto, Xhahid Bushati, Daniela Hasa, Flamur Shabani, Alda Shpata, Ligor Prifti dhe shkrimtarë e njohës të tjerë të letërsisë kanë vënë në dukje larminë tematike dhe theksin aktual të krijimeve të tij, gjuhën e pasur dhe gjetjet e veçanta, kombinimin e humorit dhe ironisë me elemente lirike e peizazhe të realizuar me pak vargje. Grishja e lexuesve për meditim e alternativa interpretuese dhe krijimi i imazheve në kufijtë e animacionit, e bëjnë fabulën e autorit të afërt për çdo moshë.


“Fabula, filozofia dhe mesazhi i thukët i Vangjush Saros nuk mund të shihen të ndara - thotë Dr. Fatmir Terziu, shkrimtar dhe kritik letrar - Ato bashkëveprojnë në mënyrë diskursive, krijojnë gjuhë, theksojnë gjuhë, lartësojnë gjuhë. Theksi është në natyrën e tij humoristike-satirike. Fabula e tij mbështetet në deformim, jo ​​në ngjashmëri. Falë simbolikës bindëse, rrëfimit tërheqës, autori qaset natyrshëm te lexuesit e çdo moshe. Dhe kjo është një e vërtetë rreth së cilës nuk mungojnë asnjëherë argumentet… Saro e meriton këndin e tij të lartë në mjedisin e fabulës së sotme shqiptare.” Poeti dhe përkthyesi Vangjush Ziko shkruan: “Fabula e tij flet bukur si me gjuhën e humorit, edhe me atë të satirës. E vlerësoj dhe e përshëndes larminë e tipologjisë dhe të gjuhës së fabulistit dhe shkrimtarit të mirënjohur.” Një ndalesë edhe nga përkthyesi Ligor PRIFTI: “Metrika e realizuar me kujdes, bën të mundur leximin e rrjedhshëm, spontan, të ndihmon të shijosh ritmin dhe ta memorizosh lehtë situatën artistike.”

“Dear Fox!” dhe tani edhe “L’ÂNE ET LE CHEVREUIL” janë arritje jo vetëm dhe thjesht për autorin e tyre. E sjellë në gjuhë të huaja, pavarësisht vështirësive dhe çfarë ajo mund të humbasë, fabula vjen si një përvojë e një letërsie dhe kulture tjetër.

51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page