top of page

DJALLUSHJA*



                    TREGIM POETIKO – DRAMATIK NGA MYSLIM MASKA  

   “Pasi m’i morën mishin dhe kockat

     Deshën të më merrnin edhe shpirtin…”

      …………………………………………..

      Autori, nga poezia: “KOCKAT E POETIT”

Kam një vit që jam sëmurë, plot një vit. Dhimbjen time askush s’ma diti, sikur jam gur. Është faj i imi apo i juaji, s’di ç’të them. Jam sëmurë shumë i sëmurë, erë varri ndjej! Mos më flisni, mos më prekni, jam sëmurë! Më dhemb zemra më dhemb shpirti  e po vdes. Dhe s’ankohem, Kujt t’i qahem? Mos më pyesni! Të gjithë bredhin dhe ankohen pa mbarim! Jam sëmurë e s’më zë gjumi ditë e natë. Perënditë si hije m’vijnë dhe shkojnë prapë. Veç përkulen e më puthin faqe, ballë. Sikur jam një i paudhë, një i marrë. Dhe i desha: SE MË LINDËN… DHE PA LINDUR. Dhe kur deshën që t’i vrisnin, qava hidhur! S’mund të bëja dot më shumë, s’bëja dot! Bota qe kredhur në llum dhe në lotë. E ç’mund të bëjë një xixëllonjë në uragan? As vetveten s’e sheh dot me dritën e saj…Pra, ç’mëkate kam bërë vallë, nga ta di? Që më shndërruan në akullnajë dhe në vetmi! Dhe më krodhën në një pellg, qelbësirë, si një mjelmë e verbuar, në errësirë. Veshët m’furshullojnë si krah zogjsh në fluturim, si një pyll  kur stuhia e shpërthen. Më duket vetja meteor, tek digjet, ndrin; si një katarakt ku shpërthejnë mijra ylberë. Jam Faust apo Mefistoifel? Që bukuritë e shpirtit, a të vdekjes tjerr. Nuk e di! Më mirë të mos i dije…Nga dhimbjet e plagëve po shoh hije, ëngjëj djajsh dhe të djajve hije: Një mesnatë, sapo kishte dalë Hëna, më vjen një

vajzë me flokë të argjënta:

   -Jam djallka, - thotë. E di ç’është djalli?

   -Ai, që ta thith frymën për së gjalli!

   -Gabim, s’e njeh filozofinë. Djallli është i njëjtë me Perëndinë. Pa shikoji kofshët e mia të bardha, janë burimi i jetës dhe i vdekjes, bashkë me siskat e mia magjike të arta.

   -Dëgjo, ti djallushe, dhe s’mbaj mend se ç’bëra:

   -Perëndia është babai dhe nëna. Është vajza dhe biri, nipi dhe mbesa, është rrezja, që derdh hëna, pendimi dhe shpresa. Është loti, që derdh streha, që shpon edhe gurin, është halli i madh, që bën të qajë burrin. Është manushaqja, që çan shkëmbin e del, që dhe dinamiti mezi e shpërthen…Milingona që ngre, njëzetë herë sa vetja, miza që dritë bën natën, e bukura, bukurezja…Është maçoku Xhesi, që qan kur s’kap dot Diellin, se retë si shtëllunga, dridhen, e mbështjellin. Ashtu si shtëllungat, që dredh nëna ime, kur thur e bën lëmshenj, për dasma e gëzime. Rreth furkës së saj los maçoku Xhesi, si hëna dhe dielli, rrotull universit.

   -Dëgjo, i dashur, - më thotë djallushja flokartë, - unë shndërrohem në shenjte edhe në zambak. Zambak ku mbi petale, pikon vesë e hënës, ku lahet e dehet vegimi i ëndrrës. Aq sa të magjepsesh, të çmendesh edhe ti, ta rrëmbesh e t’i marrësh erë. Kaq! Damarët do të bëhen gjarpërinj, do duan të kafshojnë me mijra të tjerë…Kështu dashurova e u bëra magji, qindra, mijëra djemve, aq sa dhe GJËMËN e quanin MIRËSI!...Dhe unë qeshja e qeshja, që mbolla helm e vrer. Ta themi mes nesh, a s’është e vërtetë që vet ju e bëtë Njeriun greminë? Na i mbushët me pupla foletë, brazdat ku fara jonë bymehet e mbin…E si të mos mashtroja, djemtë për n’kasapanë? Kur ushtarët e mi s’kishin se ç’të hanin? Krimbat, krimbat, atje poshtë në varr. T’i mora të bukurit, se i desha shumë. S’bëhesh dot flori, as margaritar, po s’qesh brënda unë.!...

   -Nëse ma more trupin, shpirtin s’ma merr dot, trupi rron një shekull, shpirti pa mbarim. Sa të marr frymë, të vezullojë kjo botë, gjer në amëshim…

E di, si s’e di? E ku s’hyre ti, dhe në presidencë, dhe në qeveri. Me mjegull, ngricë e brymë, e veshe gjithçka. Rënkojmë e dridhemi. Kame ethe. Po mërdhi…Ti shkulesh së qeshuri, kur na sheh që vuajmë…

   Ndaj BROF nga shtrati, si gjëmim mes resh, sëmurë e i  harbuar, me shpirtin tim ndër dhëmbë. Rend ta gjej, ta shqyej, me dhembjen tonë kush qesh, me litar vetëtime ta var te ganxh’ ehënës…     

*Nga cikli i tregimeve për vitin tragjik 1997.



266 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page