top of page

Bujar Qesja: Një fotografi, dy libra dhe shumë kujtesë

  • Jan 22
  • 6 min read

-Një takim në Durrës me historinë në duar

 

-Kur trashëgimia nuk mbahet në sirtar

 

BUJAR QESJA

„Mjeshtër i Madh“

 

Një takim me histori, libra dhe shpirt

 

Durrësi jo një lloj i jeton ditët. Ka raste, kur qyteti nuk flet me zhurmën e zakonshme të detit, por me zë më të ulët, më të thellë, më njerëzor. Janë ditë, kur e shkuara troket lehtë në të tashmen, jo për të kërkuar llogari, por për të thënë se kujtesa është detyrim, jo luks.

Gëzim Nushi! Emër jo i zhurmshëm. Erdhi në Durrës, jo si bir i një figure të lartë politike. Jo si vizitor rastësor. Jo si ish inxhinier i një uzine të rëndësishme. Por si njeri i qetë, i matur, me fisnikëri që nuk ka nevojë të shpjegohet. Erdhi me një mision shpirtëror, me një barrë fisnike në duar, libra, kujtesë dhe respekt.

Lexohet në mënyrën se si flet, si dëgjon dhe si dhuron. Erdhi si bartës i një trashëgimie familjare dhe kombëtare, që nuk mbahet në valixhe, por në ndërgjegje. Erdhi në Durrës jo për të marrë, por për të lënë. Dhe kjo, në kohët tona, është një akt i rrallë.

Ka takime që nuk maten me orë, por me peshën e kujtesës që lënë pas. Takime që nuk ngacmohen me një kafe mes miqsh, por udhëtim i heshtur në histori, në rrënjë, në respekt dhe në trashëgimi shpirtërore. I tillë ishte takimi që zhvilluam me Gëzim Nushin, mikun e çmuar, inxhinierin elektronik, qytetarin e urtë.

Kjo ditë në Durrës shumë e veçantë. Ditë që nuk u shpall, por u ndje. Ditë ku koha sikur u ndal pak, për t’i lënë vendin kujtesës. Sepse ka momente kur qytetet, si njerëzit, kanë nevojë të kujtojnë se kush kanë qenë, për të kuptuar më mirë kush janë.

 

Dy libra, dy botë, një familje

 

Në një gjest që flet më shumë se çdo fjalë, Gëzim Nushi më dorëzoi dy libra të rrallë, të përgatitur dhe botuar me kujdes. Libra që nuk janë thjeshtë botime, por akte kujtese kombëtare.

 

Kozma Nushi “Hero i Popullit” dhe poet i shpirtit popullor

 

Libri mban titullin: “Kënga popullore dhe vjersha patriotike të Himarës dhe Labërisë”. Autor Kozma Nushi.


Kozma Nushi, “Hero i Popullit”, është figurë madhore e sakrificës shqiptare. Është shqiptari i parë, që u dogj në krematoriumin e kampit famëkeq nazist të Mauthauzenit, më 23 janar 1945, datë që duhet të gdhendet jo vetëm në histori, por edhe në ndërgjegjen tonë kolektive.

Libri zbulon dimension tjetër të Kozma Nushit. Njeriun e kulturës, të poezisë patriotike dhe të këngës popullore. Në një bllok shënimesh me 106 fletë, ka mbledhur dhe shkruar 3705 vargje popullore, kryesisht nga Himara dhe Labëria, por edhe nga viset veriore të vendit. Pasuri e jashtëzakonshme folklorike dhe letrare.

Punën për këtë vëllim, Kozma Nushi e nisi që në janar të vitit 1925, gjatë kohës që studionte në Nisë të Francës, ku po kryente gjimnazin. Shumë poezi janë ruajtur në origjinal, me shkrimin e dorës së autorit, duke i dhënë librit vlerë të shumëfishtë historike, letrare dhe dokumentare.

Botimi i këtij libri, për të cilin është kujdesur me përkushtim Gëzim Nushi, është akt nderimi ndaj autorit, por edhe ndaj kulturës popullore shqiptare, që jeton përmes vargut, këngës dhe kujtesës.

 

Ksenofon Nushi  diplomati i ditarit të vështirë


Libri i dytë është një vepër voluminoze dhe delikate.

Një miqësi e vështirë”, ditar i Ksenofon Nushit, në katër vëllime, që mbulon periudhën 1982–1988.

Ksenofon Nushi lindi, më 10 shkurt 1925 në Korfuz dhe u nda nga jeta më 7 mars 2000. Ka pasur karrierë të gjatë dhe të rëndësishme diplomatike. Sherbeu në ambasadën shqiptare në Kajro, më pas në Paris, në Itali, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe më në fund ambasador në Greqi.

Ditari “Një miqësi e vështirë”, është dëshmi e rrallë e diplomacisë shqiptare, e marrëdhënieve komplekse, e tensioneve dhe përpjekjeve për dialog në një periudhë delikate të historisë sonë. Është libër, që kërkon lexues të vëmendshëm dhe që ofron material të vyer për historianë, studiues dhe publiçistë. Tekst që flet pa zhurmë, por me sinqeritet dhe përgjegjësi.

 

Miqësi, respekt dhe Durrësi si pikë qendrimi

 

Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe Luan Jaupi, fotograf, gazetar dhe  seleksionues, i cili aktualisht po punon për një libër mbi historikun e URT-së. Prania e tij, i dha bisedës dimension tjetër dokumentar dhe dëshmues, duke e lidhur  të shkuarën industriale të Durrësit, me kujtesën njerëzore të atyre që e ndërtuan atë.

Ky ishte takim miqsh, por edhe takim brezash, rolesh dhe historish. Një momentkufjala “respekt” nuk ishte abstrakte, por e prekshme, e lexueshme në gjeste, në libra, në sy.

Si gazetar dhe publiçist, i angazhuar në jetën kulturore dhe qytetare të Durrësit, endjeva këtë dorëzim librash si akt besimi dhe si thirrje për përgjegjësi morale. Këto histori të mos mbeten në raft, por të marrin jetë në faqet e publiçistikës, në  kujtesën qytetare dhe në dialogun shoqëror.

Ky takim nuk ishte rastësi. I ndërtuar mbi miqësi, i mbajtur gjallë nga respekti dhe i bekuar nga libri. Një nga ato çaste, që të kujtojnë pse fjala e shkruar, kujtesa dhe qytetaria kanë ende kuptim.

 

 Bisedë që u kthye në dëshmi, në reflektim

 

Gëzim Nushi, i lindur më 1949, inxhinier elektronik, pjesë e brezit që ndërtoi me mendje dhe duar Shqipërinë industriale të viteve ’70-të, ka punuar në periudhën   1970–1974 në Uzinën e Radiotelevizionit (URT) të Durrësit. URT-ja nuk ishte  thjeshtë një uzinë. Qe simbol i një kohe, kur teknika shihej si dritare drejt së ardhmes  dhe kur Durrësi, ishte nyje e rëndësishme e zhvillimit industrial.

 Punuan breza inxhinierësh dhe specialistësh, që i dhanë formë një epoke. Në këtë takim, URT-ja nuk u përmend si kartelë pune, por si kujtim. Si pjesë e një jete të  ndërtuar me korrektësi, pa bujë, me dinjitet.

Takimi ynë zgjati disa orë. Orë që nuk u ndjenë. Sepse kur biseda ka përmbajtje,   koha bëhet e parëndësishme. Biseda rrodhi natyrshëm nga miqësia, por thellohej nga historia.

Gëzim Nushi erdhi në Durrës me një mision shpirtëror, të dorëzonte libra. Jo çfarëdo librash, por libra që janë shtylla kujtese, libra që flasin për sakrificë, kulturë, diplomaci dhe identitet.

Në një gjest të thjeshtë, por me domethënie të thellë, më besoi dy vepra që nuk janë vetëm të familjes Nushi, por i përkasin historisë shqiptare. Dhe aty gjithçka ndryshoi. Sepse librat nuk janë kurrë neutralë. Ata mbajnë brenda jetë njerëzish, fate, dhimbje, shpresa dhe amanete.

 

 Librat si amanet dhe miqësia si trashëgimi

 

Kur u ndamë, Durrësi mbeti po ai. Deti vazhdoi të ishte aty. Rrugët po ashtu. Por diçka kishte ndryshuar. Sepse librat nuk janë sende. Janë amanete. Kur u ndamë, nuk pati fjalë të mëdha. Sepse fjalët e mëdha, ishin thënë tashmë nga librat. Durrësi vazhdoi rrugën e vet. Deti vazhdoi të rrahë brigjet. Por diçka mbeti. Ndjenja, se ishim bërë pjesë i një zinxhiri kujtese.

Takimi me Gëzim Nushin, nuk ishte thjeshtë miqësor. Ishte një akt besimi. Një dorëzim simbolik i kujtesës, nga një brez te tjetri. Një kujtesë që nuk kërkon lavdi, por drejtësi historike dhe respekt njerëzor.

Familja Nushi, përmes figurave si Kozma, Ksenofon dhe Gogo Nushi, ka lënë gjurmë në fusha të ndryshme, luftë, kulturë, diplomaci, politikë. Por mbi të gjitha, ka lënë një shembull, se historia nuk ruhet vetëm në arkiva, por në ndërgjegjen e njerëzve që e përcjellin me ndershmëri.

Ky takim ishte një kujtesë, se miqësia e vërtetë nuk matet me vite, por me besim. Dhe se librat, kur dhurohen me zemër, bëhen ura mes kohëve. Një fotografi e çastit e fiksuar sot në Durrës, nuk është vetëm imazh. Është një dëshmi.

Dhe një ditë ndoshta do të flasë, po aq sa këto libra, që sot kaluan nga një dorë në tjetrën. Takimi me Gëzim Nushin ishte kujtesë, se historia nuk mbahet gjallë nga monumentet, por nga njerëzit që e përcjellin me personalitet. Se miqësia, kur mbështetet mbi respekt dhe kulturë, kthehet në vlerë shoqërore. Dhe se librat, kur jepen me shpirt, nuk mbeten dhurata, por amanete.

Familja Nushi, nuk është thjeshtë një pemë me degë të ndryshme. Është një rrënjë, që shkon thellë në tokën e historisë shqiptare. Dhe njerëz si Gëzim Nushi, janë ata që e ujitin këtë rrënjë me heshtje, punë dhe identitet. Familja Nushi ka dhënë luftëtarë, politikanë, diplomatë, intelektualë. Por mbi të gjitha ka dhënë njerëz, që nuk e kanë ndarë kurrë jetën personale nga përgjegjësia ndaj vendit.

Fotografia që të tre, nuk është thjeshtë kujtim. Vlen edhe si dëshmi, se historia vazhdon të ecë përmes njerëzve të qetë, që nuk kërkojnë vëmendje, por e meritojnë atë. Fotografia e këtij çasti, nuk tregon vetëm fytyra. Tregon se historia nuk ka mbaruar. Se librat ende ecin dhe se miqësia, kur është e vërtetë, bëhet vetë histori.

Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur e përjetësisë. Të jetosh thjeshtë, të dhurosh libra dhe të lësh pas dukuri jetësore që flet vetë.

Me mirënjohje për Gëzim Nushin, të birin e sindikalistit të hershëm Gogo Nushi!

Me respekt për familjen Nushi! Me dashuri për Durrësin dhe historinë e tij!


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page