top of page

EROSI FRYMËZIM I PËRHERSHËM


( 45 TREGIME, “Hije në mure” të Istref HAXHILLARIT)

Nga PIRRO LOLI

MJESHTËR I MADH)

Në jetën e njeriut dashuria është kaq e madhe sa shpesh nuk e takon dot. Ajo është dhe vrasëse sepse është e verbër... Erosi, i biri i Afërditës së bukur ishte midis Zotave më i rëndësishmi. Harku i tij merrte në shenjë perënditë dhe njerëzit. Burri dhe gruaja në jetë rrëshqasin sirenave të bukurisë, për të takuar njëri tjetrin... Dhe të dy palët, endin qilima besnikërie, një lloj mastrubimi ky, rrjedhojë e rrethanave, familjes, pritjeve, dëshirave, sidomos dëshirave seksuale të parealizuara.

Jeta e njeriut është një “dramë” e lumtur mbushur me plot skena dashurie, besnikëri, pritje, dyshime, pajtime, xhelozi, zënkash gic-mic, por dhe grindje e sherre për tradhti, seks, prostitucion, ëndrra pa fund të realizuara ose jo , por përbëjnë botën e pasur të njeriut ,,,.

***

Një vëllim 230 faqe me 45 tregime të zgjedhura e bën shumë të vështirë analizën. Edhe një tregim i vetëm është një vepër poetike( si poemë) më vete. Kriteri i më të bukurave në zgjedhje , natyrisht qëndron në parim, por autori nuk përballet dot me vetveten krijuese në procesin përkatës të rritjes së tij që nga fillesat e tij deri në vitin e fundit, ( kemi mbi 13 vjet krijimtari ( 2007 -2020). Tjetra, një përmbledhje e tillë nuk është një fuçi vere që të pi një filxhan e të përcaktoj cilësinë e fuçisë... Në këtë sprovën time mundohem të trajtoj sado pak, tiparet e shumicës së kësaj përmbledhjeje pra, tematikën e përbashkët në shumicën e tyre, erotikën ose seksin në jetën e njeriut. E përfytyrova si një tufë të madhe lulesh, me të gjithë llojet e trëndafilave me të gjitha ngjyrat dhe aromat. Kjo ma lehtësoi të pamundurën e analizës. E kështu, u afrova sadopak te, prushet e frymëzimit të autorit, ku mbisunduese është tematika mbi seksin, që biologjikisht është dhe rutinë dhe instikt agresiv pannjerëzor; vulë e dashurisë, e pse jo dhe mëkat njerëzor, jo si te Kopshti i Edenit. Kjo kërkon një teknikë të mençur të shkruari, dhe një lirizëm personal gjë, që nuk i mungon shkrimtarit I. Haxhillari. Them se erotika, kaq e njohura te njeriu që në lashtësinë e vet, me poli dhe mono gaminë, pak e njohura në krijimtarinë artistike si dhe në të gjitha besimet fetare deri sot, është e rrezikuar nga trajtimi pseudo moralist rutinor.

SHKRIMTARI DHE INTIMITETI EROTIK

Krijimi letrar e artistik është gjithnjë erotik. Erosi si kërkesë biologjike njëkohësisht është frymëzim i përhershëm për shkrimtarët dhe artistët. Sot seksi nuk është më moral i verbër e tabu por, më afër se kurrë te njeriu, i mbrojtur dhe ligjërisht në të drejtat dhe lirinë e tij, edhe pse nuk e ka shmangur dot anën dramatike dhe hijet satanike të mëkatit.

Dëshira poetike është dhe dëshirë erotike. Nuk është thënë kot, artisti është biri i erosit. Marrëdhënia e fshehtë, heshtja, e pakuptueshmja, absurdi, retorika e kufizimit, trojet psikoanalistike të ëndrrës, krijimi dhe kënaqësia seksuale, janë troje kur erotika përputhet me psikoanalizën frojdiste e, këtu dallohen edhe vlerat artistike. Fusha semantike e kënaqësisë, në letërsinë moderne, bëhet gjithnjë e më komplekse e çliron energji të reja krijuese; metafora josh mishin, fjala merr krahë artikulohet si gjest deri në skanerin e qenies biologjike e shoqërore. Në disa tregime të Haxhillarit si ( Tabloja e të dashuruarve. Lëkundje që shuhen etj)... kur partnerët bien në krah të njeri tjetrit, mbushin boshllëqet e dielli shkëlqen jashtë, qeshin retë, kreshpërohen të kënaqura valëzat e liqenit ...

Në shumicën e tregimeve të “Hije në mur” të shkrimtarit të njohur Istref Haxhillari, ka një gjendje ankthi e pasigurie që i mbërthen personazhet nëpër sprova dhe situata të papritura. Ndjenjat e vetmisë së burrit apo gruas që kanë shpërfillur intimitetet seksuale reciproke, u krijojnë ankthe, pasiguri dhe një rutinë ditore të padurueshme. Prandaj e kanë të pamundur të mos kërkojnë zgjidhje tjetër ose tradhti bashkëshortore. Ata kuptojnë dhe përgjegjësinë e fajit, dhe vuajtjen shpirtërore deri në, divorcin dhe vetëflijim. Në këto tregime personazhet janë të viktimizuar nga mos zgjedhja e fillimit , mos përshtatshmëria në çift. Burri, po më tepër gruaja ndjehet pa fat e shpesh fajtore. Tregimet janë përgjithësisht realiste, por nuk mungon as fantazia për të tjetërsuar ato e për të krijuar realitete imagjinare subjektive. ( sidomos në dialog) E, për këtë nevojitet një imagjinatë e pasur krijuese, shoqëruar me përvojën jetike dhe krijuese, që autorit nuk i mungojnë. Shkrimtari gërmon në një enigmë dhe përgjigjet po vetë. Në tregimet e Haxhillarit personazhet ngjajnë si projekte të Kafkës që nuk çlirohen dot nga heshtja e gjatë dhe anonimeti; Këta tipa, meshkuj ose femra asnjëherë nuk kanë fytyrë të përcaktuar duke e vështirësuar konturin e brendshëm thellësive të ndjenjave dhe të vuajtjeve të tyre permanente. E pra, nuk e teprojmë të themi se mungesa e kësaj fytyre është fytyra e njeriut ose dy fytyrëzimi i pranuar i njerëzimit. Në endjet biologjike të personazheve femra ato mundohen të mbrojnë vetveten, ose maskën e tyre; ato rikoperojnë pjesën më vitale të vetvetes së shpërfillur, feminitetin dhe mungesën e dashurisë e rrjedhimisht kërkojnë kompesim dhe hakmarrje. Kjo situate e bën tregimin Haxhillarit dramatik – duke nënkuptuar kështu se marrëdhëniet seksuale janë baze e harmonisë bashkëshortore. (Tablloja e të dashuruarve, Komençta etj. )

PERSONAZHET

Proza e mirë vlerësohet nga niveli i personazheve. Në çiftet e trajtuara vërehen persona të pikturuara me kujdes “Të rëndomtë” por të “të denjë: për t’í rrëfyer. Ndër ta dukshëm dallohen femrat, sidomos në bukurinë e tyre fizike dhe dramat e fshehta shpirtërore. Të gjitha personazhet femra, njëra më e bukur se tjetra, mbështillen me një romantizëm sensual dhe pasqyra u tregon vetëm bukurinë sikur kanë qenë pjesëmarrëse në konkurset e bukurisë, madje dhe ajo më banalja, si “Vajza e bordurës”. Bukur të përshkruara, që nga flokët, sytë e buzët, trupin e derdhur, e këmbët, e gjinjtë e fryrë. Gjithçka femërore epshore, provokuese. Këto e bëjnë lexuesin të lexojë me ëndje. Plotësisht të justifikuara dhe artistikisht të arrira. Femra është në thelbin e tregimeve të Haxhillarit, natyrisht dhe elementi faktorizues i jetës në çdo çift që shtjellohet. Shkrimtari prezantohet i ditur, i plotësuar për atë që do të arrijë .Në psikën e lexuesit duhet të krijohet bindja se shkrimtari ka lindur i ditur. Siç dihet kultura mitologjike ka dhënë një enciklopedi e tërë metaforike që dhe sot pas mijëra vjetësh, me të, mund të ilustrojmë përvojat bashkëkohore që nuk ndryshojnë shumë se femra mbetet femër e mashkulli mashkull, veçse ndryshon raporti i njeriut me njeriun, lidhur me psikën e re të familjes dhe shoqërisë .

INTERMEZO

{...Më lejoni të kujtoj: Hyjnesha e dashurisë dhe e bukurisë , Afërdita është e lartësuar mbi të gjitha hyjneshat . Ajo ishte aq e fuqishmja sa nuk e përballonin dot as zotat. Ajo nuk është vetëm simbol i femrës tokësore, voluptuoze si çdo femër, por dhe plotësisht femra e njerëzimit, seksi, femra, nëna , motra , pra, dhe femra, femër; jo më kot ka pasur shtatë bashkëpunëorë që plotësojnë natyrën e femrës me çdo virtut ( si bukuri magjepsëse, dëshirë e zjarrtë, seks dhe dashuri por dhe paqëndrueshmëri, xheloze, gënjeshtare , histerike, imorale; ( ajo vetë nuk ka mbajtur asnjë dashnor përgjithnjë) madje miti e bën dhe vrasëse sepse dashuria është e verbër... Shkurt çdo femër tokësore mund të gjejë tek simboli i hyjneshës së bukur vetveten. Të mos harrojmë se ajo është e ëma e Erosit. Ai , shigjetari i dashurisë, që kur u martua me një femër tokësore( të vdekshme), Psikën, trazoi jetën e zotave dhe të njerëzve. As Olimpi as deti nuk qëndroi dot i virgjër. Me triumfin e krishtërimit, të gjitha perënditë u shkrinë bashkë me të parin e tyre, Zeusin, por Afërdita jo. Ajo ka qenë dhe është pranë njeriut e domosdoshme në qiell midis zotave dhe në tokë midis njerëzve. Si bukuri dhe dashuri; simbol, pa marrëveshje që gjallon nga të gjithë poetët, piktorët, muzikantët e astronomët e botës. Erosi dhe Thantos-i, të dyja do bëheshin shtyllat bazale të kulturës botërore; dashuri-vdekja do alternohej me vetveten dhe poetët do krijonin mitologjinë e vlerave të mëdha dramatiko-poetike..Madonat e pavdekshme të dashurisë në letërsinë klasike, Helena, Zhulieta, Beatriçja, Margarita, Ana, Zonja Bovari, Lolita etj., etj., kanë përfunduar nëpër ingranazhe tragjike. Ky është realiteti. Kjo është jeta e njeriut. Eros dhe Thanatos-... Por ajo hyjnesha jonë e bukur, me të gjitha huqet që mban përsipër ka qenë dhe është e privilegjuar; asaj që në mitologji, por dhe sot në letërsinë e madhe i dedikohet bukuria fizike, velloja e bukur e martesës, trëndafili, molla, lulëkuqja, pëllumbesha, delfini , dallëndyshja dhe blini ....

Dhe kjo përmbledhje me tregime e Haxhillarit, një buqetë e bukur trëndafilash për femrën shtyllën bazale të jetës dhe familjes... }

***

Personazhet e Haxhillarit nuk janë qenie të vetmuara e të pabesueshëm. Ata njihen dhe në lagje. E më të besueshëm e tipikë, po të përdorim këtë term, i bën pena e mprehtë e shkrimtarit. Janë ata, të dashuruarit që shkelin ngaherë kufijtë e njëri tjetrit. Për ilustrim e konstatim të plagës përkatëse, jo për moral. Është fjala për mos vlerësimin e partnerit. Që sjell mërinë. Qysh në fillimet e qytetërimit perëndimor ”Arsyeja dhe morali përcaktohej si instrument që detyronte e shtypte instiktet” (Herbert Marcuse). Kështu, rrjedhimisht bota shqisore, duke qenë empirike bëhej armike e arsyes. Por seksologët pohojnë se babëzia seksuale e mund njeriun. Cënimi i kënaqësive ka dhënë prova dobësie. Shtypja instiktive çliron veprim të kundërt të ndalesës. E shpesh kundërvenia e bën qenien qesharake. Seksologët kanë studjuar dhe mashkullin e ndër ta kanë zbuluar dhe elemente shkencorë fatalë e të frikshëm. I ngujuar në ipotencën e libidos së vet, shpesh i braktisur nga pseudo liria personale, i pangopur, i pakënaqur, mizor dhe cinik, përthithur nga dallgët e kënaqësisë narcidiste e sadiste, triumfator i ëndërrimeve të veta të parealizuara, pa kushte dorëzohet përballë Ipotencës së vet mashkullore ( Operacioni Seving, Muzikanti plak etj. )

STILI SI IDENTITET

Nëse do gjeja një fjalë karakterizuese të rrëfimeve të Haxhillarit, do ishte “konciziteti”, që nuk është i lehtë, përkundrazi është stili i mundimshëm për të portretizuar vetveten. Ky është tipari më dallues i unit të shkrimtarit , dhe pse jo, dhurata më e vlershmi e talentit të tij. Me të shkruarit shkurt dhe shumë shkurt Haxhimllari tregon të veçantën e talentit, vullnet dhe disiplinë në një rrafsh sintaksor shumë të ngushtë. Ky tipar i rëndësishëm vetiak e bën lexuesin e vëmendshëm kurioz edhe për ta plotësuar vetë teksin. Te tregimi “Operacioni seving” gruaja bën operacionin e vështirë në trup të saj pa e ditur se fajin e mos lindjes e kish burri. Autori, vetëm në fjalinë e fundit “Ai nuk ishte burrë” ka thënë gjithçka dhe ka rrëzuar të gjithë ngrehinën e tregimit. Te “Kuajt e natës; lexuesi duhet të vrasë mendjen të kuptojë pse bukuroshja e qytetit ( lavirja) ikën nga mjediset e thashethemeve duke lënë pas boshllëkun shkretinor të një bukurosheje që zbukuronte qytetin, ani pse aq shumë e përfolur. ... Vlerë të veçantë unë shoh te portretizimi i femrave. Bukuroshet e tij kanë kërkuar penën e hollë të shkrimtarit që, pavarësisht se në shumicën e tyre, seksi e përjashton dashurinë, romantizmin dhe lirizmin – këtu, femrat në të gjithë tregimet janë pikturuar të bukura sensuale e secila ndryshon nga tjetra. Një vështirësi kjo, që autori e ka tejkaluar me sukses. Tërheq vëmendjen e lexuesit mënyra se si flasim këta personazhe. Ata i kanë fjalët “me kandar” e lexuesi duhet të mbajë mend se ç’ është thënë më parë që të mos e humbasi fillin. Është një mjeshtëri imponuese kjo drejt identitetit të tij si tregimtar i talentuar. Dialogët e tij të kursyer dhe tepër të kursyer, të kujtojnë stilin e Hemingueit( Të kesh a të mos kesh). Haxhillari, rrallë e më rrallë ( si stil) të mbërthen gati me logjikë matematikore, tepër koncize në situatën e dhënë; shpesh dhe vetëm me një fjalë ose me një fjali , (Një tregim fillon me fjalën “’kurva”, ky është prezantimi. Personazhi na vjen që në fjalën e parë i gatshëm. Në të tjerë tregime thelbi i tyre jepet si mesazh fshikëllues në fjali mungesore të thëna si spontanisht. Me kënaqësi vërehet në stilin e autorit kjo gjuhë lakonike deri në skajshmëri të konteksit, jashtë komunikimit të zakonshëm. Ka vende ku teksti rrallë e m rrallë duket i hallakatur, drithërues si epilektik, me pauza që e detyrojnë lexuesin të plotësojnë hapësirat boshe të dialogut . Në këtë diapazon gjendjesh e ndijimesh Haxhillari me kujdes vë gishtin me anë të stigmatizimit leksik në tipare e dukuri që mbahen mend. Është meritë e autorit që si një sy në kamer sheh e filmon gjithçka me një realizëm të besueshëm që dhe një kineast do ta pranonte ta filmonte. Rrallë i lejon vetes përparësi edhe në rrugica të errëta pa pretenduar zgjidhjen e qartë të dramës. . Dashuria e përkohshme, bukuria e femrës, kënaqësia, drama dhe lumturia që premton ajo, bëhen edhe elemente fatale që , mendoj, se përbëjnë rrezikun e shtyllave të qytetërimit; dashuria është si kallo e fortë në mes të këmbës që të pengon të ecësh i lirë; ose do ecësh me dhimbje ose do ta shkulësh me më shume dhimbje. Stili i autorit preferon realizmin. Pa alegori. Pa simbolizma. Pa metaforë. Liqeni është liqen. Reja re, femra femër. Zonja zonjë e kurva kurvë. Kur tregon në vetën e parë, si piktor gazetar a shkrimtar, herë herë na fut në lëndina misteresh. Mendoj se është më interesant kur tregimi ka diçka misterioze në shtjellimin e ngjarjes. Psh, nuk kuptohet ( aq më mirë kjo) kur gruaja e bukur që nuk realizoi dot portretin se piktori e dashuroi, e gjeti i shoqi në flagrancë, e fali megjithëse e kish koburen në brez si prokuror, ... por ajo ra e sëmurë dhe nuk u ngrit më. Pse? Ndërsa në tregimin tjetër, me piktor e femër të bukur që i pozonte rregullisht, femra e braktis sepse piktori kish harruar gruan( femrën) për hir të pikturës...

Pothuajse të gjithë çiftet e këtij shkrimtari e kanë një hall, diçka nuk shkon midis tyre – këtë e di më mirë autori se të zotët e ai përshkruan dramën e tyre, zbardh kontradiktat por ai, ( autori) nuk i gjykon. Nuk është ky roli i shkrimtarit veçanërisht në këto tematika ku morali ka gjithmonë dy palë të kundërta. Në stilin e tij vërehet parimi i rrëfimit të ngjarjes me 1/8 e saj. Kjo i shkon për shtat autorit ndaj “ky ajzberg”me 1/8, lëviz shpejt me lehtësi si nëpër faqet e një albumi fotografik.. Në stilin e tij Haxhillari nuk ka patetizëm, moralizime, retorikë thatësirë. E kjo tregon se individualiteti i tij po përvijohet me siguri. ..´Violina nuk e mbështolli dot pikëllimin... Kjo fjali si varg poetik flet për autorin më tepër se për personazhin; duket se ka një penë të sigurt. Personazhet e tij janë bukur të pozicionuar, në vendin, kohën, motin, pejsazhin përkatës, deri në hollësi me dhomën e gjumit, liqenin, diellin, retë puplore që lëvizin e mjellmat që lozin mbi ujë... .. . Ai është shkrimtar realist, por seleksionues i vëmendshëm i realitetit, në të kundërt, pa përfytyrimin e fantazisë , realiteti do zgjidhte vetveten, të bëhej imponues duke u kthyer në kurth për autorin.

62 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page