top of page

Dimensioni i njeriut multikulturor

Updated: May 15, 2023


Dimensioni i njeriut multikulturor

Fatmir Terziu


Duke lexuar romanin e ri „Gjuha e zemrës“ të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj natyrshëm lexon dhe dimensionin e njeriut multikulturor në kohë, hapësirë dhe vend. Njeriu i tillë multikulturor i penës së Vranarit, jeton dhe shprehet, ushqehet dhe ushqen, dimensionohet dhe sfumohet, kristalizohet dhe harrohet, ngrihet dhe ulet, por dhe dashurohet e trashëgohet në një mjedis ku kufijtë kalohen vazhdimisht në nivel figurativ dhe fizik. Aty ai njeri shfaq dhe ndërton identitetin e personit. Identiteti i personit kështu mes narrativit universalizohet dhe ngrihet mbi kombëtaren, dhe bota njihet gjithnjë e më shumë përmes tërësisë së gjërave dhe jo përmes harresave, ndikimeve, krahasimeve, pasaportave të qëllimshme, lirive dhe ndasive, madje as jo aq thjesht përmes vetëm kundërshtimeve duke kristalizuar kështu vetëm dashurinë e mirëfilltë njerëzore. Kjo tërësi diskursive edhe kur nodh, edhe kur eleminohet krijon elementin dialektit që vazhdon të funksionojë jo aq në rrafshin kulturor, se sa në atë me kënd politiko-ekonomik. Në këtë strukturë vetë koha, hapësira dhe vendi luajnë rolin kryesor. Narrativi rrëmon në perden e hekurt të kohërave dhe krijon perde të reja, në mos me thënë mure të tjera. Me zbërthimin e këtyre perdeve dhe mureve bëhen gjithnjë e më lehtësuese disa forma të komunikimit, dhe bëhen më të vështira disa të tjera. Natyrshëm falë penës së Vranarit, falë një linje të vazhdueshme kërkimi dhe avancimi të stimuluar në mënyra të ndryshme, jashtë argumentave dhe jashtë nga politikat integruese dhe raciale, shkrimtarja me këtë libër, sikurse dhe me të tjerët më parë na informon se shoqëria njeh jo vetëm Tjetrin, por edhe lidhjen e padukshme e të harruar me Tjetrin. Në këtë mënyrë narrativi i këtij libri nga shkalla e gjerë e çdo ngjarjeje provokon gjithnjë e më shumë reagime në kohë, por edhe çon në një qëndrim disi soditës ndaj asaj që i struket me qëllim botës. Megjithatë, në të kaluarën, kronikën e ngjarjeve e bënin „burrat e përkuhstimit, dhe ata ishin „autoritetet“ që transmetonin dhe interpretonin atë që po ndodhte, në këtë risi shohim një dritare tjetër, që vjen sa fine aq dhe e tejdukshme, e qashtër për të njohur të panjohurën.



E panjohura vjen nga shkundja dhe fshirja e mjegullave, dhe të nxirrave që i bëhen dimensionit të njeriut, vendlindjes së tij, ngjarjes dhe vetë identitetit. Në këtë rast Shipkovica e lashtë që dikur quhej Kuqurica është një identitet më shumë se një dritare, më shumë se një identitet në këtë narrativ, ku ideja e autores dhe pena e saj marrin frymë lirisht për të nënshkruar një kontratë të pashkruar me fatet njerëzore në vite. Në këtë stad, identiteti dhe vetë statusi i Njeriut, i banorit të Shipkovicës, dhe i intelektualit në përgjithësi është i pamohueshëm, funksioni i tërësisë i nënshtrohet plotësisht synimeve dhe vlerave të vetë jetës. I njëjti proces vihet re në gjetjen e figurës madhore të „Aurela Graurnuk kishte gjak shqiptari, por që lindi fëmijë, të cilëve u mësoi gjuhën shqipe dhe dashurinë për kombin e babait të tyre, Shqipërinë“. Në këtë pikë menjëherë, sikurse dhe në tërësinë e narrativit ku trajtohen figura të shquara si Ajvaz Voka, Rexhep Voka e mjaft të tjerë na jepen këta shembuj përkatës se si kjo vepër letrare merr një funksion social-politik të karakterit kombëtar, ku mund të gjejmë në të gjitha hapsirat e saj një qasje të ndjeshme hitorike, lidhje të marrëdhënieve historike dhe ndjesive të kohërave, fakte dhe realitete të ndryshme, gjë që mund të shpjegohet me lëvizjet e ndryshme patriotike të asaj periudhe, por është e rëndësishme të vini re se ka ndjenja tejet të qarta që lidhen me jetën dhe sidomos me dashurinë e pastër të njeriut, ku dhe vetë titulli „Gjuha e zemrës“ në shtjellim është një diskurs më vete. Është protagonizmi i Dardanit me Aurelian, ku sipas narrativit mësojmë se ashtu sikurse flet Aurelia në këtë roman „“Gjuha e Zemrës” është ajo që flet për ndjenjat e mia, të cilën as e ndaloj dhe as e frenoj dot. Kur flet gjuha e zemrës, fjalët e saj janë të pakundërshtueshme. Ajo befason dhe është e tejet e vendosur, ndaj vepron pa nguruar. Nuk stepet, pasi s’njeh as ligj dhe as zakon. Ajo nuk pranon udhëra nga që është e bindur në atë që ndjen zemra dhe gjuha e saj e përcjell“.


Në këtë dashuri që lind me tërësinë e mirëkuptimit të ndjenjës dhe në thelb të njeriut multikulturor, pasi kemi të bëjmë me një dashuri në parësi të ndryshme etnike, shqiptari dashurohet me rumunen dhe kështu etniteti mbetet një normë që krijon kumtin e vetë thelbit të dashurisë së zemrës, pikërisht aty ku autorja shpjegon se „Shipkovica ndryshe quhet “Malësia Tetovare”, tek e cila gjendet shpirti i shqiptarit. Sipas studimeve ajo shtrihet në trekëndëshin kufitar mes Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ajo sot ka rreth pesë mijë banorë me rreth 500 shtëpi. Në çdo kohë ka qenë vatra e atdhetarizmit. Ndaj shpesh herë është quajtur “Shqipëria e Vogël”. Kjo na shpie tek vetëdija njerëzore dhe shoqërore e hershme. Dihet se vetëdija njerëzore e shoqërive antike u ndërtua mbi bazën e një sistemi të caktuar mitesh dhe ritualesh. Vetëdija njerëzore e shoqërisë moderne është ndërtuar mbi bazën e një rendi të caktuar shoqëror, i cili përfshin politikën si një veprimtari të organizuar për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekzistencën e shtetit në përgjithësi si një formë rregullimi i marrëdhënieve shoqërore, me të cilën narrativi shtjellon dhe ndërton vetë etimologjinë e fjalës. Në një pikë të ndërmjetme, sikurse shihet nga narrativi kjo formë u zëvendësua nga politika si një mjet menaxhimi i identiteteve dhe qëllimeve të spastrimeve etnike, si shembull nga e kaluara e afërt, ku paspaporta e Titos mund të shërbente si shembull për këtë, në të cilën sistemi nuk ishte thjesht një arsye për këtë qëllim të quajtur liri dhe lëvizje e lirë, por synim më vete që të ndërhynte tek procesi i paramenduar i largimit të vendasve nga vendlindja e tyre.

Problemet e njeriut multikulturor në kohë, hapësirë dhe vend kuptohen edhe nga shtjellimi sqarues se „Vajzat në Rumani, qysh në ato vite kishin më shumë liri se femrat shqiptare, të cilat nuk i linin të dilnin as tek pragu i portës.“ Ky njeri multikulturor shfaqet pastaj në përditësi, si një ballkanas në kërkim të punës, shkon në Transilvani, pikëtakon mitet dhe legjendat me Drakulën, natyrshëm në një kënd jete dhe të jetikës protagoniste ku dimensioni i dashurisë nuk është thjesht dashuri por një kumtesë jetike më vete, pasi thlebi i fjalive „E dashura ime. Dashuria s’është vetëm gëzim, por është dhe trishtim“, ka një diskurs më vete. E përsëri elementët historikë, koha dhe periudha austrohungareze, otomane, po aq dhe emrat që shfaqen e mbesin ën këndin e vetë kanë një risi të ndjeshme diskursive në këtë pikë. Natyrshëm problemet e njeriut multikulturor e ndjenë dhe brutalitetin serb që edhe në lamtumirjen e njeriut: „Hynë me dhunë në shtëpi, sa që burra dhe gra u ngritën në këmbë të zemëruar. Megjithëse fillimisht iu lutëm atyre që të respektonin së paku një të vdekur, por ishte e kotë. Prej tmerrit, llahtarit dhe panikut që shkaktuan ushtarët serbë, (Serbët janë sadistë) të gjithë njerëzit që përgjonin babanë, u revoltuan në atë masë, sa disa prej tyre u kërkonin drejtësi me zë të lartë. Pastaj filluan si në kor gra dhe burra duke i fyer me fjalët, “vrastar, gjakësor, të pangopur me gjak e kufoma. Kush ua dha të drejtën të na bastisni shtëpinë dhe të fyeni apo shqetësoni gjithë këta njerëz të nderuar, mor përbindësha!” Për fat të keq ankesat binin në vesh të shurdhët. Ata vazhduan të bënin të tyren.“ Edhe kur shfaqet Azgani kemi një arsye më shumë të ridimensiojmë këtë dhimbje.

Por jeta bën sfidë në këtë diskurs të njeriut multikulturor. Sfida është vetë Aurela. „Aurela e mençur jetën e saj ia kushtoi familjes, edukimit të fëmijëve, emancipimit të gruas dhe të shoqërisë. Ajo që ndoqi shembullin e Dora D’Istrias, me kohë u shndërrua në një model të gruas së ditur dhe të emancipuar.“ Në narrativ shkruhet se „...Aurela, dikur ishte një vajzë e mbyllur brenda mureve të vilës së babait dhe pjesërisht brenda mureve dhe kangjellave të pakapërcyeshme të pallatit mbretëror. Ndërsa tashmë ishte bërë model, madje udhëheqëse shpirtërore e vajzave dhe grave të ndrydhura nga zakonet e prapambetura të mesjetës që e kishin lënë gruan në errësirën e skllavërisë. Ajo nuk i njihte këto profesione por i nxiti të rejat që të mësojnë me njëra-tjetrën dhe të përfeksionohen në një nga zanatet për gra. Aurela vuri në përdorim mendjen e prirur nga dëshira e mirë dhe u bë një luftëtare për ngritjen nivelit kulturor të gruas.“

Sfida në këtë diskurs të njeriut multikulturor udhëton në hapësira dhe vende të ndryshme, kërkon dhe kërkohet në vetvete për të na dhënë arsyen pse „Gjuha e zemrës“ nuk është thjesht dashuri, por dhe një dhimbje e bukur, e ndjeshme, e durieshme dhe e kuptueshme, që kalon në skena mbretërish dhe përfundon dhe në anekse diktarorësh matrapazë të vendit të dashur të njerëzve protagonistë, po aq dhe në aspekte të patriarkalizmit dhe anadollakërisë. Por “Gjuha e Zemrës”, që natyrshëm ka një produkt dashurie me frutin Alban, ashtu siç e quajti vetë protagonistja dashurinë e saj, dashurinë e tyre, natyrshëm mbyllet në këtë roman me domëthënëset: „Ajo që për herë të parë na mësoi të lëçisim gjuhën e bukur shqipe, është “Gjuha e Zemrës” prej së cilës buron dashuria universale, për njerëzit, për kombin dhe për gjuhën amtare“.

Duke përfunduar, mund të themi se romani “Gjuha e Zemrës”, edhe pse u shkrua ndërsa autorja ndodhej në gjëndje të rrënduar shëndetësore, nuk mund të shkëputej nga mirësitë dhe intelektualizmi ushqyes i përditshëm, por dhe frymëzues i aktivistit dhe shkrimtarit, Baki Ymeri, alias Alban Voka, po aq dhe me fjalët e ngrohta dhe parrathënien e ndjeshme si ëprherë të Prof Dr Eshref Ymerit. “Gjuha e Zemrës” le të pikëtakojë të gjithë gjuhërat e zemrave për të mirëkuptuar muret e dukshme dhe të paduskhme të njeriut multikulturor.

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page