top of page

Edhe bora arratisej


Edhe bora arratisej

Fatmir Terziu



Edhe bora arratisej

edhe bardhësia përdhosej…


Bora nuk mund të flinte në dy ngjyra

e zeza i vriste zogjtë mbi tela me gjëmba

e kuqja i tmerronte flokëzat e bardha nga brenda

nuk mund të shkruhej fati mbi të bardhë

e fejuara matanë brezit të butë priste një fjalë

me krahët e saj bashkoheshin malet

shkulnin flokët këndej e matanë

qenka arratisur një i dashuruar,

zyrat shpërndanin hatanë.


Bora habitej në rënien e saj të vështirësuar

ishte kjo rënie e lirë vallë?


Bora kishte ngrirë mbi shkallë

shembej fletëpalosur në sy stalagmiti i rrënduar[1]

këmbët kishin lënë gjurmë me gjak

prapa piramidës një lehje e tërbuar

a thua e kishim hak?


Bora nuk mund të binte mbi dy ngjyra

e zeza ngrysej mbi pranga

e kuqja zgjatej deri në zemër. Habitej natyra.

Lajmet binin si jarga

mbi sofrat ku bora bëhej palë me mjaft fytyra

qëndronte portreti me grushtin e fortë

bora nuk ngjyrosej me zor.


Flokëzat shkërrmoqen rreth syve

në kapjen e radhës vigjilente uniforme që fryhen

por asnjë nuk shënohej prej tyre

kur thuhej një bie e mijëra ngrihen

aty ku edhe dëbora përdhosej nga lehjet e qenve.


Nga vëllimi poetik „Mos hesht“ (1990)




[1] Një familje nga e tërë u arratis duke kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav. Aratisja u bë në dëborë me një palë shkallë që paloseshin (shkallë bojaxhinjash), me të cilat u bë i mundur kalimi mbi klonin elektrik me tela me gjemba që mbronte kufirin nga ikjet dhe shkelësit. Ky lajm I habiti të gjithë sy-vigjilentët që kishin thënë se kufirin shqiptar nuk e kalonin as zogjtë.

1 comentario


Abedin Bajraktari

Poezi e shkëlqyeshme! Të bënë të kthesh kokën prapa në kohën e gjembave, në historinë e dhimbëshme! Të lumtë, Fatmir!

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page