top of page

Duke shijuar vlera të mirëfillta…


(Mbresa nga leximi i vëllimit me proza “Emra në zgrip” i shkrimtarit Bujar Balliu) Kam vënë re se lexuesit në përgjithësi nuk qëndrojnë shpërfillës ndaj opinioneve që kritika shfaq për librat, sepse, ndoshta, kështu orientohen që të gjejnë veprat më të përshtatshme për shijet e tyre. Zakonisht, kur shkruaj një recension apo shfaq mendime për një vepër, përpiqem të nxjerr në pah momentet më të rëndësishëm që më kanë tërhequr vëmendjen dhe që më kanë pëlqyer ose jo, ngjarjet e personazhet më të individualizuar; çfarë ma ka mbajtur gjallë kurreshtjen për çka do të ndodhë më tej; a kam përjetuar çaste ngazëllimi e trishtimi; a kam hasur fragmente ose faqe të shkruara me ngut, shkel e shko apo pa frymëzim etj. Sidoqoftë përpilimi i një recensioni apo shkrimi kritik është një art më vete përderisa nuk është fort e lehtë të japësh një përfytyrim gjithëpërfshirës mbi vlerat e mangësitë e një libri, aq më tepër kur një nga synimet kryesore të opinionit tënd është nxitja e rekomandimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë që i bën lexuesit për ta marrë në dorë librin përkatës. Një artikull apo recension i shkruar me nivel, duhet të ndjekë disa hapa, të kapë disa elemente domethënës, krahas emocioneve dhe përjetimeve që prodhon leximi i librit. Me rëndësi të veçantë është paraqitja e subjektit dhe ndjekja e vijave orientuese të librit. Kjo nuk nënkupton medoemos shpalosjen e krejt përmbajtjes, pra shterimin e çdo kurreshtjeje. Paraqitja duhet bërë në atë masë sa t’i mundësojë lexuesit të krijojë një ide të përgjithshme. Natyrisht ka edhe njerëz që përtojnë ta përfundojnë shfletimin dhe mezi presin që nga recensioni të marrin vesh gjithçka. Kjo më kujton një student të Universitetit të Bukureshtit, i cili merrte çdo ditë gazetën “Informaţia” (“Informacioni”) të Bukureshtit, ku botoheshin recensione të hollësishme për filmat e rinj që shfaqeshin në kinematë e panumurta të kryeqytetit rumun dhe, megjithse nuk shkonte fare në kinema, hiqej sikur i kishte parë filmat dhe u mburrej shokëve me recensionet. Paraqitja e subjektit të librit nuk është baras me riprodhimin e thjeshtë të tij, por duhet të kumtojë idetë kryesore, ndryshe, pra më thellësisht nga ç’shkruhet në kopertinë, në parathënie apo në pasthënie. Çdo recension apo shkrim kritik duhet të shoqërohet me gjykime të themelta, me të cilat të mbështetësh mendimin që ke për librin, pa mbetur në rreshtim frazash të thata, si: “Më pëlqeu, lexohet me ëndje” etj. Po të mjaftohesh me kaq, nuk të lipset asgjë tjetër përveç vënies së fjalive të mësipërme përbri një poze në facebook, në instagram apo kudo gjetkë. Pra, pluset e minuset që ke hasur në libër duhen argumentuar, jo thjesht konstatuar dhe kjo do të thotë analizë, jo rrëshqitje me ski në sipërfaqe. Gjithsa thashë deri këtu, i bluajta sërish në kokë kur mora në dorë vëllimin më të ri me proza “Emra në zgrip” (Shtëpia Botuese “UEGEN”, Tiranë, 2020) të autorit tashmë të mirënjohur e të vlerësuar Bujar Balliu. Përgjegjshmëria ime u bë edhe më e madhe kur ekzemplarin që më dhuroi e ka shoqëruar me fjalët: “Profesorit! Që e kam idhull për mendjen dhe dituritë”. Për habinë time (të këndshme!), leximi me vëmendjen e merituar i vëllimit “Emra në zgrip” ma lehtësoi detyrën dhe më bëri të heq dorë nga respektimi i rregullave rutinore që radhita qysh në fillim. Arsyeja: cilësia e prozave të këtij libri dhe dëndësia e mendimeve, ideve që kumton dhe përfundimeve në të cilat arrin, të ballafaqon pa vështirësi me thëniet: “Një fshat që duket s’do kallauz” dhe “Që të kuptosh çfarë verë është, mjafton të pish vetëm një gllënkë, jo tërë butin”. Libri, që çelet me parathënien “Arti i mjeshtërisë së narrativës poetike” të Doktorit të Shkencave Durim Çaça, përmban gjashtë kapituj, brenda të cilëve përfshihen tre, katër ose pesë proza. Në ballë të çdo kapitulli autori ka vënë nga një sentencë njerëzish të shquar të kulturës universale, që shërbejnë si ilustrim më se i qëlluar i mesazheve që do të na japë: I. … ka largësi në fjalët e verbra; II. Le të shohë secili rrjedhën e jetës së tij dhe atëhere do ta kuptojë se sa pak i ka mbetur për të jetuar; III. Fluturimi nuk mësohet fluturimthi; IV. … të jesh egërsirë, desha të the… duhet të jetë një zbavitje e këndshme; V. …të vetmit fanarë që ende kam në jetë, i vetmi Veri, Jug, Lindje, Perëndim, janë ndjenjat e mia; VI. Dhe kësisoj përpiqemi të mbijetojmë në mes të kaosit në sajë të rregullit të artit. Kjo mund të quhet pa frikë risi sepse nuk është bërë për efekte sensacionale a për modë dhe i shkon për mrekulli gjetjes së titujve intrigues, që hasen qysh në “kryetitullin” “Emra në zgrip”, për të vazhduar me “Hëna trazon hijet” e për të mbaruar me “Orë të mbetura stok”. I dalë nga gjiri plot thesare historike, epike, zakonore, mbi dhe nëntokësore, i Mokrës “legjendore”, i mëkuar, i ngrohur e i rritur në vatrën e një dere të begatë në tradita e virtyte, Bujar Balliu vetvetiu ka thithur bashkë me ajrin e pastër të maleve, edhe nektarin e muzave që ka buruar jetemot nga goja e brezave të njëpasnjëshëm të asaj treve. Dhe ky nektar ia ka ushqyer vitalitetin e mendjes e të zemrës e, të dyja bashkë, si motra binjake, e kanë udhuar nëpër shtigje shpesh të parrahur, të panjohur, por të drituar, për ta nxjerrë në horizonte dhe hapësira të pamata. Çdo fjalë e Bujar Balliut është e gdhendur me daltë mjeshtërisht si në shkëmb dhe ka zënë vend në frazë si gur i latuar në trajta dhe përmasa të larme, krahas mijëra të tjerave, duke lartuar sistematikisht mbi themele të rrënjosur thellë në truallin stërgjyshor muret e një ngrehine që të kujton “kolonën pa mbarim” të një skulptori të famshëm rumuno-francez. Pohimin e mësipërm ky “gurskalitës” tashmë me përvojë të pasur, e bën të besueshëm me vepra të tjera pararendëse: “Nobel. Laureatët e letërsisë”, “Hapësirat rrallohen prej dhëmbjes”, “”Heremit”. Tematika e vëllimit “Emra në zgrip” ka frymëmarrje të gjerë dhe të gjitha prozat, - tregime që përmbushin plotësisht kërkesat për t’u quajtur novela, - kanë një emërues të përbashkët: çiltërsinë, ndershmërinë e guximin qytetar - tre përbërës domethënës të derdhur e të shkrirë si ar në një enë të pandryshkshme që quhet stil. Çdo krijim më vete dhe njëherazi si pjesë e së tërës, pavarësisht nga natyra e përmbajtjes, kumton bindshëm në të njëjtën shkallë e me të njëjtën forcë njëherazi një shumësì idesh e mesazhesh: humanizëm, dhembje, atdhedashuri, solidaritet, shqetësim qytetar, guxim e besim për të kapërcyer pengesat e vështirësitë, shpirt sakrifice, shpirtmadhësi e sidomos optimizëm e shpresëdhënie në një jetë që shpesh duket udhëkryq apo qorrsokak pa rrugëdalje. Bujar Balliu i rrezaton me të njëjtën shkathtësi dhe zhdërvjelltësi të gjithë mesazhet e lartpërmendur sepse e njeh jetën përsëthelli, me rrënjë, si objekt e subjekt i saj, si i ndeshur me të mirat, të këqiat e të papriturat e saj, duke i ndjerë në lëkurë të vet, jo si një soditës nga larg. Ai nuk shpërfill as gjërat më të vogla, që mund të jenë (dhe ndoshta edhe janë) krejt të rastit dhe vlerësimin që u bën ato ia shpërblejnë duke na kujtuar thënien e popullit: “Në ferrën e vogël fshihet lepuri i madh”. Për këtë autor asgjë nuk është e rastit, siç nuk është aspak e rastit thjeshtësia proverbiale me të cilën shtjellon tema e dukuri të ndërlikuara, duke i bërë të përtypshme e të shijshme për të gjithë ata që marrin në dorë veprat e tij.



19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page