top of page

Eleni Boçari



Tregim ( Bazuar mbi persona dhe ngjarje të vërteta, marrë nga anglezi Thomas de Quincey dhe nga shqiptaro - francezi Mathieu Aref )

Pas rrethimit të dymbëdhjetë, Suli më në fund po jetonte ditë paqeje. Ali Pasha e kish dërguar ushtrinë e tij të udhëhequr nga të dy djemtë, Veliu dhe Myftari për të nënështruar krahinën rebele të Himarës. Vet turqit, si e panë që nuk do mundnin kurrë ta mposhtnin as me dredhi e as me luftë atë racë trimash të paepur, urdhëruan Pashanë e Janinës që ta bënte këtë, edhe pse ai po luftonte prej kohësh me Sulin. Përvoja e përsosur e nënështrimit të Çamërisë, myslymanizimi i pjesës më të madhe të popullsisë së saj , i kish mbushur mëndjen Aliut se edhe Himarën do ta kishte nën këmbët e tij. Kësisoj la vetëm një pakicë ushtarësh në rrethinat e Sulit dhe pjesën tjetër e nisi me dy djemtë në Himarë. Kjo kish ndodhur jo më larg se katër ditë më parë. Për vite e vite në Sulin e rrethuar nuk kish patur asnjë dasëm, kështuqë dy familjet, ajo e Not Boçarit dhe e Pilo Dhrakës vendosën t'I martonin Elenin dhe Gjonin, që kishin dy vite të fejuar. Lajmi për dasmën u kthye në një pranverëz të vogël në atë pragdimër që , mesadukej, do të sillte stinë më të ashpër se të viteve të shkuara. Edhe te Dhrakët, edhe te Boçarët dasma nisi që të enjten. Qafa, Suli, Seleida, Zalogu, u duk se e harruan luftën, urinë, plagët, vdekjet, vajet që u patën rrëmbyer jetën dhe gëzimet. Diçka që e ke pritur gjatë, kur vjen , ethet e pritjes thuajse harroen, gëzimi mjegullon çfarë kaloi, koha e vuajtjeve rrëshqet marrëmendëse në një pjerrinë, të rrëmben një marri e pakontrolluar për t'I detyruar jetës, mbase edhe Zotit atë që të ishte mohuar. Kjo po ndodhte me suljotët; në të shtatë fshatrat rreth Qafës, mbase për herë të parë në zakonin e këtyre maleve,që i puthte era e ftohtë, po e virgjër e mëmëvetësisë. Ata që të enjten ishin në kullën e Boçarëve, të premten shkuan në kullën e Dhrakëve, ditën tjetër u këmbyen, kurse të shtunën erdhën të gjithë për të gëzuar bashkë me nusen. Të dielën kishin vendosur të gëzonin dhëndrin, Gjonin. Suliotët kishin menduar të njehësonin dasmat e të dy familjeve dhe kjo dukej diçka e bukur. E bukur, sepse ishte bërë pa përfillur kanunin e pashkruar, të përftuar nga thinjat e këtyre maleve. Jashtë kullës, i zoti i dasmës, Not Boçari po mbante gjallë bisedën me burrat e Sulit, që ishin ulur rreth disa tryezave të stërgjata prej pllakash guri, të bëra nga duart e arta të gjyshit të Notit,i cili pat qenë ndërtuesi më i dëgjuar i shtëpive me gurë të gdhendur, i portave të harkuara, i dritareve me qemer, i tavaneve të zbukuruara me llojlloj figurash gjeometrike dhe artistike. Pleqtë më të vjetër që e kishin arritur, mbanin mënt që atë e kërkonin gjer larg në Arkadi e në zonat e ulta të Pindit, ku gjendej një gurë i rrallë, i lehtë në të punuar, po jetëgjatë dhe i qëndrueshëm ndaj grryerjes së natyrës së ashpër të atyre malësive. Bisedën e nxiste kënaqësia dhe kënaqësinë e ndizte rakia dhjetëvjeçare e manit, që Noti e kish ruajtur që nga dasma e motrës së tij të vogël që vdekja e pat rrëmbyer herët. në lindje, së bashku me fëmijën. U ngrit në këmbë Llambro Xhavella, kur biseda kish heshtur për një çast. - Hajde të trashëgohet Leni o Not ! E kemi pritur kaq gjatë gëzimin tënd të parë. Qoftë e mbarë kjo dasëm edhe për Sulin, se është si dielli i ngrohtë i ditëve të para të Marsit pas një dimri pafund! Gëzuar të gjithëve! U dëgjua tingulli i thekshëm e i prerë i trokitjes së gotave të rakisë që la pas një psherëtimë të zvargur. Veç për një hop. Pastaj nisën urimet për Notin edhe nga të tjerët. Aq kish zgjatur psherëtima e burrave të Sulit, sa vetëtima në qiellin e ngatërruar të stuhisë. Ishte në vend të ankimit për vitet e humbura në një luftë të pakuptimtë, vëllavrasëse që kushedi se kur do t'i vinte fundi. Njeriu qenka i çuditshëm; edhe në kushtet e një rrethimi të tillë rraskapitës, kur ke vuajtur për vite të tërë urinë, etjen, varfërinë e detyruar, netët pa gjumë, ankthin e sulmeve të befta, përhumbjen në frikën e pasigurisë për atë që do të vijë më vonë, thjesht ,kur ke harruar si jetoje, i qesh me shpirt një rrezeje drite të drojtur, që sapo është fanepsur nga një e çarë e tavanit të një shpelle ku ke udhëtuar qëkur nuk mbahet mënd dhe turresh pa menduar për atë që mund të ketë ruajtur kjo shpresëz vagabonde e dyzuar me dyshimin. I jepesh tërësisht vetburimit të përfytyruar të shuarjes së asaj etjeje të shpirtit që Zoti ta premtoi, po të tjerët ta mohuan. Kjo po ndodhte me suliotët. Te dasma e Eleni Boçarit po shihnin Bregun e Shpresës, Bregun e Shpëtimit, Bregun e Lirisë dhe të Shpirtit të Lënduar. Nga kulla e Boçarëve dolën duke qeshur e me zhurmë vashat që do nxirrnin nusen në vallen e saj të vajzërisë që do ta linte përgjithmonë si një kujtim të përmalluar përgjithmonë aty, në pragun e shtëpisë ku lindi e u rrit. I dha tezja e saj, Moskoja shaminë dhe e vuri në krye të vashave, që ishin veshur të gjitha me fustanet e gjata ngjyrë qielli dhe me shami të bardha me temina, qëndisur me rruaza në të gjitha ngjyrat e ylberit. Pa nisi dhe vallja e kënduar që kish vite e vite pa u dëgjuar në këto anë. Moskos nisën t'i ndrisnin në ball bulëza djerse nga sikleti mos kish harruar fjalët e këngës që shoqëronte vallen, po kjo zgjati vetëm pak, si një fllad që lëviz gjethet në një fëshfërimë të ëmbëlsuar me nektarin e gjithë pyllit e pas këtij flladi, që kalon i padukshëm dhe i pandier, gjithçka qetohet. E nisi këngën Moskoja, në fillim me zërin që i dridhej, lehtë dhe e pasigurt, po i shoqi, Llambro Xhavella, i bërtiti me zërin e tij bubullimë : - E , trimja ime, këndo ashtu si lufton, jo kështu , si mizë në qyp! Dhe Moskoja u kthye menjëherë te komandantja legjendare e grave të Sulit.

Tatëpjetë malit kur vije, jelekbardha veshur, Me llërët përveshur, Vije moj duke qeshur. I flisje hënës të dilte, jelekbardhe veshur, Me llërët përveshur, Vije moj duke qeshur. Po ajo druhej të vinte, nuri yt mos e vrinte, Jelekbardha veshur, Me llërët përveshur, Vije moj duke qeshur, E përsërisnin të gjitha gratë që kishin rrethuar vallen refrenin dhe kënga u ngrit lart e u përplas në shpatet e maleve, jehoi në grykat dhe u shtri tej , në hapsirat e pamata të atij vendi të ashpër, po të bukur, që Zoti e kish krijuar si një këngë malli, gjithmonë të zgjuar. Burrat bënin sehir dhe dëgjonin të heshtur. Noti ishte përlotur, po askush nuk e vuri re këtë. Ai i kish rritur jetimë,edhe Elenin, edhe Markon; nëna e tyre kish vdekur nga një sëmundje e panjohur. E, mes atyre ëngjëllusheve të kaltra, Eleni Boçari ndrinte si Afërdita që pret agimin e bardhë. Nuses ia hiqnin shaminë kur hynte në vallen e saj, i hidhnin një shall supeve, ndërsa shaminë e mbante vajza që mbyllte rreshtimin e valles, që ia vendoste mbi krye sapo mbaronte vallja. E bukur ishte Eleni Boçari...Si dallëndyshja e parë që këndon ardhjen e pranverës, si manushaqja e parë që guxon e e çel pa ikur dimri, e qeshur dhe plot hire, sikur i bën karshillëk ashpërsisë inatit të tij.Nën flokët e dendur, gështenjë të çelët zbriste balli i bardhë, ku jepnin dritë dhe jetë sytë e kaltër, nga buronte një mirësi dhe mençuri detyrore për të tjerët. Zoti ia kish falur të gjitha me një bujari të pamatë, sikur ta kish stisur për Kryeëngjëllin e tij në Tokë. Dikur Moskoja e ndërpreu këngën. Heshti edhe vallja. Ajo e puthi Lenin në ballë dhe e uroi : - Qofsh e lumtur moj bijë dhe paç këmbën e mbarë edhe për vashat e tjera të Sulit! Pastaj iu drejtua të tjerave: - Hajdeni zogëzat e Moskos, sot martojmë vashëzën më të bukur të këtyre anëve. Dhe hoqi vet vallen. O moj vashë epirote, Leshverdhë si kardhiqote, Sykaltër si janiniote, Belhollë si Filatiote, Hiqe vallen si suliote, Eleni moj amantiote. ................ Markoja erdhi me vrap dhe i tha të atit. - Shiko babë atë zogun e madh që u ul te Manastiri. Burrat vunë re një fajkua, që të jepte përshtypjen se po ndiqte me kërshëri dasmën. Një grua bërtiti. - Ndiqeni atë zog, ai ndjell ogur të keq. - Ç'thua moj e uruar, ai zog vjen përvit në këto anë, rri pak dhe largohet sërish për andej nga vjen. Sot ka ardhur të urojë Elenin që po bëhet nuse, ka ardhur ta përcjellë. Fajkoi, për habinë e të gjithëve, mbylli krajët, u rehatua mbi nj gurë në të djathtë të Manastirit dhe po kundronte suliotët në gëzimin e tyre. Mesaduket edhe ai kish kohë pa ndier këngë e valle në malet e Sulit dhe vendosi t'i shijojë ato. Foto Xhavella që kish bërë disa hapa andej nga qe shfaqur fajkoi, tundi kryet dhe tha me zë të lartë : - Ai erdhi edhe në dasmën time, që u bë kështu si e sime kushërire dhe zgjati vetëm dy ditë. Të tretën aliasit sulmuan dhe dasma u harrua, sikur të mos kish ndodhur asnjëherë. Pa me vëmendje të atin, pastaj të ëmën dhe shtoi : - Ky fajkua më mgjan edhe mua me një ogur të zi. Ata të dy, Llambro Xhavella dhe Mosko nuk i kthyen përgjigje; u dukën edhe ata të shqetësuar. Kthyen kryet nga zogu i stëmadh, që , sikur ta kish kuptuar që i kish trembur suliotët, hapi krahët dhe u ngrit në një fluturim të rëndë, në drejtim të Dodonës pellasgane.. Madje, kjo sjellje disi e pazakontë e fajkoit u pasua me një klithmë të thekshme të një gruaje që erdhi gati duke vrapuar, duke qëlluar kryet me grushta : -O, çgjëmë e mallkim i ra shtëpisë së Boçarëve! O Zot, o Krisht, o e Shenjta Mari! Elweni moj korbë, çtë gjeti! U ndërpre gjithçka, vajzat lëshuan duart e njeratjetrës. U afrua Mosko te gruaja dhe kapi për krahësh, e shkundi disa herë për ta përmendur dhe i tha ashpër : -Ç'është moj, që të priftë e mira dhe të mbroftë Shën Parashqevia e Qafës? - Gjonin - foli duke ulur zërin ajo grua, në sytë e së cilës ndihej një tmerr i pafshehur. Mosko po e shtrëngonte akoma në krahët e hutuar, pa kuptuar akoma çdonte të thosh tjetra me ata sytë e zgurdulluar, sikur të kish parë djallin vet diku, andej nga erdhi. - Fol moj ! - i bërtiti edhe Fotoja. - Gjonin- mezi po i nxirrte fjalët ajo këtë herë - Gjonin...po e sjellin...të vrarë, ngarkuar mbi kalin e tij. - Kush po e sjell? - Asnjeri, kali i tij. Heshtja e rëndë ra mbi tokë e në qiell. Fjalët e gruas kishin qëlluar me tinguj të vrazhdë e shurdhues veshët e dasmorëve. Veç jo të nuses. Eleni hodhi disa hapa andej nga u detyrua kjo heshtje. Ecte si somnambul, me hapa të ngadalta dhe i ngjante më tepër një hijeje që zvarritej pas Elenit të vërtetë. Ky dyzim vrastar u ngriu të gjithëve zemrat në një dhimbje , që i kalonte të gjithë kufijtë njerëzorë. Shalli i qëndisur i kish rënë nga supet, shamia e valles ish larguar nga dora, kaltërsia e syve ishte bërë më e thellë, po andej qe zbuar jeta dhe mendimi bridhte kuturu, si një re e paftuar që zë diellin dhe bredhërin si e marrë nëpër qiell. Vajza i ngjante takimit me vdekjen, një takim që nuk kuptohej në ish trishtim, zemërim, apo hakmarrje...Gjithçka te ajo të kujtonte furtunën që pritej të shpërthente. Mosko i doli përpara dhe e rroku në gjoksin që i lëkundej si deti nën dallgë. - Bija ime, e mira ime, drita ime! Eleni Boçari u nder e pafuqishme dhe i rrëshqiti nga duart e u rrëzua pa ndjenja përtokë.. Mosko kërkoi ujë dhe e lagu në fytyrë e në gjoks. Nisi t'i fërkonte damarët e qafës me kujdes, që të mos e vriste edhe më atë që e kish vrarë pikëllimi i i një dhëmbjeje, që as mund të mendohej. - Kujdes rrobat e bardha moj nënë - i tha mes lotësh e bija, Kaidoja. Mosko as që e dëgjoi. Nga dëshpërimi Kaido nuk kish ditur çtë thosh; i doli nga mendja që ato rroba nusërie nuk do duheshin më...Mbase për gjithë jetën. Mosko e hodhi mbi gjoksin e vet Elenin, që tashmë qe lëshuar në kufirin e ngatërruar e të padukshëm mes jetës e vdekjes, duke folur me zë të lartë : -Çqe kjo natë e zezë që mbuloi dritën e diellit të Sulit?Çqe kjo erë e marrë që përzuri gëzimin që mezi e pamë pas një kohe të nginjur me shpatat dhe pushkët e luftës? Përse o Zot i dhe një helm kaq të hidhur kësaj bimëze të re, të posaçelur? Përse i thave vesën lules që Ti vet na i mbolle mes këtyre maleve si nektar erëmirë? U rrit pa e ujitur e flladitur nëna, po fati i dha një trim të bukur e të mirë, më të mirin e Seleidës e të Sulit. Përse ia more dashurinë e jetës së saj? Befas vajza lëvizi dhe u përpoq të ngrihej. Mosko nuk e la, po andej nga e majta e Shkëmbit të Zalogut u dëgjuan lëvizje dhe zhurmë, në fillim të pakuptueshme, pastaj të qarta e të dukëshme. - Çka ndodhur? - pyeti Mosko. - Po e sjellin - tha dikush. - Cilin? - Gjonin e vrarë. Mosko u ngrit bashkë me Elenin që tashmë ish përmendur tërësisht dhe urdhëroi rrëmbyer : -Nuk i njihni zakonet? Dhëndri nuk duhet të hyjë në shtëpinë e nuses,- preu fjalën një hop, kafshoi buzën dhe vijoi - Është ters dhe sjell të tjera fatkeqësi. E shoqëroni në Seleidë, në shtëpinë e tij. Pa mbaruar ajo fjalën Eleni u shkëput dhe nxitoi për të hyrë në kullë. - Ku shkon moj bijë? Vajza nuk ktheu përgjigje. Noti foli në vend të saj: -Të veshi rrobat e zeza. Po nuk ua vuri njeri veshin fjalëve të tij, sepse Jorgo Boçari pyeti Foton: - Kush e shoqëronte dhëndrin? - Niko Qafa, pse? - Ku është ai? Vërtetë, askush nuk ishte kujtuar më parë për këtë. Ku ishte Niko Qafa? - Ushtarët e Ali Pashës do ta kenë vrarë - tha Jorgo. Askush nuk i dha rrugë bisedës. Llambro Xhavella që deri atëher nuk qe ndier, ngriti dorën dhe bëri një shenjë, si të thosh : " Merremi më vonë me këtë! " - Kaido bijë, mos e ler vetëm Elenin - e kujtoi Mosko të bijën.- Armatosi vajzat dhe bëni gati kuajt për t'u nisur. Puna nuk pret. Duhet t'i kapim vrasësit pa kaluar lumin Aheron. E bija nuk arriti t'i kthente përgjigje. Te porta e jashtëme e kullës u dha Eleni, veshur me rrobat e luftëtarit, aratosur me shpatë e sakavje në brez dhe pushkën hedhur krahëqaf. I thotë i ati i habitur, me qortim: - Me të zeza duhej të visheshe moj bijë. Eleni nuk foli. U kthye nga Mosko. Dukej krejt e qetë. - Ku është kali që solli Gjonin ? Tezja e saj vuri buzën në gaz, jo pa trishtim, i rrahu shpatullat dhe i tregoi andej ku po prisnin vajzat dhe gratë e çetës së saj. - Ti nuk je vetëm, trimja ime. - I futi krahun dhe ecën teze e mbesë për andej nga Manastiri.

" "

" Vajzat u zbritën kuajve dhe u futën në Manastir, ndërsa Eleni dhe Mosko u ulën rrëzë Shkëmbit të Zalogut - Duhet të qetësohesh - i tha Mosko - Nuk ndihem e lodhur, madje jam gati të përballem sërish me aliasit. Nuk e di, Zoti mbase më fal mëkatin, po sot, kur turresha mbi ta ndjeja një kënaqësi të egër, që më jepte fuqi sa për dhjetë Eleni njëherësh. Mosko i rrahu shpatullat. - E di, kur shihja si vraponin aliasit nga tmerri i shpatës tënde, më kujtove veten time në betejën e parë.Vetëm katër ditë pas dasmës turqit na sulmuan natën. U munduan të ngjiteshin këndej nga pjesa e pasme e Zalogut, po nuk na zunë dot në pabesi. Nipi i Ali Pashës u kish treguar shtegun e fshehtë. Eleni e shikoi me admirim. - Ke luftuar kundër turqve? -Po, ata udhëhiqeshin nga Hysen Pasha, shqiptar nga Kosturi. Atë e vrau Ali Pasha, që i zuri vendin dhe që atëhere turqit u larguan. Ali Pasha i premtoi Sulltanit se do t'i mposhtëte suliotët, po po e pëson si Hysen Pasha që tha pas rrethimit të fundit, para se ta helmonin : " Këtu është brinja, ta dija , nuk vija" . Dhe nuk erdhi me të vërtetë. Eleni diku po i rrugëtonte mendimet, mbase te Gjoni, mbase te i ati, që nuk e kish takuar akoma. Ndërkohë infrmierja i vuri re dhe u drejtua tek ato -Unë e bëra detyrën time, e mjekova dhe them se e mbajta në jetë robin alias. Mund të shkoni ta pyesni. - Tha ndonjë fjalë? -Jo, kur erdhi në vete zgurdullonte sytë, u mundua të çohej, po u rrëzua dhe humbi ndjenjat. - Me kë e le? - Me vdekjen që po e përgjon mbi krye, se me kë tjetër do ta lija. Infermierja bëri një shenjë me dorë, sikur të thosh : " Djalli le ta marrë! " , pastaj shtoi : - Mos u merakos, komandante Mosko. Ishte më tepër i vdekjes, sesa i jetës. Ju nxitoni ta pyesni , se nuk i dihet edhe sa kohë mund të jetë mysafir këtu ndër ne të gjallët.- Ajo u kthye nga Eleni - Shpata e trimëreshës i ka dhuruar tri plagë të thella dhe ka humbur shumë gjak. Ato të dyja u drejtuan për në Manastir, po para se të futeshin te porta e jashtëme, Mosko dalloi një hije që lëvizi, po nuk dëgjoi as hapa, as ndonjë zhurmë tjetër. - Ej, kush është aty ?- Ndaloi ajo njjë çast dhe priti , po si nuk mori asnjë përgjigje, lëvizi përsëri, duke u munduar të bindëte veten, se i kishin bërë sytë. Dita pat qenë e ngarkuar me hidhërim dhe gjak, pse jo, edhe me ngatërrime ndiesish që përftonte e panjohura që duhet të mësonin për fatin e Niko Qafës, që shoqëronte Gjonin në rrugën për në Bira. Ç'kish ndodhur me të, të kish patur fatin e Gjonit? Po ku e kishin lënë, mos e kishin çuar rob te Ali Pasha? Dajot e tij në Filat, vëllezërit e Maries ishin armiq të betuar të Veli Pashës. - Mos e kanë vrarë? - tha Mosko me zë, duke vijuar mendimin. - Kë ? - pyeti Eleni. - Niko Qafën. - Nuk di, druaj të them dyshimin tim. Tjetra nuk e pyeti, po i afroheshin të plagosurit, që lëshoi i një rënkim të thellë dhe diçka pëshpëriti. Sytë iu zmadhuan në përpjekjen e mundimëshme për të folur, po goja nuk po i bindej dëshirës për të lënë porosinë e fundit para se të zbriste në tjetrën jetë. Mosko e kuptoi dhe afroi veshin te buzët e robit alias. - Fol - i tha - Mos ik nga kjo botë pa thënë atë që ke ndërmend, se pastaj shpirti nuk do të prehet dhe do të endet hije e padukëshme rrotull nesh. Do shikosh, do dëgjosh, po nuk do mundesh të bëhesh i dukshëm për ne. Atëhre do jesh i djallit. Fol.! Robi mblodhi të gjitha fijet e fundit që e mbanin në jetë dhe pëshpëriti me fijen e fundit: - Niko.... Kaq tha dhe rrëshqiti në rrugëtimin e fundit. Asnjera nga gratë nuk e kuptoi se çdonte të tregonte, edhe pse Eleni kish dyshuar në nderin dhe besën e shokut të fëmijërisë së Gjonit...Edhe para fejesës, edhe pas fejesës, Niko i kish prerë rrugën disa herë, duke iu betuar se e donte dhe se do ta bënte "Princeshën e tij" të ëndrrave. Herën e fundit ajo i ishte betuar se do t'i thosh Gjonit për këto ngacmime, kësisoj ai e kish lënë të qetë. Vajza nu donte të gjykonte pa i njohur mirë rrethanat; do merrej vesh fati i Nikos e do të bëhej e qartë gjithçka.Thellë, brenda vetes , ajo nuk donte të besonte në vëllavrasjen që nxiste mendimi i trazuar i një zemre të lënduar. Koha do të fliste për gjithçka. Kur ishin duke u kthyer te kulla e Boçarëve, u doli përpara Foto Xhavella. Ai i përqafoi të dyja dhe foli më tepër për vete sesa për to : - Ali Pasha nuk është nga ata që harron. As ne nuk duhet të harrojmë që për Gjonin i vramë atij shtatëmbëdhjetë. Nesër na duhet të jemi gati për të përballuar një rrethim të egër, mbase më të egrin e gjithë këtyre viteve. - Jemi mësuar - ia ktheu e ëma qetë dhe të tre hynë në kullë. Jashtë po binte nata mbi Sulin e mësuar me rrethimet e gjata, me plagët e rënda, me vdekjet rrënqethëse. Suli që i kishte harruar këngët dhe lotët! Suli i mbijetesës mes ashpërsisë dhe nderit të këtyre maleve...

P.s. Eleni Boçari ishte motra e heroit të Revolucionit grek të vitit 1821, Llambro Xhavell a ishte kryetari i " Bashkësisë së Sulit" që ishte një formë e veçantë Republike. Foto Xhavella ishte djali i Llambros, ish K/ministri i parë i Greqisë së pasrevolucionit.

Fund

Pajtim Xhelo, 23 tetor 2019

30 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page