Duket se ndjehet “gondola” dhe “Acqua Alta”


Dr Fatmir Terziu

Duket se ndjehet “gondola” dheAcqua Alta

Dr Fatmir Terziu


Unë ndjej! E ndjej atë lajm përmbytës që vjen nga Venecia. E ndjej dhe vuaj… me laps, me tastierë, me lexim, me sy, me foto të nxirë në errësirë. E ndjej dhimbjen dhe e dëgjoj atë…

“A e dëgjoni atë?” Një zhurmë e mprehtë ndërpret bisedën me shkruesin e një prej shumë lajmeve përpara kanaleve me ujë të Venecias. Sirena paralajmëron se batica ngrihet përsëri, një tingull që venecianët janë mësuar shumë me të, por që kanë frikë më shumë se kurrë që nga mëngjesi i së Mërkurës.

Ndjej…

Ndjej ikjen e rrjedhave.

Pikëbashkohem edhe me rrjedhat e ujësive që ndalen në Lumin Shkumbin. Të harruarat rrjedha, përrenjtë e mbetur rrëfenjave, përrallave, dhe ato që kanë mbetur mite të kohëve të ndryshme janë sigurisht pikëbashkimi me atë që ndjej unë.

Unë ndjej!

Ndjej ikjen e rrjedhave.

Ndjej dhe se pikëbashkimi rrjedhor ka arsyen e vet. Mbledh, siguron në një udhë dhe derdh në fund, aty ku duhet e dihet se ujësia bën emër tjetër. Atë emër që e ngasim në libra, gjeografi, dhe sigurisht në tërë pikëlidhjen e duhur ujore të Globit, por dhe atë që e frymojmë në emër të ikjes, dhimbjes.

Sikur e kam kuptuar e kemi në dijen tonë se ujësive u kemi ngjizur emra të shumtë, rrëke, vadë, kanal, përrua, zall, lumë, det, oqean, e kërkoj ndjesë për ndonjë emërzim të lënë mënjanë. Sidoqoftë në ujësi, në rrjedhë, ndodh që të ketë ujësjellë(s), shkurt e më qartë ujëprurje dhe ujëikje. E mes ujëprurjes ashtu sikurse ujëikjes, kemi jo pak herë, drurë, kërcunj, karthje, barishte, mbeturina, … por dhe kapën, apo kapelen e dikujt që ia merr rrjedha. Dhe ai, ne, ju, ata, ato turremi për ta kapur kapën e Tjetrit, për ta trazuar apo dhe për të namëzitur pos kapës, ikjen e Tjetrit dhe të vetë asaj që kap ujërrjedha, ikjeudha e ligjësisë.

Kjo ujërjedhë në letra, sidomos në shkrime e fjalime, duket se është ngjashëm një Venecia, një lartrrjedhë e ulmët, e ndukur, e zbukuruar me karthje germash, me shkulma shpirtrash të dukshëm e të padukshëm. Pos kapa e Tjetrit, “dikurshmit” që na e la në ujësi, na trend, na rrëmben dhe na bën heronj ekranesh me ngjyrë ujësie, na bën letraristikë pa izëm dhe me klizëm mental. E kjo ndodh kur njeriu kopjon ujërrjedhën dhe e vë veten e tij në një apo tjetër kanal.

E në këtë kanal ujërrjedhshëm, të ndërtuar me “Zylo”, shkëlqime dhe rrënie, nga barka që solli gjahtarin e mishit, duket se ndjehet “gondola”, një fund i rrafshët dritë-anijesh të përdorura në kanalet veneciane, që ka një pikë të lartë në çdo fund dhe ka qenë e punuar nga një rrem në të ashpër prej duarve të arta mjeshtërore të ilirëve.

Fermeri që mbjedh qepë të njoma, buzë rrjedhave të tilla, kalon shkujdesshëm, dhe tërheq me shkop kapën, por rrjedha si rrjedhë, e nduk atë fort e më fort në atë botë. Në botën e e ujtë poetike, që ndodh të jetë ende një ishull me tre kunja të forta, të mbrojtura nga parimi trinitik i pashpallur në letra, por atje tutje në ngarkesën e gjahtarit të mishit, në distriktin e mbytjes që vazhdon t’ia kalojë arkipelagut.

Një X, një Fiks, një Miks, një Pjatë, një…gotë me meze të thatë, apo dhe një a njëqind të tjerë janë ende si në atë fabulën, një budalla hedh një gur (në rastin tonë një kapë) dhe mijëra të tjerë nuk e nxjerrin dot nga ujërrjedha. Ndoshta ngaqë asnjëherë, askund dhe asgjë në këtë ujërjedhë nuk ka qenë poetike, vetë rrjedha e ikjes e bën atë alegorike, agonike…

Dhe janë ata, pa jemi ne. Dhe janë ata, pa duhet të jemi ne. se ata janë, mbetëm e folën dhe e thanë. Po a guxuan vetë vallë kur kapa ishte gjallë? Disa të tjerë e konsiderojnë këtë pamje rrjedhanake të ujtë, si një shenjë romantike të përmbytjes apo zjarrit ngishëm të palidhur me realitetin. Por kjo ujërrjedhë zhurmake nuk duket kahqartazi aq e qetë dhe praktike sa vetë ujërrjedha e kahshme.

Optimistët e vërtetë që shohin në gjërra të tilla një oportunitet për zhurmërim, është ndoshta jashtë logjikës dhe ndoshta mjaft më shumë ndjesore se sa vetë ulërrima e tyre. Dhimbja reale, si në realitetin e lashtë të djegjes në turrën e librit, duket tek të gjithë si një risi për të dalë si kapa mbi rrjedhë, mbi ujërrjedhë. Dhe thua ti se këta janë zgjidhja e kësaj rrjedhe të turbulltë? Thjesht dhe qartë është një “lojë” dinake pos ikjes: Kahqartazi…, pas kapës së Tjetrit, thjesht pra, thjesht, për të dalë mbi ujë. Dhe për të dalë mbi ujë …



Venecia po rimëkëmbet nga një natë që banorët e saj nuk do ta harrojnë. Makthi i një qyteti të mposhtur nga uji u materializua kur batica arriti në 187 centimetra, që do të thotë se praktikisht e gjithë Venecia - 80% - u përmbyt. Kjo është përmbytja më e keqe që nga viti 1966, katastrofa më e rëndë për t’u kujtuar, kur fenomeni i njohur këtu si “Acqua Alta” arriti në 198 centimetra.

Gondola, kjo varkë e lehtë me fund të sheshtë, e përdorur në kanalet veneciane, që kishte një pikë të lartë në secilin skaj dhe punohej nga një therkë e ashpër, tashmë duket si një ëndërr e së shkuarës. Gondola është në memorje, është në letra, është në fotografi… atje larg në Venecia.


#terziu #fatmir

21 views

Shkrimet e fundit