E MBRUJTUR ME FAT
Nuk kisha bërë kurrë ndonjëherë pushime, as me mendje. Përmendja e tyre më dukej fyese dhe lënduese për një tip si unë. Gjithsesi, mora një javë leje nga puna. Rregullova ca rroba në një çantë supi dhe iu ngjita kodrës për nga veriu, që të mbërrij në një stacion të improvizuar trenash. Kam dashur gjithmonë që drurët anës rrugës të ishin cedri, por ato janë ca lajthata të rralla që tek-tuk mezi bëjnë ndonjë hije. Rrugës për atje mora me vete çikërrima të rënda ndjesish, me frymën pezull ngjita të përpjetën me qëllim që të shpëtoja ca ditë. E megjithatë nuk ia ndaja sytë vendit nga i cili po shkëputesha dhe ajo era e asfaltit s'po më shqitej nga hunda as kur mbërrita e vetme mes drurëve. Kam qejf të mos lexohen këto që po shkruaj, udhëtimi im deri këtu është normal, pjesën tjetër të rrugës më ra një zalisje e madhe. Më lëvizën përmasat dhe një kërshëri e pakuptimtë për të parë brenda çantës së shpinës më tronditi. E ula nga supi, i hapa zinxhirin dhe hodha sytë mes rrobave të palosura. Nuk po përqendrohesha dot, pamja më shfaqej e turbullt dhe disi e pazakontë për të marrë vesh ç'qe brenda saj, ç'kisha mbajtur mbi shpinë pa e ditur. Bashkë me frikën poshtë më rrëshqiti një dhimbje që ngjante me pikla të vogla e të ndritshme vaji. E këqyra duke u dridhur masën me rroba dhe përshtypja e parë që m'u krijua ishte mësymja e beftë e mushkërive të cilat fluturuan jashtë kraharorit. Sa mend u rrëzova nën hijen e drurëve, nga rrobat u hapërda nëma ime, e cila shpërtheu një sferë qelqi në mijëra cifla dhe ma zgrapi zemrën duke ma shqyer gjoksin me përdhunë. S'kaloi shumë dhe bashkë me trajtën që mori u ul ndanë dy drurëve që buisnin nga degët dhe u kthye nga e majta ime. Më zgjati një cigare dhe ma ndezi me një lëvizje gjithë kujdes, aq sa po mos ta dija se ishte vdekja ime do ta quaja elegante. Më tha se i vinte keq, se nuk e kishte shpikur ajo fundin, i vinte më shumë keq se më gjeti këtë javë pushimi, atë ditë që do të kthehem në punë mbase i bie që të kem të shtatat. I thashë, se nuk doja të vdisja. Se iu kujtova kot më kot, se as unë , as ajo nuk e kishim në plan. U zmbraps një hap,më pa që ika të merresha pak me veten dhe m'u fut në çantë. M'i shtypi fort tëmthat për të më qetësuar, m'i mori duart dhe m'i afroi te buzët e veta, një lot si sumbull vese i doli nga sytë. Fati im fantazmagorik vuri një kapele rozë dhe u zvarrit mes rrobave të mia duke u bigëzuar mespërmes shpatullave për të aplikuar teoritë e tij të vjetra. Vetëm faqja e parme e bustit tim u gjend e zënë me jetën dhe rolet që i përcaktoi ajo. Dëgjoja me ëndje gënjeshtrat e pranuara nga të gjithë, se dashuria zë vend duke ngulur rrënjët në zemër, në tru dhe në mushkëri dhe në mënyrën më naive mendoja se u bënte ballë goditjeve të pakuptueshme të fatit. Në atë përçartje ndjesish kuja e saj më luajti mendsh, qante e dëneste mes lotësh për mua, për fatin tim dhe për pushimet njëjavore që mbaruan sapo nisën. Vdekja ime qante për mua. Kjo ishte ligjërata e parë, më pas rashë në një pëlhurë prej kanavace, e cila shkonte ca vija të kuqe horizontale mbi trupin tim. Ngjarjet brenda meje më dëftuan se mund t'i kisha planifikuar për nga jugu pushimet e mia, mund të kisha ikur dhe pa çantë shpine. Afërmendsh, askush vend më të bukur për të ngërthyer shpirtin nuk e pati.
Comments