1. NJË ITALIANE E BUKUR MBI BUNKER
-Dy skica nga PANAJOT BOLI
Tashmë isha mësuar në atë gjirin e qetë. S’më bënte zemra ta lija. Jo vetëm i qetë, por edhe mjaft i bukur. Më pëlqente. Një gjysmë hëne shkëmbore. Dhe për çudi vendin tim e gjeja gjithmonë të lirë. Zija vend në qoshe. Pra, diku para cepit të majtë të gjysmë hënës shkëmbore. Bregu ishte thikë dhe pak bregdet.Shtresat e gurëve mbi breg simetrike, të pjerrta. Kish ndikuar në profilin e tij edhe ndërhyrja e një grabitqari bregu. Pra një skrep çekiçi drejtuar nga një njeri i etur për një copë pranë detit, kish lenë gjurmët e një pushtuesi. Bile kish hedhur në det edhe disa bunkerë nga inati. I kish mbytur të mos e mbronin bregun. Bile i kish ngulur ca shina të trasha në brinjët. Të ngrinte një bunker turistik për pije e muzikë. Tani, aty, mbi muret skelet, një shtizë, ose ta themi më thjesht një copë shkopi me një copë flamuri të zbardhur.Pjesën tjetër e kishte marrë deti. Ose më saktë erërat e detit e kanë tundur aq marrëzisht, sa ai u shqye. Natën zbresin disa dhelpra, dhe në vend të njerëzve, e bëjnë ato partin fantazmë. Gjiri gjysmë hëne i skalitur me gurë gjigantë, është interesant. Sidomos ana e djathtë. Kurse unë preferoj anën e majtë. Gurët gjigantë sikur i ka vënë njeri njerën mbi tjetrën në një mur fantastik, madhështor, si ato të piramidave të Egjyptit. Disa pushues kurioz bëjnë ca ngjitje të rrezikshme në to. Dhe kur arrijnë mbi to, ngrejnë duart sikur kanë bërë ndonjë zbulim apo heroizëm. Një bukuri të egër ka gjiri. Më sjell imazhin që përshkruan Eskili në gozhdimin e Prometeut nga Hefesti. Gjysëm hëna shkëmbore ka mbi krye një kurorë të gjelbërt. E zbukuron hijshëm kaltërsinë e detit. Ngjan me ca vetulla të trasha jeshile, që në cep janë më të dendura, më të dala përjashta. Ujërat blu, janë të kristalta. Rrallë zëmërohen e ngrejnë valë. Në vakësinë e tyre, zhytja në to është një kënaqsi ëndërruese. Harrohesh mes kaltërsisë dhe udhëton si në përralla. Ndodh ndonjëherë që në cepin e gjysmëhënës shkëmbore të shfaqet ndonjë dhi. Ndofta është më kureshtarja. Shikon nga ajo lartësi e çuditur. Sodit plazhin, zhaurimën e valëve dhe mbi të gjitha ata njerëz gjysmë lakuriq që bëjnë aq potere dhe shtrihen nën çadra ose mbi gurë. Pastaj tërhiqet prapa të arrijë shoqet e kopesë. Mua më pëlqen ajo qoshe në cepin e majtë. Jo vetëm mua, por edhe shumë të tjerëve. Sidomos të huajt ngjeshen atje në qoshe e nuk i kanë qejf fare shezllonet. I pëlqejnë gurët. Dhe sa kuptoj nga gjuha, janë italianë. Rrallë ndonjë vendas si puna ime. Dëgjoja shpesh sa mbërrinin fjalën “Belisimo”. Sipër strehëzës sonë, ca gurë të varur të mbajtur prej rrënjëve të shkurreve. Sikur ishin gati... Por , as unë që shtyja kohën duke lexuar ndonjë libër, qoftë edhe ata që pinin ndonjë gotë verë të bardhë shoqëruar me midhje të gjalla që i gjenin rrezë shkëmbinjve dhe i hapnin me thikë,nuk mendonim se gurët mund të rrokulliseshin dhe të na vinin në kokë. Nuk na bënin përshtypje as bunkerët e mbytur në det. Dhëmbët e tyre të hekurta ishin ndryshkur. Grykët e tyre i kishin mbushur duke luajtur fëmijët me gurë.Dukeshin sikur u kish ngecur ushqimi në grykë. Peshq të vegjël, sa afroheshin ne, zhdukeshin në barkun e tyre. Sot një grup të rinjsh italianë, ishin ulur mbi to. U bënë çudi këto masa betoni. S’ua kuptoja mirë gjuhën. Por ama, mora vesh fare mirë se flisnin për to. Dëgjoja të përsëritej shpesh edhe në gjuhën e tyre fjala “bunker”. Një bashkëatdhëtar i tyre, që ndofta dinte për bunkerët, i shpjegonte turistes së bukur , që ishte tërë kurreshtje, ç’ishin ato. Ajo i sillej vërdallë dhe e shikonte e habitur. Këto bunkerë, i shpjegonte bashkëatdhëtari, ishin si luanë betoni që mbronin detin dhe brigjet nga piratët dhe bajlozat. Ajo e ndiqte e habitur.Ndofta, nuk e di, i foli edhe për gjyshin e saj që bunkerë të tillë e sprapsën disa herë në Durres në 39-tën. Papritur ajo qesh dhe fotografohet mbi të. Ndofta i duken si përralla ato që i thotë bashkëatdhetari i saj.Shtrihet mbi bunker. Udhëton me fantazinë e saj. Valët i bëjnë shoqëri. Padashur disa pika...Mos i ikën nga frika? Apo e shurroi për ta injoruar.
2.URA E PSHERËTIMAVE
Është një urë e vogël. Një urë që nuk bie në sy. Por ama punën e bën. Le të thonë është e parëndësishme. Bashkon në një segment fshatin X me rrugën kryesore. Ose më saktë autostradën që na lidh me një shtet fqinj. Është vepra e fundit që u bë në këtë fshat. Them si vepër arti.Nuk ka rëndësi sa kushtoi, As cila firmë e ndërtoi. Interesantja është se u ndërtua me bunkerët e Enverit. Se dikush i vuri çekiçin t’i marr hekurin. Kuptohet ata që ia dinë vlerën lekut. Nuk jam me mendimin e ndonjërit që thotë se kot harxhuam gjithë atë beton e hekur. Ja që ia gjejmë vendin. Mund t’ua marr mendja sa bunkerë u shkulën për të ndërtuar “Urën e Artës” ? As më pak, as më shumë, plot gjashtë. Por belanë gjetën disa oficerë. Të shkretët oficerë kanë kohë që kërkojnë të gjejnë ku u zhdukën gjashtë bunkerët. Jo se i ha meraku për bunkerët, por i kanë në inventar. I akuzojnë se i shitën për hekur. Me një fjalë akuzohen për korupsion. Hajde bela, hajde. Pa bërë korupsion, akuzohesh për 1 kuintal hekur. Sa herë shkelin mbi këtë rrugë. U ranë këmbët. Pyesin si Stresi te Kostandini dhe Doruntina. Asnjë s’di gjë. Ose dinë dhe nuk duan të trazohen. Kohë të veshtira , thonë. Nuk e dinë oficerët e shkretë sa herë kanë shkelur mbi betonin e bunkerëve në urë, në betonin e Enverit, se ato janë gjashtë bunkerët që i dhanë firmës një fitim neto 3 milionë lekë.. Disa që e dinë, ndalojnë sipër urës dhe psherëtijnë me dhembje “Ah, more i shkretë Enver, të vajti mundimi kot. Të shkatërruan bunkërët. Ku do të mbrohemi ne tani? Poshtë urës? Një udhëtar i çuditshëm duke dëgjuar psherëtimat shkroi mbi betonin e bunkëreve të urës: “URA E PSHERËTIMAVE”
Comments