top of page

Erinda Medolli: ZËRI I NJË GRUAJE

Tre poezi nga Erinda Medolli

 

 

NË SIRTARET E SHPIRTIT

 

Në sirtarët e shpirtit kam fshehur

fjalë që nuk i thashë kurrë me zë,

ëndrra që i mbështolla me kujdes,

që të tjerët mos ndiheshin lënduar më.

 

Kam ruajtur buzëqeshje të vjetra,

që i vesha mbi lot të padukshëm.

Kam varur kujtime me kujdes,

si fustane që më kurrë si vesh.

 

Në një qoshe rri një letër e pathënë,

e shkruar me zemër, jo me dorë.

Një dhimbje që s’e harroi koha,

por që tani më nuk më rrëzon .

 

Sirtar pas sirtari, nuk jam bosh.

Jam një botë me ndjesi të mbledhura,

një grua që shumë ka heshtur,

por tani… ka vendosur të flasë.

 

ZËRI I NJË GRUAJE

 

Unë jam grua — zëri i heshtur,

Që kur s’kam fjalë, flas me sy,

Jam dritë në terrin më të egër,

Jam plagë që ngrihet prapë në këmbë, me kry’.

 

Jam fllad i butë mbi ballë të fëmijës,

Jam stuhia që përmbys padrejtësi,

Jam urtësia që s’bën zhurmë,

Por në heshtje ndërton histori.

 

Unë jam grua,nuk jam pronë,

As nënshtrim që vjen me furi.

Jam mendje që lind ide të reja,

Jam forcë që shkatërron çdo kufi.

 

Kam duar që japin jetë,

Kam shpatulla që mbajnë botën,

Kam zemrën që fal dhe vuan,

Por s’lejon askënd ta thyejë dot.

 

Jam vajza që ëndërron liri,

Jam unë, e palëkundur, e fortë ri.

Në një botë që shpesh më mohon,

Unë jam grua… dhe kaq më mjafton.

 

KUSH GRATË I QUAJTI PRONA?

 

Kush gratë i quajti prona,

si tokë për të lëruar?

Si plaçkë pa zë e pa të drejta

veç për t’u komanduar?

 

Kush i vendosi kufij në shpirt,

e fjalën ia lidhi me zinxhirë?

E trupin që lind jetë,e uli në çmimin,

E dha badjava si mall fare të lirë?

 

Kush i mësoi të heshtinin,

kur duhej të ulërinin?

Kush i tha të qeshnin

kur shpirtrat i qanin,

e dhimbjet t’i gëlltitnin?

 

Jo, gruaja s’është pronë,

është zjarr, është jetë, është tokë,

është fjalë e pathënë ende,

është frymë që s’mbytet dot.

 

S’është gur që hidhet,

as send për të zotëruar,

është burim force e shprese,

që s’duhet më nënshtruar.

 

Kush gratë i quajti prona,

harroi se toka s’mund të zihet,

se zemra kur s’të do,

as nga frika s’mund të lidhet.

 

Mos e quaj më pronë një grua,

ajo është vetëdija,e tëra, liria,

zëri që ngrihet më në fund se tremb

stuhija.

Ajo që ja del vetë deri në fund,

përmbys çdo padrejtësi të vjetër e të ndytë.

 

AUTORJA:

 

Erinda Medolli ka lindur në Trestënick të Devollit, më 22.06.1989. Ka përfunduar me sukses studimet e larta për Mësuesi, dega “Cikël i Ulët”, në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, si edhe ka përmbyllur studimet “Master Profesional” me rezultate të shkëlqyera në vitin 2022.

Në Shqipëri nuk mundi të ushtrojë profesionin e saj pedagogjik, pasi dyert e institucioneve, ashtu si për mijëra shqiptarë të tjerë, mbetën të mbyllura nga burokracia.

Si shumë shqiptarë nëpër botë, edhe Erinda, nënë e dy fëmijëve, u largua drejt Norvegjisë, duke marrë me vete ëndrrat, dhimbjet dhe shpresën për një jetë më dinjitoze.

Me shkrimin filloi të merrej atëherë kur jeta nisi t’i dukej më së shumti gri dhe beteja e saj u bë lufta e vetmuar kundër një bote hipokrite, me vargun e saj të lirisë si armë të vetme.

Forca e gruas, e nënës dhe e mësueses së letërsisë u shkrinë në ato vargje të lira, ku ajo gjeti lirinë e saj hyjnore dhe pasionin për jetën, me bindjen se pranvera do të vijë përsëri.

Në betejat e mbijetesës në emigrim, Erinda ndjeu nevojën t’i shprehte ndjenjat e saj të pathëna, me shpresën se dikush, përveç zërit të shpirtit të saj artist dhe të nënës, do t’i lexonte e do t’i kuptonte.

Vendosi t’i shprehë sakrificat në mënyrën më fisnike dhe më lirike: përmes poezisë.

Filloi të shkruajë në mënyrë eksperimentale për të provuar veten — dhe ia doli.

Sot, poezia është kthyer për të në oksigjenin e dytë të jetës.

Të mbjellat e pranverës së parë nisën të japin frytet e tyre për letërsinë, duke i ofruar publikut pasionin dhe ëndrrat e saj përmes librit të parë poetik “Thirrja ime”, botuar në vitin 2020.

Sot numëron shtatë vëllime poetike.

Në betejat e mbijetesës në emigrim, ajo kishte vetëm një armë: vargun e lirë, për t’i dhënë zë ndjenjave që askush, veç shpirtit të saj artist dhe zemrës së nënës, nuk i kuptonte — por që patjetër dikush duhej t’i lexonte.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page