top of page

E dashur Elize

Updated: Jun 8, 2022




E dashur Elize,


E kjo po ndodh. Ndodh të shkruhet në gjuhën më të bukur në Botë. Po shkruhet shqip në Londër, ndërsa Ti e dashur Elize flet ende me gjuhën e një bote tjetër. Nuk mund ta mendoja ndryshe. Kemi muaj që na ke bërë për vete, edhe pse Ti tashmë je me ditët, orët, minutat e sekondat trokitëse që të bëhesh pjesë në udhën e kësaj jete. Kjo po ndodh. Po shkruhet. Shkruhet për Ty!

Shkruhet me sytë e babit tënd, me përkëdheljet e dhuruara qëkur ai ishte në një udhë si Ty, me faqet e tij, kur ato skuqeshin nga unë, mami i tij, gjyshja jote, Luçiana, e nga të gjithë që e kishin si dritën e syve, pritjen e fëmijës së parë tek ne çifti që kishim bërë kontratë me Zotin të krijonim Familjen tonë. E ne nuk kishim një fat të tillë, sikurse ke Ti e dashur Elize. Librat në kohën tonë ishin paksa larg. E ata që na kishin udhëdrejtuar ishin shumë e shumë larg librave. Ishin kohëra të tjera. E ato kohëra unë do të dëshiroja të ti tregoja. Se vetëm kështu jeta kuptohet më mirë aty e këtu.

E tashti po ndodh. Muajt janë zbrazur në këtë libërth. E duart janë në sinkron me mendjen që të sjellin sa më shumë udhëzime. A janë të tilla këto krijime? Unë e besoj. Nuk mund ta them ndryshe. Tashmë të perceptoj. Të kam në duart e mia, me lejen e babit Andi dhe mamit tënd Emirjona, që të përkëdhel sikurse duhet në Udhën që jo vetëm bekohet, por dhe shkruhet.

Dita-ditës ne të shohim si një ëngjëll në ëndrrat tona të netëve të vona. E kjo i përket vetë faktit, se është akoma më i dashur dhe më i ëmbël, mjalti i mjaltit. Këtë e bëjnë me siguri edhe dy gjyshërit e tjerë që të përkasin ty. Dhe natyrisht Mimoza dhe Rahimi janë me të njëjtat ëndërra të ndjeshme e të vërteta, se fundja kështu është kjo Jeta.

Por ti ke dhe të tjerë, ti do të kesh akoma e akoma më shumë kur të lexosh këtë libër. Tashmë ke hallën Evisa, ke xhaxhain Evi, ke dajën Eri, dajën Romeo, ke tezen Xheni. E të gjithë të perceptojnë e planifikojnë se si të ndajnë gjithë atë dashuri që kanë për ty. I kam parë sa të gëzuar që janë në fotografi. Dhe këtë tashmë po ta shkruaj që ta dish dhe Ti.

E dashur Elize, e ndjej ardhjen tënde sikur një planet-th tjetër Hyjnor të jetë i gatshëm të hyjë në Hemisferën tonë. Ke aq shumë dritë në sytë e mi, në vegimet e mia, ke aq shumë rrezatim sa më duket se e gjithë kjo që po shkruaj është thjesht një kohë që vetëm e bluaj.

E kështu ndërsa Ti më vjen Hyjnore, unë jam vetëm një dashuri e ligjshme e kësaj bote, që mezi pres të të përqafoj, këshilloj dhe të të mbaj për dore. Ti je mbesa ime e parë dhe natyrshëm që me këto shkrime do të më duhet të jem në garë të paparë kur të ketë trokitje të tjera jete.

Ndërsa do të duhen muaj e vite që të lexosh, unë prapë se prapë po të shkruaj. Pra, po të shkruaj këtë letër, kështu që, kur të jesh mjaftueshëm për të lexuar, do të kesh një ide se si ishin perceptimet tona, dashuritë tona në muajt e tu të parë të shfaqjes në këtë planet të çmendur.

Që kur Ti u shfaqe Bota kishte punë me disa viruse dhe sapo kishte çjerrë perden e një pandemie. Në vendin që ne jetojmë përditë kanë mesazhe ndryshe. Është Demokraci thonë. Dhe ne i dëgjojmë. I ndjekim kur kemi kohë. Dhe mendojmë se kështu e ka kjo Botë.

Por ti mos u mërzit kur të dëgjosh të njëjta gjëra të ngjashme përditë. Kjo ka të bëjë me historitë. Historia është si një këmishë, e merr e vesh, e lan dhe prapë e vesh. Ajo përsërit efektivitetin e vet. Historia dhe historitë përsëriten. E kur të vish tek këto historira natyrisht vetë do të jesh tek përsëritja e asaj që kemi thënë ne, e asaj që kanë thënë dhe prindërit e tu, Andi dhe Emirjona. Pra Ti menjëherë do ti ndjekësh udhët e rrjedhës me “Ma-ma”, “Ba-ba” dhe “Po” për çdo pyetje. Dhe pastaj do të bësh atë që duhet bërë. Do të ngrihesh. Do të ecësh. Do të fillosh udhën. Do të fillosh ëndërrat. Dhe shëtitjet do të jenë të natyrshme. Do të kërkosh natyrën, parkun …do të kërkosh udhën e dijes.

Mami juaj do të fillojë këshillat e para për jetën, udhën, blerjet. E ti do të dëgjosh këshillat e babit tënd. Eh, kjo historia e jetës, eh. Kështu ka qenë dhe do të jetë! Vetëm se kjo duket se po ndryshon nga disa kushte, fundja dhe nga teknologjia në rritje.

Teknologjia, duket se do të vazhdojë të sundojë ditën. Dhe sado lodra që kishte një fëmijë, sado lodra që të ketë një fëmijë, sado lodra pafund që të kanë blerë prindërit e tu, e dashur Elize, një nga lodrat më të preferuara do të mbetet me sa duket telekomanda e televizorit. Por Ti do të jesh më fisnike, apo jo? Do ta shohësh më ndryshe këtë botë mistike. Jo vetëm që do të ketë më shumë automjete elektrike, por mund të ketë edhe disa që janë pa shofer. Babi dhe mami juaj humbën kohë në një kurs makinash, por në kohën tënde ndoshta nuk do t'ju duhet kurrë të mësoni se si të drejtoni një makinë. Robotët do të marrin më shumë punë nga njerëzit. Ne do të jetojmë më gjatë për shkak të përparimeve mjekësore. Shpresojmë, kjo do të përfshijë edhe gjyshin tuaj, që tashmë është duke ju shkruar.

E kështu, e kështu, e dashur Elize! Do të kemi të tjera syretesh në këngë. Turistët mund të fluturojnë në Hënë. Madje flitet për të shkuar në Mars. Nuk është e vështirë të imagjinohet përdorimi më i madh i telefonave celularë, mediave sociale dhe internetit, atë që ne e menduam se 20 vjet më parë do të ishte një shpikje e madhe. Me shpikjen e FaceTime, ju mund të shihni çdo ditë kushërinjtë tuaj, në vendlindjen e prindërve të tu, Shqipëri dhe të flisni me ta ndoshta më shpesh.

Londra do të jetë më ndryshe. Trena të tjerë do ta sjellin më shpejt në këtë pikë Jugun dhe Veriun, po aq edhe botën, edhe pse këtu kohë më parë ka ndodhur ajo që e quajtën Brexit. Kur të lindësh do të dëgjosh se ne e respektuam Mbretëreshën, që theu rekordin e shërbesës në fron. Do të dëgjosh dhe lexosh për Lojërat Olimpike, Garat e Kuajve, kampionatet e Futbollit. E aty do të kujtosh se kush ta ka blerë trikon e parë të Chelsit. Ndoshta do të më duhet të ta them se ajo ishte si fillim ideja e Evit.

Mjaft gjëra të tjera do të lënë përmirësime të tjera qytetare. Askush nuk mund ta hamendësojë nëse treni i shpejtësisë shumë të madhe do të jetë gati për t'u hipur në lidhjen me pjesët e tjera të botës. Por Ti e dashur Elizë do ta kesh një fat të tillë.

Dhe tani nëse koha do të jetë ndryshe, pra koha e leximit të këtyre rrjeshtave do të jetë në lexim absent, mes këtyre rrjeshtave po i kërkoj mamit tuaj, Emirjona, dhe babit tuaj, Andi, të më plotësojnë në një shkrim më të detajuar pritjet dhe dëshirat e tyre për të ardhmen tuaj. Unë e di se çfarë do të më shkruajnë. Ja përgjigja e tyre që mendoj se do të ishte: “Shpresojmë që Elize të jetë e sjellshme, e guximshme, respektuese dhe folëse e së vërtetës së saj duke ndjekur dëshirën e shpirtit të saj. Shpresojmë që ajo e di se sa shumë e duam dhe e përkrahim dhe njeh gëzimin, të qeshurën dhe paqen.” Eh, kështu është thënë dhe ëndërruar gjithnjë. Ndaj kjo varet vetëm prej teje e dashur mbesa ime e parë Elize.

Më pëlqen të të shkruaj gjithashtu atë që kam lexuar të shkruar nga një autor i famshëm, që ka jetuar kohë më parë se unë të vija në jetë, atë që tha për fëmijët: “Nesër është e ardhmja dhe është e mrekullueshme. E gjithë mrekullia e një fëmije është e mbështjellë në ëndrrat dhe aventurat e saj. Sa të kam zili! Kapini yjet dhe shkoni më lart.” E këtë e kam besimin më të madh, tek Ty Elize.

E shkruaj duke të rithënë se jam tashmë krenar që më bëre gjysh, sepse tashmë shpirti im do të jetë tek ty, do të jetojë tek nipërit e mbesat e mia të tjera. Kjo është pavdekësia. Kjo është e vetmja pavdekësi që më intereson.

Tashmë nëse shkrimi do të shkojë më tutje, unë po të paralajmëroj vetëm për disa puthje. Disa puthje që do t'i shtoj në tortat e ditëlindjeve të tua dashurisht dhe vetvetiu, Elize Terziu. Ju po trokisni sikurse sekondat për të parë radhët e këtij shkrimi, që ndoshta për mua është më i miri.

Me shumë Dashuri, gjysh Fatmiri.







54 views15 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page