Bujar Qesja: Ura e Kovaçit aty ku guri ruan kujtesën e Voskopojës

-Një fotografi, një urë dhe një copëz historie në zemër të Voskopojës
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Ka vende, që nuk kanë nevojë të flasin për të treguar historinë e tyre. Mjafton t’i shohësh. Mjafton të ndalosh për pak, të vësh dorën mbi gur dhe të mendosh, se sa njerëz kanë kaluar aty para teje.
Kështu më ndodhi sot, në këtë të mërkurë të 19-të gushtit 2026, përballë Urës së Kovaçit, në Voskopojë.
E fotografova, në një nga ato mëngjese të rralla të Voskopojës, kur drita e diellit, duket sikur zbret ngadalë nga pishat dhe prek gurët e vjetër. Përballë meje ishte harku i madh i urës, i ndërtuar me gurë, i heshtur dhe krenar. Pas saj shtrihej gjelbërimi i pafund i pyjeve, ndërsa në largësi malet që rrethojnë Voskopojën, i jepnin pamjes qetësi të veçantë.
Ura nuk është thjeshtë një kalim nga njëra anë në tjetrën. Është lidhje mes kohëve. Gurët e saj kanë parë udhëtarë, banorë, barinj, njerëz që kanë ardhur e janë larguar, kanë parë dimra të ashpër e vera të buta. Kanë dëgjuar zhurmën e hapave, të kafshëve, të qerreve dhe mbi të gjitha, kanë ruajtur atë heshtjen e thellë, që vetëm objektet e vjetra historike dinë ta ruajnë.
Në fotografitë që bëra, jam përballë saj, duke treguar diçka në drejtim të pyllit. Por në të vërtetë, ndoshta po i tregoja vetes diçka. Po i tregoja vetes, se një vend si Voskopoja, nuk duhet parë vetëm me sytë e pushuesit. Duhet parë edhe me sytë e kujtesës.

Sepse Voskopoja, nuk janë vetëm kishat e saj të famshme, rrugicat me gurë, shtëpitë karakteristike, pyjet dhe ajri i pastër. Voskopoja është edhe ajo, që shpesh nuk përmendet në guidat turistike, urat, rrugët, burimet, muret, gurët e shpërndarë nëpër shpatet e saj dhe të gjitha ato gjurmë të vogla, që kanë mbetur nga një qytetërim i hershëm.
Ura e Kovaçit është një prej tyre. Emri i saj është interesante, por historia e emërtimit, duhet kërkuar me kujdes në dokumente dhe në kujtesën e banorëve të vjetër. Nuk dua t’i vendos urës histori, që nuk janë vërtetuar. Historia e vërtetë, është gjithmonë më e bukur se ajo që shpiket.
Ajo që dihet dhe që shihet me sy është guri. Guri i punuar. Guri i vendosur mbi gur. Guri që ka mbijetuar.
Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e saj. Në një kohë, kur shumë gjëra ndërtohen shpejt dhe harrohen po shpejt, kjo urë të mëson tjetër filozofi, ndërtimin për të qëndruar.
Harku i saj, është mësim i vjetër inxhinierie, por edhe vepër e bukur. Gurët nuk janë vendosur vetëm për të mbajtur peshë. Së bashku krijojnë një formë, që i reziston kohës dhe i jep peizazhit karakter.
Pranë kësaj ure, njeriu ndien se Voskopoja, nuk është vetëm destinacion për të kaluar disa ditë. Është vend për të kujtuar.
Kjo është arsyeja, pse më pëlqeu ta fotografoja pikërisht kështu, jo vetëm urën, por edhe veten time përballë saj. Jam 75-së vjeç. Ura është shumë më e vjetër se unë. Por në atë çast, për një fotografi të vetme, dukej sikur po takoheshin dy kohë, koha ime dhe koha e gurit.
Unë kam kujtimet e mia. Ura ka kujtimet e saj. Dhe midis nesh qëndron Voskopoja. E gjelbër. E qetë. E lashtë. Dhe ende e bukur. Ura e Kovaçit, nuk të thërret me zhurmë. Të fton të ndalosh. Të shohësh harkun.Të prekësh me sy gurët. Të dëgjosh heshtjen.
Dhe të kuptosh, se një urë e vjetër, nuk lidh vetëm dy brigje. Lidh të shkuarën me të sotmen.
Prandaj këto fotografi, nuk janë vetëm kujtim nga një mëngjes në Voskopojë.
Janë pamje me dëshmi brenda. Unë, Ura e Kovaçit dhe një copëz e përjetshme e Voskopojës. Historia vazhdon. Përjetimet gjithashtu.
Bujar Qesja
Voskopojë: 19 gusht 2026








Comments