top of page

Drita blu

Updated: Apr 1, 2021


Drita blu

Fatmir Terziu


Atje je Ti, je Shqipëria ime. Atje në gjoksin tënd është hapi im. Janë shenjat e mia të fëmijërisë. Në syrin tënd është loti dyfish i gëzimit dhe dhimbjes. Në trupin tënd është flladi dhe drita.

Atje… je Ti. Je drita e ndritshme. Je Gjeografia ime e vijave të kufizuara në hartë. Je pjesa dhuratë nga Perëndia. Je me fat? Që nga krijimi, që nga lindja ishe dhe mbete e tillë. Mbete se e doje dritën blu. Drita blu është një ngjyrë në spektrin e dritës së dukshme. E dukshme, aq sa mund të shihet nga sytë e njeriut. Drita blu është një gjatësi vale e shkurtër. Kjo do të thotë prodhon sasi më të larta energjie.

Atje je Ti. Je energjia ime.

Atje… jam me të gjitha, me të gjithë. Jam dhe mbetem atje… Atje… Është bëlbëzima. Është drita ime e parë që nga momenti i lindjes. Është e gjitha që ndodhi me ne. Është drita e pastër edhe nëse qielli është plot me re. Është drita e qashtër dhe kur duket se kjo errësirë e ftohtë dhe e pafund nuk është e mundur.

Dhe ti e ndjen.

Dhe ti pret.

Dhe ti pyet duke u tretur: a ka pak dritë të ngrohtë dhe të ndezur. A ka dritë të dukshme? Kjo dritë është si një flakë që shkëlqen. Është më shumë se çdo dritë. Më shumë se çdo dritë që keni parë ndonjëherë. Është mjaft e fortë. Është dhe e fuqishme. Është për të mposhtur të gjithë errësirën. Është për të zëvendësuar gjithë zezërrimën që është brenda jush. Është drita që duket në fund të këtij tuneli të dhimbshëm. Është drita në skajin e daljes nga ky tunel.

Dhe nëse nuk mund ta shihni, ose tulateni ta gjeni, më besoni në Fjalën që Ju them, më lini të jem për një moment në skicën time, vetëm për pak minuta drita juaj, në këtë kohë ku fjala vuan, në këtë mot ku gjuha na mbeti e huaj, në këtë stinë ku trupi ka mbetur si i përvëluar.

Dhe në emër të dritës fajësoj.

Fajësoj: Për ëndrrat që vdiqën.

Akuzoj në dritë të pastër: Për dashurinë që ma zhvatën.

Urrej: Për buzëqeshjen që më morën.

Ky je ti, dhe ai, dhe të gjithë…

Por duhet të dalim në Dritë. Në dritën e duhur prej Fjalës së zezë…

Jemi në këto ditë, gjendemi në këtë dritë, se donim të fluturonim larg, ndërsa errësira ende djeg krahët tanë duke na mbajtur të kotë, në errësirën e ftohtë.

Dritë në tërë këtë errësirë?!

Dhe shfaqesh me një depresion. Kur të shoh kam dhimbje, kam ftohtë. Kam drithma ethesh si natën dhe ditën, ndaj të fajësoj që më vrave dritën.

Depresioni është tek ty... Si një „mik“ i vjetër të fton të hysh brenda kësaj errësire. Jashtë kësaj drite. Familjar. Ngushëllues. Butanak. Shejtan fjalësh. Do të të kapë në krahë dhe do të të mbajë afër. Edhe ty o i ri, që shtrëngon torbën të ikësh nga sytë këmbët, edhe ty o i moshuar që mezi i hap sytë, edhe ty që mbete i dyzuar në një rrjesht të ekspozuar për tu injektuar me vaksinën e propaganduar… edhe juve … që ju mbërthen pa e kuptuar Depresioni. Dhe kur të jeni gati të largoheni, nuk do t'ju lejojë të shkoni?! Ju do të luteni dhe do të luteni të jeni të lumtur, dhe do të jeni si në një luftë. Kjo do t'ju bëjë të mendoni se mënyra e vetme për t'i shpëtuar këtij depresioni është të merrni jetën tuaj. Nëse jeni me fat, mund të liroheni, dhe kjo do të iki, do të zhduket dhe do të të shikojë nga larg.

Thirrja e emrit tuaj. Mos e ndjeni veten të huaj. Thjesht vazhdoni t’i thoni vetes që gjithçka është në kokën tuaj. Vazhdo të lëvizësh. Do të arrini në dritën e dukshme. Ky lajkatar është thjesht një vrimë në errësirë. Duro dhe dil të kërkosh dritën që humbe dje. Depresioni nuk është ai që je. Mos e humbni këtë shans. Këtë shans historik, që vjen një herë dhe vetëm një herë, ua them pa frikë! Dilni në dritë! Në dritën blu, dritën e dukshme. Drita blu, sikurse e shpreha, ka gjatësi vale më të shkurtër dhe energji më të lartë se ngjyrat e tjera.

56 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page