top of page

Ekspozita e Librit Shqip


Hapet Ekspozita e Librit Shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës


Dr.Yllka FILIPI

Stamford, Connecticut, 25 shtator 2021


Të shtunën, me 25 qershor qyteti i Stamfordit, në shtetin e Kenetiket, në kufi me Nju Jorkun ziente nga shkrimtarët, lexuesit dhe dashamirët e librit të cilët vinin drejt selisë së përkohshme të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë që hapi ekspozitën “20 vite krijimtari letrare në SHBA”. Në një ambient të bukur në qendrën e qytetit ishte zbukuruar ekspozita me tavolina dhe rafte librash si dhe me logon e shoqatës dhe bardiolen: “Mirë se vini të dashur shkrimtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.

Ekspozitën e hapi Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve z. Adnan Mehmeti i cili prezantoi krijimtarinë botuese letrare gjatë këtyre 20 viteve. Ai foli rreth angazhimit dhe finalizimit për hapjen e selisë së përkohshme të Lidhjes së Shkrimtarëve si edhe për ekspozitën e librit shqip. Edhe në kushtet më të vështira të pandemisë, ne nuk e kemi ndalur kurrë punën e palodhur për të sjellë denjësisht librin shqip drejt vëmendjes së lexuesit amerikan- u shpreh ai.

Kryetari i Shoqatës z. Mëhill Velaj shpalosi detaje nga ky project mbi ecurinë e ekspozitës gjatë muajit në vijim dhe programeve që do të zhvillohen në kuadër të 20-vjetorit të kësaj Shoqate. Ambasadorët e kulturës sonë kombëtare – vijoi ai,- kanë sjellë një vërshim botimesh e prurjesh të reja për të cilat ndjehemi krenarë t’i prezantojmë përpara publikut të gjerë amerikan.

Nënkryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Dr. Yllka Filipi foli gjerësisht për rëndësinë e kësaj ekspozite dhe qasjen potencialisht drejt një lexuesi universal më të gjerë tashmë këtu në Amerikë. Katërcepërisht gjuha e librit është thjesht gjuha e shpirtit - evidentoi ajo. Për sa kohë realitetet përthyhen konvencionalisht në mijëra dritëza transhendencash simbolike që derdhen qetësisht në fletën e bardhë, pavarësisht formës dhe prerjes fizike të semantikave të kuptimit e perceptimit, gjuha e librit mbetet- një dhe universale. Do të gjendet gjithmonë një shteg i ndriçuar që të çon drejt zbërthimit të kuptimit, prekjes, njohjes dhe zgjimit të kureshtjes së horizontit të pritjes. Kjo simbiozë shqip dhe anglisht i ka shtrirë shumë thellë rrënjët drejt interesimit të publikut artdashës amerikan. Dinamika e transformimit kësisoj të fuqive konceptuale të kuptimit më të thellë simbolik ka thyer peshën e rëndë të distancave territoriale dhe po vërshon drejt një publiku të kulturuar dhe të etur për emocion dhe art. Kjo molekulë është urëkalimi, përqendrimi tërësor i energjisë mendje-trup -e -shpirt në një vatër të përbashkët institucionale.

Më tej anëtarja e Shoqatës zj. Sabije Veseli u angazhua për organizimin dhe mënyrat e menaxhimit dhe kontakteve me lexuesin. Magjia e librit shqip përthith vëmendjen e lexuesit të etur të këtij kontinenti madhështor si dhe përçon vlerat më të thella të trashëgimisë sonë kulturore nëpërmjet autorëve shqiptarë dhe veprave të tyre.

Filantropisti dhe afaristi z.Richard Lukaj solli një pako me libra në ekspozitë dhe foli gjithashtu për lidhjet me Shoqatën dhe vlerat e saj në shoqërinë amerikane. Stenda qendrore ishin botimet që lidheshin me shoqatën dhe organin e saj. U prezantuan tre librat voluminoz Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001-2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012-2021)”, si dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”.

Stendë në vete ishte revista “PENA” me të gjitha numrat e saj, botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press”, si edhe botimet që lidhen me Shoqatën dhe anëtarët e saj. Ambienti i ekspozitës është i organizuar me zyra të ndryshme dhe për këtë merita i takon aktivistes zj. Lila Metalia.

Në ditën e parë të ekspozitës u prezantua në një ambient të veçantë krijimtaria letrare në vite e poetes, shkrimtares dhe studiueses Yllka Filipi, e cila ka hyrë potencialisht në letërsinë shqipe, si një zë unikal.

Gjithashtu vijoi ekspozita me shkrimtaren Sabije Dervishi Veseli e cila prezantoi punën e saj ndër vite dhe padiskutim dëshirën e madhe për të qenë sa më pranë lexuesit amerikan.

Për pjesëmarrësit e ekspozitës u shtrua një drekë pune në restorantin e njohur Blackstone Stekahouse në Stamford nga z. Edi Ahmetaj i cili gjithashtu afroi në shërbim të gjitha tavolinat dhe karriget që do të shfrytëzohen gjatë gjithë kohës sa të jetë e hapur ekspozita e librit shqip në Amerikë.

Të dielën, në ditën e dytë, u ekspozua krijimtaria e pasur letrare e shkrimtarit Mëhill Velaj, i shumëkërkuar dhe i dashur në publik. Edhe autorja Bora Balaj prezantoi krijimtarinë e saj, e cila me romanin e fundit, përkthyer në anglisht, është më pranë lexuesit amerikan.

Për pjesëmarrësit e ekspozitës u ofrua një drekë pune në restorantin e njohur Blackstone Steakhouse në Stamford nga z. Edi Ahmetaj i cili gjithashtu kontriboi duke vënë në shërbim të gjitha stendat, dekoret dhe detajet që do të shfrytëzohen gjatë gjithë kohës sa të jetë e hapur ekspozita e librit shqip në Amerikë.

***

Ekspozita do të vazhdojë të hapet të shtunën me 2 tetor në orën 12.00.ose sipas kohës së përshtatshme të shkrimtarëve.

S’mund të jetoj pa libra-shprehet Thomas Jefferson.

Shoku im më i mirë është njeriu i cili do më sjellë një libër që nuk e kam lexuar- evidenton Abraham Lincoln.

E pastë jetën të gjatë libri shqip përtej oqeanit!



32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page