CIKEL ME POEZI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 16, 2023
- 3 min read

CIKEL ME POEZI
NGA PANAJOT BOLI
ÇAMAROKJA, FEMIJËRIA IME
Ishte pranverë kur shalova flladet si kuajt e bardhë
Të bukurën e dheut në dritën e xixellonjave të kap
Mora një shpatë druri mjegullën ta çajë deri në breg
Si trim i çartur iu sula pastaj me gurë të mirit ylber.
U çudita, si tallej ashtu me mua lulja mos më prek
U nxeha dhe pantallonat me rripa i hodha mbi djep.
Vrapoja si zog në dhomë të kapja rrezet në mëngjes
Ah, ky diell, më përqeshte e më spërkaste me djersë.
Malet tutje, një karvan i stërmadh, hijërendë, perandorak
U bënë një ditë të pushtueshme, u zvogëluan pak nga pak.
Qesh tani me veten time, qesh me turp, gaz e çiltërsi
Zgjas duart, befas të të kap, çamarokja ime fëmijëri
KËSAJ MBRËMJEJE
Dielli, një puthje të flaktë i dha majëmalit të fshatit tim
E zhyti kokën në det për t’u freskuar para se të flejë gjumë
Pllaja lejla çlodhi veshët nga kënga çjerrëse e gjinkallave
Hutohen dy zogj të dashuruar mbi degën e rrapit në lumë.
Një lepur llapush del nga strofka e kopshtit të xha Tasit
Priti hënën të dalë, një vrap të hidhet në përrua të pijë ujë
Leh si i çmendur baloja pas një irriqi në fund të rrugicës
E porta e fqinjit përballë kërkëllit përvajshëm me rëmujë.
Tisi i përhimtë e spërkat mbrëmjen me aromën e frutave
Butësisht hëna e mbulon me çarçafin e saj të verdhë flori
Mali e përkund si fëmijë e fusha i përkëdhel flokët e zinj
Pastaj e përvuajtura qyqe thyen heshtjen e trishtuar gri.
NJË ADRESË KËRKOJ
Rrugëve të shpirtit endem
Po kërkoj një adresë
Ku banon kjo dashuri
Po bukuria hyjneshë?
Sa mundime edhe lotë
Tokë, det gjer te retë
I them shpirtit të më tregojë
Thotë ai :Është sekret.
Buzëqesh me mirësi
-Mos ler vend, por gjurmo
Është këtu brenda meje
Mos u lodh, por kërko.-
TRENDAFILI
Mbi tavolinën e punës sot një trendafil më pret
Një dorë e la, pa kartë,pa gërma të bukura flori
Petalet serenatë orkestrojnë, si valët e qeta në det
E shkëndijojnë me një mbishkrim të artë:DASHURI.
Trëndafili më pëshpërit, më hyjnoren, të ëmblën gojë
E sytë m’i puth si magjistar, e lotët si rubin i praron
Mes shpirtit unë e ngroh, e vadit, me ëndrra të lulëzojë
Të brishtë, të zjarrtë, si një yll që kurrë s’perëndon.
PRINCESHA DASHURI
Mbretëri me vargje ngritën poetët për princeshën DASHURI
Prapë të pakënaqur janë, s’e përfunduan dot portretin e saj
Kërkojnë si të marrë në minierat e fjalëve diamantë brilante
E s’gjejnë xhevahirin e rrallë, dhe…ngelet pikturë në vaj.
Shfaqet si ylber me ngjyrat magji në këmbët e dy maleve
Mahnitesh, hutohesh, marrosesh , vrapon t’i futesh në gji
Si Sirena të josh, të ndjellë me buzëqeshje, buzët të afron
Ti dehesh e rend pas saj, por ah,... si yll zhduket në gjithësi.
Mbretëri me vargje ngritën poetët për princeshën DASHURI
Prapë të pakënaqur janë, s’e plotësuan të përkryerën hyjni
U cfilitën Petrarkat, Eseninët, me shpirt e penë netëve vonë
Dhe s’mundën së mbaruari qëndisjen e fustanit të saj flori.
NATA IME
Sonte dua të jem vetëm në një cep të verandës sime
Ta gdhij këtë natë vere derisa të zbardh në mëngjes
Të shoh si puthin rrezet farfuritëse të diellit në agim
Petalet e brishta, mozaik ngjyrash, spërkatur me vesë.
Dua të jem i vetëm sonte në një cep të verandës sime
Të pres të flej mali e fusha të mbulohet me çarçaf të hirtë
Të mbyll kanatat heshtja e pas e lodhur të gërhas në gjumë
E Bistrica ime, lumi që s’fle,të gurgullojë ëmbël, të murmurit.
I vetëm dua të jem sonte në një cep të verandës sime
Të deh keq vetminë, këtë shtrigë me surrat e shpirt të zi
Të marr flladin gufues ta hedh krahëve si triko erëmirë
Të më qetësojë dridhjet dhe mornicat e shpirtit në gji.
Të ftoj pastaj hënën dhe yjet të ulen në tavolinë me mua
Një raki të fortë të sertë t’ua servir thjesht për kënaqësi
Të hapin zemrën me sekretet e u lumturofshin prej dehjes
E bashkë marrëzisht u harbofshim në parajsën lumturi.
Të kap prej dore Homerin e verbër, pranë meje ta ul
T’i lutem me përulësi të ngjallë Helenën e Trojës hyjni
Të ngrihen të kërcejnë yjet dhe hëna me afsh çakërqejf
E unë lule të hedh mbi më të bukurën e dheut, peri.
Omer Kahjanin të therras këtu , bashkë me Eseninin
Kupat t’ua mbush plot me verë të kuqe , të vjetër safi
Të vargëzojnë të etur të dy derisa të këndojë gjeli i parë
Të dehur prej dashurisë t’i derdhin lumë himne e dolli.
Sonte dua të jem i vetëm në një cep të verandës sime
Me kalin e Kostandinit të marr malet, fushat, të gjej ty
Të të gjej Helenë, Hirushja ime në stacionin e largët vetëm
Të të sjell nga mërgimi, e ndrojtura, e përmallura dashuri.
Comments