top of page

Diskursi psiko-erotik tek “Kumbulla përtej murit”




Tema: Diskursi psiko-erotik tek “Kumbulla përtej murit” të Ernest Koliqit.

Kumbulla përtej murit


Kjo i ndodhi Lec Gurrmollës ndër të parat lirime vere qi erdhi me kalue në Shkodër mbas dhjetë vjetsh banimi ndër shkolla të përjashtëme. Nji ditë korriku i takoi m’u ndalun për mjesditë te nana e dajës. Kah mbarimi i zhegut, nësa tjerët flejshin ende, zbriti poshtë n’oborr e mandej hyni në kopësht mbas shtëpije. S’ishte e para herë, mbas kthimit të tij në Shkodër, qi vinte në shtëpi të dajave, por asnji herë s’kishte pasë rasë me shetitë të gjitha skutat ku strukeshin kujtimet ma t’ambla të fminis së largët. Kopështi n’at mbasdite të nxehtë, heshte në diell. Ajo heshtje e tij po vlonte me zane të panjehuna veçse të lehta e me lëvizje disi të shutituna. Lëvizje kandrrash e fluturash; zane bletësh e grethash. Ndiehej si nji marrje fryme e gjanë bimësh, nji aht i thellë bimuer tue u përhapun nëpër at heshtim ari. Lëshojshin hije anave hardhijat e rrëfatuna në huj të tyne me gjethë stërpikë në gur kali, ndërmjet të cilve lavireshin vilet e rrushit ende të bleruna e të pashejuna e në midis pemët rresht e rresht, zerdelia, pjeshka, dardha, molla, ftoj, kumbulla.


ERNEST KOLIQI

Asaj hije i jepte ngjyrë të bruzët ari i diellit me feksime plot gjallni. Kumbullat deng me kokrrat të pjekuna s’mungojshin aty në kopësht. Por sytë e Lecit, si të tërhjekun prej nji fuqije shortare, kërkuen nji kumbull përtej murit. Ishin dhjetë vjet, e ma ndoshta, qi s’e shifte at mur. Nji mur i vjetër jo fort i naltë, i nxim prej kohet, me gëlqere gjithkund të rame. Ngjyra e atij muri e bante Lecin me andrrue. S’kishte nji ngjyrë të përçansueme; në të të gjitha ngjyrat ishin të përmbledhura. Shiu e dielli, tue e rrahë me vjet e vjet, e kishin veshur me nji lëmashk, të bruzët ashtu si hijet e gjalla të kopshtit. Në skaj të tij, aty ku përbante nji kand me nji anë tjetër, shtrihej për tê e kacavarej dashunisht nji jesemin plym me lule të bardha të çeluna. Ajo lule me njomsi dhe amsim të vet ngushullonte pleqsin e murit. Përtej atij muri në nji kopësht të huej, me do degë të nalta qi zgjateshin edhe këtej, ngrehej nji kumbull. Syt e Lecit e përshëndetën me adhurim. Arsyen e këtij adhurimi as ai qartas s’e kuptonte. Në mjegullimet e kalthera qi mbështjellshin fminin e tij në mbamendje, ajo kumbull naltohej gjallnisht mbi çdo gja tjetër. Psehin s’e dinte. As nuk përpiqej m’e dijtë. Atij i mjaftonte ajo andje e hollë qi, tue shikue kumbullën e huej përtej murit, nga syt i rrëshqiste në shpirt, në të cilin zgjoheshin ndjesina të vjetra e shije të harrueme. Përmbante kopshti i dajave plot kumbulla boshnjake e bodorike e gabele, me kokrra picigjate e të rrumbullakta, por atij papritmas turrshëm i flakoi në shpirt nji dishir i falisun. Ndieu nevojën e çuditshme me i kërkue ato kokrra të vogla, të verdha me ngjyrën e dyllit, të kumbullës përtej murit.Njiherit me kët deshir i u zgjua e i vetoi përmbrenda edhe kujtimi se nji trill i atillë i a tronditi shpirtin shum vjet përpara. Ai s’dinte, as nuk donte n’at ças, me pa qartas ndër ndiesina të veta të ndërlikueme. Lëshohej me mirakandje në valë të tyne. Donte me hypë mbi at mur e me ngranë aso kumbullash të verdha. Ndoshta ky ish deshir i vjetër qi zgjohej rishtas bas nji gjumi dhjetë vjetësh. Ndoshta ish trill i ri, lindë n’at paq zhegu ari. Por kjo s’i duhej gja m’e dijtë. Dishka ma e fortë se urtija e shtynte m’u ngjitë maje murit.

“Mari! S’jam ma i vogël si atëherë! Dikur do sende mund i bajshëm... Tashti asht marre me më pa kush...” Ky mendim s’i vjefti. Harroi moshën, humbi njohunin e kohës e të vendit, shtini në punë kambë e duer edhe u gjet maje murit, midis degëve të kumbullës. Si i dishruem, me at’ lakmi për pemë në gem qi vetëm kalamajt ushqejnë, çoi dorën kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i rrëshqiti nji të dridhun andjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji krijatyre nxehtësisht e gjatë mot andrrue e pritë. Langu i kumbullave i ngjalli në gojë nji shije verash të humbuna, nji amë stinësh të mrekullueshme shlulzue mbas nji prendimi të largët. Por, qe, syni i xhixhilloi në haren e nji zbulimi të papritur. Andej murit shtrihej nji kopësht tjetër shum ma i hapët se ai i dajave. E shifte at mareshtë gjelbrore tërhjekse nëpërmjet gjethve e gembave. Jo me vullaj të mjellun me gjithnduer barishtesh si ai i dajave, por të tanë bar e i dendur me landë. Drita e diellit me mzi depërtonte nëpër degë nalt gërshetue. U futshin n’at gërshetim të blerët rrezet diellore tue u zbutë, e aty në bar t’imtë, qindisëshin vizatime të brishta. Dukej ajo shtroje bari, qindisë ashtu prej rrezeve e prej gembave, hali prrallash shpalisë nën kambët e nji princeshe së zhdukun. At ditë princesha e mërtisun në degërmija andrre ishte fmijnija. Kishte ikë për gjithmonë a por do të këthente? Pa peshue mirë veprën e vet, kërceu prej majes s’murit në kopësht të huej. Vetëm kur u gjet mbi bar, n’at anë, pau nëpërmjet trupave të landve të shumta dritoret e nji shtëpije qi çeleshin kah kopshti. Në mënyrë ta pacaktueme, mjegullore, i binte në mend ai vend. Ndoshta kamba e tij s’e shkelte për të parën herë at bar t’imtë, të butë, plot lajle rrezesh e hijesh. I kuj ishte ai kopësht? Ai s’donte me mendue. U lëshonte në rrjedhë të trillit qi e kapi. Eci kadalas si të dronte se po zgjon dikë të fjetun n’at paq të kulluet ku amnija e tokës lumnonte ndër pemë qi piqeshin në diell. Shëndronte hapat me ndrojtje, si ai vjedhsi qi i avitet tue u matë teshës lakmue kahmot. Po, vjedhës... E varun, n’ata gemba të dendun, në heshti të mysterëshme, ku zanin ma të naltë e lëshonte tufa e jeseminave në erë të vet, derdhë këtej nga kopshti i dajave, pezull n’at gjysmaterr t’ambël ku hija e drita putheshin dashunisht, si dy motra bashkue në nji mall të dridhun, rrinte degërmija qi mërtisi dikur fytyrën e Fmijnis. At degërmi zbriti me pushtue... Jo vjedhës, s’ishte... Përkundrazi, dikush qi flente n’at kopësht i kish vjedhë dishka të çmueshëm në shpirt... Tashti ecte mbi bar të njomë m’e gjetë at pjesë të humbun të shpirtit e, pa u kujtue, i avitej shtëpis. - Ej, ti djalë, shka lypë kha? Nji za kërcnues gruaje kumboi befas n’at paq shortar ku pluskojshin andrrat e tija. U tremb e i u dha, n’at të parë, me ikë vrap kah erdhi. Por i ra ndër mend se mjerisht s’ishte ma kalama e se duhej disi spjegue pranija e tij n’at vend të huej. U gjet ngusht. I vinte marre. Si i dejun ishte futë në nji pyll prej kah do të dilte i turpnuem. S’guxonte me i çue sytë kah dritorja prej kah prap kumboi zani. Nji za, kët përshtypje pat, i ri, muzikuer. - A nuk dron se mundem me të paditë nanës-dajës-a? Kësaj here tingullonte në za nji gaz i përzemërt. Ajo grue atje nalt tallej. Çoi syt. Nji plakë me dy sy të gjallë e me nji shami ngjyre hini në krye, i flitte prej dritores tue qeshë. - Hajde, atje e ke derën. Shtyje se çilet. Hajde se due me të bërtitë. Ai bani si i tha ajo. Hyni në nji oborr, krejt në hije, plot freski, ku ndieu nji ndije të papritur flladitjeje. Gryka e pusit, sjellë motit nga Venediku, edhe lugu ngjat saj, ndritëshin të bardhë në nji skaj. Limoj n’arkë të ngjyeme në të blerë e lule në saksija e shimshirë shatorr e mbushëshin oborrin e ngushtë. Ai i u ngjit shkallave të nji shtëpije së vjetër, mbajtë shum mirë. Nalt e pritte buzqeshun plaka e dritores, veshë me bandavrekë e bohçe të bardhë përpara. - Urdhno – edhe e qiti në nji odë prej kah nëpër dritore shifej kopshti i andrrave të tija. Djali e shikonte tue heshtë. Fytyra e saj mbushë me rrudha ndritte kur i qeshëshin syt qi kishin mbetun të gjallë e të rinj si zani muzikuer. - Ça më ke ba me qeshë... Të kam pa tue këcye prej muri. Menjiherë të njofta. A të bjen ndër mend sa sherret m’i ke ba? Për gjith verë gjymsën e atyre kumbullave m’i vidhshe. Mandej më hijshe në kopësht... Ajo rrinte në kambë para tij qi shtrihej në minder. Fytyra, me ata sy flakuesa në midis, përsiellte, me lëvizje të gjalla pejzash e rrudhash, tregimin. - Ma... s’e xen besë sa u gëzova kur të pash tue këcye në kopësht. Malli të ka hjedhë këtej, e dij. S’të kam ba za. Të kam lanë m’u avitë. Kur të fola, deshta me të trembë, si atëherë... Më janë lecue vjett në shtat kah të shifshe tue ecë hajnisht si dikur! Fshani. Doli prej odës. Leci s’mendonte kurrgja. E ndiente veten mirë n’at odë të freskët t’asaj shtëpije të vjetër ku mërzija e jetës lehtësohej me të vërtetë e shkrihej në nji amti pushuese. Zonja e shtëpis këthei me nji tabake ndër duer. I vuni para nji çini reçel. - Asht i bamë me kumbullat e tuja – tha me at za të ri qi djalit i dukej se buronte nga kalesa e largët. Kuptonte plaka se, tue i a paraqitë at çini me reçel kumbullash, t’atyne kumbullave, kryente nji vepër poezije shum të hollë e të njomë? Ai reçel kishte nji vlerë të madhe symbolike, n’at mbasdite në të cilën gjithënji shpirti i tij përkundej në mall të nji moshe së humbun. E shikoi ngultas. U çudit. Po, ajo kuptonte. Kur ai në kopësht të heshtun kërkoi hijen e ditve të sosuna, nuk dridhej i vetëm n’at ndiesi të mallëngjyeshme. Plaka, tue e ndjekë ndër lëvizje të tija, bashkohej shpirtnisht me të. Gjithënji në fytyrën e pastër, ku lëshonte dritë jeta e gjatë e saj kalue fisnikisht në frymë të zakoneve t’ona ma të bukura, i lexohej po ai rrëmbim malli qi pat edhe ai.

Uli kryet e kërkoi reçelin. Ndieu prap nji shije verash të fikuna, stinësh të largta qi, sidomos mbasi prendojnë, na lanë në shpirt lumnin plot shqetsim t’amës së tyne të mrekullueshme. Kur çoi fytyrën, vroi se ata sy të mbetun të rij të grues, qi rinte tue e shikue nësa ai ngrante, qitshin lot të heshtëshëm. Porse, nëpër lot, qesheshin.


Koliqi është padyshim shkrimtari më modern dhe i pazëvendësueshëm i letrave shqipe. Por, tregimi “kumbulla përtej murit” (Koliqi: 1935/2013: 76), është ndoshta tregimi ku autori përmes kodeve të fshehura të simbolit mbulon erosin, si një tension midis nevojave libidinale ose seksuale të individit dhe kërkesave të shoqërisë për mbijetesë (parimi i domosdoshmërisë), që shoqëria të vazhdojë të ekzistojë, individët duhet të shtypin nevojat e tyre seksuale “instiktuale”, duke i nënshtruar ato, ndaj të gjitha llojeve të normave dhe tabuve shoqërore dhe individëve përmes energjisë së tyre të ndrydhur (Ferud: 1905: 183). Por Koliqi duhet parë në këto rrafshe:


1. RRAFSHI I.

- Rrafshi i stukturalizmit: sekuencat narrative të shenjuesit kanë disa grupe kodesh si:

a) kodi semantik/ simbolik: që funksionojnë në nivel konotativ dhe i japin thellësi tregimit

(Barthes: 1973: 63). Barthes sugjeroi se kodet simbolike tregojnë të kundërtat, ku shenjimi autorial shprehet me kode simbolike si: [personazhi mashkull/Leci = mashkull + fëmijë + burrë / personazhi femër= femër+nuse+plakë], simbolizohet nga kumbullat e rrubullakëta [organi seksual vagina me kumbullat/pjeshkat+ reçeli(zvetënimi i epsheve femrore).

b) kodi i referencës /kulturore: që përfshijnë referenca historike, sociale, psikologjike ose

letrare, e lidhur ngushtë edhe intertekstualitetin. Meqë jemi tek kritika psikoanalitike stukturale, Lacan na sugjeron përmes tekstit: përsëritja e detyrueshme e një dëshirë të pavetëdishme të shenjuesit (Lecit): si i dishruem, me at’ lakmi për pemë në gem qi vetëm kalamajt ushqejnë, çoi dorën kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i rrëshqiti nji të dridhun andjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji krijatyre nxehtësisht e gjatë mot andrrue e pritë. Langu i kumbullave i ngjalli në gojë nji shije verash të humbuna, nji amë stinësh të mrekullueshme shlulzue mbas nji prendimi të largët.

c) kodi hermetik: një kod ku “enigma” është një “mister” brenda një teksti, ku fabula mbetet e pashpjeguar përmes kodeve hermeneutike (Krasniqi: 2019).

- Rrafshi i dekostruktizmit: lidhet me dekostruktizmin e Lacan-it , ose falocentrizmin e dëshirave, që shpreh tregimi metonimik/metaforik rreth së njëjtës fushë dëshirash dhe nën tryninë/zhvendosjen sipas teorisë frojdiste, por sipas teoricienit Jasque Lacan metonimi/metaforë falike (Lacan: 2001: 443 ), që e sheh të pavetëdishmen që vjen në të njëjtën kohë me gjuhën: malli të ka hjedhë këtej, e dij. S’të kam ba za. Të kam lanë m’u avitë, avitja/malli/zani janë dëshirat falike të Lecit, që përmes murit/kumbullës[pemë/dru/kokërr] janë organet mashkullore [penisi/testikujt=aktin seksul imagjinar].

- Rrafshi simbolik/erotik: ka elemente të pastra frojdiane. Frenimi i ndjenjave, apo e

një kënaqësie të fshehtë fëminore (Leci) si dëshirë e ndaluar, që lidhet drejpërdrejtë me Idi-n, ose me konceptin “vulgar” të simbolizmit klasik frojdian si: simboli vertiakal (SV) që lidhet me organin mashkullor, dhe simboli horizontal (SH), që lidhet me organet femrore.

Por, fillimisht do të kuptojmë instiktet e ndaluara (IN), në subkoishencën e Lecit siç janë:

a) IN = kultura që ka marrë nga studimet jashtë: (mbas dhjetë vjetsh banimi ndër shkolla të përjashtëme);

b) IN = mosha, sepse nuk është më fëmijë: (ishin dhjetë vjet, e ma ndoshta, qi s’e shifte at mur);

c) IN = prania e të huajës (kopshti matanë murit): (pa peshue mirë veprën e vet, kërceu prej majës s’murit në kopësht të huej);

d) IN = ndjenja e masës, mosteprimi: (u gjet ngusht. I vinte marre. Si i dejun ishte futë në nji pyll prej kah do të dilte i turpnuem);

e) IN = mendësia e frenimit të shoqërisë patriarkale të kohës: (- A nuk dron se mundem me të paditë nanës-dajës-a?).

- SV (simboli vertikal), që paraqitet përmes kumbullës: [dëshirat e zgjuara të Lecit përmes kumbullës = me organin seksual (penisi)+ kokrrat e kumbullës =epshi/ndjenja/seksi i parealizuar]: kumbullat deng me kokrrat të pjekuna s’mungojshin aty në kopësht

- SH (simboli horizontal), paraqitet përmes zërit/shtëpisë, por sidomos simbolit të oriendive që janë horizontalisht si:[oborri/ gryka e pusit/ lugu/n’ark] janë elemente që lidhen me organet gjenitale femrore. Simbolika e pusit (gryka e pusit vagina/ lugu: kontati me organin mashkullor/arka: finalizimi i aktit (imagjinar).


2. RRAFSHI II


A. Simbolika e frutit të ndaluar/frutit të lejuar;

S1(simboli i frutit të ndaluar)/S2 (simboli i frutit të lejuar), autorit nuk i interesojnë simbolet përmes tekstit, por lexuesi model (LM) = Eco, i drejtohet objekteve që epifanizohen ose shpirtëzohen (Vata: 2015). Simbolika frojdiane e ndalimit është “mëkati” i Lecit dhe kalimi në kopshtin e huaj, si Adami në kopshtin e Edenit.

Simbolika e frutit të ndaluar:

S1 (zerdelia, pjeshka, dardha, molla, ftoj, kumbulla)

Simbolika e frutit të lejuar:

S2 (ato kokrra të vogla, të verdha me ngjyrën e dyllit),

Simbolika e kopshtit të Edenit:

S3 (u futshin n’at gërshetim të blerët rrezet diellore tue u zbutë, e aty në bar t’imtë, qindisëshin vizatime të brishta. Dukej ajo shtroje bari, qindisë ashtu prej rrezeve e prej gembave, hali prrallash shpalisë nën kambët e nji princeshe së zhdukun.),

Simbolika e seksit të femrës:

S4 (mandej më hijshe në kopësht...),

Në rrafshin konotativ mund të ndërtojmë një skemë, pasi Leci/Adami, që kapërceu murin, këputi kumulla të (ndaluara)/molla e ndaluar) dhe Eva mëkatoi ashtu si plaka (nusja) duke e lejuar mëkatin e saj dashuror:



Ndërtimin psikoanalitik të Frojdit, e hedh poshtë Lacan-i. Lexuesi futet në konflikt me veten dhe shkarkon dëshirat përmes leximit në konflikt edhe me të vërtetën. Se “dashuria me shikim të parë” i Lec Gurëmollës është vetëm pasion fëminor, që rrjedh nga një korrespodencë midis “imazhit themelor” (që “shkakton lidhjen fatale” të tij) dhe krejtësisht një “imazh i kënaqshëm” i dëshirës seksuale të ndrydhur, (përmes kopshtit duke kapërcyer murin), përqëdruar tek shtëpia dhe gruaja imagjinare në ëndërrat e hershme fëminore, përmes personit që po e shikon. Është egoja e dikujt që pozicioni i subjektit të imagjinares, është njeriu që ka një dashuri, që egoja e tij bëhet e vërtetë në nivelin imagjinar (Lacan 1988: 142), sepse imazhi i saj/ i tij përputhet dhe pohon vlerën e dëshiruar të vetëimazhit të rrëfimit koliqian.

B. Simbolika metaforë (SM) vs simbolizmit të vërtetë (SV) (Wellek & Waren:2007:195:)

SM: Mandej më hijshe në kopësht...[akti seksual]/ alli të ka hjedhë këtej, e dij. S’të kam ba za. Të kam lanë m’u avitë. Kur të fola, deshta me të trembë, si atëherë...[rikthimi në kohën e rinisë]/ I vuni para nji çini reçel.[konsumi i aktit seksual të femrës]/ Uli kryet e kërkoi reçelin. Ndieu prap nji shije verash të fikuna, stinësh të largta qi, sidomos mbasi prendojnë, na lanë në shpirt lumnin plot shqetsim t’amës së tyne të mrekullueshme[rikthimi i dëshirave të Lecit dhe shuarja e nuses/plakë]

SV: kumbullat deng me kokrrat të pjekuna./andej murit/ shtrihej nji kopësht /bar e i dendur/drita e diellit bar t’imtë/shtroje bari

SV: muri si pengesë i mendësisë patriarkale dhe lirisë së dëshirave, për një marrdhënie të lirë:

1. muri si ndalesës objektive,

2. muri i rrjepur si mendësi patriarkale e shoqërisë së kohës,

3. muri si ndalesë e kohës, (distanca kohore 10 vjet),

4. muri si ndalesë moshe (Leci djalosh/gruaja plakë),

5. muri si ndalesë kulturore,

6. muri si ndalesë e lirisë dashurore.

Diskursi mbi "anën tjetër të psikanalizës” sipas skemës së Lacan (Lacan:2001: 444)



3. RRAFSHI III

a). Simbolet të shenjuesve psikologjik/ shenjuesve sociosemantik

Gjatë gjithë tregimit janë mbisunduese simbolet e diskursi psikologjik që përdor autori në shqyrtimin e lëndës letrare dhe reçeli që ha djali është shuarja e dëshirave seksule të ndaluara. Tashmë kumbulla kokërr, është kthyer në produktin e konsumit të (pa)dëshirave, se autori u ka vënë shumë mbiemra si: kumbulla boshnjake/ bodorike / gabele/ picigjatë/ e të rrumbullakta që lidhet edhe me format e dëshirave seksuale të femrave që ka njohur në shkollë.

Kryesimbolika vertikale e pemëve/ horizontale e kopshtit, ngjitja e shkallëve dhe hyrja në shtëpinë e plakës është sërish zgjimi i epsheve të vjetra e të plakës/nuse dhe Lecit/burrë.

Reçeli tashmë është fundi i epshit të shuar, por akoma dëshirat e plakës përndizet nëpërmjet kondesimit, duke zëvedësuar elementet e dëshirës të dukshme të Lecit me elementet e një mendimi ëndërr të fshehtë që maskohet përmes zhvendosjes (Freud: 1900: 2022).

b) Shenjueist sociosemantik:

Përmes qasjes ndaj tekstit sipas sistemeve sociosemantike dhe vështrimit të semiotikës strukturore:

1. përmasa sociale e fateve shenjuese,

2. sistemet kulturore të vlerave shoqërore,

3. diskursi njohës shkencor dhe argumentues përmes tekstit,

4. lidhja mes shenjuesve dhe realitetit të përshkruar po nga diskursi,

5. shenjuesi që ndikohet mbi objektin që komumunikon,

6. shenjuesi njohës dhe interpretativ përmes simbolikave të hapura dhe të mbyllura, duke

lidhur programin diskursivo-shenjues me operacionimet metadiskursive (Geninasca: 1997: 204).

Megjithatë, nëse përpjekja për të “arritur njeriun” natyror nuk vazhdon nga ana e një numri të konsiderueshëm individësh, vetë baza e kërkuar për dashurinë e orientuar në mënyrë narciste midis individëve, mund të shkërmoqet. Erosi si “dashuri gjenitale ”, ka nevojë për “dashuri universale” dhe anasjelltas (që natyra të mos pushojë së ofruari themelin e gjallë që Erosi të funksionojë si dëshirë e instikteve të lira seksuale të kundërta si kënaqësi trupore). Këto karakteristika përbërëse parësore të njohurive njerëzore: identitetin formal, ekuivalenca afektive, riprodhimi përsëritës dhe simbolika antropomorfe, në forma fikse duke përfshirë integrimin njerëzor si objekt i lëvizjes dhe individualitetit të tij, bashkon relativitetin dhe realitetin e tij.

Sëfundmi: kjo qasje përfshin edhe komplekset familjare dhe formimin e individit, më përtej përmasës së katërt të kohës Universale dhe letrare , përkundër iluzioneve dhe impluseve dëshirore dhe erotike, që gjenden brenda një tregimi, ku rrëfehet dëshira e një djaloshi të ri shqiptar të shkolluar në Europën e mesviteve të shek. XX, tejkalon edhe kompleksin e Edipit. Megjithatë, është në përputhje me fantazinë autoriale, që përbën origjinalitetin e rrëfimit të kohës së “ndalaur”. Është hapur një dritare ndryshe, e qasjes së këtij teksti, që të tjerë studiues do ta interpretojnë shumë më ndryshe.


BIBLIOGRAFIA:


1. Barthes, Roland. (1973): S/Z Rolan Barthes, Editions du Seuil, Paris.

2. Freud, Sigmund. (1900): The interpretation of Dreams, in Freud 1953, vol.IV.

3. Freud, Sigmund. (1905). Three essays on the theory of sexuality. The Standard Edition of the Complete Psychological Works of Sigmund Freud, Volume VII (1901-1905)

4. Geninasca, Jasque. (1997): La parole littérarire, PUF, Paris

5. Koliqi, Ernest. (2013): Tregtar flamujsh, “Pakti”,Tiranë f.76

6. Krasniqi, Gazmend. (2019): Koliqi në një analizë strukturaliste, “Palimpsest

7. Lacan, Jasques. (2001): Autres écrits. Seuil, Paris.

8. Lacan, Jasque. (1981). The four fundamental concepts of psycho-analysis (Seminar 11). Trans. Sheridan, A. New York: W.W. Norton.

9. Vata, Rovena. (2015): Enigmat psiko-mentale dhe simbole të pavetëdijes te personazhet e Koliqit, “Nacional”, Tiranë/

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page