top of page

Ejup Ajdini: Keqkuptimet me konceptin institucion shtetëror

  • 33 minutes ago
  • 5 min read


Demokracia te ne në Ballkan erdhi 36 vite më parë, dhe mirëserdhi, e cila na gjeti të pa përgatitur me këtë filozofi të re shoqërore- politike. Pak a shumë e kemi ditur deri diku se nuk ishim të papërgatitur sa duhet për një sistem të ri shoqëror, por se do të kalojnë mbi tri dekada dhe sërish do të mbetemi jashtë funksionimit demokratik, këtë nuk e kemi marrë me mend. Në këtë drejtim çalojmë në shumë fusha të jetës, veçmas në Ballkanin Perëndimor. Kaluan dekada e dekada dhe assesi të afrohemi me filozofinë demokratike të udhëheqësve Evropian. Kësaj radhe po ndalemi vetëm te keqkuptimi dhe keq menaxhimi i institucioneve shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Që në fillimet e para të demokracisë në Maqedoninë e Veriut, si shqiptarët edhe maqedonasit, të cilët jetojnë me një shtet të përbashkët, e kuptuan gabimisht nocionin demokraci. Shqiptarët menduan se me ardhjen e demokracisë, me automatizëm vijnë edhe liritë njerëzore dhe ato kombëtare, pa logjikuar se përballë kanë politikën maqedonase, e cilakoma ishtebe brumosur me bindjet komuniste të Jugosllavisë. Nga ana tjetër, maqedonasit mendonin se tani i kanë duart e lira dhe munden të bëjnë çka të duan me shqiptarët, pra nuk ishin fare të pjekura politikisht, për të përkrahur mirëfilli frymën e re të demokracisë, bile edhe e rritën dhunën dhe i mohuan edhe disa të drejta elementare që i kishin pasur shqiptarët në kohën e Jugosllavisë socialiste. Në vija të trasha, e gjithë kjo solli edhe konfliktin luftarak midis shqiptarëve dhe politikës maqedonase. Me këta që thamë, nuk e kemi qëllimin që të rrahim problemin e luftës, pasi ajo është një temë më vete dhe shumë e gjerë. Tani neve na intereson të kuptuarit gabimisht logjikën mbi institucionet shtetërore.

Në kulturat zhvilluara demokratike evropiane, institucionet janë hapësira impersonale. Parlamentarët, kryeministri, kryetarët e komunave  dhe drejtori të ndryshme janë kalimtare dhe të shpeshta, ose një lloj administrate e përkohshme, me një mandat të paracaktuar dhe i mandatuar nga populli, që shpesh qeveritë dhe udhëheqësit shtetërorë kanë rënë edhe para kohe nga pushteti. Me ikjen e tyre, objektet ku punojnë dhe veprojnë këta administratorë, sërish i mbeten shtetit, të cilat do t’i ushtrojnë njerëzit e tjerë të radhës. Pra, ato zyra dhe objekte nuk u përkasin gjithmonë të njëjtëve njerëz... Këtë e dinë të gjithë, por te ne në Ballkan kjo fshihet menjëherë nga memuarja dhe veprojnë sikur do të mbeten gjithmonë aty, duke i konsideruar si objekte fizike të tyre. Për këta udhëheqës populli thotë:  “sillen sikur me e pasur mall babe”. Prandaj, ky gabim jetësor e filozofik tejet i mbrapsht dhe i pa pjekur,  e solli Maqedoninë e veriut, dhe jo vetëm, deri në këtë gjendje të mjerueshme. Kjo filozofi primitive e solli deri te konflikti i armatosur midis dy popujve shumicë në  shtet, konflikt i cili solli varfërinë e skajshme, përveç pasurimit të politikanëve dhe disa oligarkëve të pangopur, e cila bëri që, për 30 vite përpjekje për të hyrë në UE, sërish mbeti pa sukses dhe shumë prapështi të tjera...

E gjithë kjo që thamë vjen si rezultat i moskuptimit të fjalës institucion shtetëror, pasi ata mbi 70 % e tyre e kanë menduar se institucioni është i tyre dhe pa fare brenge se çka i bëjnë këtij populli dhe kësaj republike. Pastaj keqpërdorimet janë bërë dhe bëhen varg e bisht, thotë populli. Hajdutëria nuk ka fund, nepotizmi gjithashtu, shantazhe pafund ndaj qytetarëve dhe veçmas shtresat e ulëta as që i llogaritin se janë qytetarë të këtij vendi.

Pasi afrohen zgjedhjet e radhës, njëri thumbit, tjetri patkoit, njëri lufton ta vazhdojë pushtetin, tjetri lufton të vije vet në pushtet dhe kësisoj, që 36 vite luhet e njëjta valle dhe tani më me qindra e mijëra qytetarë për çdo ditë e për çdo vit e lëshojnë vendin dhe kërkojnë shpëtim në vendet e Europës demokratike, ku trajtohen shumë më mirë se në republikën e tyre.

Tani më në Maqedoninë e Veriut ka humbur gjuha zyrtare institucionale në kuptimin filozofik, ka humbur kuptimin logjik mbi shtetin real, mbi të drejtën e njeriut si qenie njerëzore dhe krijohet një mjegullnajë politike me kuptime të shumta e të pa kuptueshme deri në fund. Tani më qytetari e ka humbur kuptimin e barabartë dhe real të njeriut dhe poashtu ka humbur kuptimi i bashkëjetesës midis komuniteteve, pasi shqiptarët gjithmonë janë në depresion të të drejtave të tyre, bile edhe në depresion për mbijetesë. Kjo politikë ka rrëshqitur drejtë privatizimit mbi institucionin, i cili duhet shërbyer qytetarit, por qytetari përkulet ndaj individit, se ai është institucioni i tij dhe kështu humb në vazhdimësi dinjitetin e tij njerëzor, kombëtar dhe moral në filozofinë e tij jetësore. Tani më shteti në formë duket legal, por në brendësi është krejt ilegal gjatë veprimit të tij. Me këtë filozofi më nuk dihet ku qëndron shtetërorja dhe personalja. Gjithmonë krijohet një amulli duke fajësuar partitë politike njëra tjetrën, e cila gjë është e ngjashme, si te partitë maqedonase, ashtu edhe te ato shqiptare.

Të gjitha detyrimet qytetari është i obliguar t’i kryej ndaj institucioneve të shtetit, pasi është shtet, por kur këto qytetarë kanë nevojën e institucionit, atëherë duhet të gjejë individë, miq apo përmes ryshfetit për të kryer një punë personale ose familjare. Gati se në të gjitha dikasteret e shteti është e njëjta gjendje. Jo rastësisht qytetarët nuk u besojnë organeve të drejtësisë, vetëm 2% e popullatës beson. Kjo tregon gjendjen reale të mosbesimit qytetar për institucionet e  shtetit në këtë republikë kaq të brishtë. Tani më qytetari e ka të vështirë të thotë shteti im, apo institucionet e shtetit tim, pasi ai e ndjen thellë se shteti dhe institucionet janë të individit, e jo të shoqërisë, të cilat duhet të jenë në shërbim të masës popullore. Ai nuk i njeh si institucione të tij, por si të individit, të cilave duhet nënshtruar në forma të ndryshme.

Tani më është e vështirë të kuptohet realja dhe arealja, pasi çdo qeveri që vjen përmes votës së popullit, lavdërohet për suksese marramendëse dhe duke sharë oponentin e tij politik. Askush deri më sot nuk dha përgjegjësi për keqpërdorimin e institucioneve të shtetit, për hajdutërinë milionëshe e miliardësh, për dështimet në gjyqësor, në mjekësi, në arsim, nëpër komuna, ku pak parcela të vogla që kanë mbetu, shiten me nga një euro metër katrori dhe qytetet janë bllokuar me beton hekur dhe pa ajër. Po marrim shembull Tetovën, e cila nuk ka një vend ku të vihet një objekt për nevojat e qytetarëve, nuk ka një vend ku mundet të ndërtohet një park i vogël, nuk ka asnjë hapësirë të gjelbër dhe i vetmi është një park i vogël që menaxhohet nga udhëheqja e Xhamisë së Pashës etj.

E krejt kjo vjen se udhëheqësit tanë nuk kanë koncept real për institucionin, i cili duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, por ata institucionin e kanë privatizuar dhe bëjnë menaxhim të keq, por punojnë vetëm për të mirat e tij, sa mos me thënë se bëjnë menaxhim kriminal. Kjo vjen nga ajo se  popullata e jonë ka shpirt robi dhe nuk e ka shijuar akoma lirinë, se në vendet tjera qeveritë dridhen nga populli, kurse te ne në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, dridhet populli  nga qeveritë e korruptuara dhe shpesh edhe kriminale...

Mendoj se është koha për një revolucion politik-kulturor në Ballkanin Perëndimor, pasi akoma udhëhiqemi nga bindjet e mbetjeve komuniste, bile edhe me bindje të thella shoviniste- kriminale dhe tejet antidemokratike, të cilët i mbajnë peng vlerat e sistemit të ri demokratik.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page