top of page

E HUMBURA E MADHE


URRETJA JONË” - E HUMBURA E MADHE


-Kur do mund të kontrollojmë si shoqëri “urretjen primitive” mes nesh?-


Pas zgjedhjeve të 14 Majit 2023, ka shpërthyer një lukuni ekranistësh që bëjnë lloj-lloj filozofimesh, duke hedhur hipoteza, teori, duke “analizuar” shifra, duke sjelle “vizione të mëdha”, por nuk thuhet një gjë fare e thjeshtë: Në zgjedhjet e fundit “urretja shqiptare” ishte e humbura më e madhe. Shumica shqiptare, me një qetësi dhe heshtje të dhimbëshme, braktisën një të drejtë kushtetuese që njerëzimi e ka fituar me kosto të madhe: votimin. Gati 2/3 e shqitarëve nuk votuan, nuk kanë ndejkur mitingjet pompoze, nuk kanë dëgjuar çjerrjet politike, euforinë e “kryetarëve-bunkerë”, nuk kanë parë llafanjat e mbrëmjeve në “qelqet me ngjyra”, duke u bërë shumica e një refuzimi të madh: urretjes shqiptare.

Të gjitha përpjekjet për të marrë pushtet në Shqipëri kanë pasur dhe kanë “mekanizmin” e urretjes, si një instikt i njeriut. Këtë e ka përjetuar më së miri brezi im, që dëshmoi se si “lufta e klasave”, si një flamë brënda shoqërisë, u kthye në një “kanibalizëm politik” deri në kulmet e zyrave të partisë-shtet. Ne që përjetuam këtë, shpesh pyesnim veten: “Ku do bjerë ‘shpata’ tjetër”? Ishte kohë e frikshme, kur tronditej e gjithë shoqëria. Ne dëshmuam kur “udhëheqsi” gdhihej tradhëtar duke u anatemuar si armik i partisë dhe popullit sa “hap e mbyll sytë”. Si në ëndërr ndryshonte çdo gjë “Nga lart posht”. Urretja ishte një “re e zezë” në gjithë shoqërinë. Sidoqoftë ne i qëndruam tundimit të urretjes. Historia jonë e ndryshimit të sistemit me protestë dhe votë, është një histori suksesi. Po tani pas më shumë se 3 dekada pas ndryshimit, pse prap në skena dhe ekrane urretja e shqiptarit për shqiptarit është “fill i errët” e debatit tonë politik? Pse përëri “njëshi” vendos gjithshka “paqen” dhe “luftën”?..

Kampet politike në kulmin e fushatës për pushtetin vendor, nuk kursyen asgjë ndaj njëri tjetrit. As qeveria ndaj atyre “pa karrige”, as “ëndërrimtarët” e mëdhenj të “‘fitores spektakolare” ndaj “qeverisë së krimit”e “bandës në pushtet”... Urretja ndaj kundërshtarit ishte si një fringëllime shpate mesjetare, e egërr, poshtëruese, euforike, gati në “etje gjaku”. Për habinë e të gjithëve “të mëdhenjtë” e ringut politik shqiptar dukeshin njëri më triumfator se tjetri. Nëse bëjmë një kthim filmi, ne do qeshim të gjithë. Edhe ata do qeshin me hipokrizinë e vet. Shkurt, gjuha e urretjes, histeria politike, euforia e pushtetit, “statujat” që kanë pushtuar me dhunë politikën shqiptare, morën atë që meritonin: refuzimin shqiptar. Shumica nuk votoi, jo thjesht se nuk besonin gënjeshtrën elektorale, por sepse nuk deshën “të ndoteshin” me urretjen që dominoi fushatën gjoja si “triumf” i lirisë apo pluralizmit. Shumica shqiptare refuzon diktatin e dhunshëm të kryetarëve. Shumica shqiptare do një “shtet për të gjithë”, kërkon ligj, drejtësi, shanse në treg, paqe në rrugë dhe shpresë për të jetuar. Kjo nuk arrihet kurrë duke kërcënuar me burgime nëpër tribuna. Burgun ta jep vetëm gjykata, jo “kryetari i partisë”, as “kryeminsitri i ardhshëm”. Ajo kohë e “xhaxhit absolut” duket të ketë vdekur për shqiptarët me mend në kokë.

“Filozofët” e mëdhenj të analizave pa fund, vijojnë të bëjnë “furtunë në gotë”, për zgjedhjet që ikën, duke hedhur “fallet politike” të atyre që vijnë. Pak nga ata e venë theksin se refuzimi për të votuar, ishte jo thjesht “opozita e përçarë”, apo “shteti në një dorë”, por se askund nuk u pa debati paqësor për zhvillim, për të ardhme, për shpresë. “Thikat” e urretjes majë më majë nga qeveria dhe atyre që “duan të bëhen qeveri”, mungesa e një “vërshimi frymëzues” që sjellë ndryshim për qytetarin, kakofonia e analistëve dhe mbit të gjitha “impotenca” ideore e opozitës, solli rezultatin që pritej duke bërë shumicën shqiptare “të shkonte në plazh”në vend që të votonte. Kjo mospërfillje masive në Shqipëri rrëfeu se njeriu do paqen e vet në radhë të parë, pastaj Shqipërinë apo Amerikën siç çirren e zgërdhehen “udhëheqsat largpamës”.

“Darvinizmi politik” ke ligjet e veta, por gjuha e urretjes shqiptare edhe këtë ligjësi universale, kërkon ta mbajë nën kontroll, por është e pamundur. Me sa duket në Tiranë ky “darvinizëm” nuk po ndodh siç duhet, ai duhet të vijë nga poshtë lart, jo siç ndodh aty ky gjithë sytë “tek i pari”. Duket se të fundit mbetemi të bëjmë edhe “divorcin historik” me urrejtjen mes vedit, që përherë të çon në rrugë qorre, jo si “zorra qorre” e kryepushtetarit aktual.

Le të gëzohemi që shumica shqiptare “nuk votoi” urrejten dhe se pret që një ditë të kemi një politikë të zhvillimit dhe paqes, një politikë që sjell mirëqënie dhe drejtësi. Ne një ditë do t’u tregojmë fqinjëve se “dimë të ndërtojmë shtet”, dimë të respektojmë mbi të gjitha shqiptarin, rracën tonë, dhe “loja politike” nuk mashtron dot askënd. Kur të vijë ky moment, ne do jemi ndryshe si shoqëri. Vetëm kjo shpresë mund të çojë “të gjithë në votime” si shansi i opozitës që ka vizione për ndryshim, jo atyre që qajnë mbi “broken e thyer”. Shpresa dhe përbashkimi masiv frymëzues mund të sjellin ndryshim.

Shefqet Meko

Minneapolis, USA

20 Maj 2023

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page