top of page

Dulgobërda sipas Defterit emëror të vitit 871 Hixhri (1467)


Dulgobërda sipas Defterit emëror të vitit 871 Hixhri (1467)

Prof Dr Fatmir Terziu

Sipas Defterit emëror të vitit 871 Hixhri (1467) mësojmë se Vilajeti i Dulgobërdës, më vonë i Gollobordës ishte një ndarje administrative më vete gjatë sundimit të perandorisë Osmane. Krijimi i tij është bërë më herët dhe emërtesa ndodh të ketë qenë në Trebisht ku mësohet se e kishte edhe qendrën. Në këtë kohë Vilajeti i Dulgobordës shtrihej në territoret e përcaktuara midis vilajetit të Dibrës, Rjekës dhe Çermenikës. Ky vilajet kufizohej me fqinjët e tij të paracaktuar si ndarje administrative, ku edhe formëzimi i kulturave duket se ka qenë një arsye më tepër për të nënkuptuar situatat me të cilat perandoria Osmane ka synuar të ndërtojë formën qeverisëse dhe më së shumti të grumbullimit të taksave.

Materiali që gjendet në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë është tashmë i ditur nga përkthimi i Vexhi Buharajas në vitin 1969. Në të ka mjaft mangësi të shkëputura nga ndotjet me bojë, por në përgjithësi ka shënime që japin të dhëna emërore për këtë vilajet. Mjaft prej këtyre të dhënave janë njohur më parë nga vëllimi “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV – Burime Osmane” – (Tiranë 1968, faqet 326-375) dhe të tjerat plotësohen nga Devlet Arşivleri Başkanlığı, Ankara[1], po aq dhe nga Defteri i mikrofilmuar dhe përkthimi shqip nga V. Buharaja (A.III,315. Nr. 1 Inventari 1086).

Në këtë material bien në sy Haset e Mirlivasë, që janë në vilajetin e Dulgobërdës. Si shembull mbetet fshati Vladimeric, që ndodh të jetë Lladomerica e sotme, ku Tujçin Lulini dhe Dimitri Gatoni, si “hass i të përmendurirt” nuk përkojnë me ndonjë sllavizim emëror, apo nuk kanë të bëjnë me një qasje të tillë të njohur. Më tej as në Jablanicë, apo Tomjan e më tej në fshatin Bulqizë emërtesa është ngjashëm e padiskutueshme. Këtë e hasim ngjashëm edhe në Haset e Mirlivait në Vilajetin e Çermenikës. Emrat Bogjisha Gjini, Rad Bilçeviqi, Pop Nikolla etj., sikurse në vilajetin e Dulgobërdës flasin se në këto zona sikurse në tërë trevën e banuar jetonin kryesisht shqiptarët, turqit dhe boshnjakët, si myslimanë me shumicë, si dhe me pakicë bullgarët, serbët, grekët, vllehët, si të krishterë.

Tashmë dihet se në kuadër të sanxhaqeve kanë qenë kazatë, e në kuadër të kazave - nahijet. Kjo të paktën dihet nga struktura qeverisëse dhe administrative e Perandorisë Osmane. Para Luftës së Parë Ballkanike, thuhet se deri më tashti pak është ditur se cilët kombësi përbëjnë Perandorinë Osmane. Pasi ceken të gjithë popujt që përbëjnë Perandorinë Osmane ku numërohen ndër të tjerë turqit, turkomanët, arabët, grekët, bullgarët, kurdët, armenët, shqiptarët, serbët, kozakët, izraelitët, cincarët, vllahët, çerkezët, romët, sirianët, latinët e popuj të tjerë, në këtë kontekst shtrohet çështja se, si do të mbetet përbërja etnike para dhe pas Luftës së Parë Ballkanike. Statistikat në dokumentet e kësaj kohe flasin për popullatën serbe në Perandorinë Osmane, dhe nxjerrin në pah se serbët ishin shumë pak në numër dhe se ata nuk kishin pasur synime për t’iu bashkëngjitur Mbretërisë së Serbisë. Por çfarë flet ky dokument për shqiptarët? Sipas këtij dokumenti, shqiptarët dallohen shumë nga popujt e tjerë që jetojnë nën Perandorinë Osmane edhe sa i përket aspektit etnologjik, por edhe atij demografik. Popullata shqiptare ka qenë shumicë në trojet që ishin të sajat, por që pas Luftërave Ballkanike dhe terrorit që është ushtruar ata kishin rënë nën sundimin e Serbisë pas vitit 1912.

Sikurse e cituam më lartë banorët e kësaj treve kanë qenë të përcaktuar, por dhe të ndikuar nga luftërat dhe arsye të tjera. Struktura e popullsisë brenda kufirit të vilajetit me kalimin e kohës e sidomos pas luftërave ballkanike pësoi ndryshime të mëdha. Kështu në hapësirën e ish vilajetit popullsia përbëhej nga përzierje masive, që vinin nga shkaqe të ndryshme të sqarueshme dhe të debatueshme ende, me të cilat faktorët e sotëm janë vënë përballë disa qasjeve që kërkojnë mjaft kërkime shkencore. Kjo për vetë faktin se Perandoria Otomane sikurse dihet krijoi zona të tilla si Koxhaxhiku, ku thuhej se “vetë keshtjella e Koxhaxhikut, ka në dorë urdhërin e pakundërshtueshëm të madherisë së tij Sulltanit, ju shtoftë ngadhënjimi! –(në bazë të këtij urdhëri) ata janë të çliruar nga haraçi dhe nga detyrimet e tjera”. Me këtë rast kuptim të qartë merr edhe nënkuptim tjetër ku fshati Prepatniku i Poshtëm ishte caktuar me ligjin e kohës të varej nga kështjella e Koxhaxhikut, sikurse me fatet e fshtatit Çernobik, që mbeti si i tillë deri sa u shënua i braktisur.

Fshati Trebisht i përket Timarit të Haxhi Muhamedit, ku thuhet se ky kishte timar edhe në Mokri. Më tej në këtë material është dhe fshati Trabishtë që sipas shënimit të Vexhi Buharajas mësohet se bëhet fjalë për Trebishtin e sotëm. ndërsa ndodh të ketë një qasje gramatikore në të shkruar e në emërtesën toponimike, ajo që bie në sy është ekzistenca e e emrit Radec Bukuroviqi, ku tashmë e kemi cituar toponiminë “Radec” dhe na del si arsye tjetër e domosdoshme të citojmë se mbiemërzimi “Bukuroviqi”, na jep një fakt mjaft domethënës për vetë lidhjen e qartë të mbiemrit “bukur”, i cili plotësohet me prapashtesën “oviqi”, e cila natyrisht ka forcën e saj të derovojë në kuptim. Po kështu kemi dhe Todorin, i cili është vëllai i Radecit e më tej me emra të tjerë që natyrisht kanë mjaft arsye të qëndrojnë përkrah Pop Bogoslavit, ku natyrshëm kuptojmë lidhjet që ndodhin në këtë shënim me emërzimet. Në këtë rast shënojmë dhe një fakt tjetër që i përket numrit të shtëpive të regjistruara, ku Trebishti ka 30 shtëpi dhe vetëm 3 shtëpi më pak se fshati Librazhd, që i përkiste Timarit të Karagjozit dhe që ishte gulam i Hizir Beut.

Duke ndjekur me vëmendje shënimet e Defterit emëror të vitit 871 Hixhri (1467) natyrshëm kuptohet se emërtimet dhe emrat janë një faktor që flet qartë për ndryshimet rrënjësore dhe mjaft të ndikueshme në këtë zonë, sikurse dhe në zona të tjera. Nisur nga ky kontekst ajo që vlen të citohet fort është ekzistenca e kulturave të përziera në një trevë tashmë të njohur nga gjeografia e saj, ku liria e lëvizjeve dhe ngurtësia e arsyeve të tjera kanë prurë lëvizje, asimilime, zhdukje dhe shuarrje të fshatrave të tëra. Popullsia ka qenë gjithnjë një objekt i politikave të kohërave.

[1] Drejtoria e Arkivave të Shtetit. Në Turqi, Drejtoria e Arkivave të Shtetit u krijua në 1984 si një institucion sipas Ligjit të Organizatës së Kryeministrisë Nr. 3056 për të kontrolluar Arkivat e Republikës, Arkivat Osmane dhe Dokumentet e Departamentit.

148 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page