top of page

DASHURIA SI NGADHNJIM





I-Një tipar i dukshëm i poezisë së Albina Idrizit është tonaliteti i ulët i saj, madje në shumicën e tyre ky tonalitet është më shumë se i ulët, duket sikur poetja nuk i shkruan vargjet por i flet me vete, sikur ja pohon vetvetes si një përfundim mendimi në një debat të brendshëm shpirtëror. Duket sikur Idrizi ja reciton vetes poezinë e saj, thjeshtë me lëvizje buzësh dhe dëgjohet së brendëshmi, sikur të jetë një bashkëbisedim shpirtërash mes poetes dhe lexuesit.

Ka dhe një tipar tjetër kjo poezi, titulli ose vargu i parë (që shpesh herë janë i njëjti) është vendimtar, ai shpalos idenë e poezisë, madje kryen rolin e një prijësi për vargjet e tjera dhe duke zbritur në vargun e parë, me forcën e tij shpuese si një tyrjelë hap shtegun e rrjedhjes së poezisë si ujët nga gryka e një burimi. Poetja Idrizi e krijon motivin brenda vetes, në honestrën e shpirtit, e “filtron”dhe përpu-non e në momentin që mendimi formësohet si varg, ai “çan” korracën si një tryelë dhe del në sipërfaqe të vetëdijes së saj në formën e tij të re vargore, ashtu si ujët që del te një e çarë shkëmbore, e rrjedh teposhtë si vijë uji, ashtu dhe ky varg i parë tërheq pas vetes vargjet e tjera. Këtu e ka origjinën ajo rrjeshmëri vargu në poezinë e saj: vargjet rrjedhin natyrshëm si ujët e burimit me një gurgullimë melodike që e bën shpirtin të sfidojë forcën e gravitetit e të fluturojë. Në qoftë se ndonjë kompozitor do lexonte poezinë e saj e ta ndjente këtë muzikalitet, sigurisht që do ta kishte të lehtë ta notizonte në pentagram në një këngë që do korrte sukses. Vargjet vijnë plot dritë si një vajzë që kthehet nga takimi i parë me një lumturi në sy e në buzë dhe me një ecje si duke vallzuar.

E kësaj natyre është poezia "Sot e putha armikun tim" (“Trokitje të prushta” Beqir Musliu, Gjilan 2022 f.20), titulli që përsëritet si varg i parë dhe një rjedhë vargjesh pas tij që gurgullojnë nëpër metafora. E veçantë është se kjo poezi këndon për një armik brenda shpirtit që poetja e puthi dhe e shkriu koracën e hekurt të tij.

II- Poezia "Sot e putha armikun tim" e Albina Idrizit është një poezi e thellë që fton lexuesin të reflektojë mbi konfliktin e brendshëm shpirtëror dhe dëshirën për pajtim dhe harmoni në marrëdhënien me “armikun”, si dhe mbi sfidat dhe konfliktet që mund të hasësh brenda vetes kur përballësohesh me këtë lloj dileme.

Të kuptojmë se termi "putha" është një metaforë në poezinë "Sot e putha armikun tim" që shfaq një imazh simbolik, i cili përfaqëson një akt të pazakonshëm të pajtimit dhe harmonisë me armikun. Ky term këtu nuk përdoret në kuptimin e zakonshëm të një puthjeje fizike, por është një mënyrë e përdorur nga autori për të shprehur dëshirën për të tejkaluar konfliktin, armiqësinë dhe për të arritur një marrëveshje pajtimi që do ti shërbejë lumturimit të jetës.

Armikut brenda vetes mund të jetë një urrejtje, inat, dyshim, brengë shpirtërore, kapriço, dëshirë apo dashuri që frenohet nga norma kanunore etj të cilat pengojnë në gëzimin e jetës. Fenomeni poetik që ndodh në vargjet poetike "atij i dogj në buzë e imja", " ai vetveten duke luftuar./Nesër fitues, e di nga sytë e tij,/do të zgjohet i dashuruar" është personifikimi i "armikut" brenda vetes, nëpërmjet të cilës ndjesi, ide, ose objekte jofizike trajtohen si persona të gjallë dhe janë të pajisur me cilësi dhe veprime njerëzore. Në këtë rast, "armiku" i brendshëm është personifikuar dhe trajtohet si një person konkret, me ndjenja dhe veprime të tij, madje frazat poetike "atij i dogj në buzë e imja" dhe "ai vetveten duke luftuar" përshkruajnë mënyrën si autori përjeton "armikun" e brendshëm si një etnitet të pavarur apo si një kundërshtar që ka ndikim në shpërndarjen e ndjenjave dhe veprimeve të autorit. Përdorimi i përemrit "ai", “atij” për t'ju referuar "armikut" brenda vetes, bën që kjo figurë të ndjehet më reale.

Duhet të pranojmë se poetja e ka personifikuar bindshëm këtë armik, sa që shumë lexues kanë hamendësuar për një armik të jashtëm, për një person konkret, duke dëshmuar kështu indirekt nivelin e lartë të poezisë së Idrizit.

Në vijim, fraza "Nesër fitues, e di nga sytë e tij, do të zgjohet i dashuruar" përforcon personifikimin e "armikut" të brendshëm. Kjo frazë tregon se autorja shpreson se në të ardhmen, duke kaluar përmes konflikteve të brendshme dhe duke luftuar me "armikun" e saj të brendshëm, do të ketë një transformim pozitiv dhe pajtim. Fjala "dashuruar" në këtë kontekst sugjeron një lloj pajtimi dhe harmonie të ardhshme me veten, pasi armiku i brendshëm të jetë “puthur”.

Përdorimi i personifikimit në këtë poezi ndihmon në thellësinë e kuptimit të konfliktit të brendshëm të autorit dhe dëshirës për të arritur pajtim dhe qetësi me "armikun" brenda vetes. Ky lloj personifikimi shpërfaq një lloj dialogu të brendshëm që ndodh në mendjen dhe zemrën e autores, duke e bërë poezinë më thelbësore dhe emocionuese.

“E keqja e njeriut shpesh është vetja e tij” thotë një fjalë e urtë, ndërsa një tjetër e shpie më tejë idenë: “Njeriu ka nevojë të falë dhe të falet”. Ka nevojë të puthet nënkupton poetja dhe në këtë kontekst dëshira për të puthur këtë “armik” është simbolizimi i një lloji të pajtimit dhe harmonisë brenda vetes. Autores mund t'ia vijë vështirë të realizojë këtë synim( puthjen) për shkak të konfliktit të brendshëm, e megjithëatë ajo kapërcen mbi vetveten në drejtim të pajtimit. Me këtë rast le të kujtojmë Pajtimin e madh të gjaqeve në Kosovë, hasmët kishin një brengë që u rëndonte si mal mbi shpirt , kishin një luftë të brendëshme për ta falur gjakun apo jo: mos vallë më pas mbeteshin të turpëruar, mos vallë më pas njiheshin si të pazotë për të marrë hakë etj., e megjithatë e falën gjakun, ja dhanë dorën njeri tjetrit, madje dhe u përqafuan. Mendoni sa madhështorë u shfaqën të dyja palët në atë përqafim, sa të bukur, sa njerëzorë. Nuk e di pse më lindi mendimi se poetja mund ta ketë marrë shtysën poetike pikërisht nga ky Pajtim i madh, nga ky përqafim i madh që solli bashkimin e popullit në një luftë për liri. Ata nuk e “vranë” armikun e tyre shpirtëror, ata e “puthën”, e përqafuan, shkrinë urrejtjen e hekurt brenda vetes dhe të nesërmen u “zgjuan të dashuruar”. Të falësh do të thotë të fitosh, të falësh dashuri do të thotë të krijosh lumturi.

Ndërsa fraza dyfjalëshe :” Sot e…(putha armikun tim)” ka secila kuptimin e saj:, fjala “sot”është fjala kyçe në poezi, ajo tregon çastin kohor të kryerjes së puthjes, çast që është pikërisht sot dhe jo në një të ardhme sado të afërt, jo nesër. Nëse autorja do përdor një kohë të shkuarë për të treguar një ngjarje të kaluar (psh “dje u putha”), poezia mund të ishte një retrospektivë mbi një marrëdhënie të kaluar me armikun dhe për pasojë vargjet do ishin të ndryshme. Mqse autori përdor një kohë të tashme (sot putha..) kjo shpreh veprimin pajtues të kryer tani, sot për të ndryshuar marrëdhënien me armikun për të ardhmen. Bashkëtingëllorja “e” që dëshmon kryerjen e veprimit (puthjes) shfaq indirekt dhe luftën e brendëshme të poetes (ta puth (fal) epo jo?) dhe pohon kryerjen e aktit të “puthjes” në kuptimin triumfues: më në fund e putha, kapërceva mbi veten time, e fala armikun dhe… fitova.

III-Në këtë kontekst duhet lexuar poezia e Albina Idrizit "Sot e putha armikun tim" dhe vetëm atëherë do ta kuptosh dhe do ta ndjesh tërësisht edhe pse është një poezi komplekse që përdor elemente të tre aspekteve: metaforike, simboliste , dhe imazhiste për të shprehur një përvojë emocionale psikologjike dhe filozofike në lidhje me konfliktin dhe pajtimin brenda vetes, me një ndërthurje të thellë mes konfliktit shpirtëror dhe dëshirës për harmoni dhe pajtim.

-Poezia mund të klasifikohet si metaforike pse përmban metafora të forta që e çojnë lexuesin në një interpretim të thellë të ndjenjave dhe situatës. Puthja e armikut të brendshëm të njeriut është një metaforë që cilëson një akt të pajtimit të njeriut me veten, të qetësisë dhe pjekurisë emocionale. Këtë metaforizim e përforcon fakti se vetë puthja nuk është një puthje fizike, por shpirtërore dhe shpreh një lloj tërheqjeje ndaj asaj që njeriu është konsideruar si armik i vetes së tij.

-Poezia mund të klasifikohet simbolike pse është e pasur me simbole. "Armiku" në poezi nuk është një person tjetër, por është një përfaqësim i konflikteve, tensioneve dhe kontradiktave të brendshme të njeriut. Puthja e tij është simbol për një akt të pajtimit dhe një mënyrë për të zgjidhur konfliktin brenda vetes. Hyjnia dhe sytë e tij janë simbole të ndjeshmërisë së thellë të autores ndaj kësaj përvoje.

- Mund ta klasifikosh këtë poezi si imazhiste pse shfaq ngjarjet dhe ndjenjat me përdorim të imazheve të thella dhe ngjyra të ndjeshme. Puthja, (Sot e putha..)shija e djegies në buzë,(atij i dogj në buzë e mia), dhe shkrirja e armaturës të hekurt (çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh) janë imazhe të forta që ndihmojnë lexuesin të përjetojë emocionet dhe procesin e pajtimit. Përshkrimi i lotëve që bëjnë tjetër syrin(e loti e bënte tjetër syrin e tij) dhe ngadhënjimi i lumturisë që e kthen njeriun në veten e tij (lumturia ime e pushtuar/se e ktheva në vete Njeriun)janë imazhe që i japin poezisë një dimension më të thellë dhe emocional.

IV-Thamë më sipër se poetja e ka personifikuar bindshëm këtë “armik” sa që disa lexues kanë krijuar hamendësimin se bëhet fjalë për armikun e jashtëm real, person ose ushtar i huaj. Imazhi poetik i një armiku të jashtëm real, që qëndron në sfond të poezisë është shumë bindës për këtë hamendësim pse:

-Gjuha poetike dhe imazhi që përdor poetja i qaset portretizimit të armikut të jashtëm, një personi konkret ose një grup njerëzish( apo edhe një ideologji e huaj që është e kundërshtarit). Imagjinimi i armikut ndihmon lexuesin të kuptojë se si autorja e poezisë e percepton dhe përjeton këtë konflikt të jashtëm. Të mos harrojmë se poezia është realizuar në një kohë të afërt pas mbarimit të luftës në vendin e saj, madje në një kohë që vazhdonte furishëm lufta politike dhe diplomatike mes dy vendeve dhe palët akuzonin njera tjetrën për krime lufte dhe kërkonin ndëshkim.

Në kët pamje puthja e armikut është një simbol i fuqishëm i përballjes dhe pajtimit, pse tregon dëshirën për paqe mes palëve, për të arritur një marrëveshje të qetë. Këtu na vijnë ndërmend fjalët e Klintonit: “Ne e fituam luftën, ju do fitoni paqen”.

Tema dhe struktura e poezisë ka qasje ndaj një armiku të jashtëm konkret, por Albina nuk e ka marrë frymëzimin nga lufta pse ajo nuk e pranon luftën në vargun e saj. Ajo i vuajti personalisht pasojat e luftës dhe shkruajti për ato, por gjithsesi luftën nuk e ngjiti asnjëherë në poezi, pse ajo e sheh poezinë si një tempull të shenjtë dhe në tempull nuk hyjnë asnjëherë ata që bëjnë luftën.

Poezia "Sot e putha armikun tim" kombinon këto dy pamje për të krijuar një portret poetik të konfliktit dhe dëshirës për pajtim dhe harmoni, duke përdorur imazhe të fuqishme dhe simbole për të shprehur ndjenjat e poetes në mënyrë thelbësore.


V-Poezia "Sot e putha armikun tim" e Idrizit mund të analizohet në aspektin psikologjik e filozofik duke u fokusuar në vargje të caktuara që shprehin thelbin e saj. Le të shqyrtojmë disa elemente të poezisë në këtë dritare:

Aspekti Psikologjik:

Puthja e "armikut" në poezi simbolizon një akt të pajtimit dhe pranimi të ndjenjave të thella dhe tensioneve të brendshme, ajo tregon për nje proces të pasqyruar të zhvillimit emocional të autores, i cili po përpiqet të zbatojë një marrëdhënie të reja me veten.

Vargjet "Më dhembi në shpirt shija e tij,/atij i dogj në buzë e imja,/pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh."shprehin një ndjenjë të thellë të plagosjes emocionale dhe tensionit të brendshëm shpirtëror. Autorja përjeton konfliktin e brendshëm dhe vuajtjen si rezultat i marrëdhënies me "armikun e tij". Plagët emocionale janë të thella dhe janë përjetuar në mënyrë të thellë. Ky varg shfaq një plagë emocionale të thellë që autorja e ka përjetuar për shkak të kësaj marrëdhënie konfliktuale, element ky që shpreh thellësinë e ndjenjave dhe dëmin emocional që ka sjellë ky konflikt.

Vargjet: "Besomëni, sot putha armikun tim/m’u duk se preka me dorë Hyjin,/e loti e bënte tjetër syrin e tij/dhe lumturia ime e pushtuar/se e ktheva në vete Njeriun."shprehin idenë e një akti të paqes dhe të pajtimit. Në një nivel psikologjik, puthja ndërmjet "armikut" dhe autorit paraqet një akt të shërimit emocional dhe ku autori ndihet sikur ka arritur një përparim dhe një ndryshim pozitiv në marrëdhënien me veten e tij.

Besomëni, sot putha armikun tim” shkruan poetja dhe ne ndjejmë se ky varg tregon që poetja i kontrollon ndjenjat e saj, ajo vendos vetë kur të shpreh ndjenjat ndaj armikut dhe përdor puthjen si një kurajo në synimin e saj.

Poezia transmeton një mesazh të rëndësishëm për pajtueshmërinë dhe aftësinë e njeriut për të ndryshuar ndjenjat. Duke u “përqafuar” me armikun dhe duke e puthur atë, poezia thekson se pajtueshmëria dhe marrëdhëniet më të mira mund të lindin edhe nga konfliktet më të tmerrshme siç është lufta ( këtu, e brednëshme). Ky është një mesazh emocional i fuqishëm që mund të përfaqësojë një dëshirë për paqe dhe harmoni edhe në një mjedis të përzier me konflikte dhe dhunë.

Aspekti Filozofik:

Vargu "Nesër fitues, e di nga sytë e tij,/do të zgjohet i dashuruar." përmend një ndryshim dhe përfitim të ardhshëm nga akti i pajtimit. Në një perspektivë filozofike, poezia mund të interpretohet si një reflektim mbi natyrën e marrëdhënies njerëzore dhe aftësinë e njeriut për të ndryshuar dhe për të përjetuar rritje personale përmes pajtimit me veten dhe me "armikun" e tij.

"Sot e putha armikun tim" Ky varg në fillim të poezisë mund të shikohet si një thirrje për të kuptuar më mirë "armikun e brendshëm". Në filozofinë e jetës dhe të ndjenjave, kjo poezi mund të interpretohet si një thirrje për të kuptuar dhe për të pranuar aspektet konfliktuale brenda vetes dhe për të kërkuar një lloj pajtimi dhe ekuilibri emocional.

Poezia paraqet një rrugëtim të vazhdueshëm drejt vetëpranimit dhe zhvillimit personal. Ajo sugjeron se për të arritur një gjendje më të mirë emocionale dhe filozofike, është e nevojshme të pajtohen me konfliktet brenda vetes.

Poezia gjithashtu përshkruan një kthesë emocionale ku autoren e kap një ndjenjë ekuilibri dhe lumturie pasi ka kuptuar më mirë veten dhe ka bërë marrëdhënie të reja me emocionet e saj. Kjo mund të interpretohet si një shembull i filozofisë së mënyrës së jetesës që synon përparim personal dhe pajtim me veten.


VI- Te kjo poezi shfaqen si rrallë herë në poezinë shqipe procese shpirtërore të njeriut si i Transformimi Personal pse: Poezia thekson se puthja e armikut e bën poeten të ndjehet sikur ka "prekur Hyjin" dhe se e kthen "Njeriun" te ai. Ky element mund të interpretohet si një ndryshim personal i thelbësuar në perceptimin e vetvetes dhe të tjetrit, ku pas konfliktit dhe traumatizimit, poezia shfaq një proces të rëndësishëm pozitiv të ndryshimit personal.

Gjithashtu puthja duhet parë dhe si një akt i transformimit: pse puthja e armikut është akti që simbolizon ndryshimin më të madh emocional në poezinë e poetes. Këtë puthje e pasojnë ndjenja të qeta dhe lumturi, dhe ajo e shikon atë si një akt të mirëfilltë të transformimit dhe pajtueshmërisë. Ky element mund të kujtojë lexuesin për rëndësinë e ndryshimeve pozitive dhe mënyrës se si ndikojnë në mendjet dhe zemrat e njerëzve, edhe në momente të vështira.

Poezia “Sot e putha armikun tim” e poetes Albina Idrizi hap një dritare të re në poezinë shqipe, sa për aspektin psikologjik dhe filozofik të poezisë, ngritur mbi një bazë reale të jetës së përditëshme aq dhe për kurajën e saj si poete për të trajtuar tema të tilla. Sigurisht që arti poetik ndrin si një hënë e plotë mbi këto aspekte.


Sarandë, më shtator 2023


ALBINA IDRIZI


SOT E PUTHA ARMIKUN TIM


Sot e putha armikun tim

lehtë, butë, qetë...

Më dhembi në shpirt shija e tij,

atij i dogj në buzë e imja,

pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh.


Besomëni, sot putha armikun tim

m’u duk se preka me dorë Hyjin,

e loti e bënte tjetër syrin e tij

dhe lumturia ime e pushtuar

se e ktheva në vete Njeriun.


Po, sot putha armikun tim,

në paqe natës do të bëj gjumë,

ai vetveten duke luftuar.

Nesër fitues, e di nga sytë e tij,

do të zgjohet i dashuruar (f.20)



30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page