BUJAR QESJA: Një rrëfim për mallin
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 9 hours ago
- 4 min read

Fotografia e tre miqve që koha nuk i ndan
-Një rrëfim për mallin, Durrësin dhe futbollin që nuk plaket kurrë
BUJAR QESJA
Ka fotografi që duken si dritare të hapura, drejt një kohe që nuk kthehet më. Ka imazhe të cilat, mjafton t’i shohësh dhe menjëherë dëgjon trokitjen e hapave të së shkuarës mbi kalldrëmin e vjetër të Durrësit, aromën e ajrit të kripur që vinte nga Deti Adriatik dhe jehonën e zërave të rinisë që shpërthente nga fusha e futbollit. E tillë është fotografia e këtyre tre djemve të vitlindjes 1942. Janë Mehmet Spahiu, Feti Golashi dhe Fatbardh Bilali. Tre shokë, tre zemra të një brezi që me karakter, djersë dhe dinjitet, lanë gjurmë të pashlyera në historinë sportive të qytetit.
Atyre viteve, Durrësi kishte një ritëm të vetin. Në mëngjes tingëllonte me kumbimin e trenave dhe pasdite fliste me zërin e tifozëve, që i merrte përpara me valë e i çonte drejt Fushës së Vjetër. Pastaj erdhi koha që të gjithë u zhvendosëm në stadiumin e qytetit, në atë tempull ku ngjyrat e “Lokomotivës” nuk ishin thjesht fanellë, por identitet, krenari dhe jetë. Në çdo ndeshje, duket sikur i gjithë qyteti zbriste poshtë, punëtorë të hekurudhës, detarë, sportdashës, familjarë, djem të rinj që ëndërronin të luanin një ditë si ata. Ishte një Durrës me shpirt. Me ritëm. Me aromë tradite.
Dhe në këtë traditë futbollistike, tre djemtë e kësaj fotografie ishin pjesë e pandashme e mozaikut të qytetit. Mehmet Spahiu, i ndarë nga jeta që prej 24 janarit 2018, ishte ai lloj futbollisti që nuk e kërkoi lavdinë, por e fitoi me punë të pastër. Karakter i fortë, i ndershëm, i heshtur, por që në fushë fliste me lojë. Qëndron në këtë fotografi, si i gjallë mes dy shokëve të tij. Si një kujtim që nuk vjetërohet.
Feti Golashi, lojtari që mbante peshën e formacionit si ushtar i fjalës së dhënë. Ai që “Luftëtari” i Gjirokastrës, e bëri të duket si futbollist “i shtëpisë”. Ai që një ditë u grumbullua edhe me ekipin kombëtar. Kur tani Fetiu ecën nëpër Durrës, pas kaq vitesh, koha i përkulet lehtë. Është prej atyre burrave, që nuk kanë nevojë të thonë kush kanë qenë, sepse qyteti e njeh mirë..

Fatbardh Bilali mbetet njeriu i buzëqeshjes së sinqertë, futbollisti që e mbante topin sikur mbante një premtim. I saktë, i përkushtuar, i dashur nga shokët e skuadrës dhe i respektuar nga qyteti. Dhe tani në moshën 83-vjeçare, kur vjen herë pas here në Durrës, duket sikur sjell me vete aromën e fushave të viteve 60-të, rininë e asaj epoke të artë dhe një copëz historie, që nuk shkruhet dot vetëm me fjalë.
Të tre këta djem u nisën për ushtri dhe përfunduan në Gjirokastër, ku veshën fanellën blu e bardhë të “Luftëtarit”. Aty, mes avllive të gurta dhe qiellit të thellë të Jugut, rinia e tyre u forcua. Mbi kokat e tyre qëndronte Kalaja, poshtë tyre dridhej qyteti dhe mbi barin e fushës, dridhej topi që sillte miqësi, gëzim, mundim, fitore. Nuk ishin thjesht ushtarë që kryenin detyrën. Ishin tre shokë që bashkë krijuan kapitull futbolli, duke marrë duartrokitje nga një publik tjetër, në një qytet tjetër që i bëri të vetët.
Dhe kur u kthyen në Durrës, u kthyen të burrëruar, por me të njëjtin shpirt, shpirtin e lokomotivistëve. Qyteti i priti, stadiumi i njohu, tifozët i duartrokitën. Fushat e Durrësit i mbajtën mend. Pa shumë fjalë. Pa shumë pretendime. Thjesht me lojë të ndershme e me karakter.
Pas më shumë se 65 vitesh, kjo fotografi është një thesar. Është një copë Durrësi që nuk ka ikur. Është kujtim i gjallë i shoqërisë durrsake, i futbollit tonë, i miqësisë që nuk e prek dot koha. Mehmetin na e mori jeta, por kujtimi i tij rri këtu, i paçliruar, i papërkulur. Fetiu dhe Fatbardhi jetojnë larg, në Itali, por zemra e tyre udhëton shpesh drejt qytetit të lindjes. Dhe kur vijnë, e bëjnë atë për mall, për të ecur nëpër rrugët ku dikur shkelën si çuna, për të parë stadiumin ku shënuan ëndrrat e tyre, për të takuar shokët me të cilët ndanë rininë.
Dhe ja ku jemi tani. Shohim fotografinë, por në të vërtetë ajo është që na sheh ne. Na pyet se ç’bëjmë me kujtesën tonë. Na pyet nëse dimë t’i nderojmë ata që na ndërtojnë historinë.
Prandaj ky imazh nuk është thjesht rikujtim. Është përulje. Është falënderim. Është një kapitull i çmuar i historisë së Durrësit, i atij qyteti që di të ngrejë në piedestal njerëzit e vet, që di ta ruajë traditën, që di të nderojë ata që luajtën, vrapuan, ëndërruan dhe dhanë gjithë ç’patën për ngjyrat e tij.
Dhe kështu, mes simbolesh, emocionesh dhe kujtimesh, fotografia e Mehmetit, Fetiut dhe Fatbardhit, mbetet si dritë që nuk shuhet. Sepse koha ikën, por futbolli i tyre, shoqëria e tyre dhe Durrësi i tyre nuk plaken kurrë.
Kjo foto është më shumë se 65 vjet e vjetër. Është fletë e albumit të përbashkët, që i takon jo vetëm tre shokëve të vitlindjes 1942, por gjithë atyre që besojnë se sporti është edukim, miqësi dhe kujtesë. Ajo na kujton se vitet kalojnë, njerëzit ndryshojnë, por shoqëria e pastër rinore dhe dashuria për lojën, mbeten si vulë e përjetshme.









Gjithmonë bën shkrime "bio",sado që je penë e vjetër. Urime!