top of page

DIELLI I VARGJEVE QË RREZATOJNË JETË


Xheladin Mjeku, shkrimtar, kritik



Bukurie Buçpapaj kalkulohet si emër që e përshkon fryma poetike e jetës. Ajo prreshtur frymon me vargun që buron nga zemra dhe vjen i çiltër prej kristali, duke e kristalizuar çdo fjalë e varg, me rrezatim bukurish nga Alpet dhe gurgullima e Valbonës, që herë shprehen si bukuri hyjnore, herë si dashuri e pambarim. Ky përkufizim do ta pasqyronte në parim gjithë fushëveprimtarinë e saj krijuese, duke zgjeruar në vazhdimësi hapësirat e vrojtimit në rrafshin tematik dhe motivor. Derisa në poezi e takojmë frymën e artdhedashurisë, si mall, frymëzim dhe motivim për jetë, në brendinë e saj lehtë, por qëndrueshëm gëlon vargu melankolik dhe aroma lirike e dashurisë për njeriun, atë të përhershmin, që e mban pranë gjithandej në hapërimet e saj, me fjalën, afrinë dhe dashurinë që mbrunë në shpirt. Kjo ndjenjë dashurie shpërfaqet në kujtesë me ndiesi ngazëllimi të pandalur.



Dy dashuritë që bashkudhëtojnë përmes vargut


Bëhu diell i shpitit tim” është libri i dytë, pas botimit të librit “Poezia e shpirtit tim“, që zgjoi interesim të menjëhershëm te lexuesi. Pikërisht ky ishte motivi parësor që yshti autoren që të sjell edhe dhuratën tjetër, tashmë plot rreze e diell dashurie.

Bukurie Buçpapaj, tashmë ka gjetur galerinë e saj të çmuar të vargut, përmes të cilit ndërton kullën madhështore të dashurisë për atdheun. “Trishtim e mall, përzier me dashuri/ Ky je për mua, o Atdheu im.” (”Zgjim i bukur”). Ky “zgjim” poetik sa vjen e shtrinë rrezet e veprimit majave e shtigjeve, ku prek ndjeshëm bukuritë natyrore; mrekullitë e saj ia mbajnë ison vargut, që shpërthen si cicërima zogu a këngë bilbili mbi degët e lisit dhe merr aromën e gjethit të gështenjave tropojane. Ai varg vjen si nektari që mbledh bleta lule më lule dhe shpalos çdo petale, për t’u lëshuar në ëmbëlsinë e saj prej malli e dëshire të përhershme në pasqyrimin e peisazhit të vendlindjes. Muza e saj nuk pushon asnjëherë. Ajo e gjen inspirimin edhe atëherë kur bota fle. Nuk përmbahet dot pa e shprehur ndjenjën e saj shpirtërore, siç e thotë edhe në poezinë “Të paktën sonte...”, ku vargu shetit gjithandej ku ndihet e padjallëzuar: “Të bësh rolin e një fëmije të padjallëzuar,/ Të qeshësh si ai, ashtu çiltër e me pastërti,/ Të ëndërrosh botën dëshirash realizuar/ Brenda asaj kornize të bukur dua të rri.” Ajo nuk mjaftohet vetëm me kaq, por ëndërrat e saj i shpreh edhe përmes dëshirave tjera që e shpiejnë edhe më larg, në vitet e hershme të rinisë, ku vraponin pas fluturave e luleve, si do ta kuptojmë nga vargjet:



“Dua të jem një flutur të fluturoj

Në lulet më të bukura të ndalem

Për asgjë s’dua më të mendoj

Veç të shëtis, s‘dua të ndalem.”


( Po aty)


Kësaj mrekullie i jep ngjyrim edhe më bindës me shprehjen e gatishmërisë në përballje të sprovave, sepse “Dua të jem luftëtare e kësaj bote.

Pavarësisht, vendlindja gjithmonë mbetet emër i përveçëm në vargun e saj. Ajo dëshiron të kthej shpesh atje, prej nga i gjen frymëzimet, që i shpërfaq fuqishëm: “Sa mall kam e s’e shuaj dot/ Për ty, o vendi im më i shtrenjtë,/ Për mua je më i çmuari në botë/ Sa kam frymë e sa kam jetë.” (“Përse gjumë nuk kam sonte”). Kush nuk do ta dëshironte kthimin në vendlindje, çoftë edhe për një çast, për të shijuar ëmbëlsinë e saj?

Poashtu, edhe poezia “Të frymoj liri, në qiejt blu” dhe shumë të tjera si kjo, janë të motivuara nga dashuria për atdheun, për të bukurën dhe kujtimet e jetës.

Bukurie Buçpapaj nuk harron të “takohet” edhe me pjesën e lavdishme të atdheut sa herë që kthen andej, çoftë në ditë të shënuara, apo edhe nga dashuria që ta vizitoj atë. Ajo parreshtur do të këndoj nga thellësia e shpirtit për apo “Mbretëri përralore, Alpet e mia”, “Bjeshkët e mia”; pastaj për trimat, si “Bylbyl Breçani”, për të shpërfaqur përmes vargjeve “Dashurinë e pashterrshme”, që ia shton krenarinë.

Por, këtu ka edhe një dashuri që ia provokon unin e saj krijues, e që në asnjë mënyrë nuk mund ta ndaj si çështje të dytë. Një paralelizëm i tillë imponohet domosdoshmërisht, kur shikohet nga prizmi i ndërlidhjeve të fuqishme mes bukurive të vendlindjes dhe njeriut të saj, që në shekuj ka bërë mrekullitë dhe sakrificat në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare, në përgjithësi. Dashuria për njeriun e trevës ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e poetes. Ajo pyet “Ku e merr forcën dashuria”, për ta shprehur me pak vargje, që bindshëm e arsyetojnë këtë privilegj: “Kush i shkrin akujt e zemrës/ Përveç teje, o ndienjë hyjnore,/Je ushqim i shpirtit të femrës/ Energji jete, e botës njerëzore”. (“Ku e merr forcën dashuria”)

Një poezi-këngë që farfuritë bukurinë e vajzës tropojane, ashtu të sforcuar me ambientin e gurtë, personifikim qëndrese dhe pathyeshmërie që përjetohet si varg mbresëlënës e gjejmë në poezinë “Zana ul mbi gur”, ku “çikat e Tropojës/ Janë si motrat e shqiponjës”, për ta fuqizuar edhe më këtë vlerësim me pasqyrimin e bukurive të këtyre “sirenave plot me nur”:


“Hijeshi i kanë dhënë Valbonës,

Kur i sheh duken si Zana

Këto janë çikat e Tropojës

Si princesha i ka ba nana.”

(Po aty)


Poetja, për më tepër, vazhdon ta pasqyroj edhe më saktë karakterin e vajzës tropojane, duke ia ruajtur tiparet e një malësoreje, që e përshkojnë virtytet prej fisnikeje. Këto karaktere të saj, të thëna nga shumë poet edhe më heret, në vargun e Bukurije Buçpapajt i gjejmë ashtu origjinale, me prekje epike, që i qëndrojnë mirë kësaj figure të kalitur nëpër shtigjeve të jetës.


“Sytë e tu të pastër si qielli,

E kanë ngjyrën e bukur të kaltërsive.

Më bën që të hidhem në përqafime

Bashkë të fluturojmë në oazin e përjetimeve.


(“Sytë e tu”)


Veçohen edhe shumë poezi tjera që kanë motiv trajtimi dashurinë si fenomen, dhe bukurinë e femrës, si subjekt në vargun e saj, ndër të cilat edhe: “Në njëqind dëshira”, “Më ndiej”, “Për një çast”, “Dashuria”, etj.

Ndërkaq në poezinë “Bëhu diell i zemrës sime” sipas së cilës mund të ketë dal edhe emërtimi i kësaj përmbledhje poezish, Bukurije Buçpapaj shpërfaq gjithë dashurinë që ka për jetën, të cilës i këndon edhe para agimit, edhe në netët e vona, duke shprehur dëshirën e saj që gjithmonë ta ketë jetën behar: “O diell me rreze që ndriço si ar/ Të lutem më ngroh sot veç mua/ Bëhu i ngrohtë si në behar/ Pak ngrohtësi për shpirtin tim dua.” (Po aty).



E bukura dhe e dhimbshmja në bashkëveprim kohor


Por, në përditshmëri nuk takojmë veç çaste të bukura. Ndodh të gjendemi në situata të padëshiruara, që imponohen nga faktorë të ndryshëm, që pastaj të shkaktohen shqetësime, frikë, pakënaqësi e dhimbje, varësisht prej ndodhive. Zhgënjimi në raste të tilla nganjëherë e thyen rregullin e asaj që reflekton të bukurën. Edhe rastet e këtilla, nuk mund të kalojnë në heshtje, pa u prekur nga ndjeshmëria e poetit. Këto ngjarje e preokupojnë edhe shpirtin e brishtë të Bukurie Buçpapajt, e cila nuk rresht së fiksuari deri në imtësira gjithçka që zë optika e saj ndiesore, për ta përcjellur tek receptori. Kështu, mund të konsiderojmë se në jetë gjithëçka ka një arsye dhe pastaj vjen edhe një zgjidhje përballuese me situatat. Sidomos aktet e tradhtisë do të bëjnë të shqetësohet, meqë ato veti nuk i pranon në asnjë mënyrë në jetën e saj. Sa është e qëndrueshme përballë këtyre veçorive, poaq i urren dhe nuk pranon as kërkimfaljet nga persona të tillë: “Mos më kërko falje ti/ Pavarësisht nga fjalët që thua/ Dua qetësi në paqe me veten/ Njerëzit që tradhtojnë nuk i dua.” (“Mos, mos…”). Mbi parimin e kësaj, autorja nuk ngurron t’i kundërvihet këtij fenomeni që në rastin e parë, duke e argumentuar se veç me dashuri, arrihen vlerat e jetës. Këmbngultësia e saj në qëndrimin dinjitoz kundruall këtyre fenomeneve shpërfaqet fuqishëm edhe në poezitë: “Më qëndro afër” dhe “Një mirëmëngjes për ty”, “Ca pika loti”, “Jetën e shoh me ngjyra ylberi”, “Mos e shit dashurinë”, etj. Për ta përkufizuar këtë qëndrueshmëri, ajo do t’na këshilloj përmes vargjeve plot ndjeshmëri, se “Zgjodha ditën e dashurisë”, “Yllja ime”, e ndonjë tjetër poezi, që do ta takojmë gjatë leximit të kësaj lënde poetike në tërësi.

Edhe situatat e ndryshme të vendit, si ato ekonomike, politike dhe veprimet e pamatura të njerëzve, nuk do të kalojnë pa u “prekur” nga vigjilenca e Bukurie Bucppajt. Poashtu edhe misteri i quajtur Covid do të trajtohet këtu, si mundësi e tejkalimit përmes shpresës dhe dhimbjes, si i trajton në poezitë: “Prej shpirtit kushtrimi doli”, “Do të çelin lulet”, “Në këtë natë”, etj.

Floku yt ujëvarë ndjenjash” në opusin krijues të Bukurije Buçpapajt vjen si diçka e veçantë, ku shpalos bukurinë e tjetrës, që del të jetë frymëzim për profile njerezish, si motiv për krijuesit dhe si muzë për çunin, që nënkupton rrugëtimin në jetë, me muzën e dashurisë, si varg, si pamje fizike dhe si frymë jete, që shpien tutje besimin dhe dëshirën për jetë. Poezi të tilla janë edhe poezitë: “Vajzës së detit”, “Perëndim dielli mbi det”, etj. “Deti dhe ne” sikur na kujton ndryshimet e njerëzve ashtu plot dallgë dhe pastaj vjen një valëvitje e qetë mirëkuptimi, për tu rikthyer sërish në atë pjesë jete e dashurie njerëzore.

Bukurije Buçpapaj do të këndoj edhe për poetin, për veten e saj, për respektin ndaj krijuesve dhe vlerat që sjell poezia. Të kësaj fryme janë poezitë: “Puhiza fjalësh në poezi”, “Poezia oksigjen i shpirtit”, “Mos ofendoni vargun e poetit”, “Si labirinth”, “Unë dhe poezia, psikologji e rrallë”, “Një yll”, “Ma pikturo ëndrrën”, “Nusëro o vargu im”, etj. Kaq e gjatë vjen gama e shtjellimit të këtyre temave që i takojmë si fuqi shpërthyese, e herë-herë edhe si rebelim shpirtëror, duke i dhënë të drejtën fjalës për të luftuar të keqen, antivlerat, që veç poetit, vështirë se ia del dikush tjetër të kap një përfshirje kaq të përgjithësuar. Ajo, e vetëdijshme, se pas gjithë këtyre shtjellimeve do ta kundërshtojnë, do të shprehet: “ Ndoshta të gjithë, nuk jemi bohem/ Vargjet tona nuk janë aq të komplikuar/ Por ato shprehin ndjesinë e shpirtit tonë,/ Janë vargje të thjeshta për t‘u kuptuar”. (“Mos ofendoni vargun e poetit”), duke shpalosur qëndrimin e saj, pavarësisht akuzave: “Më thonë je bërë vullkan i poezive/ Sa shumë kam qeshur me këtë fjalë,/ Kam mbledhur një mal frymëzime prej vitesh,/ Tani s’ka asgjë në botë që më ndal.” (“Vullkan i poezive”). Dhe vërtetë ky vullkan parreshtur do të shpërthej nga shpirti i saj për të shembur tempuj e idhuj të rremë, kurdo që ia zënë frymëm të bukurës, dashurisë, jetës…

E tillë vjen me poezinë e saj dhe vazhdon të qëndroj ballë stuhive të jetës, e palëkundur me guximin që di ta shpërfaq çdoherë me vargun e saj të mprehtë, që hap shtigje jete.



Dy fjalë si përmbyllje


Poezinë e Bukurie Buçpapajt, për të satën herë është vlerësuar se e përshkon fryma e jetës dhe dashuria për atdheun. Nuk do të mjaftonin faqe e faqe shkrimi për poezinë e saj, por nganjëherë pasqyrimi me vetëm pak vargje sjell gjithë atë që mbruanë në shpirt dhe e shpërfaq si vlerë jetike. Kështu, si të veçuara vijnë dy dashuritë e saj të shtjelluara këtu, që përmes këtij kollazhi ndjenjash, do ta pasqyrojnë pamjen e vendlindjes, mes trishtimit, mallit dhe dashurisë, ku takojmë të plotë jetën dhe sprovat e njeriut të saj në atdheun, që nuk e harron asnjë çast, pavarësisht largësive fizike mes tyre. Kundruall kësaj, dashuria i vjen si muzë në poezinë e saj numerikisht të theksuar, ku e takojmë si një pikturë imagjinare që e shpalos edhe përmes vargjeve: ”Sytë e tu janë muza e poezisë time/ Ngjyra e saj më gjason me qiellin,/ Do të doja të humbja në ato shikime/ E në duar të zbrisja edhe diellin.” Po ky diell pastaj vazhdon të rrezatoj në shpresat dhe synimet gjatë gjithë krijimtarisë poetike, për t’na dhënë sa më bindshëm mrekullitë e vargjeve që nuk shterrojnë.

Një poezie të tillë, me gjuhë të rrjedhshme, me figuracion të pasur plot metafora që e mbajnë peng lexuesin, deri në pambarim, nuk ka se si të mos dëshirohet e të adhurohet në vazhdimësi.


Bukurie Buçpapaj: “BËHU DIELL I SHPIRTIT TIM”, poezi, botoi: “Nacional” – Tiranë, 2021

211 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page