top of page

Bukuria e një poezie


Spiro Xhavara


SPIRO XHAVARA

Përpara se të jetë një testament, pra një pasuri që trashëgohet, “Testamenti i bukurisë” i Iljaz Bobajt është një test, test bukurie dhe madhështie, test jo për diplomë, por për gradë të lartë në letërsi.

Dhe këtë testim Iljazi me shumë punë e këmbëngulje, e para këtyre me talentin e tij të veçantë, jo vetëm që e ka kaluar më së miri, por e thënë me plot gojën, me notë shumë të lartë. Do të përpiqem me gjithë dëshirën time t’u ruhem superlativave, sido që është gati e pamundur dhe të jem i sinqertë e real në vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e mia të ngarkuara me emocione të mëdha nga leximi i këtij libri. Më duhet gjithashtu të theksoj se do të mbetem në këtë fushë dhe as që do të tentoj të hyj në analizën kritike të vëllimit poetik, i cili patjetër duhet të bëhet objekt i vështrimeve më kompetente në këtë drejtim.

Në çdo vëllim poetik, pak a shumë veç krijimeve të arira, është bërë praktikë të përfshihen në të edhe një numër poezish të dobta, të cilat në fakt kanë barazuar vlerat duke na sjellë tepër rrallë vëllime poetike mbi nivelin mesatar.

Në vëllimin “Testamenti i bukurisë”, duke marrë të përgjithshmen e shijeve të ndryshme të çdonjërit, është vështirë të gjesh poezi nën nivelin mesatar.Autori ka bërë në këtë drejtim një punë tepër të kujdesëshme, pa u nxituar të çojë për botim çdo gjë që nxjerr nga dora me lapsin e parë, ai i ka mbledhur poezitë më të mira ndër gati dhjetë vjetët e fundit dhe, i bindur plotësisht në sukses, vetëm tani i nxjerr në dritë, duke realizuar një sensacion të plotë dhe një bum të vërtetë artistik krahas të paktave aritjeve të tilla të letërsisë sonë pas viteve 90-të.

Niveli artistik i poezive të Iljazit është tepër i ndjeshëm, klasi i përdorimit të fjalës dhe arkitekturës së figurës është i lartë dhe vargëzimi me ngarkesë e intesitet të plotë mendimi dhe elegant.

Tematika e shtrirë në hapsirë dhe e alternuar natyrshëm me konçizitetin, rreh në detajet e përditshmërisë të tensionuara me dhimbje, brenga e zhgënjime, me ndarje, pritje e nostalgji, mes të cilave ai përpiqet të gjejë thelbësoren e të veçantën, të bukurën e jetësoren dhe nëpërmjet tyre të japë dritë, të japë shpresë.

Poezitë ndahen në dy forma të shkruari, por që të dyja brëndapërbrënda individualitetit krijues tashmë të formuar tërësisht të autorit. Në poezitë me vargun e lirë të vogla sa një sonetë, mendimi shtrihet me pak fjalë deri në sferat më të larta të logjikës dhe ndjenjës njëkohësisht.Në vargjet e parë Iljazi prezanton në mënyrë panoramike gjithë sfondin e temës që trajton e, pastaj në mënyrë mjeshtërore në dy ose tri-katër vargjet e fundit kësaj panorame i vë kornizën dhe kurorën sipër saj, duke tërhequr konkluzionin artistik, i cili të vë thellë në mendim. Kështu tek poezia Ylli, pasi thotë se si të gjithë dhe ai e adhuronte yllin, konkludon, iluzionet më ranë/ si varka të mbytura/ e vërteta shpesh/ i ka robat të grisura. Ose tek poezia Fëmijët, që dikur i mësonte ai si prind e tani që u ritën, detyrimisht i dëgjon ai (si të gjithë ne), përfundon, fëmijërohem unë/ jo burrërohen fëmijët e mi!

Të tilla poezi domethënëse do të gjejmë shumë në vëllim si Perënditë, Në prag të ikjes, Lulëkuqja, etj. Poezia kurorë e këtij stili, do të thosha, është ajo kushtuar heroit kosovar Femi Agani, Këshilla e babait:

- Ndahemi, bir, po shkoj te më thërrasin!

- Baba, drejt vdekjes të vetëm s’të lë!

- Biri im, ti vdis për Atdhenë,

po më parë duhet të luftosh për të!

Iljazi është i dashuruar me të dyja stilet. Por ai ka zgjedhur këtë formë për të dhënë në vëllim përshtypjen e ëmbëlsirës që hahet në fund me ciklin shumë të bukur për nënë Terezën. Me pak poezi dhe me pak fjalë ai arin të thotë për figurën e krenarisë sonë kombëtare ato vlerësime që deri sot s’ka mundur t’i thotë askush. Poezia Ardhja e nënë Terezës në Shqipëri për nga mënyra e realizimit të saj dhe prurjes artistike nuk ka shoqe gjer më sot në gjithë sa është shkruar për të, një perlë e vërtetë në altarin e poezisë shqiptare.

Me poezitë e shkruara në stilin e ashtuquajtur klasik, me vargje të sistemuara në strofa të rregullta e me rimë, Iljazi me origjinalitetin e vet të të shkruarit, sjell një pranverë të vërtetë poetike. Ato janë kaq të çiltra, të paqta e të sinqerta dhe me figuracion kaq të natyrshëm, të thjeshtë e të beftë, sa ç’është vetë lirika me lotin, nektarin dhe këngën shkrirë brënda saj. Ato do t’i kategorizonim vetëm të bukura dhe shumë të bukura, por për poezitë Letër në Parajsë, Bota e pyllit, Në pavërtetësi, 1997, Se jam poet, Aty ku isha student, Vajza që nuk dashuroi, etj do të duhej një shkallë akoma më e lartë vlerësimi, ose të paktën një çmim që s’është praktikuar deri më sot, sepse ato krijime bien rrallë në “kurthin” e penës së poetëve.

Vargëzimi i Iljaz Bobajt në dukje është i thjeshtë dhe e fsheh me kujdes rrugën e gjatë për të ardhur deri aty, me fjalë të zgjedhura, ku në gjithë vëllimin nuk gjen dot njërën të mos qëndrojë si duhet në vëndin e vet. Ai e fsheh gjithashtu lëmimin e palodhur për të aritur që t’i ngjajë ujit të burimit, që rrjedh pa bujë e potere, por gjithmonë i freskët, gjithmonë i pastër e i mbushur me jetë.

Krahasimi që arin deri në surprizë, epiteti që të mbush dhe ngop me ndjenjë dhe metafora që të ngjit pa kuptuar nëpër maja ku do të shohësh patjetër diell e det, janë shkëmbenjtë që përshkon e pastrohet ky ujë burimi i pashtershëm.

Dhe të mendosh që Iljaz Bobaj ka kulme në krijimtarinë e tij humoristike në vargje dhe në prozë, ka kulme në shpalosjen e mënçurisë në dy vëllime me 501 dhe 777 fjalë të urta origjinale të tij. Dhe ja tani me këtë kulm të ri, me poezinë e bukur të “Testamentit të bukurisë”.

Iljaz Bobaj , edhe me këtë vëllim, është ngjitur në atë lartësi, në krye të klasifikimit, atje ku e kemi dashur dhe duam të jetë gjithmonë ne shokët e tij me shumë dashamirësi. Ai qëndron atje me siguri të plotë për të nxitur të gjithë, sepse asnjëherë nuk ka ushqyer tam-tame për vete, ai mbetet me të gjithë dashamir e buzëgas, ashtu si në poezinë e tij të dashur nga njerëzit dhe të dashuruar me ta.

Spiro Xhavara

Përse më shkrove

sërisht letër

Përse më shkrove sërish letër,

kur koha jonë flinte në hi?

E di ç’më bëre? Më ke ndezur,

për të më djegur përgjithnji.

E mbaj në duar, më djeg dorën,

e hedh matanë, shpirti më djeg,

në zjarrin që më ke dërguar,

më thuaj ku ta gjej një shteg!

Përse s’më le në punën time,

të flija lirshëm në harresë,

ç’t’u desh t’i dilje kohës kundër,

të fshije pluhur në kujtesë?

Nëse tek ti lashë ca borxhe,

mos m’i përmënd, të lutem, kot,

më thuaj, pra, kush dashurisë,

iu dha dhe nuk i mbeti borxh?

Përse më shkrove sërish letër,

kur koha jonë flinte në hi?

E di ç’më bëre? Më ke ndezur,

për të më djegur përgjithnji.

Gjinkallat

Si një kor i paharmonizuar

Këndon secila në qejf të vet,

Me zë të hollë, të trashë, të ashpër, të butë...

* * *

Ç’mund të bëjnë më tepër pa dirigjent?

Ardhja e nënë Terezës në Shqipëri

Avioni ulej dalngadalë,

mesazh qiellor, nisur drejt tokës,

i sillte truallit amtar,

bijën e tij, nënën e botës.

Paspak ajo u shfaq tek dera,

me trup të brishtë, imcak, të pakët,

shamia dalë pakëz mbi ballë,

si strehëz për varfanjakët.

Si dritë të shenjtë përmbi fytyrë,

çeli buzqeshjen engjëllore,

dhe një bekim si zig mbi buzë,

Atdheut po ia sillte prore:

“Bekuar, ti, o tokë e shenjtë,

vëllezër, bekim gjithashtu,

gjithçka që njerëzve u fal,

e kam nga gjaku im, nga ju!”

Të gjithë sytë mbi të mbërthyer,

mbi të mbërthyer të gjithë sytë,

ku vinte këmbë vështrimi i saj,

zbrisnin në çast yjësitë.

Përpara saj të gjithë të vegjël,

të vegjël gjer në vogëlsi,

ajo e madhe, dritëplotë,

magjike si një perëndi.

Ajo kish shumë mall për Atdhenë,

Atdheu kish mall për të,

prandaj të dy tek njeri – tjetri,

u shkrinë së bashku, u bënë një.

Çmimi “Nobël”

Në tribunë merr çmimin “Nobël”,

Nënë Tereza,

gruaja zemërmadhe,

shtatvogël.

Ndërsa i jepnin çmimin asaj,

i bënin nder,

Çmimit “Nobël”.

Bota e pyllit

E madhe, paanë, magjike, e bekuar.

E vogël, e vetme, e mbyllur, e harruar.

E butë, e ëmbël, e ndjerë, miqësore.

E egër, e zymtë, e nderë, djallëzore.

E qetë, paqësore, e lirë, e shtruar.

E gjallë, shamatore, e vrullshme, e trazuar.

E mprehtë, mikpritëse, joshëse, bujare.

E ftohtë, e huaj, e mjegullt, tinzare.

E re, e freskët, e brishtë, përrallore.

E vjetër, e thinjur, e rudhur, shekullore.

E qeshur, e hijshme, e këngës, e bleruar.

E trishtë, e vrarë, e lodhur, e hutuar.

Bota e pyllit,

e madhe, e bukur, e mistershme,

e thellë, e dhimbshme, si bota e njerëzve.

Vendi bosh

Tek unë ka mbetur një vend bosh,

një vend që vetëm unë e di,

i fshehur, strukur në një qoshk,

ka mbetur siç e ke lënë ti.

Aty s’ka hyrje, ndenje, dalje,

as ikje s’ka, se s’mund të ketë,

është bosh si gjithë boshësitë,

po kursesi një vend i shkretë.

E mbush me pandjesinë e saj,

mungesa jote cak më cak,

rrugicave të tij, i lodhur,

gulçon ky malli im idhnak.

Ca fjalë që rrinë përherë të ngrohta,

sikur i puth vala e zjarrit,

drithmojnë si një këngëz zogu,

që pret në mes pushk’ e gjahtarit.

Gjithçka s’është tjetër, veç mungesë

dhe rron si një mosqenësi,

qenka e thënë, aty ku s’je,

të mbetesh në përjetësi.

Tek unë përherë një vend rri bosh,

një vend që vetëm unë e di,

i fshehur, strukur në një qoshk,

s’e zë kush tjetër, se je ti.

Atdheu im

Historia jote,

zinxhir i artë,

vende – vende i prerë.

jo pak copra të tij,

i kanë rrëmbyer të tjerë.

Aty ku isha student

Kaluan ditët, stinët, vitet,

si filmi me xhirim të shpejtë,

sa me kureshtje, aq me mall,

erdha këtu ku qeshë student.

Aty ku isha aq i lirshëm,

si për çudi hutohem, druaj,

të gjithë më njihnin, krejt të gjithë,

tani po ndjehem si i huaj.

Te ky vend rendja si era,

me hap të qetë ec, me kujdes,

ku përshëndetje merrja, ktheja,

s’më thotë askush një mërëmëngjes.

Krejt ndryshe e pata menduar,

ndërsa gjithçka gjej më të pakët,

si të kem mbritur rastësisht,

diku në kontinent të largët.

Studentët venevijnë parreshtur,

ndërkaq prej tyre s’njoh askënd,

i tepërt qenkam, krejt i tepërt,

si pasagjeri që s’ka vënd.

Kërkoj të orientohem pakëz,

e kthej pas kokën me mundim,

me sy, me mend, me emocione,

jam dhe këtu dhe në harrim.

S’ka ndodhur veçse e zakonshmja

dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe,

s’më mbetet tjetër, të largohem,

me mall, me ndrojtje, me mëdyshje.

Kreditori

Bashkë me buzqeshjet e tua magjike

m’u duk,

se gjithë ç’kishe,

m’i dhurove mua.

Tani, si kreditori bankën,

paguaj buzqeshjet e tua.

Rrebelimi

I ika kohës sime,

si i arratisuri nga burgu, nëpër natë.

e futa,

në kujtesën e harresës,

si një gërmadhë të vjetër, e jashë pas.

Ia durova të ftohtit si pema varrin,

po kohën time s’e fitova dot,

m’i çanë muret e trashë të heshtjes,

durimi,

si fryma nën ujë, m’u sos.

U bëra rrebel i kohës sime,

në degën e saj të tharë,

ia vura trajtën bosh.

Rrëmbeva veten, shkova në një kohë tjetër.

Mos më kërkoni këtu, ju miqtë e vjetër!

Se jam poet

Ndërsa veten e ndjej të pasur,

të pasur sepse jam poet,

për fat të keq jetoj i varfër,

i varfër sepse jam poet.

Selvia e tharë

U tha selvia madhështore,

e lartë, e drejtë, deri në re,

antenë e saj, sa s’mbahet mend,

gërvishte qiellin atje.

- Humbje! – tha toka e dalldisur

- Humbje! – tha qielli i pamatë.

- Kush do t’i sjellë mesazhet poshtë?

Kush do t’i shpjerë mesazhet lart?

Në dorë të tokës e shtërnguar,

e zhvesh blerimi butësisht,

ndërsa vdekjen e ka sfiduar,

i tretet trupi madhërisht.

Statujë e bukurisë së gjelbër,

skena e zogjve këngëtarë,

një jetë që jetoi lartësuar,

meriton dhimbje, jo të qarë.

Në qiell s’gjen vend ngushëllimi:

- Shtëllunga ku do mblidhen retë?

- E rrepta shqotë ku do të thyhet?

- Në ç’majë do shuhen rrufetë?

Memecet toka, djepi i jetës,

nga vdekja fyer për hata:

- S’ka më mesazhe tokë – qiell,

- S’ka më ndërlidhje, lajme s’ka.

Pikojnë pemët: - Na la missi

dhe humbin sytë në lartësi,

po aq magjik, sa dhe madhor,

kujtimi i saj bleron aty.

Tek varri

i motrës së vogël

Motrës së vogël nuk ia gjetëm dot varrin,

t’iua shpinim prindërve pranë.

gërmuam gjatë, së bashku me vëllanë,

si arkeologët,

që kërkojnë historinë e vdekur,

si deti valëzën,

motrën tonë të brishtë, toka e kish tretur.

Format e varrit të vogël qenë shuar,

si format e ëndrrave.

Të dy u larguam pa fjalë

se mos e zgjonim nga gjumi.

Një zog i bardhë,

me cicërima i bënte nina – nana,

mbi një gur të murmë.

***

Tani, tek varret e prindërve,

do të shkojmë me një dhimbje më shumë.


27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page