top of page

DASHURIA PËR MERIMANIN



Adriana Myrtaj



D’Arcy Morell

(Marrë nga “Wide World Magazine” - Vol. 4, November 1899 to April 1900, London)


(Përgatiti: Adriana Myrtaj)


(Shënim i redaksisë së revistës: Z. Morell është një nga të paktët burra që ka depërtuar në vendet e largëta të Shqipërisë, vend shumë pak i njohur në hartën e Evropës. Këtu ai tregon një ngjarje tipike dashurie të njerëzve të atyre maleve, qëndresa e të cilëve është bërë një nga problemet më të vështira, që duhet të zgjidhë Turqia.)


Dielli kishte perënduar përtej Maleve të Sharrit dhe silueta e largët e të shenjtit Karadak, solemne dhe e errët prej hijeve të pishave – po fshihej nga drita e përflakur e mbrëmjes. Relievi po i humbiste detajet duke u shkrirë në dritën e një bluje të purpurt dhe era e ftohtë e natës po e mbështillte në shtjellat e ftohta të dëborës që sillte nga larg. Era i jepte hov flakëve të zjarrit që kishim ndezur në kampingun tonë dhe drita e kuqërremtë e tyre ndriçonte shkëmbinjtë përreth duke shfaqur çlodhjen në fytyrat e rreshkura tek grupi i shqiptarëve të mbledhur pas kërcunjve që digjeshin dhe hijeve të errëta të kuajve të lodhur që përtypnin bar aty afër.

Ky ishte vendi i zgjedhur për qëndrimin kësaj nate, nën qiellin e kthjellët dhe yjet vezullues. E vetmja ndërtesë në një hapësirë prej disa miljesh ishte kulla e vjetër e vrojtimit sipër në kodër, e shkretë prej shumë kohësh dhe e rrënuar. Si fantazma të zymta dukeshin atje në majë të kodrës pirgjet e gurëve në ngjyrë gri, një vend i pazakontë që lidhej me kujtime gjakderdhjesh që tregoheshin në popull. Me siguri do ishte bërë fole dhe vend-strehim kafshësh të egra, lakuriqësh nate dhe mbase edhe të shqiponjës së atyre anëve.

Preferuam të ndalojmë e ngremë kampin nën qiell të hapur, të çlodheshim për disa orë, në gjumë të thellë, pa ëndrra. Disa prej shqiptarëve ranë të flenë duke u shtrirë në bar afër kuajve, me pushkët pranë vetes, ndërsa të tjerët qëndronin ende ulur pranë thëngjijve të zjarrit, duke zierë kafe në ato enë të vogla që përdoren kudo në lindje të Mesdheut. Vetëm njeri prej tyre qëndroi roje të vrojtojë shtegun e ngushtë, me armën mbushur e në pritje të vinte radha e tij për tu çlodhur.

Të rrëfyerat tona kësaj nate, përpjekje luftërash e pritash nate, komandantë të guximshëm dhe ngjarje të frikshme me fantazma nga ato që të rrëqethin, po vinin në të mbaruar kur Mustafai, udhërrëfyesi dhe shoqëruesi im, duke u kthyer nga unë, hodhi bishtin e cigares dhe theu heshtjen duke nisur të më tregonte ngjarjen që vijon, nga jeta shqiptare. Rrëfimi i tij është absolutisht i vërtetë dhe pasqyron besnikërisht mënyrën e jetesës së këtyre njerëzve, për të cilët dihet kaq pak.

Nëse nuk jeni shumë i lodhur për të dëgjuar, Efendi, do t'ju tregoj një histori të vërtetë. Është ngjarje që ngriti në këmbë tërë fisin tim dy vjet më parë dhe solli zaptijet turq përmbi ne, pa, pastaj, të mund të shuhej zemërimi.

Ka ndodhur atje - filloi ai duke treguar drejt majave të larta që tashmë s’dukeshin më - atje larg, shumë larg përtej Karadakut, përtej ujërave shkumues të Drinit, afër shtëpisë sime në Tëpek, nën hijen e Peklenit mbuluar me borë dhe Zlebit të lartë. Në krye të luginës, poshtë të cilës nxitojnë ujërat e rrëmbyeshme të Bistricës së Pejës, ndodhet një fshat i quajtur Deçan. Më lart kodrës, midis shkëmbinjve e shpateve mbuluar me bar (si një det me lule erëmirë në fillim të verës) ngrihej shtëpia ndërtuar me gur të kuq e gri e Mahmudit të vjetër, më i pasuri në fis të tij për nga numri i dhenve e kopeve që kishte.

Mahmudi në rini të vet kishte bredhur përgjatë Epirit gjer në Janinë në kërkim të fatit. Për disa vjet punoi andej në shërbim të Pashait. Dikur, e zuri një mall shumë i madh për të parë vendin e tij të lindjes. Aq i madh u bë malli, sa nuk i rezistoi dot më gjatë, por mori udhën për në shtëpi duke shkuar nëpër ato vise thuajse të panjohura që ndajnë Epirin nga Shqipëria e Veriut.

Një ditë, më në fund, u shfaq papritmas në mesin e atij komuniteti të vogël njerëzish, ku si fëmijë kishte parë për herë të parë dritën e diellit, me shputat e këmbëve copë nga lodhja, duke pasur me vete dy kuaj të mirë dhe një qese të lidhur nën brez me qindra mexhite argjendi në të.

Gruaja e Mahmudit, një vajzë me sy të errët e racës romane, ishte hipur në njërin prej kuajve, ndërsa tjetri ishte ngarkuar me gjithfarë gjëje që ai pati mundësi të sillte.

Mahmudi mori vesh se me vdekjen e të jatit, familja e kishte ndarë pasurinë pa e llogaritur atë në trashëgimi, duke menduar se nuk do të kthehej më. Por njerëzit e njohën të porsa ardhurin dhe menjëherë e vendosën në krye të shtëpisë. Në disa vjet Mahmudi, me zotësi të madhe, e shtoi kopenë dhe bagëtinë, e shtoi fatin e mbarësinë e familjes, derisa më në fund, kur koka dhe mjekra kishin filluar t’i thinjeshin,

Mahmud Beu ishte më i pasuri në të gjithë zonën midis Drinit dhe Vardarit (ku bagëtitë ishin e vetmja formë e pasurisë).

Fisi e zgjodhi Mahmudin, tashmë i moshuar, si kryeplak të vetin.

Sa e dashur u bë për zemrën e plakut kopeja e bagëtive dhe kuajve, po aq ishte e u madhua kujtimi i gruas së tij zeshkane, prej kur ajo mbylli sytë. Tani prehej nën gurët e varrit, në hijen e selvisë në varrezat myslimane lart në anë të kodrës. Ajo i kishte lënë disa djem dhe një vajzë të vogël, Merimanin, si ngushëllim për vitet e vetmisë e pleqërisë. Shpesh në pushimet e mesditës, ulur në divan e me çibukun të pa ndarë, ky shqiptar i moçëm, i nderuar, hidhte shikimin lart për nga varrezat nën rrezet e diellit dhe buzëqeshja e ndrinte të tërin teksa shihte “shqerrën” e tij të vogël, Merimanin që rritej duke ndjekur fluturat e mëdha blu e të kuqe në mes të livadhit plot me manushaqe e barëra erëmirë.

Merimani ishte 16 në Ramazanin e fundit, kur zbriti atë pranverë të mrekullueshme, me vajzat e tjera të fshatit e veshur me rrobat më të zgjedhura të saj për të parë në agim të rinjtë që shtinin me armë duke festuar Bajramin dhe për të dëgjuar zërin kumbues të imamit që thërriste lutjen nga xhamia.

Shumë djem të rinj të fisëm hidhnin shikimet nga ajo, duke ëndërruar secili të ishte ndër më të pasurit në gjë e në bagëti për t'i kërkuar të atit dorën e së bijës. Me flokët e gjatë e të zinj, vetullat e drejta, dhëmbët e ndritshëm e të bardhë, Merimani dukej tamam si e ëma kur erdhi për herë të parë nga Epiri. Edhe e bija kishte hap të lehtë kur ngjitej në shpatet e rrëpirëta për të numëruar delet, pasi ndonjëra prej tyre rrëmbehej nga shqiponjat, dhelprat a rrëqebujt e egër të malit. Si

shumica e vashave shqiptare, ajo dinte të bënte të dukshme gjerdanët e monedhave prej floriri e zbukurimet e tjera mes flokëve të gjatë, lëshuar prej kryes teposhtë qafës si rruaza. Megjithatë, sipas zakonit të shqiptarëve të vërtetë, ajo s’kishte frikë të dilte e pa mbuluar.

Në mesin e të pranishmëve në atë Bajram të paharrueshëm ishte edhe djaloshi Mehmet, malësor i fortë trup-lidhur, fëmija i vetëm i Nizan Edin beut, ushtarak i vjetër që kishte shërbyer me trimëri në luftërat e gjata turke. Megjithëse padishahu e kishte shpërblyer me dekoratë dhe gradën e YzBashit, veterani s’ishte i pasur. Me gjithë prejardhjen prej gjakut osmanli, fisi e admironte si luftëtar të patrembur e njeri të ndershëm, ndërsa Valiu e donte dhe i besonte si një ish-shoku të luftës. Kështu që ai u zgjodh Mukhtar (kryetar), të drejtonte krahinën e tij.

Në ndërtesën e gjatë të shtëpisë, ngritur me blloqe guri e mbuluar me pllaka të rënda guri në forma të çrregullta, beu i moshuar jetonte me djalin dhe dy shërbëtorët e tij, ushtarakë të vjetër në moshë edhe këta. Ndërtesa kishte përqark një kopsht të këndshëm, në të cilin kajmekami ulej në kohën e verës për të pirë duhan dhe kafe të fortë të zezë. Shtëpia, në të vërtetë, qëndronte mënjanë qytezës, përtej urës së varur prej druri që hidhej për në Ribnik. Nuk kishte dritare xhami, luks që rrallë shihej në Shqipëri; në vend të xhamit dritaret mbuloheshin me një si rrjetë të hollë sajuar prej druri që lejonte paksa dritën dhe ajrin.

Në disa raste djaloshit Mehmet i kishte rënë në sy trupi i hollë dhe i hijshëm i Merimanit, në shtëpinë e saj në mal dhe, njëherë, vitin e kaluar, kur ajo erdhi bashkë me shoqet në qytet për të bërë pazar.

Kur e pa lulen e malit në festën e Bajramit, veshur me rroba të hijshme e plot shkëlqim, Mehmeti ndjeu admirim edhe më të madh: stolitë e gurëve dhe perlat e ndritshme, gjerdani me flori në ballin e saj! Admiroi brezin e kuq prej mëndafshi punuar me fije ari, blerë në pazarin e madh të Prizrenit, rreth belit të vajzës; opingat qëndisur bukur me majën hepuar lart. Edhe ajo i buzëqeshi atij për një moment, buzët iu drodhën pak, por ktheu kokën dhe bëri tutje. Mehmeti e kapi domethënien e këtij veprimi të vajzës; i ndezur prej pandehmës dhe gjakut të racës shqiptare nga ana e nënës së tij, ai u betua se askush tjetër përveç tij, do ta çonte “Lulen e

Deçanit” në shtëpi në triumf, si nusen e tij. Por dëshira e Allahut ishte tjetër…

Pasaniku i tufave të bagëtive e kishte edhe një mik, tregtar në Prizrenin e largët, i cili vinte dy herë në vit në kohën kur lindnin qengjat për të siguruar sasinë e leshit që eksportonte jashtë vendit. Tregtari ishte ndërmjetësi midis bujqve të luginës së Drinit me tregtarët e huaj që vinin nga Kumanova dhe Shkupi për të blerë dele dhe lesh. Edhe Mahmudi, shkonte herë pas here në Prizren, kryesisht për tregti, por edhe për të bujtur në qytet te miku i tij Hasan, tregtar aty. Hanin darkë së bashku, tymosnin çibukët, shpesh dilnin në pazar, bisedonin e pinin kafe me shitësit, ai zgjidhte e blinte mallin për shtëpinë e tij në mal. Shumë nga gjërat më të rralla dhe më të kushtueshme ishin për vajzën e tij, në kujtim të nënës së saj të vdekur.

Gjatë verës e vjeshtës, tregtarit i mbeti në sy vajza që rritej e lulëzonte, fytyra e saj e freskët në shtatin e lartë. Ndonjë nga këto ditë miku Hasan mund t’ia kishte bërë ofertën Mahmudit të moshuar, duke ia kërkuar vajzën, në këmbim edhe të ndonjë një dhurate në natyrë ose në para.


Askush s’e di këtë. Malësori ishte njeri i heshtur. Me siguri dihej që ishin shumë të lidhur në çështje interesi.

Në kohën e hënës së plotë kur ditët bëhen më të gjata, java pas festës së Bajramit, tregtari Hasan ishte parë, me disa të tjerë njerëz që e ndiqnin, mbi kuaj e të armatosur, teksa ngjiteshin monopatit që gjarpëronte rrugës nga fshati për në banesën e të moshuarit. Qëndroi veç një ditë aty, por u bë shpejt e shpejt e njohur në luginë, përmes fjalëve të grave, se kishte sjellë nga Prizreni dhurata të kushtueshme për vajzën e kryeplakut të fisit.

Për më tepër, fjala shkoi rrotull, se vet plaku qenkej mjaft i kënaqur. Mbase kishte bërë me Hasanin një marrëveshje të mirë edhe për vajzën e tij. Gjer edhe lypësi i moshuar Dervish, i cili falej në portën e xhamisë, rrëfeu për një monedhë të ndritshme argjendi që ia kishte lënë në duar tregtari, kur shkoi afër tij kaluar, duke shtuar me zë intim se do ishte gëzim i madh kur ai të rikthehej në kohën e hënës tjetër. Zjarre pishtarësh do të ndizen lart në kodër, kishte thënë tregtari Hasan, për t'iu bërë të ditur njerëzve të fisit se atë ditë do ta shihnin sërish atë, kur të vinte të merrte nusen.

Këto thashetheme, me shumë shtesa ekzagjeruar, arritën deri tek veshët xhelozë të djaloshit Mehmet, zemra e të cilit sa nuk po mbytej brenda tyre. Shpresat e tij po shkriheshin si ëndërr boshe. Çfarë shansesh mund të kishte ai përballë fermerit të pasur?

Shpirti i shqiptarit të zjarrtë nuk dorëzohej aq lehtë, megjithëse i pikëlluar, pothuaj i dëshpëruar. Do t'i kërkonte Atit të vet të ndërhynte tek pashai, në emër të tij, që të mund të udhëtonte për në Stamboll, për të hyrë atje në ushtrinë shqiptare në shërbim të padishahut. Atje mund të bëhej oficer, bej si babai i tij, por më i pasur, dhe do të kthehej pas pak vitesh, ngarkuar plotë me nderime e para turke. Atëherë do mund të bënte një ofertë më të pranueshme se sa e tregtarit Hasan.

Së pari me babanë, do duhej të shkonte të takohej vet me kryeplakun e moshuar, t’i lutej të mos ia jepte Merimanin askujt, për tre vjet. Vajza ishte e re dhe s’kishte ngut. Për më tepër, ai ndjehej vërtetë i sigurt, se me ndihmën e Allahut do të ishte në gjendje që deri atëherë ta mbante premtimin. Për më tepër, sipas tij, vasha me siguri pëlqente atë më shumë sesa Hasanin! A s’ishin, të dy, fëmijë të maleve të tyre?

Mehmeti shkoi menjëherë për të parë babanë. Ia tha telashin që i shtypte zemrën. Luftëtari i vjetër, ngadalë dhe trishtueshëm, tundte kokën dhe më në fund i tha të birit:

"Po, ajo është një vajzë e mirë dhe mua më pëlqen. Edhe ajo mund të të pëlqejë ty. Por në këtë tokë zgjedhja prej grave nuk merret parasysh. Fati është kundër dhe mbase jo i këndshëm. Besimi që kemi na mëson, se është e kotë të luftosh kundër fatit! Mehmet, zgjedhja jote është e pashpresë! Unë do të nis ty te Pashai në qytetin e madh. Do t’i kërkoj Shkëlqesisë së Tij të të dërgoj në kryeqytetin e Sulltanit me letër rekomandimi për Kalifin. Atëherë biri im, ti do të bëhesh ushtar me famë dhe do ta harrosh vashën malësore që pe, kur sapo nise të bëheshe burrë. Më vonë, do mund të martohesh me ndonjë nga zonjat e bukura të Qytetit të Perandorisë. Mjaft folëm, çdo gjë është e shkruar...”

D'Arcy Morell, i cili e lidh këtë rrëfim të dashurisë dhe luftës shqiptare

Pasi morën letër nga Shkëlqesia e tij, Pashai, u rregullua që Mehmeti të udhëtonte për në Shkup herët në vjeshtë, prej nga do të vazhdonte me tren për në Selanik; atje do të merrte anijen për në Bririn e Artë.

Por nuk ishte e thënë të bëhej...

Megjithëse kishte nderim për babanë e moshuar dhe ndjehej i lidhur me vendin e vet të lavdishëm, pasioni i zgjuar së fundi për atë vajzë po ia thante çdo ndjenjë tjetër, duke sunduar natyrën e tij. Mehmeti u pa në disa raste duke bërë biseda serioze me rioshë të rrethinave, miq e bashkëpunëtorë. I ati e pa një ditë duke pastruar pushkën, duke rregulluar shënjestrën e saj dhe mbushur kollanin me fishekë. U gëzua kur vërejti këtë instinkt prej ushtari tek i biri.

Për fat, s’mund të dinte atë që do ndodhte së shpejti...

Një ditë, disa barinj që zbritën në luginë, i sollën Mehmetit lajmin se tregtari Hasan ishte parë me disa kalorës dhe një karrocë përtej Drinit. Pastaj kalorësit kishin kaluar urën e Stanskit dhe kishin vazhduar udhën në drejtim të Deçanit. Tregtari, pra, po vinte më shpejt nga sa pritej të merrte vajzën.

Mehmeti i dëgjoi fjalët ogurzeza dhe menjëherë doli nga shtëpia, duke marrë pushkën me vete.

Ishte mbrëmje mbytëse, pas një dite të nxehtë. Një mjegull e lehtë po vidhej në anë të malit, duke fshehur majat nga pamja. Përmes mbulesës së mjegullt shkëlqyen në çast flakë rrufesh, ndriçuan natën e errët me shkëlqim të papritur, për t’u pasuar sërish nga errësira e thellë. Buçima bubullimash ranë prej grykave e humnerave atje lart, dhe një shi i rëndë filloi të bjerë përmbi tokën e thatë dhe të gurtë me një zhurmë monotone e të pandërprerë.

Në heshtje, një grup djelmoshash shqiptarë morën rrugën përgjatë luginës, duke ecur në lartësitë e kodrave për anash. I mbanin pushkët nga rripi: fundet e tyre ishin të ruajtura tërë kujdes. Gjerdanët me fishekë, hedhur mbi sup; gjerdanë me fishekë edhe në brez. Që askush mos i shihte, lëviznin pa zhurmë; vetëm qeleshet e bardha mezi shquheshin, aty këtu, në kodrat.

Mbërritën në rrëzë të së përpjetës, ku burimi i Bistricës së Pejës, duke kërcyer rrëmbyeshëm shkëmbinjve në një varg kaskadash, zhytet poshtë në luginë. Prijësi u bëri thirrje të vetëve të ndalen. Duke dashur të fshihen nga stuhia e tërbuar nën shkëmbinjtë që vareshin mbi ta, grupi i mbledhur rreth tij bëri një bisedë të shkurtër. Me miratim të të gjithëve, ai u tha se do të vazhdonin drejt destinacionit për ku ishin nisur. E lanë strehën dhe ndoqën një shteg të ngushtë që askush tjetër që s’ishte i atyre anëve, s’e njihte.

Udhëhequr nga instinkti, familjarë me ato male dhe sy-mprehtë, ata ecën pa u ndalur, duke i mbajtur pushkët të gatshme për t’i shkrehur menjëherë. Më në fund grupi ndaloi përsëri; para tyre u shfaq fshati i vendosur poshtë luginës, rrethuar nga një amfiteatër i mrekullueshëm kodrash. Rruga këtu ndahej në dy shtigje: njëra në të majtë të çonte drejt e në shtëpinë e Mahmudit, dhe tjetra në pyllin me dru ahu dhe pishash nën kreshtat gri. Luftëtarët e mesit të natës zgjodhën këtë të fundit dhe brenda pak minutash u gjendën nën strehë pemësh që pikonin, në një largësi nga ku objektivi i tyre mund të kapej nga plumbi. Pastruan pushkët prej lagështirës dhe kollanët me fishekë u bën gati; prekën thikat e mprehta shqiptare në tirqet e këmbëve për tu bindur që ishin aty dhe i vunë përsëri në këllëfët.

Njëri nga burrat e liroi rripin që mbante bashkë një tufë pishtarësh, dru pishe nën një rrobë të trashë për t’i ruajtur thatë. Kur të gjitha ishin gati, prijësi dha sinjalin dhe shpura rrëshqiti fshehurazi poshtë disa qindra metrave që i ndanin nga banesa. Gardhe të fortë e mure të ashpër guri ishin para tyre. Gjithçka ishte e qetë në atë shtëpi, në atë orë. Asnjë dritë nuk digjej. Asnjë zë s’dëgjohej, përveç erës e shiut që rrihnin muret e lartë e portat e mbyllura, me gjëmime të herë- hershëm të bubullimave që vinin prej maleve atje përtej.

Papritmas shpërtheu një lehje e tërbuar e kërcënuese qensh, ndërsa njerëzit e natës përpiqeshin të kalonin muret e gardhet rrethues. Kafshët e egëruara kërkuan të dilnin e të binin mbi të panjohurit. Askush në shtëpi s’u duk të bënte kujdes e kushtonte vëmendje këtyre zhurmave paralajmëruese.

Sulmuesit kapërcyen gjithë pengesat, brenda disa çastesh dhe, ndërsa disa prej tyre vrapuan për nga pjesa e pasme e shtëpisë - me synimin të hynin në anën ku rrinin gratë, të tjerët nxituan drejt harkut të portës dhe filluan ta godasin me kondakët e pushkëve. Pas përpjekjeve pa frut për t'u futur prej saj, të gjithë shkuan nga prapa banesës, nga gratë, ku vetëm tani, përmes çarjeve dhe grilave të dritareve mund të dëgjoheshin zërat atje brenda dhe të shihej shkëlqimi i dritave.

Nuk kishte kohë për të humbur, ose do të gjendeshin para rrezikut. Dy prej tyre kapën pishtarët e pishave dhe, duke i ndezur shpejt, vrapuan drejt ngrehinave prej druri, në anën tjetër: atje ku hambarët e shtëpisë, stallat e bagëtive, ishin përplot me mall që digjej lehtazi si bar të thatë, kashtë misri dhe lesh; jashtë tyre kishte kapica me drurë të mbledhura për dimër. Të gjithave, i vunë flakën. Gjuhët e kuqe të zjarrit u ngjitën dhe, brenda minutës, u përhapën kudo.

Shtylla të mëdha flakësh, ndihmuar nga shtjellat e erës, ngritën valë mbi ngrehinën e banuar, shtëpinë. Shkëndija e flakë, të ndihura nga era, shkonin e depërtonin kudo në errësirën e thellë të natës. Shtëllunga tymi të kuqërremtë nga drita e zjarrit, nisën të dalin edhe nga ndërtesa. Po digjej edhe ajo. Kërcitja e drurit të ndezur dhe rrëzimi i çatisë, tregonte se shkatërrimi i shtëpisë kishte ndodhur.

Tufa e dëshpëruar e sulmuesve, rrezikuar të shihej e njihej në dritën e zjarrit, iku nga ndërtesa kryesore dhe zuri pozicione jashtë mureve të saj, me portën në shënjestër të pushkëve të tyre. Iu bë thirrje njerëzve brenda të dilnin, një nga një, pa armë. Askush nuk iu përgjigj kësaj kërkese.

Zjarri kishte marrë tërë shtëpinë, flakët shpërfaqeshin nëpër hapjet e çatisë e grilat; papritmas u hap porta e jashtme dhe një grup njerëzish të armatosur bënë përpara. Flakë të shtënash erdhën nga muri jashtë, rrethi i krismave shpoi ajrin e natës, tre a katër burra ranë pranë portës, njëri humbi drejtpeshimin dhe u mbajt pas strehës së portës. Pjesa tjetër doli jashtë, duke shkrehur armët e duke u mbrojtur pas gardheve, për t’iu afruar atyre që sulmonin.

Në këtë moment dikush bërtiti: "Mehmet, ata po i heqin gratë nga prapa shtëpisë!"

Duke dëgjuar këtë, i Pari i asaj shpure a bande nate, pa i marrë në sy rreziqet, vrapoi në pjesën e prapme të ndërtesës ndjekur nga dy a tre prej të tijve. Arritën të shihnin, përmes derës së hapur, një grup burrash në korridorin plot tym, duke u përpjekur të nxirrnin gratë jashtë.

Mehmeti vet bëri përpara, arriti tek ta dhe provoi ta tërheqë Merimanin nga krahët e Hasanit. Tregtari i egëruar nxori një pistoletë nga këllëfët e tij, ia shënoi në kokë arnautit dhe hapi zjarr. Në nxitim e tension të momentit, arma goditi vashën, në vend të të dashurorit të saj.

Koka e saj u var, krahët u lëshuan dhe ajo ra butësisht në tokë.

Mehmeti u ndal, e çoi dorën në pjesën e prapme të çorapes dhe me një thirrje të egër, si të një tigri, për nga Hasani, duke ia shtyrë këtij krahun lart, para se i pranuari si dhëndër të shkrehte këmbëzën e pistoletës për herë të dytë. U pa një shkëlqim metali dhe Hasani ra praptazi, me tehun e gjatë të thikës futur thellë në gjoksin e tij, deri në dorezën e gdhendur.

Mehmeti e ngriti vashën që po vdiste, e nxori përmes tymit dhe çatisë që po binte. Vetëm pak çaste më pas, çatia ra me zhurmë të madhe, duke zënë brenda nën gërmadhat e djegura edhe plakun Mahmud dhe ata që ishin me të. Mehmeti dhe djalëria e tij u tërhoqën ngadalë në malet e larta gjatë orëve

të para të mëngjesit akoma pa zbardhur, duke u vonuar sido si gjatë ecjes prej vashës dhe disa shokëve të plagosur.

Arritën në vendin e fshehtë, dikur, para mesditës. Ishte një kasolle bariu, lart mbi luginë, në anë të malit.

Dy ditë më vonë, Merimani dha shpirt. E vunë të pushojë aty, nën myshkun e gjelbër dhe lulet plot erë.

Lajmet për këtë ngjarje tragjike arritën ndërkohë në qytetin e madh. Pashai dërgoi dy kompani ushtarësh dhe një skuadër zaptiesh, nën komandën e një Bimbashi, të kapeshin banditët dhe të silleshin para drejtësisë.

Në më pak se një javë pas ngjarjes së asaj nate të tmerrshme, hapat e ushtarakëve u dëgjuan në rrugët e qytetit të vogël të Gjilanit, dhe arritën në shtëpinë e Nizan Edin Beut. Pas përshëndetjeve të zakonshme oficeri, kërkoi dorëzimin e djalit të tij dhe ndihmën për arrestimin e të tjerëve.

Beu i moshuar u përgjigj, thjesht: "Unë do ta kërkoj dhe do ta sjell këtu, por dua të shkoj i vetëm

për atje…”

“Duhet ta marrim në pyetje, do përpiqemi të marrim vesh kush ishin shokët e tij."

Nizan Edin Beu I dëgjoi këto fjalë të tyre, doli nga shtëpia e vet dhe udhëtoi përgjatë luginës, deri në rrëzë të vargmalit të lartë. Bimbashi mbeti në roje të shtëpisë, deri në kthimin e tij, duke vendosur njerëz edhe tek porta.

Pas një rrugëtimi gjatë gjithë ditës, nata e gjeti ushtarakun e vjetër të lodhur, pranë të së përpjetës të thyer. Këtu vendosi të pushonte deri në agimin e ditës, në një si haur të vetmuar, buzë rrugës.


Në mëngjesin tjetër, përkulur prej pikëllimit të thellë, u pa të merrte shtegun që çonte lart, në Zleb. Vazhdoi të ngjitej ngadalë derisa arriti në sheshtinën nën malin e lartë.

Ndaloi dhe ra në gjunjë, me vështrim drejt lindjes, i zhytur në lutje. Sytë mbyllur, nofullat të rëna, mjekra e bardhë hapur mbi gjoksin e tij. Me krahë të zgjatur, myslimani i përulur i hapi zemrën Allahut. Pastaj u ngrit e pa nga kreshtat lart. Disa barinj dhish e panë të kalonte me një shprehje vendosmërie të pashpjegueshme. Kur po i afrohej strehës së barinjve, vet Mehmeti, biri, nxitoi t’i dalë përpara babait.

Qëndruan përballë njeri tjetrit. Nuk folën, për një moment. Pastaj plaku tha:

"Bir, ti ke shkelur ligjet e njeriut; për më tej duhet të bësh paqe me Allahun. Zaptiet po të presin atje poshtë, në luginë. Por s’do të kenë ty - bir malësie, lindur i lirë. Do të tërhiqnin zvarrë të lidhur me zinxhirë në qytetin e madh, do të kalbnin nëpër biruca e mbase një ditë do të çonin për të varur si qen. Dhe unë nuk kam para të jap të të shpëtoj... Shko tek Allahu, Lord i së Vërtetës, në parajsën e Muhamedit - gëzimin e përhershëm…”

Një e shtënë pistolete theu heshtjen e qetësinë e malit. Djaloshi bëri një hap mbrapsht dhe ra mbi bar. Në çastin tjetër, një tjetër krismë u dëgjua të vinte nga i ikuri dhe plaku Nizan Edin Bej ra në tokë, në krah të birit të tij të vetëm.

Disa ditë më pas, një skuadër kërkimi, prirë nga barinjtë e dhive, i gjeti të dy, baba dhe bir, shtrirë atje ku ranë.

I sollën eshtrat poshtë në luginë, ku u varrosën nën qiparisat e varreve të myslimanëve.


https://archive.org/details/wideworldmagazin04londuoft/page/584

51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page