
DY POEZI NGA MYSLIM MASKA
Vajzës shqiptare që vdiq në spital
Pas një aksidenti automobilistik
ISHTE E BUKUR ISABELA…
Paska jeta plot çudira,
Të bën shpirtrrëmujë,
Thosh ndër ethe Isabela,
Tek dergjej sëmurë.
Ish e vogël Isabela,
E bukur pa fund….
Me lot yjesh qante Era,
S’bënte dot më shumë.
Ajo trembej, drithërohej,
Ndizej ndjenjë e shpirt.
S’e kuptonte se ç’po ndodhte,
Ishte apo s’ishte…
Befas e rrëmben një djalë,
Shkrihen këmbë e duar.
Puthen, digjen, ndizen flakë
Duke fluturuar…
Prindërit qanin, ajo qeshte
Tek u tundte dorën…
-Ç’bën, ku shkon moj Isabela?
Na e nxive botën…
Ish e vogël Isabela,
E bukur pa fund.
Kur nuk mundën yjet, era,
Ç’mund të bëja unë…
TRËNDAFILI
Në fillim iu thanë lulet,
Pastaj gjethet, degët,
Dhe më në fund rrënjët.
Dy metër katrorë shkretëtirë!
S’DIHET MIRË KUSH E THAU,
Njerëzit apo kohrat…
Pas dhjetra vitesh,
Një udhëtar shtrihet mbi të për t’u
Shlodhur;
Çuditërisht, në ëndërr
Pa kopshte me trëndafila…