top of page

Bujar Qesja: Miri Hoti dritë që nuk shuhet në korridoret e kohës

  • Dec 30, 2025
  • 4 min read

-Ka vizita që nuk trokasin në derë, por në zemër.


-Hoti është nga ata njerëz që koha nuk i rrudh, por i gdhend.

-Kur dora e njeriut bëhet strehë, mbi një jetë të jetuar për të tjerët


BUJAR QESJA


Ka njerëz që vijnë si vizitorë dhe ka njerëz që vijnë si bekim. Ka hapa që dëgjohen në shkallë dhe ka hapa që dëgjohen në shpirt. E tillë ishte në paraditen e 30 dhjetorit 2025, ardhja e doktorit dhe kirurgut të shquar Miri Hoti në konakun tim, i shoqëruar nga bashkëshortja fisnike Jeta Hoti, farmaciste nga ato që e kanë shndërruar profesionin në mision.

Konaku im u mbush me një heshtje të bukur, atë heshtje që sjellin vetëm njerëzit e mëdhenj, kur nuk kanë nevojë të flasin shumë. Nuk ishte një ardhje formale, por një prani që vinte nga thellësia e respektit dhe e miqësisë.

Telefoni ra thjesht, pa zhurmë, siç bien zakonisht lajmet e mira.“Bujar, aty jeni?” Zëri i Jetës vinte i qetë, por i ngrohtë.“Po”,  iu përgjigja.“Do të vijmë bashkë me doktor Mirin, ka shumë dëshirë të të uroj duke të takuar.”

Në ato pak fjalë kishte më shumë se një urim. Kishte respekt, kishte miqësi, kishte qytetari. Ne i kemi pritur vitet e reja familjarisht. Kështu do të ndodhë edhe në natën mes 31 dhjetorit dhe zbardhjen e 1 janarit 2006, kur urimet kanë shijen e shpresës dhe të kohës që hap një faqe të re. Por kjo vizitë e doktor Miri Hotit, ishte më shumë se një urim kalendarik. Ishte një dëshmi. Ishte një kujtesë. Ishte një përkulje njerëzore ndaj një jete të jetuar në shërbim.


Një emër që e njohin edhe gurët


Doktor Miri Hoti, i lindur më 22 maj 1942, është nga ata njerëz që koha mund t’ua zbardhë flokët, por nuk u thinj shpirtin. Natyrisht, mosha bën punën e saj biologjike, por zemra e Mirit ka mbetur e re, e palodhur, e përkushtuar. Puna e tij nuk është thjesht kapitull i mjekësisë durrsake, është shtyllë e saj.

Në Durrës, Mirin nuk e njohin vetëm njerëzit. Edhe gurët kanë miqësi me të. E njohin korridoret e spitaleve. E njohin netët pa gjumë. E njohin pritjet e ankthshme të familjarëve. E njohin ata që dolën nga salla e operacionit, me një shans të ri jete.

Historia e mjekësisë durrsake, nuk ka parë shpesh një figurë kaq të plotë, kaq të bashkuar në profesionalizëm dhe humanizëm. Sepse Miri Hoti nuk ka qenë kurrë vetëm kirurg, por edh mjek i njerëzvebabaxhanngushëlluesshpresë.

Koha ka kaluar mbi Mirin pa zhurmë. Nuk e ka rrënuar, por e ka thelluar. Është nga njerëzit që nuk e matin jetën me vite, por me peshën e veprave. Në Durrës, emri i tij nuk ka nevojë për mbiemër. Thuhet thjesht “Miri” dhe gjithçka kuptohet. Siç kuptohen gjërat e vërteta, pa shpjegime.


“Durrsakët e mi”  një filozofi jete


Kur doktor Miri flet për pacientët, nuk përdor termin teknik. Vetëm thotë: “Durrsakët e mi.” Në këtë shprehje ka një botë të tërë. Ka përkatësi. Ka përgjegjësi. Ka dashuri qytetare. Ka një filozofi të rrallë mjekësore, ku njeriu nuk reduktohet në diagnozë, por ngrihet në dinjitet.

Ditë e natë, verë e dimër, pa u kursyer, pa u fshehur pas orareve apo justifikimeve, Miri Hoti ka qenë pranë halleve të njerëzve. I papërtuar, i palodhur, i gatshëm. Nuk e ka pyetur kurrë kohën: “Është orar pune apo jo?” Ka pyetur ndërgjegjen:“Ka nevojë njeriu?” Dhe gjithmonë ka shkuar.


Një çift që i ngjan qytetit


Në fotografinë që shoqëron këtë shkrim, unë me Kostandinën, Miri me Jetën, nuk ka poza. Ka natyrshmëri. Ka harmoni. Ka qetësi që vjen vetëm nga jetët e ndërtuara me ndershmëri. Jeta Hoti, bashkëshorte dhe bashkudhëtare e denjë, farmaciste me kulturë dhe etikë profesionale, është forca e heshtur që ka ecur gjithmonë krah Mirit. Bashkë, ata përfaqësojnë model qytetar. Familje e thjeshtë, e respektuar, e përkushtuar ndaj njerëzve.

Këta janë ata çifte që nuk bëjnë zhurmë, por lënë trashëgimi. Që nuk kërkojnë dritat e skenës, por ndriçojnë rrugët e errëta të halleve njerëzore.


Përjetësia nuk ka zhurmë


Ka njerëz që ikin dhe harrohen. Ka njerëz që rrinë dhe bëhen zakon. Dhe ka njerëz si Miri Hoti, që përjetësohen pa e kërkuar. Nuk ka pasur nevojë për reklama. Nuk ka pasur nevojë për tituj të bujshëm. Mjaftonte një fjali në Durrës: “Shko tek doktor Miri.” Dhe kjo fjali ka shpëtuar jetë.

Në një kohë kur profesionet shpesh humbin shpirtin, Miri Hoti e ka ruajtur thelbin e mjekësisë, shërbimin. Në një kohë kur njerëzit lodhen shpejt nga njerëzit, ai nuk u l odh kurrë nga dhimbja e tjetrit.

Në sytë e tij ka qetësi, atë qetësi që vjen vetëm pasi ka bërë paqe me ndërgjegjen. Në duart e tij ka kujtesë, mijëra jetë të prekura, mijëra fate të ndihmuara. Dhe në fjalët e tij ka gjithmonë masë, sepse ai e di se mjekësia nuk është vetëm shkencë, por edhe heshtje e drejtë në çastin e duhur.


Një urim që nuk mbyllet me pikë


Ky shkrim nuk është thjesht urim. Është mirënjohje publike. Është një përpjekje për t’i thënë faleminderit një njeriu që ia ka dhënë jetën qytetit të vet, pa llogari, pa kushte. Doktor Miri Hoti është nga ata burra, që e kanë nderuar bluzën e bardhë, por mbi të gjitha kanë nderuar njeriun. Dhe për këtë arsye, emri i tij nuk do të mbetet vetëm në kujtesën e mjekësisë, por në kujtesën morale të Durrësit. Ka njerëz që jetojnë gjatë. Ka njerëz që jetojnë mirë. Ka njerëz që lënë pas fjalë. Ka njerëz që lënë pas zhurmë. Por ka edhe njerëz që lënë pas dritë orientuese, si fanarë në breg të detit, që nuk flasin, por tregojnë drejtimin.

Doktor Miri Hoti i përket kësaj kategorie të rrallë. Ai nuk e ka shpëtuar botën, por ka bërë diçka po aq të madhe, ka shpëtuar njerëz, pa bujë, pa kushte, pa llogari. Dhe ndoshta kjo është filozofia më e lartë e jetës. Të jesh i dobishëm, të jesh i drejtë,të jesh i heshtur dhe të ikësh një ditë duke lënë pas jo boshllëk, por mirënjohje. Kjo nuk ishte thjesht një vizitë, por një përkulje respekti. Një falënderim publik. Një mirënjohje që nuk mbyllet me pikë. Respekt i thellë për doktorin e njerëzve, për kirurgun e rrallë, për njeriun që ka lënë pas diellin e humanizmit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page