top of page

Dy nga „gafat” e asaj kohe


(Kujtime) Në verën e 1971-shit, në prag të stazhit për antar partie, - pasi kisha qënë pa parti disa vjet zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Pogradecit dhe deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, - rastisi të bëja një „gafë të radhës”, siç thuhet tani, që, fatmirësisht, nuk doli me zarar. Byroistët, të cilët i kalonin pushimet verore në Pogradec, me sa duket për t’i dëshmuar „Të Madhit” se sa të lidhur ishin me bazën, organizonin mbledhje të ndryshme partiake apo shtetërore, që, natyrisht, gjenin jehonë në shtyp e në radiotelevizion. Në një nga këto, - plenumi i Komitetit të Partisë së Rrethit për problemet e minierave e të gjeologjisë, - edhe pse nuk isha ende anëtar partie, më ftuan të merrja pjesë me cilësi të dyfishtë: si zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe si inxhinier. Mbledhja u zhvillua në sallën e Kinemasë „Pojska”. Në presidium kishin zënë vend Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, ndërsa midis tyre ishte Gaqo Nesho, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit. Në një moment të caktuar, Koço Theodhosi më ftoi ta merrja fjalën. Ndodhesha në sallë, në rreshtat e para. Në të majtë e në të djathtë kisha dy antarë plenumi. Sa nisa të flisja, të dy byroistët filluan t’i tregonin shoshoqit nga një palë syze dielli, që ndoshta sapo i kishin blerë. Mikrofoni i vetëm, që ndodhej para Gaqo Neshos, i përcillte fjalët e të qeshurat e tyre deri në pikat skajore të sallës. Kjo skenë zgjati jo më shumë se një minutë, por mua m’u duk një shekull, sepse mbeta si hu gardhi, pa ma varur askush. Madje s’ishin të paktë ata që po nënqeshnin. Pashë ç’pashë dhe u ula. Sakaq dialogu ndërbyroist përfundoi dhe Koço Theodhosi, pasi shfaqi habinë që s’më pa më këmbë, më grishi ta vazhdoja diskutimin. Por unë, - nuk e di as vetë ç’më shkrepi, - thashë: „Nuk kam gjë tjetër” dhe u ula sërish. Byroistët shkëmbyen vështrime habie, por nuk ngulën këmbë. As Gaqo Neshoja. Atë çast vura re se nuk i kisha më „shpatullat të ngrohta”: të dyja karriket fqinje u zbrazën! I rashë më të që e kisha djallosur! Në mbyllje të seancës bëra me ngut drejt daljes i shoqëruar nga bishtime dhe vështrime të akullta. S’kisha mbërritur ende tek dera, kur në sup ndjeva një dorë. Ishte dora e Koço Theodhosit, i cili më tha me butësi: „Shoku Kopi, gjynah që nuk e vazhdove diskutimin, se e nise bukur, me argumente të partishme!” Mos vallë pati frikë se dialogun e syzeve mund ta çoja tek „I Madhi”, i cili ato ditë ishte, gjithashtu, me pushime në Pogradec? Apo i erdhi keq për mua që më kthyen krahët të gjithë? Ja edhe një „gafë” tjetër. Në vitin 1978, megjithse „krisja” e pariparueshme shqiptaro - kineze dukej sheshit, po ta thoshe me zë të lartë, merrje veten në qafë. Ishte vonë dhe po mbyllej një nga lokalet në rrugën „Hoxha Tahsin”. Banakieri me pahir pranoi të më jepte një paketë cigare. Një oficer policie, me sa dukej i dehur, po u thoshte ca batuta të tharta antimaoiste, dy vetëve, që mezi i rrokëzonin fjalët për shkak të shishes me „ujë të bardhë, por turbullues” që e kishin zbrazur në gotat që mbanin përpara. Në një tavolinë pak në tej, ndodhej edhe një tjetër, që ma zunë sytë shkarazi. Dola. Të nesërmen, dezhuri më njoftoi se më kërkonte dikush na Prokuroria. Zbrita i tronditur. Ma përmendi ndodhinë e një nate më parë dhe më kërkoi të konfirmoja thëniet e oficerit. I thashë se vërtet ishin nxjerrë ato fjalë, por jo nga goja e oficerit. Duke menduar se denoncimin e kishte bërë ndonjë nga të dehurit, ua vura fajin atyre se, nga njëra anë e meritonin, por edhe, në fund të fundit, duke qenë në atë gjendje, do të kishin rrethana lehtësuese. - Jo!, - shpërtheu „prokurorasi”, - që, me atë fytyrën e zbehtë e me këmishën më të gjerë se qafa ku kish lidhur një kravatë laramane e të zhubrosur, m’u duk si nazist, - informacionin na e ka dhënë një komunist, që ishte esëll dhe i dëgjoi fare qartë. - Ai nuk qenka komunist, por provokator, që orvatet të njollosë uniformën e një oficeri – guxova t’ia ktheja gjoja i nxehur. - E jep me shkrim këtë? - gati m’u kanos. - Po!, - vazhdova me vendosmëri. Kjo nuk m’u kërkua as në atë çast e as më vonë. Në vitin 2010, vëllai i oficerit, - ky i fundit tashmë ka vdekur, duke lënë pas dy jetimë, - më falenderoi me mirënjohje duke vënë në dukje se, po të arrestohej i vëllai, pasojat do të ishin nga më të rëndat ngaqë në qarkullimin rrugor oficeri i akuzuar ishte futur për aftësitë që kish. Ama po të merrej vesh se kishte pasur një xhaxha të pushkatuar...



28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page