top of page

EMBLEMA E LIRISË


Xheladin MJEKU





Bedri Tahiri: “ADEM JASHARI LEGJENDË E LEGJENDAVE”, monografi, botim i dhjetë i plotësuar, botoi Gazeta “Rilindja“ – Prishtinë, 2018


Bedri Tahiri (1956), i sprovuar gjatë kohë me shkrime për ngjarje e histori të shumta nëpër periudha të kaluara, ku si prodhim i tyre lexuesit i janë dhuruar dhjetëra monografi emrash e ngjarjesh të ndryshme, pa mos e harruar edhe krijimtarinë tjetër në fushën e letërsisë, në poezi, prozë dhe analiza të shumta për vepra letrare, që e begatojnë opusin e tij krijues prej shumë dekadash. Pas botimit të monografive: “Azem Bejtë Galica”, “Përmendorja që mungon”, “Hys Popova – një yll në Yllësinë shqiptare”, vjen me monografinë “Adem Jashari – legjendë e legjendave”, për të vazhduar pastaj edhe me dhjetëra të tjera, që e përbëjnë fondin e tij krijues.

Për ta mësuar më shumë se cila është fushëveprimtaria krijuese e tij shkëpsim këtë citim nga “Shënime për autorin”, që e përcakton bindshëm shtrirjen e perimetrit që rrezaton kjo krijimtari: “Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshinë gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar” (po at, fq. 239). Në frymën e këtyre parametrave e gjejmë pothuajse gjithë krijimtarinë e Bedri Tahirit, nga e cila po shpalos monografinë “Adem Jashari – Legjendë e legjendave”, të cilën sa herë që lexohet e rilexohet, të lë mbresa të reja e të bën kurioz të mësosh sa më shumë për heroizmin dhe sakrificën e Familjes legjendare të Jasharëve dhe rezistencën popullore për çlirimin përfundimtarë nga hordhitë barbare të karpatianëve të çartur.



Legjenda e legjendave dhe heroizmi i Familjes Jashari


Bedri Tahiri ka zgjedhur vullnetshëm dhe me përkushtim i është dhënë njohjes dhe prezantimit sa më të plotë të figurave kombëtare, heronjëve e personaliteteve të shumtë, që janë pjesë e përhershme e kauzës sonë kombëtare. Si njohës i spikatur dhe me përvojë të gjatë në fushën e monografisë, ka sjellë shumë të tilla duke bërë që të kemi sa më shumë njohuri për heroizmin dhe sakrificat e tyre. Edhe në monografinë “Adem Jashari – Legjendë e legjendave” është e pranishme po ajo frymë dhe vullnet që të skalis deri në detaje e të sjell deri në finesa çdo zhvillim të familjes Jashari, që nga gjeneza, deri në sacrificë. Vërtetë, heroizmin e Familjes Jashari që në fillim e kanë vlerësuar shumë personalitete botërorë e kombëtarë, të cilët i japin vend meritor dhe e ngrisin në piedestalin e heroizimit për liri. Vlerësimi i rëndësisë së luftës heroike të Adem Jasharit dhe përkufizimin e emrit dhe veprës së tij në Kryelegjendar të të gjitha kohërave e përshkruan me pak fjalë edhe Bernard Kouchner, duke e cilësuar si më meritorin që njeh bota, për aktin më të lartë të sakrificës dhe veprën njerëzore: “Po të kishte çmim Nobel për liri e sakrificë, pa dyshim që ai do t’i takonte Familjes Jashari”. Një tjetër vlerësim po aq i rëndësishëm eshtë edhe fjala e Ismail Kadaresë gjatë qëndrimit të tij në Prekazin historik, ku, si do të shprehet ai: “Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë…”. Këta dhe shumë tjerë që kanë pasur fatin ta njohin sakrificën e kësaj familje legjendare, fuqishëm e shprehin rëndësinë e luftës dhe heronjëve të saj, sakrifica e të cilëve u bë shkëndi e pashuar për liri, për të rrezatuar përgjithmonë në legjendën heroike të Familjes emblematike Jashari.

Nuk ka si të mos jetë “gllabëruese” kjo monografi gjatë gjithë kohës sa e lexojmë, që nga fillimi na përvetëson një kronologji e gjërë e zhvillimeve të Familjes Jashari, duke nisur nga gjeneza e deri në aktin historik të sakrificës për lirinë, për ngritjen dhe edukimin e brezave në frymën e dashurisë për atdheun; pastaj veçohet koha kur Shaban Jashari emërohet mësues dhe përcjellja e vazhdueshme nga njerëz të pushtetit të atëhershëm gjithë aktivitetin e tij, deri në burgosjen dhe fillimin e ndjekjeve të vazhdueshme, duke e penguar në çdo hap në punët dhe angazhimet në çështjen kombëtare. Por, Shaban Jashari, asnjëherë nuk do të ndalet në arritjen e synimeve të tij, derisa ia del të konsolidoj punët dhe të krijoj besimin edhe nga të tjerët se liria është qëllimi dhe obligimi i tij i vetëm dhe i pandalur, pavarësisht si do të rrjedhin ngjarjet në vazhdimësi. Sidomos do të veçohet dita kur i lind djali i tretë, Ademi, në një datë të shënuar të vitit 1955. Ishte Dita e Flamurit, kur për Shabanin ndodhin dy veçanti. I përmbajtur në çdo veprim, këtë ditë do të vepronte ndryshe. “Dy gëzimet e përnjëherëshme e kishin mposhtur. Nga nënguna e leshtë nxori flamurin kuqezi, që atë ditë ia dhuroi një koleg nga Shqipëria. Lehtë-lehtë u fut në dhomën tjetër. Drita e bishtukut valvitej mbi fytyrën e foshnjes symbyllur. Pasi e mbuloi të tërin me flamur, zuri t’i flas me zë të ulët, nga frika se po i zgjonte të tjerët: O trimi i babait, sa të paska hije! Ky është flamuri ynë, që i vjen era gjak. Ja dëgjoje. Ashtu të paça! Për të nuk kursehet asgjë, as jeta. Këtë shqipe dykrenare sa fort e urrejnë armiqtë tanë. Halë në sy e kanë përherë. Sa u përpoqën ta zhbëjnë, por kot. Që nga Gjergji ynë i madh mbijetoi mbi gjakun tonë. Edhe ti, kur të bëhesh burrë, do ta mbrosh e nderosh. Po, po. Qe revolja, mbaje me shëndet!...” (po aty, fq. 34), ishte bekimi që i bëri Ademit që ditën e lindjes. I tillë u rrit, u edukua në frymën e atdhedashurisë, me lirinë në shpirt e në mendje, për tu bërë pastaj legjendë e pavdekshme. Kulla e përbetimit gjatë gjithë kohës do të mbetet po ajo, e kushtrimit për liri, e përpjekjeve të përhershme për organizimin e luftëtarëve, derisa “Armët e lirisë jehuan larg e më larg”. Kjo jehonë u dëgjua cep më cep të planetit për t’i dhënë fuqi luftëtarëve të lirisë që marshuan nën flamurin kuq e zi dhe emblemën e UÇK-së, si dy krah që e bënë madhështore fitoren e tyre. Shumë ngjarje tjera e përcjellin atë kohë, të cilat do t’i trajtoi autori, duke u dhënë ngjyrim të kohës e gjak lirie, që nga çastet e “Përballjes së parë”, ku moto e përgjithshme ishte “Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet”, që në realitet pragu i shtëpisë ishte vetë Kosova në çdo cep të saj, e cila duhej të mbrohej me çdo kusht. Vijë edhe ngjarjet tjera, si e shtuna e 28 shkurtit 1998, ku shpërfaqet në gjithë vendin kushtrimi për liri, meqë Masakra e Likoshanit ia hoq përfundimisht maskën okupatorit dhe u kuptua qëllimi i tij, që mobilizoi gjithë popullin në përballje me armikun shekullor e të paskrupullt, ku synim të vetmin kishte pushtimin e territorit dhe dëbimin masiv të popullit nga trojet e veta.


Historia në tri pamje


Në këtë monografi e gjejmë të skalitur në lapidarë heroizmin e pashembullt të Familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve, që synim të vetëm kishin lirinë e atdheut. Bedri Tahiri ka bërë një vepër të realizuar mirë, duke prekur kështu pothuajse të gjitha hallkat e zhvillimit të luftës, pa mos i anashkaluar edhe ngjarje e personazhe nga luftërat e mëparshme që janë zhvilluar në trevat e Drenicës, si ndërlidhje e vazhdueshme e tyre. Heroizmi i Azem dhe Shotë Galicës, i Hasan Prishtinës, Emin Latit, Tahir e Nebih Mehës, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Mustafë Shytit, Dr, Lec Uka-Gradica, e shumë të tjerë i japin fuqishëm pamjen e një lufte heroike të pandalur për dekada, deri në çlirimin e vendit, për të mbetur pastaj lapidarë të përjetshëm të lirisë.

Sa ishte e jehona e kësaj lufte e kuptojmë nga shumë relacione, varësisht se kush është përballur me këtë çështje, qoftë nga spektri ndërkombëtar, qoftë nga historianë, krijues, këngëtarë e personalitete të ndryshme për t’i ngritur himne kësaj Epopeje të lavdishme. Po sjell këtu veç një dëshmi të tillë për ta kuptuar se çfarë jehone kishte bërë kjo luftë dhe heroizmi i luftëtarëve të mobilizuar rreth emrit të legjndarit. Rapsodët i kënduan këngë, nga të cilat njëra ishte nga më të dëgjuarat dhe të përcjellura gjthandej kah frymonte aroma e lirisë:


“Ku m’je nis oj lulja me erë?

Në Drenicë, te baca Adem..”


Për ta dhënë pastaj vlerësimin e tij autori: “O zot, sa shpejt e paska marrë kënga me vete, për ta mbajtur të gjallë përherë. Ashtu e ka ajo, vetëm të pavdekshim i pranon në gjirin e vet” (po aty, fq. 83).

Bedri Tahiri, përveç si realizim të mirë, që mund të lexohet edhe si monografi, do ta ketë mveshur me petkun e një vepre letrare të llojit të romanit, duke e përshkuar me pamje e dialogje; të shumta, herë si dokumentar të shumë ngjarjeve që prezantohen në formë kronologjike, por edhe të ndërlidhura me histori të kaluara dhe të ilustruara me fotoportrete e pamje nga ambiente të shumta prej nga është zhvilluar kjo Epope.

Një paraqitje e historisë së Familjes Jashari në tri pamje, si heroizmi dhe Epopeja e Jasharëve, rrethanat historike shikuar nga personalitete të shumtë ndërkombëtar që ndikuan drejtpërdrejtë në përkrahjen dhe përmbylljen e kësaj kauze dhe, nga vigjilenca e syrit të krijuesve, poetëve, rapsodëve e historianëve, të cilët i bënë vepra e vargje për pavdekësinë kësaj Epoke të lavdishme.


Kapitull që shkruhet në vazhdimësi

Heroizmi i popullit dhe fryma e lirisë, si dy bashkudhëtarë të një kauze, si askund tjetër, në Epopenë e Jasharëve shkruhen në vazhdimësi. Kjo për faktin se ata ishin frymëzim dhe kushtrim i brezave në luftën për liri, e poaq vazhdojnë të jenë frymëzues të gjeneratave të reja në ruajtjen, ngritjen dhe ndërimin e shtetit, për të cilin u bënë luftëra e ranë dëshmorë, për të përmbyllur kapitullin e jetës deri në pavdeksi.

Vërtetë ky kapitull i heroizmit mbeti shembull se në çfarë përmase duhet atdheu dhe sa është liria e domosdoshme për një popull të përvuajtur në shekuj.

Bedri Tahiri, në mos tjetër, ka bërë të mundshmën e domosdoshme që t’i ngris lapidarë një kohe – emblemë e popullit që kulmoi me dritën e ardhmërisë për brezat që vijnë.

Këtu pavdekësia mbetet legjendë dhe legjenda krijon pavdekësinë e një populli liridashës, që rriti dhe edukoi breza e trima të paepur!

9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page