top of page

Dhe Napoli këndoi sërish në Durrës


Nga Fatmir Minguli



(Mbresa nga koncerti i edicionit të dytë të këngës napolitane në Durrës)

Nuk po kuptoheshim mirë me miqtë e mi Poliandër, Markus, Janosh dhe Gotfrid dhe Afrim për një koncert ku na kishin ftuar të martën në mbrëmje. Ishte grupi napolitan me famë botërore me emrin e shkurtër fare “ Il Calimma” por me një bekraund të gjatë e të gjerë gjeografikisht. Ishin tre protagonistë secili me vegla të ndryshme, Raffaele Cardone me mandolinë, Massimo Capoccota me kitarë dhe njëkohësisht këngëtari i grupit si dhe me Marcello Basille në fizaromikë. Duhet thënë se ky grup konsiderohet nga më të sukseshmit nё interpretimin e këngëve tё vjetra napolitane.

Gjatë diskutimeve me miqtë e mi durrsakë e tё huaj që jo pak e njohin muzikën ishim pak si të shokuar. Jo për ndonjë ngatërresë apo mospërputhje, kurrsesi jo. Por ishte i uditshëm fakti se si ky grup napolitan vinte përsëri pas një viti e kësaj here krejt ndryshe.

Gjithsesi ne kishim hyrë nё sallë dhe organizatori Xhuzepe Palombo duke ardhur nga fundi i sallës e duke prezantuar ne ecje e sipër dukej sikur vinte nga një breg i detit të Napolit, ku vetë ekrani gjigant i sallёs sё teatrit e paraqiste këtë det aq bukur e aq ngjashëm me detin e gjiut të Durrësit.

Ngadalë çdo turbullirë u fashit dhe salla e mbushur plot me durrsakë e italianë, me siguri napolitanë, shpërtheu nё duartrokitje teksa protagonistët ngjiteshin njeri pas tjetrit nё skenën e theatrit “Aleksandër Moisiu “ të Durrësit.

-Ej- fliste Xhusepe, shihni se si ngjajnë kodrat për reth dy qyteteve tona, Napoli dhe Durrës, shikoni vijën harkore të gjiut të detit me atë kurbë të ngjashme…në të dy qytetet.

Ky është presidenti i shoqatës “ New Umor Sound” që operon me qendër nё Durrës dhe që ka një aktivitet të ngjeshur jo vetëm muzikor dhe jo vetëm nё Durrës. Prandaj duke dëgjuar muzikën e jashtëzakonshme të tre protagonistëve mendja te shkon se a mund të këndonin këta napolitanë edhe nё qytetet e tjerë të vendit tonё!

Por le të kthehemi nё koncert. Këngë pa fund, muzikë me intonacione marramendëse për nga diversiteti. Një këngë që duket sikur sjell zhurmën e lehtë të dallgëve shoqëruar me erën shushuritëse të gjetheve të pemëve dhe është e ngrohtë si ajri napolitan… një këngë që fillon me një qetësi si një dridhje e lehtë e buzëve të Massimos, Raffaeles dhe Marçellos e ngrihet si një tufan mbi dallgë të detit dhe nё fund nën goditjet e shpeshta të kitarës ndihet shpërthimi i Vezuvit.

O zot! Një varg me këngë që janë si një kompozim opere e shekullit 17 dhe 18, kompozime që dalin nga fryma e këngës që njihet né të gjithë botën “O sole mio”. Se mos ishte vetëm kjo këngë...Ishte befasia e parë e këtij koncerti kur këngëtarja shqiptare Luljeta Strefi hypi nё skenë dhe e kuqja dhe e bardha e veshjes sё saj shkonte aq hirshëm me kostumet e zeza koncertale të tre napolitanëve. Kënga “Tarantela” dhe këngë të tjera që Luljeta i këndoi lirshëm së bashku me napolitanët ishin një mrekulli jo vetëm artistike. Por edhe befasia që erdhi diku aty nga fundi i këtij koncerti krejt ndryshe ishte debutimi i inxhinerit 70 vjeçar durrsak Nazif Tivari me manolinën e tij simpatike, ku ai luajti me një ritëm të koordinuar shkëlqyeshëm me të tre instrumentistët këngën e vjetër “Marina, Marina”. Ja se si shprehet inxhiner Nazif Tivari më këtë rast tejet të veçantë:

Si apasionuar pas muzikës si një muzikant amator, luaj me kënaqësi me mandolinën time, këngë të vjetra italiane, pata kënaqësinë dhe ftesën e shoqatës "New Umor Sound" të ngjitem në skenë dhe të luaj me mandolinën time së bashku me grupin "Il Calimma" këngën Marina, sa emocione në fillim por gjithçka përfundoi më së mirë kur mora duartrokitjet e durrsakëve.






“Do bojmë namin “ - ishte slogani i të tre napolitanëve duke e ditur shpirtin e madh të durrsakёve dhe italianëve që ishin nё sallën e theatrit “Aleksandër Moisiu”.

Dhe me të vërtetë ata bënë namin duke ngritur nё këmbë të gjithë pjesmarrësit që i ndoqën për një orë e gjysëm. At të tre sё bashku me Xhusepe Palumbon dhe këngëtaren Luljeta Strefi dhanë një dite para shfaqjes një konferencë shtypi ku binte nё sy thjeshtësia dhe sinqeriteti i madh i këtyre artistëve dhe ata shpjeguan pse e quajtëm koncertin e tyre “Kanta Napoli in Albania”...

Ata kënduan nё Durrës dhe ashtu mbetën, nё Durrës edhe pse të nesërmen u kthyen nё detin e Napolit duke marrë me vete porcione të ajrit të detit Adriatik me vete sё bashku me pjesё tё shpirtit muzikor durrsak.

Konceret të tilla mund të mbajnë epitetin “ Artistë pa kufinj”. Vitin tjetër një koncert përsëri do të ndodhë, e jo vetëm né Durrës.

Na u kujtuan filmat italianë me muzikat napolitane të Domenik Modunjos e sa e sa këngëtarëve të tjerë që mbeten si ikona nё mendjet dhe zemrat e durrsakëvec pёr vite me radhё, dhe ja napolitanёt e sotёm i sollёn tё gjallё tё gjithё kёngёtarёt napolitanё tё traditёs sё hershme.

Durrës 4 gusht 2022

80 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page