Bukla
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 19, 2021
- 2 min read

1. (Në fillim qe gruaja)
Në fillim qe gruaja e bukur; e bukul, bukël, bukla pra! Ja e para krijesë në botë që njoha unë, si u rrita. Kur kjo krijesë më ftoi të futem në valle dhe unë refuzova, filloi lufta, nisi vdekja ime e verdhë. Ky libër është libër për fundin tim, ndaj Zotynë m’i fal mëkatet që po bëj, më fal pse po hyj në hisen tënde, hireve tua! Më fal pse po nxjerr nga vetja ime edhe ato gjëra që s’thuhen nga kjo namë e zezë e gruas! Mos më pyetni prej nga doli tash kjo gobi! Ishte kjo një hukamë bukle, ndaj mos më pyetni për asgjë, sepse tash gjithçka ka pirë ujë. Përfundimisht. Ky hartim po lind si mallkim i fatit tim të zi, fjalët e mia kanë helm dhe jo melhem. Ato më vete ruajnë çipe mallkimesh dhe jo akuarele apo aurora borealesh, lulediej e akuj që vrasin në titërr të domethënieve. Fillimisht Ajo u duk Orë e Mirë e Shtëpisë, por kur më hukati, ndjeva se më pushtoi një zjarr i paqartë që më ngriu në vend, kurse dalja prej saj ishte si nisje e valles mustel vulgaris në hapësirën qiellore që mezi e spiegon mitologjia. Bukla është një gjitar me trup më të gjatë se sa macet, por ka këmbë më të shkurtra se ajo, është shumë më e shkathtë se ajo. Ka lëkurë të kuqrremtë, bark të bardhë, kokë me sy prej piklash që të shitojnë në vend; ka qafë të gjatë, e kur i ndal rrapëllimat e syve, pret reagimin tënd, e nëse ti bën ta mbytësh, ajo ik, e në ikje, të hukat. Dhe, mu këtu edhe qëndron magjia e zezë: gjithçka mbaron këtu. Bëhet sikur po qesh, por ajo të vret. Përfundimisht ti më s’je ti, kurse i gjithë kozmosi do të ngritet kundër teje, ndërkaq ti s’ke fakte, s’ke argumente! Sepse, s’ke gojë; gojën ta kanë mbyllur çakejt, ndaj prit tash tipologjinë e hukamave që të vrasin përditë dhe sigurtë. Po qëlloi ta vrasësh buklën, orë me dorë ti do të vdesësh. Edhe më keq se kaq: nëse të puth bukla, sikur të ka puthur vampiri! Dhe, mu kjo gjë më ndodhi mua: nuk e putha, por më hukati, kjo do të thotë se që atëherë, më 1982, u këput rrjedha e rregullt e jetës sime! Gjarpër të kisha qenë, më i shkathtë se Ajo të isha (siç shkruan në fletëdenoncimet e fshehta dhe letrat pa nënshkrime të Gruas së Zezë, drejtuar policisë), pasi më hukati, për mua koha u ndal. Përgjithmonë. Sot jemi 2020, por duke filluar nga 1982, unë s’jam më. Është Ajo. Zjarr e flakë është Ajo. Jeni edhe ju o rrëqebuj, hiena, paçavure, satanaj, hordhi që trasheni nga fatkeqësia ime. Ja lufta për vdekje: unë,
zjarri që ha dhe pi veten,
dhe ti
Bukël!
Comments