top of page

Emi Krosi: “Tjetërsimi” i njeriut përmes elementit post/modern, në poezinë e Erina Çokut.


Tema:  “Tjetërsimi” i njeriut përmes elementit post/modern, në poezinë e Erina Çokut.


Nga Emi Krosi

 

Shumë poezi sot kanë një tjetër rend të shkruari, si një përmbushje shenjash, ku shenjuesit poetikë manifestojnë disa veçori, ndër më të rëndësishmet kanë lëkundja mes modernes dhe postmodernes, si elemente tejkaluese të integrimit të përvojave të jetës njerëzore. Kjo përrokje, ka gjethnuar lloj-lloj teorish, që kritikët dhe studiuesit e kanë emërtuar metamodernizëm (Amian: 2008). Një përzierje mes të tashmes dhe të shkuarës, globalizmit dhe lokalizmit, apo edhe polet ku vetë poetët metamodernistë janë mes dikotomisë si: dija / injoranca, e vërteta / gënjeshtra, sinqeriteti / ironia, optimizëm/ cinizëm, dashuri/ urrejtje,  jeta/ arti etj. Një poete e re (e panjohur për lexuesin shqiptar), ose për një masë lexuesish online, kanë ndeshur një poete që lundron herë në ujërat bashkëkohore, herë moderne e herë postmoderne, pse jo herë - herë rikthehet tek lirika klasike. Poezia “In Poeticium” nga Erina Çoku, na kumton një frekuencë poetike tërësisht postmoderniste, ku përmes tekstit të hapur, nxitet lexuesi, si receptuesi që i paraprin papërcaktueshmërisë së kuptimit.

 

Kjo poezi ngjizur me sytë e veshët e tu,

gropë e errët në gojën tënde,

gur me lak në qafën tënde,

pellg me ujë nën këmbët e tua.

Kjo.

Kjo bishë me të gjitha format,

egërsirë e vogël brenda trupit tënd

me frymën ftohmë, me ahtin zheg,

me ujin dallgë, me detin baticë,

me qiellin vranëti.

Kjo.

Kjo formë jete që plaset kraharorit tënd

një, dy, tre, shumë herë,

dhe ti i ndien krisjet, plasat, thyerjet

një, dy, tre, shumë herë.

Kjo.

Kjo poezi që kacavirret brenda lëkurës tënde

si një fëmijë i gëzuar këmbadoras,

si një krijesë e shpejtë në arrati,

si një pre e mbijetuar njëqind kafshimeve.

Kjo.

Kjo poezi që duhet thënë, që nuk duhet thënë,

që të ënjt duart, të thyen dhëmbët,

të çan lëkurën, të shpon mishin,

të shpërthen ujë sysh, të rrjedh gjak hundësh,

turjelë e re në eshtra, i burgosur androgjin në kafkë,

grahmë e re për diçka.

 

Kjo.

Kjo poezi që mbahet në ty, që mbahesh në të

e të ther në trup aq sa ta shpërthen,

të lë fill pa kuptim në ajër

gjersa lufta jote me boshin nis,

me siguri do të biesh, do të biesh

e po s’re, trupi yt do të gërryhet fort,

rrënjë të reja do të përgjaten brenda teje,

do të lëshojnë kërcej, degë e sytha

sërish, sërish.

Kjo.

Kjo poezi që të lufton ty dhe ti lufton atë,

dyshja jote besnike e mbijetës,

rrëzimi dhe ngritja,

agonia me kujtesë të largët vdekjeje,

përpëlitja me harresë të grisur jete,

drita dhe hija,

të gjitha zërat që mbjell e korr,

udha kah shkon, udha kah vjen,

gji thë koha që shtillet brenda saj,

gjithë koha që asgjësohet jashtë saj,

ti fantazmë e saj, ajo fantazmë e jotja,

mishi i trazuar, kocka e përzier,

palca e shqetë dhe gjaku i turbullt.

Kjo.

Kjo poezi që lind para përseve,

që përgjigjet para pyetjeve,

që nuk të duhet, që nuk i duhesh,

që e do pavarësisht, që të do pavarësisht,

kjo ndodhi e jotja në trupin tënd,

kjo luftë e vakët e jotja,

mes zotave të erës, të ujit, të zjarrit e të dheut

mes frymës, gjakut, mishit e kockës.

Kjo.

                                                      (“In Poeticim”)




Poezia nuk ka një rend strofimi dhe pse gjuha është nga përdishmëria jonë. Duket si copëza të ngjizura trupore, ku përmes togfjalëshit emror [kjo poezi], përsëritet në njësitë e saj strofike ose si anaforë apo inversion, për të përforcuar mesazhin: kjo poezi ngjizur me sytë e veshët e tu,/gropë e errët në gojën tënde,/gur me lak në qafën tënde,/pellg me ujë nën këmbët e tua./Kjo./Kjo bishë me të gjitha format,/egërsirë e vogël brenda trupit tënd, një stil kulturor dhe estetik, si një shfytyrim i paradoksales dhe pasigurisë, tjetërsimi i individualitetit, deri në limitet më ekstreme, me një gjuhë specifike, që synon të padukshmen (Dado: 2020), lidh dukshmërinë e të jashtmes dhe të brendshmes, me të gjitha format e simbolikës, me të gjitha format e vetëdijes që radikalizohen tërësisht brenda subjektivizmit. Lirika ka një projeksion totalisht magjitativ, për të kuptuar çdo shtresë të shëndërrimit personal, është thelbësore, si një përpjekje për të ndryshuar gjendjen aktuale katotike, përmes "arbitraritetit postmodern”, në vargjet: kjo./Kjo formë jete që plaset kraharorit tend/një, dy, tre, shumë herë,.dhe ti i ndien krisjet, plasat, thyerjet/një, dy, tre, shumë herë./Kjo./Kjo poezi që/kacavirret brenda lëkurës tënde/si një fëmijë i gëzuar këmbadoras,/si një krijesë e shpejtë në arrati,/si një pre e mbijetuar njëqind kafshimeve./Kjo./Kjo poezi që duhet thënë, që nuk duhet thënë,/që të ënjt duart, të thyen dhëmbët,/të çan lëkurën, të shpon mishin,/të shpërthen ujë sysh, të rrjedh gjak hundësh,/turjelë e re në eshtra, i burgosur androgjin në kafkë,/grahmë e re për diçka.

Poetia ka rrënjëzuar poezinë si pemë e shpirtit, duke e jetësuar në trupin e njeriut, në të gjitha organet, në çdo ind, duke kërkuar brenda lëngut limfatik të jetës, eksitencën e fjalës, të bukurisë së shpirtit. Nuk është vetëm shkëputja nga motivet tradicionale të modernes /postmodernes, por vetëm zhvendosja e dukshme drejt ironisë. Postmodernia po gllabëron sinqeritetin, të vërtetën, lirikën e “pastër”, me kode shenjuese përmes tofjalëshve të tillë si:  "kthimi i së sinqertës", "fundi i ironisë" dhe "pasioni për e vërtetën” (Flecher: 2004). Përsëri poetia ripërsërit : kjo./Kjo poezi që të lufton ty dhe ti lufton atë,/dyshja jote besnike e mbijetës,/rrëzimi dhe ngritja/agonia me kujtesë të largët vdekjeje,/përpëlitja me harresë të grisur jete,/drita dhe hija/,të gjitha zërat që mbjell e korr,/udha kah shkon, udha kah vjen,/gji thë koha që shtillet brenda saj,/gjithë koha që asgjësohet jashtë saj,/ti fantazmë e saj, ajo fantazmë e jotja,/mishi i trazuar, kocka e përzier,/

palca e shqetë dhe gjaku i turbullt. Për një poezi, që do të kishte ende gjithë forcën krijuese të emërtimit, pa asnjë element si në aspektin historik dhe filozofik, autoria përpiqet të hedhë themelet e të menduarit gjatë gjithë kohës, për strukturën që i përkushtohet, racionalitetit ndërsubjektiv të modeleve moderne/postmoderne, qëndron  logjika e konceptimit kryesisht në aspektin kolektiv dhe fatin i rastësishëm të individit, ku rrëfimi krijon mundësinë e lojërave gjuhësore dhe modeleve intelektuale të papajtueshme reciprokisht, pa një meta-diskurs detyrues (Turner: 1996). Poezinë e shohim përmes tipologjive semiotike  dhe aspektore:

-       aspekti i vetëvendosjes së subjektit,

-       aspekti individual legjitimues i njohjes,

-       aspekti i polivalencës së shenjave dhe (de)kodimet e shumëfishta,

-       aspekti i shenjimit të së tashmes si koncept modernist.

Në këtë “fotografim të gjallë” literalizmi i qenies së njeriut përmes poezisë (nëse quhet metamorfozë), bëhet përmes metaforave, vlera e poezisë kuptohet se përcaktohet, jo nga kuptimi i tij, por edhe nga efektet që ka tek subjekti lexues: kjo./Kjo poezi që lind para përseve,/që përgjigjet para pyetjeve,/që nuk të duhet, që nuk i duhesh,/që e do pavarësisht, që të do pavarësisht,/kjo ndodhi e jotja në trupin tënd,/kjo luftë e vakët e jotja,/mes zotave të erës, të ujit, të zjarrit e të dheut/mes frymës, gjakut, mishit e kockës./Kjo, që receptohet përmes sanksioneve të gjuhës së folur të përditshmërisë, si thyerje epokash drejt një tërësie të re sociale (Butler: 2002). Poezia është “goja” që na flet përmes aktit shkrimor por edhe si akti i fjalës, (fjala ishte e para thotë Bibla), me shenja individualiste, se ekzistenca e njeriut është në dilemë: të kuptojë jo vetëm efektet specifike të kumtit poetik, por edhe të vetë qenies së tij njerëzore përmes aktit subjektiv. 

 

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

1.      Amian, Katrin. (2008). Rethinking Postmodernism. New York: Rodopi.

2.      Butler, Christopher. (2002): Postmodernism, a very short introduction, Oxford University Press:  New York

3.      Dado, Floresha. (2020): Postmodrenizmi, poetika e “antirregullit”, “Kristalina-H”, Tiranë.

4.      Fletcher, Angus:  (2004): A New Theory for American Poetry: Democracy, theEnvironment, and the Future of Imagination. Cambridge, Mass.: Harvard University Press.

5.      Turner, Mark. (1996): The Literary Mind. Oxford: Oxford University Press

3 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page