Diamanta Zalta: MBRESA TË THELLA LEXUESI...
- Mar 31
- 4 min read

Diamanta Zalta: MBRESA TË THELLA LEXUESI, PËR LIBRIN E FUNDIT TË ROBERT MARTIKOS, ME TITULL
DASHURIA DHE DRITA E BOTËS
Ju ka ndodhur ndonjëherë që një libër t’ju përfshijë aq shumë sa t’ju mbajë gjithë natën mbërthyer mbi germat e tij? Ndodhesha në vendin ku shpjegohen epokat. Leximi më shfletonte mendjen dhe shpirtin sikur të isha unë një libër. Drita që vinte nga përbrenda tij bëhej dritë edhe e imja, saktësonte qindra pyetje, zbulonte mendimin, bëhej kuptim. Bëhet fjalë për librin e fundit të Robert Martikos me titull DASHURIA DHE DRITA E BOTËS.
Tashmë është e ditur që ky shkrimtar gjenial i letrave shqipe, shkruan për të depërtuar deri në palcën e arsyes, ndërgjegjes njerëzore, ku gjithçka shpjegohet nëpërmjet një mjedisi filozofik të të kuptuarit, porse këtë radhë autorin e shohim krejt ndryshe, në një mënyrë tjetër rrëfimi, më të shtruar, më emocionale, më rinore, të shkruar jo vetëm për shtresa lexuesish me standard, por edhe për lexuesin e thjeshtë, është një maze e përthithshme, mendim që të bind e të ngazëllen njëkohësisht, gjuha është e thjeshtë, jo e moderuar, ka emocion dhe ngjyrë gjykimi në kohë, një zë që rrëfen se depërtuari në të gjitha horizontet e mendimit, duke krijuar vetiu një shqetësim njerëzor: “se dashuria, ajo që dikur ndërtonte qytete, kombe, tani është një ndjenjë e lodhur”, sepse koha nxiton tek gjërat materiale, tek teknologjia dhe zgjidhjet marrin shembëllimin e një përbindëshi të pashpirt. Kërkohet drita që mungon.
Libri nuk ka përralla, as fantazi, ka të vërteta të shkruara në trungun e kohës që sot lëngon nga padashuria, pashpirti, pa dhembshuria njerëzore. Dashuria është ajo që i bashkon njerëzit, por pa u shpjeguar. Dashurinë o e ke, o s’e ke. Është i vetmi shpjegim që koha s’ka mundur ta vrasë. Ndoshta ajo ka lindur para dritës dhe kjo dritë para njeriut. Me pas zbulimit të saj fillon rruga drejt thellësive të vetë botës së njeriut. “Para se të kishte fjalë kishte ndriçim” – thotë autori në libër. “Ndriçimi shpirtëror, dashuria e njeriut për njerinë e ndryshon NJERIUN”.

Më shumë se të marrë, ai kërkon të japë. Dhe kjo është një mrekulli. Është uria e shpirtit për të përjetshmen, është ajo që të ngre, jo ajo që të rrëzon. Kur dashuria mungon, njerëzit kërkojnë arsye për të vrarë – thotë autori në mënyrë kaq të filozofuar. Edhe mëshira është dashuri, falja gjithashtu. Edhe miqësia më e lartë është dashuri e kthyer në mendim. Të duash do të thotë të kontribosh që tjetri të bëhet gjithnjë e më i drejtë, gjithnjë e më i plotë. Jo të të përkasë, por të gëzosh me shpirt për çdo gëzim të tij, të tjetrit.
Arrita në më shumë se gjysmën e librit dhe për një çast, se si më erdhi një shkëlqim në shpirt, i rrëmbyer, por konkluziv, edhe pse i vogël, pas një psherëtime pas kaq orësh që lexoja e mbërthyer, ndoshta dhe nevojë për një ndalesë, dhe me lapsin që mbaja në dorë për të mbajtur ndonjë shënim, dy vargje Haiku rrëshqitën nga shpirti në letër dhe shkruajta:
X x x
Natë plot dritë.
Dy duart e mia
dhe libri,
i saj fryt!
Libri ka një strukturë fragmentare, të sistemuar mirë dhe nuk të lodh, përkundrazi ka një aftësi thithëse konceptuale që kërkon reflektim. Shpjegohet aq bukur nëpërmjet faktesh e ndodhish të thjeshta në botë, në epoka të ndryshme. E vetmja që nuk ndryshon është mendimi se bota ka një qendër dhe ajo është dashuria që tek njeriu vjen si dritë, mjafton ai të dojë t’ia hapë portën, atë të arsyes, të ndërgjegjes.

Jeta është një udhëtim dhe e vërteta e vetme e këtij udhëtimi është dashuria. Dashuria nuk erdhi për ta shuar dritën brenda shpirtit të njeriut, por erdhi për ta rritur atë. Askush nuk mund ta tjetërsojë misionin e saj, as vetë koha. Kjo faktohet në etapa të ndryshme kohore ku dashuria shfaqet herë si forcë, herë si mëshirë, herë si avancim përpara, herë si dilemë që vetëm prej saj do të zgjidhet, si një forcë e madhe përpara së cilës njerëzit përulen: “Kush është ai që s’ka bërë asnjë mëkat? Ai – ajo le ta hedhë gurin i pari mbi këtë grua që ju e quani mëkatare dhe se duhet të vdesë e goditur me gurë. Keni dëshirë të shihni si jep shpirt një njeri nga dhuna?”
Lexon këto radhë dhe të përshkon gjithë trupin një drithërimë e natyrshme. Nga një lexim i thjeshtë kalon në përjetim. Kjo është forca e kësaj pene të mrekullueshme, tashmë e skalitur në memorjen e LETËRSISË si VLERË e padiskutueshme. Drita kërkon bindje – thotë autori. Dashuria nuk shpëton, por është ndjenja më e pastër që përballoi epokë pas epoke ligjin dhe rregullin hyjnor. Pas kësaj, Martiko nënvizon se “vendin e përsosur e shpëton vetëm NJERIU QË GJEN DRITËN BRENDA VETES”.

Dhe në faqet e fundit arrijmë në pasqyrën ku njeriu u zëvendësua nga një makineri e heshtur, një kompjuter pa shpirt, një robot prej hekuri, pa mëshirë, pa gëzim, pa keqardhje, dhe nën këtë dritë të zbehtë të ndërtohet një epokë e re që quhet E ARDHMJA. Me të drejtë, Lira, personazhi i këtij libri, shprehet: “Kjo botë është edhe më e frikshme se Mesjeta”. Kjo shprehje konfirmon nevojën për kthim tek e vërteta, tek të gjitha llojet e dashurisë që shërbejnë si drita themelore drejt LIRISË SË VËRTETË TË NJERIUT.
Falënderoj autorin për këtë perlë të radhës, duke qenë në pritje të prurjeve të tjera, po kaq interesante dhe kuptimplote në mesazhet që përcjellin tek lexuesi.
Mos e lini pa lexuar këtë libër. Sinqerisht do të humbisnit shumë. Për t’ju ndihmuar se si ta përvetësoni, po ju jap një nr. telefoni të botuesve me të cilët u lidha dhe ma sollën në shtëpi pa shpenzime transporti: 0672039301.








Një shkrim i shkruar me shpirt dhe me ndjeshmëri të rrallë. Vërtet një kënaqësi të lexosh një autore që jo vetëm kupton thelbin e veprës, por di ta përcjellë atë me aq dritë dhe emocion tek lexuesi.
Urime të përzemërta për autorin Robert Martiko, për këtë vepër që prek thellë dhe të fton në reflektim, por po aq urime edhe për ju si shkruese, që i keni dhënë këtij libri një jehonë kaq të bukur dhe të ndjerë. Kur një libër i mirë takon një lexues të ndjeshëm, lind pikërisht kjo magji që kemi përpara.
Respekt dhe mirënjohje për të dy, për krijuesin dhe për shpirtin, që di ta lexojë e ta përjetojë kaq bukur.