top of page

Dimensioni jetik i një poezie me vlera dhe tërheqëse


Agim Bajrami

Dimensioni jetik i një poezie me vlera dhe tërheqëse

Dr Fatmir Terziu


Prej kohësh më ka tërhequr krijimtaria poetike e poetit shqiptar, Agim Bajrami. Poezia e Bajramit, nuk është vetëm një botë e përfshirë në një ‘territor’ përmallimi. Nuk është e tillë thjesht si një ndjenjë depërtimi. Nuk është e tillë sepse, depërtimi i saj është sa gjeografik, historik, po aq edhe filozofik. Është një poezi që nuk dallohet vetëm nga detaji, por dallimi i saj në varg është një preambulë arti që shtrohet në mes të natyrës së pajetë e që fuqizohet në një skenë tipike e të detajuar, por që vizatohet duke siguruar një sfond për një veprim të caktuar. Këtë e bën peneli i qetë i poetit Agim Bajrami. Kjo vjen në planin dhe sfondin e të lexuarit dhe në atë të lexuesit edhe, kur është e nevojshme, edhe kur pritet si e tillë, përpos kreditimit nga ngjyra e saj stilistike në përfaqësimin e gjërave të gjalla në memorje, kulturë e jetërrëfim. Dhe kjo realizohet tamam ashtu siç është bërë shpesh nga piktorë të mëdhenj mes hulumtimeve historike dhe po aq në vazhdën e poezisë që detajon natyrën mes penelatave të poetëve të gjinisë liriko-epike. Por në këtë poezi të Agim Bajramit me një sipërqasje model edhe titulli flet me këtë mjeshtëri: “Në fshatin e tim eti” duke përkujtuar bukur dhe ndjeshëm në nëntitullin e saj (Koskë-Filat, Çamëri). Vargje të tilla si “Mure të rënë, të rrjepur/Dhe bluja e qiellit sa e mekur” natyrshëm kur pasohen me fuqinë e procedurave diametralisht të përqëndruara në detaje na bëjnë të ndjejmë forcën e artit: “Një xhezve e ndryshkur/Ndanë vatrës./Që u pjek kafe vreri/Erërave të natës./Ca trëndelina rebele/Mbi një pllakëz mbi varr/Të vetmet që vdekja/Ka harruar t’i marrë.”. Mes fjalës ‘rebele’ të ngjizur për trëndëlinën tipike të vargut të tij, poeti shkërmoq ato procedura diametralisht të kundërta që në sfondin piktoresk të poezisë janë paraqitur si të punësuara rishtas nga artistë të njohur ose më saktë si piktorë të peizazhit. Një peisazh që flet me tërë dimensionin artistik. Një dimension, i cili e bën natyrën e pajetë të kthehet në figurë qendrore në skenën e duhur dhe në momentin e duhur historik. Këtë e bën figuracioni i goditur i Bajramit.

Diskursi i poezisë së Bajramit

Agim Bajrami ka qenë konsideruar prej kohësh si poeti më tematik në brezin e tij krijues. Ky vlerësim ka qenë për arsye të ‘rinisë’ poetike të tij, por edhe për shkak se vargu i tij nuk ishte i vështirë të merrej për referenca që këndëzojnë punën e tij dhe analizojnë në heshtje jo thjesht për historinë e tij personale por për një trashëgimi kulturore që përfshin shumë disiplina, dhe mbi të gjitha kulturë. Aleko Likaj, shprehet për këtë “Agim, mbetesh gjithmonë një poet i ndjerë, ashtu si në rininë tënde të hershme. Ky cikël më ngrohu, por edhe më emocionoi njëkohësisht, plot metafora e simbole dhe figura interesante. Në poezinë tënde miku im i vjetër, konstatoj me kënaqsi se ka brenda saj shumë lirizëm dhe ndjesi prej krijuesi qytetar, të merakosur e të shqetësuar, por edhe këngëtar e vëzhgues i hollë i fenomeneve që të rrethojnë. Kisha shumë kohë pa të lexuar, Agim, mbase që nga fundi i viteve 80-të kur që të dy flisnim e jetonim me ëndërën e bukur të së ardhmes, kur atëhere me fabulën e maçokut të vdekur kishe thënë të vërtetën e madhe të atij sistemi.”

Në këtë analizë natyrshëm duhej një rrugë e gjatë për të shpërndarë errësirën ​​që ka rrethuar ‘heshtjet’ dhe ‘mospikasjet’ kritike, për të cilat vetë poezia e tij dhe vetë poeti kanë lënë thjesht si një përmendore letrare punën e tij. Poezia e tij tregon ndjeshëm se imazhet enigmatike në poezinë e tij kanë një burim të përbashkët jetëudhe. Ata janë tërhequr nga disiplinat e jetikes, dhe të fiziologjisë njezërore, që parashtron Agim Bajrami, ose çfarë mund të quhet filozofia e njeriut në metafizikën e tokës, qiellit, dhe tërë lëvizjes si qenie njerëzore. Poezia e Agim Bajramit nuk mer hua as nga dëshmia e aktualitet as nga dëshmimi i tij. Ajo është një medium ku nga secila prej këtyre disiplinave krijohen tharme poetike për të krijuar një univers poetik, një univers që dëshmon për atë që nuk është më dhe që rishtron në vëmendje projektet e së ardhmes e më së shumti dëshminë e duhur për çfarë nuk është ende në këtë lëvizje jetike.

Kjo është bota e natyrshme e poezisë së poetit Bajrami. Kjo është një botë në të cilën kohë-vetvetja merr formë fizike, ose është bërë një copës jete tejet plastike. Nëpërmjet një serie të vazhdueshme të leximeve e rileximeve me motiv, por edhe me qëllim të ngushtë kam nxjerë në pah ato që Rugova do ti quante hershëm ‘eksplorimet filozofike’ në poezinë e Bajramit, apo ajo që Bihiku do ta cilësonte si një poezi që ‘reflekton në përvojën e kohës me terma të koduara dhe të mishëruara’ në punën dhe jetën e vetë poetit Bajrami.

Kjo tregon se bota metafizike në poezinë e Bajramit në fund të fundit shërben si një vitrinë për kohën, e cila është aspekti më i kuptueshëm i përvojës njerëzore, sepse ajo është e bazuar askund, por në mendje. Interpretimi diskursiv i metafizikës në poezinë e këtij poeti është paraqitur me stilin e një modeli të ri për të kuptuar jetë-rrjedhën e njeriut nga mesazhi filozofik që sjellin poezitë me mjeshtëri të gjetur dhe stil tipik të fshehtë.

Qasja origjinale e poezisë së tij ndriçon të rë harkun figurativ në vargun e tij kompleks dhe kontribuon dukshëm në teorinë e metaforës më së shumti se si ajo duhet të zbatohet në një varg modern. Diskursi i poezisë së Agim Bajramit është një tërësi që i mbledh të gjithë këto pika në një dimension tejet të lidhur me artin e fjalës së bukur, jo thjesht për të pikasur, por për të dëshmuar natyrshëm dhe rrjedhshëm natyrën metafizike dhe historike të jetës. Jo më kot poeti Vaso Papaj citon në lidhje me poezinë e Agim Bajramit: “Më dhe një emocion të vërtetë, i dashur Agim. Edhe e para, edhe e dyta, edhe e treta.Të lumtë! Vetëm mos pyet për vlerën e lirisë, kur shpirti është copë. Unë besoj se po të jesh i lirë nuk do ta kesh kurrë shpirtin copë. Përshëndetje dhe pres emocione pafund prej teje.” Këtu lidhet gjithë ajo që qartëson dimensionin e kësaj poezinë në këndin e diskursit që përcakton ajo. Këtë e shprehin poezi të autorit si “Plehra plazhi”; “Në Strugë”; “Stacioni i vjetër në Athinë” etj.

Tematika e poezisë

Poezia e Bajramit është subjektive në natyrën e saj. Është kjo ‘subjektive’ pikërisht ajo që e bën atë nganjëherë kaq të bukur. Ajo nuk mund të argumentohet ose të anashkalohet pa u arsyetuar me të, me vetë-ligjësinë e vargut, mesazhit, argumentit, idesë, simbolikës, tematikës, por vetëm është një tërësi në një kompleks. Një grumbull i tejet organizuar i gjërave. Ka, megjithatë, disa pjesë shumë të rëndësishme teknike për ndonjë poezi të Agim Bajramit si psh tek poezi të tilla “Edhe njëherë për Shkumbinin - lumin e fëmijërisë” apo “Një vajzë mbas parvazit” ku tema flet më shumë. Tema është një nga këto pjesë që e bën pra poezinë e poetit shqiptar, Agim Bajrami të ligjërojë më vete. Tema e poezisë nuk është gjithmonë e lehtë dhe e identifikueshme. Tek disa autorë ajo ndodh të jetë thjesht si një shenjë që shënon aspektin duke u përpjekur për të shfaqur me varg ndjenjat e situatës apo kujtimet apo edhe një ide të caktuar apo ngjarje. Tek poeti Bajrami ky miksazh është i pranishëm në poezi lirshëm dhe mesazhi i saj janë temat e shumta. I tillë është rasti tek poezia “Edhe njëherë për Shkumbinin - lumin e fëmijërisë” ku poeti tematikën e gjen parësore: “Gjithmonë ndërron trajtë para meje/Ky lum i sertë dhe krenar/Në dimër ngjan si krah rrufeje/Në verë si djalë i urtë fshatar./Një jetë të tërë në të jam zhytur/Ia njoh çdo gurë edhe çdo hap/Ai kurrë të mirë nën dallgë s’ka mbytur/Ndërsa të poshtër pa hesap./Seç nxjerr një tingull prej tastjere/Kur qiellit ngre ndonjë stërkalë/Të ngjit papritur mbi ylbere/Të ndihesh zog e Zot mbi valë./Rrëshqet mes zallit papushuar/Po sytë përherë i mban në det/Nga pas e ndjek një re shaluar...”

Siç ndjek çdo çast jete ashtu ndjek edhe poeti tematikën e fiksuar në memorjen e tij ku lumi është tema që shfaq shumë e shumë, më shumë e më shumë se një këngë.Tema në këtë poezi është një cilësi e veçantë, për të rishtruar mesazhet e përsëritura, dhe për të dhënë unifikimin apo idenë se është subjekt i një përbërjeje të veçantë në hapat e jetës dhe një apriori për tema të ngjashme, por të dallueshme.

Me fjalë të tjera, tema e poezisë së Bajramit është jo për të shkatëruar edhe kur ajo është e pashmangshme, si metafizikë në lëvizje e një lumi që ndërron stinë, shtrat, dimension e materie. Tematika e kësaj poezie është gjithashtu edhe shpirtërore dhe fizike, siç është ilustruar në tërë strofat e poezisë.


18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page