Eqeremi dhe Lindita



Eqeremi dhe Lindita

Portrete mërgimtarësh


Shënime për një familje të thjeshtë mërgimtare...

Kur hidhte hapat e para në atë pjesë të jetës kur njeriu qëndron vetë në këmbë dhe nuk ia ka qejfi ta kapë kush përdore, shorti i ra të bëhej mësues. E donte këtë profesion me të cilin njeriu përballet për herë të parë në jetë, atëhere kur i mësojnë dhe mëson gërmat e para në rrugën e rritjes drejt dijes…

Pasion kishte edhe penelin. Bukuria e Shkumbinit kur i hyn në mes qytetit duke e ndarë më dysh, epika e maleve që tjerrin retë, Strava, rrënjëz e të parëve, me pyjet e pamatë dhe livadhet ku këndojnë në kor bilbilat, ngjyrat e natyrës veçanrisht në vjeshtë kur ajo lë petkun e gjelbërt dhe nis të hedhë supeve jorganin e bardhë…e ngacmonin që t’i merrte ngjyrat dhe t’i hidhte në fillim në letër e më vonë në kanavacë. Veçanrisht kjo dëshirë iu bë pasion kur, mësues në zona të thella, në Letëm e gjetkë, vëzhgonte jetën në tërë përmasat e saj…

Shkollën e lartë e mori me korrespondencë, ashtu siç e merrnin të gjithë ata që matematika e jetës i detyronte të punonin dhe mësonin. Ëndërra që një ditë të ulej në bangën e institutit të arteve, të mësonte pikturën dhe skulpturën e vjetër dhe të re, mbeti në kufijtë e utopisë…

U martua. Lindita, nga një familje soji, u bë pjesë organike e jetës së tij. E njohu në Letëm ku ishte mësues. Prindërit, dhe veçarisht e ëma, bijë e Letmit, vinin shpesh në fshatin e bukur midis maleve të lartë e pyjeve pambarim. Atje u kryqëzuan vështrimet e sytë u thanë shpirtërave se janë njeri për tjetrin, përjetë. Veçanrisht lidhja e tyre u bë nyje e fortë kur në jetë erdhi fëmija i parë. Ia vunë emrin Erlis. Midis lisave të lartë ai ecte mëngjeseve kur shkonte në shkollë e masditeve kur kthehej. Aroma e tyre, sidomos në pranverë kur plas gjethi ia mbushte shpirtin me gaz e hare. Mori Erën, mori edhe Lisin. I vuri bashkë dhe ata formuan emrin e djalit…Erë-lis, Erlis Elezi…

Shpejt do ta linte djalin dhe gruan. Rroga e mësuesit, e atij profesioni që duhet të jetë kryeprofesion e duhet paguar si i tillë, ishte kaq e ulët sa nuk mbulonte dot as qeranë e shtëpisë e jo më të tjerat…

Një shok i fëminisë, më i miri dhe më i ngushti, Shpëtim Hyka, e thirri të vijë në Greqi. Shpëtimi kishte kaluar shtatë herë malet derisa një ditë kishte arritë të ngulej në fillim në Thiva e më pas në Athinë. E la klasën, i la nxënësit që i donte dhe e donin dhe u ra maleve në këmbë. Eci ditë e natë derisa arriti në Thiva. Atje e priste Shpëtimi, atje e lidhi edhe ai jetën. Në fillim në bujqësi e më vonë, kur zbriti në Saranta, në atë gji të vogël kundruall Korinthit e Ksilokastrës në bregun tjetër, me peshkimin, u bë peshkatar në një kaike të vogël…

…Punonte pa parë kur lind e perendon dielli. I mungonte familja, fjala e ngrohtë e Linditës, e qeshura e Erlisit…

…Shpëtimi kishte marrë letrat dhe një ditë u nis drejt Librazhdit. Do të shihte prindërit e do të çmallej me lumin, malet, shokët, ata që kishin mbetur. Por do të shihte edhe Linditën dhe Erlisit, për t’i sjellë habere shokut që ishte i ngujuar në atë fshat të largët, pa letra e hapësirë lëvizjeje. Por jo vetëm habere, donte edhe t’i sillte ato në Greqi, të rrinin bashkë e të punonin bashkë. Bleu një vizë, nga ato viza që shitësit betohen në sojë e sorollop se e kanë marrë me para e mundime në konsullatë dhe se është e “origjinale”.

Kompjuterat në anën tjetër të Kapshticës ia nxorrën fallco dhe ai u detyrua të kthehej përsëri në Librazhd me barrën e rëndë që ngarkon momenti…

Prova e dytë doli me sukses. Një taksixhi nga Elbasani kishte pasë besë por edhe miq që e kaluan gruan dhe fëminë lehtë në kufi dhe e zbritën shëndosh e mirë në fshatin e bukur buzë detit…

…Këtu hodhën rrënjë. Jo rrënjë të vërteta por nga ato rrënjë që biologët i quajnë “rrënjë embrionale” e që janë të përkohëshme, se rrënjët e vërteta ai i ka lënë dhe i mban në vendlindje, në Librazhd. Zunë një shtëpi të vogël nja dhjetë metra larg bregut të detit. Ai vazhdoi të punojë në peshkim. Lindita zuri një punë dy herë në javë gjatë gjithë vitit, dhe gjatë gjithë javës në sezonet verore kur fshati mbushet me turistë e plazhi i vogël me atë ujë të pastër e ajër të mbushur me oksigjen gumzhin deri natën vonë.

…Erdhi një çast që familja u shtua njëherësh me dy frymë. Në jetë erdhi Dhimitra dhe Jani. Nuk ua prishën Lamit që i kishte kaluar të nëntëdhjetat e jetës, me të dhe me familjen e të cilit e lidhi gjuha. Lami është arvanitas dhe flet shqip, është me rrënjë të vjetra shqiptare i ardhur kushedi sa breza më parë. Por shqip flasin edhe shumë fshatarë të Sarantës dhe të tjerë të zonës së Thivas, një shqipe që është kaq pranë shqipes së sotme sa befasohesh. Binjakët, Dhimitra më e shëndoshë dhe Jani më i dobët tashmë janë rritur, bredhin pa i marrë kush përdore, i çon babai mëngjeseve në një kopsht fëmijësh në fshatin disa kilometra larg dhe i merr në mbrëmje. Kur Lindita na tha se i kishte lindur binjakët pa u shkëputur një minutë nga puna, nga lokali drejt e në maternitet, m’u kujtuan nënat tona, gratë shqiptare, ajo pjesë e jetës së tyre që pak është prekur e pak është luftuar që të ngrihet në piedestalin e heroikës, gratë që në rrjedhën e shekujve dijtën të ngasin qetë në arë, të rrokin pushkën e në istikame të gatuanin bukën, të lindnin e rritnin fëmijë…

Eqeremi dhe Lindita tashmë e kanë thurur folenë e përkohëshme të jetës. Them e përkohëshme sepse ata, edhe pse larg, edhe pse kaq vjet mërguar, përsëri i trazon në shpirt e kaluara, jeta dhe puna në Librazhd. Eqeremi netët i kalon në peshkim kurse ditët në punë të ndryshme në fshat. Në oborrin e shtëpisë pak më të madhe se e para ku tashmë jeton me qera, në një qosh do të shohësh një sërë veglash bujqësore, midis të cilave edhe një prerëse bari e ferrash, motorike, nga ata korrëse që në majë të një shkopi të gjatë metalik kanë një sharrë disk që duke e futur mes barërave të lartë e ferrrave pret dhe pastron. Duart e Eqeremit kanë një vijë të formuar nga fërkimi i litarëve tek tërheq rrjetat, kanë edhe shenja plagësh të vjetra e të reja të formuara nga puna në bujqësi. Një jetë në punë e me punë, një jetë që nuk din ditë pushime e feste.

Eqeremi e ka një merak, një plagë nga e kaluara që në një çast të bisedës u fut për të bërë vend në kujtesën time. Ai e ka dashuruar punën e mësuesit, e ka dashuruar siç dashuron prindi fëmijën. I duket se duke ikur ai u ka atyre vogëlueshëve një borxh. I duket se i tërë sistemi arsimor në Shqipëri vuan dhe do të vuaj nga i njejti borxh. Mësuesit, në periudhën e kalimit, në një masë të vogël apo të madhe, si të doni mateni, iu larguan fëmijëve, i ranë në qafë profesionit, ikën nga të qënit mësues, dhe u kthyen në matrapazë, në njerëz që i shikonin fëmijët për xhepash, si mall tregu, si burim të ardhurash e fitimesh. E ka këtë plagë në shpirt e don ta shërojë në mënyrën e vet origjinale. Ka bërë një listë të fëmijëve parashkollorë e shkollorë të Sarantës e të fshatrave për rreth. Syun e ka që një ditë t’i mbledhë në një sallë, t’i ulë në banga e t’u mësojë të shkruajnë e lexojnë gjuhën e bukur shqipe. E ka futur në këtë ëndërr edhe realiteti ku jeton, njerëzit autoktonë prej shekujsh të ardhur nga malet e Shqipërisë dhe të vendosur aty. Ata e kanë ruejtë gjuhën shqipe. Ai më mirë se kushdo e njeh dhe e din këtë gjë. E din se një ditë ata këtë do ta humbin. Dhe do ta tresin siç tretet vesa e mëngjesit sepse ata nuk e kanë shkruar kurrë atë, nuk janë ulur kurrë në bankat e mësimit të saj. Jo se nuk e kanë dashtë por se nuk i kanë lënë. Edhe shqipja e shqiptarëve emigrantë, nëqoftëse një ditë fëmijët nuk do të ulen në banka e nuk do të shkruajnë e lexojnë shqip, dalngadalë do të tretet. Shoqëritë e hapura synojnë lulëzimin e një gjuhe të përbotshme duke zvjerdhur e tharë gjuhët e tjera, siç zverdhen, thahen e bijen përdhe gjethet e ahut në vjeshtë duke krijuar shtresa që kalbëzohen e kthehen në humus….

… Me siguri një ditë do të shkruajmë për klasën dhe nxënësit e Eqerem Elezit në Sarantë të Thivës.

… Me siguri një ditë do të shkruajmë edhe për pasionin tjetër të Eqeremit, për pikturën. Do të shkruajmë se si duart e tij me vraga litarësh rrjetash peshkimi dhe me plagë nga ferrat dhe drizat mbajnë dhe përdorin penelin, hedhin në kanavacë ngjyrat e jetës ikanake.

Me siguri… Me siguri… Me siguri…

* * *

...Dhe erdhi një ditë që Eqerem Elezi u mësoi fëmijëve të mërgimtarëve si ta flasin, si ta shkruajnë, si ta lexojnë dhe si të këndojnë shqip. Kjo ndodhi më 5 mars 2009 në një lokal administruar nga një shqiptar në bregdetin e Sarantit... Dhe erdhi një ditë që Eqerem Elezi ta zhvillojë mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët e emigrantëve në një klasë në një shkolle greke... Kjo ndodhi më 7 mars 2010... Atë ditë Eqerem Elezi do të më thoshte... “Gjithmonë kam pas dëshirë të arrij këtë ditë. Gjithmonë e kam pas brenda vetes. Profesioni i mësuesit më ka pas pëlqyer shumë. Kur u larguam ato vite, flas për vitin 1997, u ndjeva ngushtë, ishte një punë që nuk e çuam në fund, një punë që e lamë përgjysmë. Mbase kjo është ajo forca shtytëse më e madhe që më detyron, që më bren se kam lënë diçka pa bërë nga ajo që mundja të bëja.

Nuk flasim vetëm për ëndrra. Flasim këtu se kemi detyrime. Është ëndërr, por kemi edhe detyrime. Kemi detyrime ndaj Atdheut, në qoftë se do të themi këtë fjalë që sa vjen e nuk po dëgjohet më. Kemi detyrime ndaj atij mjedisi që na përgatiti ne për mësues, që të luanim një rol që duhet të luanim, por siç e thashë e lamë në gjysmë.

Shtoj edhe ndaj kërkesës që njeriu ka ndaj vetes. Ajo bile duhet të jetë kërkesa më e lartë: Çfarë kërkesash ke ti ndaj vetes? Këtë e bëj për të shlyer diçka që e kam lënë në gjysmë dhe në rast se do t’ia arrij qëllimit, siç duhet të them sinqerisht, do të ndjehem i lumtur. Është një ëndërr për mua sikur këta të arrijnë të lexojnë dhe të shkruajnë në atë shkallë që dua unë...” Eqeremi vazhdon të jetojë e punojë në Saranti të Thivas, si gjithnjë në dy e më shumë punë, në peshkim, ndërtim e në punë bujqësie. Nuk ia gjen shokun për punëtor... Lindita është e angazhuar në punë që lidhen me shërbimin ndaj turizmit dhe komunitetit... Erlisi ka hapur një punë të tij në Thiva, është bërë xhenerik i kërkuar për riparimin e makinave... Janit i pëlqen të udhëtojë e të ngulet në Angli, tash si qytetar grek... Dhimitrës i pëlqen të vazhdojë studimet e larta për mjekësi... Jani dhe Dhimitra ishin nxënës të Eqeremit në mërgim. Në jetë gjuhën e bukur shqipe që u mësoi babai i tyre si ta shkruajnë, lexojnë e këndojnë do ta kenë gjithnjë me vete...

#Abdurahim #Ashiku Thiva- Athinë, 2005 - 2020

18 views

Shkrimet e fundit