Dy dopio xhin për Sarandën

Fatmir Terziu
E hodha hapin e parë jashtë banesës dhe frigëllima dridhëse gati e shpoi xhepin tim të djathtë. Dora e mësuar me këtë komandë ndjesore lëvizi menjëherë në detyrën e saj të momentit. Preku formën e njohur të mjetit dhe menjëherë instiktivisht ia delegoi veshit… „Alo? Jam H…Si u gdhive?“ „Mirë faleminderit, po Ju?“ „E di përse të mora, në fakt të kërkoj ndjesë që i rashë kaq shpejt celularit, por jam në kafenenë e mëngjesit me një shok dhe më pyet për një problem, të cilin mendoj se ju mund ta dini. Problemi është…“ „E kuptova, por jam në rrugë e sipër për në punë dhe ky problem është larg që këtu. Thuajse mjaft larg, në Sarandë.“ „Po, e di, por ju keni lidhje me Sarandën, nuk e di pse, por me thënë të drejtën dua të sigurohem që ky qytet a e ka marë emrin pos dyzetë shenjtorëve…A është i tillë?“ „Historinë e emrit të Sarandës e doni?“ „Pak, a shumë atë.“ „Përballë gjirit ku ngrihet kalaja e Lëkurësit qëndrojnë gjurmët e një manastiri bizantin, i njohur si Manastiri i 40 Shenjtorëve. Manastiri mbetet dominues me historinë dhe gojëdhënat që e lidhin ngushtësisht me historinë e Sarandës. Ka një strukturë unike, e cila për fat të keq u dëmtua në mënyrë të parikuperueshme gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore. Ajo që duhet mbajtur mend patjetër nga ky manastir, është fakti se i ka dhënë emrin qytetit të Sarandës. Duke qenë se gjuha zyrtare e Perandorisë Bizantine ishte greqishtja, në fillimet e saj kjo kishë quhej Agi Saranda, që do të thotë pikërisht 40 shenjtorë, ku me kalimin e kohës përcaktimi shenjtorë ra, dhe mbeti vetëm numri dyzet në emër, pra Saranda.“ „E, të thashë?!“ – u dëgjua zëri i telefonuesit në anën tjetër, që me sa dukej ia kthente bashkëqëndruesit të tij të kafenesë së mëngjesit. Kaq ishte. Vetëm kaq atë mëngjes… Celulari u mbyll enkas. E thënë më saktë, një „Faleminderit“ e gjatë m'u dha pas disa ditësh, kur rastësisht u takuam bashkë me H. „Faleminderit! Shumë faleminderit!... Në fakt atë ditë ia fitova dy dopio xhin, atij qeratait kokëshkretë. Epo, ngulte këmbë si mushka…. Më lodhi. Më trudhosi me atë pyetjen e tij për Sarandën…“ „Ah, po m'u kujtua. M'u kujtua… Po ia paske bërë mirë.“ – i thashë unë, si një shenjë e qartë që doja ta harroja atë mëngjes të bezdisshëm. Po ai vazhdoi. „Në fakt ato dy dopio xhin ia fitova prej teje“, më tha, dhe më shkuli gati krahun që të shkoja të pinim një kafe bashkë e të më qeraste mua tashmë me xhin. Hezitova, por nuk refuzova. Doja që t'ia bëjë më të qartë punën e Sarandës, atij burri. Shkova për kafe dhe rrugës i thashë se për këtë duhej falenderuar një estet dhe studiues i sqimtë piluriot, me banim në Sarandë. „Sikurse të thashë atij i takojnë ato dy dopio, jo sepse është nga Piluri, por se atë e quajnë Timo Mërkuri.“








Fatmir Terziu
Jupe Gavoj Ja pra kështu… Kështu shkohet me ngadalë tek shishja. E gjitha është një udhë e gjatë. Ndaj dhe kjo ndalesë e tillë, e paktë, përkon edhe me atë që ju e thatë. Ndoshta të gjitha duheshin bërë me kohë bashkë. Ndoshta duhen bërë me dashuri prapë. Le të bëjmë më të mirën, duke pirë e me këngë, që të gjejmë përfundimisht se do të mbetet „Sarandë“, apo „Sarënë“ (Sara- në—na). Ju faleminderit për komentin dhe ndalesën në këtë pikë.
Jupe Gavoj
Po pse Saranda u quajt nga dyzet shenjtorët dhe jo nga emri i gruas së krishtit; Sarës?. Kur na qënkërkishte gjuha greke pse qafa e Gjashtës nuk quhet qafa e "eksit". Po kisha në Rusan pse quhej e Gjin Aleksit dhe jo e "Jorgos". Po Saro- neja, po Sara- që(i) - shta, ( Saraqinishta) dhe këto përkthehen nga greqishtja apo janë purro shqip?... Të parët tanë e quanin Sarëna,( Sara- në--na). Po sinagoga e madhe ebraike mu në mesin e qytetit edhe ajo nuk ju thotë asgjë?. Mos vallë Manastirit të Sarandës i është vendosur enkas emri i dyzet shenjtorëve që të përkonte me emrin e Sarës?. Ne e dimë se kisha bizantine nuk ka patur dyzet shenjtorë!..…
Fatmir Terziu
Timo Merkuri E kështu ndodh… Kështu! Lë mënjanë një punë dhe fap të vjen menjëherë ajo që duhet ta kesh gjithë kohës. Buzëqesh! Tjetri në krahun tënd pyet dhe ti e hesht pyetjen e tij duke e tretur vetvetiu me një tundje koke… Ndërsa ai ngulmon përgjigjja është e thjeshtë, „Ja dikush nga Atdheu, atje tej afër Jonit më dehu…, më mbushi një shishe xhin dhe e kërkoi 'dehjen' me fund… Gjasat janë për të qenë të dehur, se esëll nuk do të gjindemi dot në arkeologjira, folklore, histori dhe… dhe tek e fundmja do mësoj Ison e tij, iso-piloninë e Timo Mërkurit … Fundja do e bëjmë polifonike bisedën tonë.“ Dhe Ai, pra Tjetri qesh. Qesh…. Kushedi se…
Timo Merkuri
Faleminderit shumë Fatmir Terziu , unë nuk pi pije kështu që më mjafton e më tepëron edhe një teke. Sigurisht t'a pimë bashkë dhe pasi të diskutojmë emrin e sotëm në kuptimin italisht Santa Quaranta do t'ju tregoj edhe për Ankizmin, babain e Eneas që vdiq dhe u varros në Sarandë dhe që qyteti fillimisht mori emrin Ankizmo. Pastaj do flasim për Porto Edën, emër që ja vendosi Musolini në nder të vajzës së tij. Gjithsesi bregdetasit e quanin Skalome që do të thotë skelë. Veçse nuk e di në se do na mjaftojë një teke Xhin. Pa shih mos gjen ndonjë shishe, bie fjala. Respekte me Xhin.