Djali i frongosheve
(Tregim i vërtetë)
Frongoshe…frongoshe…frongoshe…
Zëri i mekur dilte nga gjoksi i vogël i një djali imcak, që si kish mbushur ende tet vjeç .
Përherë ulur tek i njëjti vend , aty ku fillonte pazari i atij vendbanimi, as fshat, as qytet.
Frongoshe…frongoshe…frongoshe…mezi bëlbëzonin ato buzë fëminore, të trashura e të skuqura nga gjëmbat e frongosheve kur i mblidhte
Pazari ishte ndërtuar në zemër të vendit, me dy rreshta godinash dykatëshe, ngjitur me njëra tjetrën , në të dya anët e një rruge të shtruar bukur me kalldrëm guri, ngjyra ngjyra.
Godinat e krahut verior të mbronin nga erërat e Saraqinit ,që në dimër të ngrinin kallkan, ato të jugut të mbronin nga erërat e qafës së Likojanit, që kur zinin e frynin në vjeshtë, të ngrinin në hava.
Nga pazari dukej deti Jon dhe ishulli i Korfuzit, fusha e Vrinës, deri tej tutje Vivarit, ku varej dielli në perëndim.
Plot katërqind metra mbi nivel të detit ,pazari i gjithi dukej si ballkon mbi të.
Një rrufë kafeje të rrufje, të dukej se rrufje tër atë det, tër atë horizont, tër atë bukuri të pa shoqe.
Frongoshe i quanin vendallit fiqtë e detit.
S’ka vend më të mirë për frongoshetë, si nga toka që i rrit, si nga klima. Edhe det, edhe mal,edhe diell e vapë ditën, edhe freskët e hënë farfuri natën.
Se frongoshetë që të piqen duan edhe hënë të bukur.
Frongoshe… frongoshe… frongoshe, dëgjohej bëlbëzimi i atyre buzëve të atij djali të vogël , i uritur në shpirt për dashuri atërore, i uritur për ushqim,frongoshe,frongoshe,frongoshe…
Ishte jetim. Babi e kishte lënë katër vjeç
Jetonte vetëm me të jëmën, një grua e rrallë nga bukuria, si të gjitha vajzat e gratë e kësaj zone.
E jëma kish tre vjet që nuk dilte në pazar, në gjitoni, shoqëri. E kishin braktisur të gjithë.
Edhe familja e saj e kish bërë hasha ,se kish bërë një vajzë pas vdekjes së të shoqit.
Ish munduar t’a fshihte barrën, barkun, por nuk kish mundur.
Tek rrapi i këtij pazari e kishi nxjerrë kryepleqësia e përfaqësuesi i qeverisë, me barkun tek goja,me djalin në krah, të tregonte kush ishte i ati, ta dënonin siç e meritonte atë burrë faqezi, por ajo u thosh j se nuk e njihte. Ai që e kish lënë me barrë, ishte një kalimtar i rastit , që e kish përdhunuar.
Askush nuk e besonte ,që atë e kish përdhunuar një kalimtar i huaj, që do të hidhej matanë detit,në Korfuz, kur po kulloste dhëntë në arën e saj. Por e vërteta ajo ish.
Ajo në heshtje i kish duruar të gjitha, si e mpirë, deri sa ra errësira ,dhe kish shkuar në shtëpi, ku u mbyll e nuk doli më nga turpi.
Edhe familja, edhe fisi e fara e bënë hasha.Vet e priti lindjen e fëmijës, vajzë ish,që zgjoi gjith mëhallën sa erdhi në këtë jetë.
Shtëpinë e kish buzë tre përrenjëve, si gadishull, përrenj që në dimër tërboheshin, gjëmonin e shkumëzonin, në verë zbardhnin barkun e bardhë e të tharë.
Frongoshetë në buzë të këtyre prrenjëve bëheshin shquar.
Ajo , kur fillonin e piqeshin, ngrihej që me natë,i fshinte nga gjembat e verdhë, mbushte pinadhën e madhe.
Duart e faqet i mbusheshin me gjëmba të hollë , të verdhë, si pushi i zogjëve të sapo çelur, që i merrte era sapo i prekje e ja sillte sipër.
Gjëmbat e frongosheve i bënin alergji asaj e djalit që e ndihmonte,por çtë bënin, duhej jetuar, e ato të shkreta frongoshe shiteshin në pazar, se jo kushdo mund të merrej me mbledhjen e tyre.
Djali nisej me të zbardhur drita.
Lindja e diellit e gjente tek vendi i tij, në fillim të pazarit, nga ana e detit.
Dita në atë pazar niste me zërin e tij ,që mezi i dilte, frongoshe, frongoshe, frongoshe.
Frongoshetë në shoshë ishin të bukura në ngjyrë, në formë,në madhësi.
Si lindja dhe perëndimi i purpurtë i diellit në këtë vend, që nuk u gjendet shoq në fillim vjeshte. Në lëkurën e tyre ishte e kuqja e purpurtë,e verdha e ëmbël ,e kafta e bajamtë,e gjelbërta e barit.
Vezake në formë, me madhësi po sa një vezë e madhe e ngjyrosur mrekullisht, nuk ndjeje të ngopur duke i parë.
Kur qëroheshin, kishin një ngjyrë floriri të pastër me disa pika të kafta të rralla që harmonizoheshin magjishëm, me një aromë dehëse ,që bënte të kundërmonte vëndi përreth djalit, aq sa i dëgjohej edhe bëlbëzimi fëminor .
Kishin edhe vlera të mëdha ushqimore dhe farmaceutike, por djali këto nuk i dinte. E si mund t’i dinte ai djal fëmijë këto?!
I uritur, i veshur keq,vetëm bëlbëzonte ,deri sa i mbaronte, frongoshe...frongoshe...frongoshe, ju lutem , blini frongoshe!
Dhe njerzit ja blinin të gjitha.
Lekët ja futnin në një kuletë të madhe që djalit e jëma ja kish varur në qafë. Futnin aq sa
ata mendonin që vlenin frongoshetë që mirrnin, aq sa kishin mundëasi, por gjithmonë më shumë.
Donin t’i ndihmonin me sa të mundënin. Djali nuk u thosh çmim, as që dinte çmim, as që u kishin vënë çmim me të jëmën.
Herë pas here i çonin edhe ndonjë ushqim, edhe ndonjë rrobë, se në shtëpi nuk u venin dot nga ajo që kish ndodhur.
Djali i frongosheve i falënderonte me shikimin e ëmbël të atyre syve fëminor, që nuk kishin të paguar. Kur i mbaronte të gjitha , blinte ndonjë bukë , kalonte nga gega e merrte ndonjë kufetë sheqeri që në të shumtën e herës edhe furrxhiu edhe gega ja jipnin falas, e nisej me nxitim në shtëpi.
Në qafë i varej kuleta me lekët e mbledhura. Në grusht shtrëngonte kufetat për vete e për motrën që kish filluar të bëlbëzonte e të luante me të.
E jëma e priste në krye të përroit .
E merrte në qafë, e fuste në gji,i merrte erë në kokë, i lyente me vaj ulliri fytyrën e duart që t’i dilnin gjëmbat e imët të frongosheve.
I vinte para për të ngrënë ndonjë gjë që kish mundur të kullandriste nga kopështi.
Djali i frongosheve i jepte të jëmës kuletën, motrës i vinte në gojë kufetën kallam , që ajo e thithte plot kënaqësi e guiste, gu gu gu,e herë pas here e fuste edhe vet në gojë.
Njëherë ajo, një here ai…
E jëma i shihte e lumturohej.
Harronte gjithçka , harronte ç’kish hequr, harronte ç’hiqte,harronte ç’e priste.
Falnderonte Zotin për djalin që i kish dhënë, pa të cilin do të vdisnin ajo e vajza.
Por me pak ndrojë, falënderonte Zotin edhe për atë vajzë që i kish ardhë , pamvarsisht si kish ardhë, pa dëshirën e saj .brutalisht, por i kish ardhë si e zbritur nga qielli…!
Djali, herë pas here kthente kokën nga e jëma , e kur e shihte ashtu të gëzuar, i hidhej në qafë, sikur donte të merrte forcë për të nesërmen, kur që me natë, do të dilte në pazar , që çelej me bëlbëzimin e tij fëminor.
Frongoshe…frongoshe…frongoshe..ju lutem, blini frongoshe...!
תגובות