top of page

Bujar Qesja: Flamur Jakupi  një jetë në shërbim të artit

ree

Flamur Jakupi  një jetë në shërbim të artit, rinisë dhe kujtesës qytetare

...Ka njerëz që nuk e kërkojnë skenën për të rënë në sy, por për ta ndriçuar. Ata nuk zhurmojnë, por lënë gjurmë. Mbartin artin në shpirt dhe dashurinë në zemër. Njëri prej tyre është edhe Flamur Jakupi...

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Ka njerëz që i përkasin kohës së tyre dhe të tjerë, që mbeten pjesë e kujtesës së qytetit përgjithmonë. Flamur Jakupi është nga ata, që Durrësi e ruan në zemër si shembull të përkushtimit, artit dhe njerëzisë.

Në çdo aktivitet, në çdo skenë, në çdo kujtim të viteve të arta të kulturës qytetare, gjendet diku buzëqeshja e tij e qetë, zëri i tij i ngrohtë, dora që organizonte me kujdes çdo detaj. Nuk është thjesht emër i njohur i Pallatit “Rinia”, por kapitull i dashurisë për artin, për njeriun, për jetën me dinjitet.

Fëmijëria dhe rrënjët në lagjen me frymë qytetare

U lind dhe u rrit në lagjen 4 të Durrësit, në rrugën “Nail Kondi”,  hapësirë ku deti ndjehej afër, ku zërat e fëmijëve përziheshin me zhurmën e trenave dhe aromën e jodit. Ishte fëmijë që dallohej mes të tjerëve, më i heshtur, më vëzhgues, me botë të brendshme që dukej sikur i përkiste një kohe tjetër. Ndërsa ne të tjerët, rendnim pas topit apo lojërave të rrugës, Flamuri rrinte mënjanë, i zhytur në ndonjë libër apo duke imituar me zë të ulët figurat e njohura të kohës.

Ishte një djalosh që e kërkonte skenën, por jo për t’u dukur, por për ta përjetuar. Kështu nisi rrugëtimi drejt artit, me përfshirje të hershme në Shtëpinë e Pionierit, ku do të zbulonte pasionin për fjalën, për interpretimin, për atë magjinë që lind nga kontakti me publikun.

Hapat e parë arti mes portit dhe punës

Koha e rritjes përkoi me periudhën, kur arti amator në Durrës kishte zhvillim të jashtëzakonshëm. Qyteti ishte i gjallë, punëtorët dhe artistët takoheshin në të njëjtin shesh, në të njëjtat salla, në të njëjtën ndjesi për të ndërtuar diçka të bukur për komunitetin.

Flamuri nisi punën në Portin Detar të Durrësit, në profesionin e pompistit, nën kujdesin e mjeshtrave Minella Kedhi dhe Zydi Quku. Por paralelisht, nuk e ndau asnjëherë dashurinë për skenën. U aktivizua fuqishëm në grupin amator të portit, ku ishte nga shtyllat kryesore të krijimtarisë artistike.

Atje, ndërmjet tingujve të motorëve, aromës dhe puhizës që vinte nga deti, lindën skeçe, monologë, koncerte, ku Flamuri interpretonte me pasion dhe me intuitë natyrale. Publiku e donte, sepse ishte i vërtetë, sepse vinte nga jeta e përditshme e punëtorëve dhe e dinte ç’ishte mundi, po edhe buzëqeshja që e shoqëronte.

Pallati “Rinia” tempull i artit qytetar

Në mesin e viteve 70-të, Flamur Jakupi u ftua të bëhej pjesë e Pallatit “Rinia”, institucionit më të rëndësishëm të kulturës qytetare të kohës. Aty, do të gjente skenën që e meritonte, jo më si amator, por si profesionist i artit masovik. Masovik term që sot mund të tingëllojë i thjeshtë, por në atë kohë kishte kuptim të gjerë: organizator, frymëzues, ideator i dhjetëra aktiviteteve, mbrëmjeve, takimeve kulturore e artistike në ndërmarrje dhe institucione. Në ato vite, Durrësi ishte laborator i artit amator. Pallati “Rinia” rrezatonte kulturë dhe Flamuri ishte nga dritat më të qëndrueshme të tij.

Flamuri ishte konferencier, autor, interpretues, regjisor dhe organizator, gjithnjë me buzëqeshje të qetë dhe me fjalë të ngrohtë për secilin. Përmes aftësive të këtij masoviku, Pallati “Rinia” u bë qendër e gjallë e kulturës popullore, vend ku arti nuk ishte luks, por nevojë shpirtërore. Nën kujdesin e tij u ngjitën në skenë punëtorë, mësues, inxhinierë, sportistë, vajza dhe djem të rinj që gjenin aty vend për t’u shprehur. Këto përvoja e çuan më pas në një tjetër etapë: Pallatin “Rinia”,

Në ato vite, nga 1970-ta deri në fundin e viteve 80-të, çdo veprimtari që mbante vulën e këtij pallati, kishte brenda diku edhe dorën apo zërin e Flamur Jakupit. Ishte koha kur arti kishte shpirt, kur durrsakët e ndjenin se kultura ishte pjesë e jetës dhe Flamuri ishte zemra që e rrihte këtë ritëm.

Kujtesë apo histori libri që ringjalli një epokë

Kur shumë gjëra u tretën në harresë, Flamuri zgjodhi të bëjë të kundërtën, të kujtojë.Në vitet e fundit, botoi librin “Kujtesë apo histori”, vepër që është më shumë se përmbledhje faktesh, është rrëfim shpirtëror për vitet e arta të Pallatit “Rinia”, për njerëzit që e bënë atë institucion, vatër të gjallë kulture.

Në faqe të këtij libri, lexuesi gjen Durrës tjetër, atë të solidaritetit, të punës, të humorit, të dashurisë për artin. Një qytet ku çdo punëtor, çdo mësues, çdo vajzë e re kishte mundësinë të ngjitej në skenë, të recitonte, të këndonte, të imitonte, të ndjente vlerë.

Ky libër nuk është vetëm kujtim, por edhe akt mirënjohjeje, rikthim në kohë për të shpëtuar nga harresa pjesë të shpirtit qytetar të Durrësit. Nëpër faqe, sjell atmosferën e gjallë të viteve 70-të –80-të, duartrokitjet e sallës, emocionet e natës së premierës, zërat që nuk duhet të harrohen. Libri i Flamur Jakupit është album kujtimesh qytetare, përpjekje fisnike për të mos lejuar, që ajo periudhë e artit punëtor të mbulohet nga heshtja.

Në librin “Kujtesë apo histori”, na mëson se kujtesa nuk është thjesht rrëfim i djeshëm, por urë që lidh të shkuarën me të ardhmen. Nëpërmjet fjalëve, dëgjojmë zërat e brezit që besoi tek arti, tek bashkimi, te forca e së mirës. Na rikujton se arti nuk është pronë e institucioneve, por e shpirtit të njeriut, që do të japë diçka nga vetja pa kërkuar shpërblim.

Malli dhe kthimet, jeta në mërgim


ree

Në fillim të viteve 90-të, kur vendi mori rrugë të re, Pallati “Rinia” i dikurshëm iu rikthye komunitetit mysliman dhe u shndërrua sërish në xhami. Ishte simbolikë e fortë për gjithë ata, që kishin dhënë shpirtin për artin në atë skenë. Flamuri e priti me qetësi, por edhe me mall. E dinte se historia ndryshon, por kujtimi mbetet. Jakupi e pranoi ndryshimin me urtësi, por zemra e tij mbeti e lidhur përjetësisht me atë truall.

Prej afro 30-të vitesh jeton në Ankona, Itali, bashkë me bashkëshorten e përkushtuar, Luçi Tutra dhe dy djemtë e tyre. Edhe pse jeta e re e çoi në fusha të tjera, larg artit, kurrë nuk u shkëput nga fryma e krijimit.

Në mërgim, mbetet i njëjti, i qetë, i përmbajtur, me dashuri të madhe për Durrësin. Vjen shpesh, takon shokët e lagjes, miqtë e rinisë dhe të punës, rri në ndonjë kafene buzë detit, e rrëfen me humor ngjarjet e dikurshme. Në çdo fjalë, ndien mallin por jo si plagë, më tepër si frymëmarrje shpirtërore, si lidhje që nuk këputet kurrë.

Njeriu i paqes dhe i kulturës

Njerëzit që e njohin, e përshkruajnë Flamur Jakupin si njeri të urtë, të qetë, të futshëm dhe paqësor. Ka në fytyrë mirësi të lindur, buzëqeshje të sinqertë që shuan tensionet, që afron njerëzit. Nuk e kërkoi kurrë protagonizmin, por gjithmonë la gjurmë aty ku ishte. Jo rastësisht, është nderuar me titullin “Ambasador i Paqes”, vlerësim që i shkon për shtat shpirtit të tij fisnik.

Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, i akordoi Çmimin e Karrierës, për ndihmesën e dhënë në zhvillimin e artit dhe kulturës qytetare. Moment që preku shumë zemra. Çdo kush që ka qenë pjesë e Pallatit “Rinia”, e di se pa Flamur Jakupin ajo histori do të ishte më e varfër. Ishte nderim i merituar, për një jetë të tërë përkushtimi, për një emër që nuk bëri zhurmë, por krijoi jehonë.

Drita e qetë e një jete të ndershme

Flamur Jakupi mbetet figurë, që përfaqëson më të bukurën e qytetarisë durrsake. Njeri që i shërbeu artit pa interes, që u përpoq të sillte buzëqeshje, të nxitë mendim, të mbjellë mirësi.

Në galerinë “Nikolet Vasia”, Flamuri hapi ekspozitën “Memorie” me pamje nga aktivitetet e Pallatit “Rinia” ndër vite. Shumë vizitorë ndaluan jo thjesht për të parë fotografitë, por për të kujtuar se si Durrësi dikur kishte ritëm tjetër, shpirt tjetër. Flamuri e riktheu atë atmosferë me thjeshtësinë e tij, të njeriut që ruan në vetvete kujtimet si thesar dhe që i ndan me të tjerët pa zhurmë, me dashuri.

Urim që del nga zemra

Në jetën e Flamurit, arti nuk ishte vetëm profesion, por edhe mënyrë të jetuari. Tek Flamuri lexon se arti fillon nga sjellja, nga fjala e mirë, nga respekti për njeriun. Në kohën kur shumë gjëra vijnë e ikin shpejt, Jakupi na kujton se vlerat e vërteta janë të heshtura: përkushtimi, ndershmëria, dashuria për vendlindjen. Flamur Jakupi mbeti njeriu, që nuk ngriti statuja për vete, por kujtime për të tjerët. Qytetar që mbolli kulturë, qetësi, harmoni. Masovik që e bëri jetën vetë art.

Në çdo qytet ka njerëz që nuk bëjnë zhurmë, por ndriçojnë si llampa të qeta mbi kujtesën e përbashkët. Flamur Jakupi është një prej tyre. Nuk kërkoi kurrë të ishte në qendër të skenës, por ndodhej gjithmonë aty ku ndriçohej shpirti i artit, aty ku fjala bëhej dashuri dhe organizimi bëhej formë e qytetarisë.

Në çdo kujtim të rinisë, në çdo foto të Pallatit “Rinia”, në çdo rrëfim të atyre që e njohin, ai është aty, me dritën e tij të qetë. Durrësi e njeh mirë këtë dritë. Ajo s’ka nevojë për duartrokitje. Mjafton të përmendësh emrin e tij dhe menjëherë, buzëqeshjet e dikurshme kthehen.

Mbetet shembull i qytetarisë së pastër durrsake, i njeriut që nuk kërkoi të shquhej, por të shërbente, që nuk ngriti zërin, por ngriti vlera. Durrsakët  e respektojnë Flamur Jakupin, masovikun që bëri art nga jeta, njeriun që ruajti frymën e qytetit, e jeton me shpirt të pastër dhe me mall të bukur për njerëzit dhe vendin e tij.

Në vitet e rinisë, u mësua me duartrokitje dhe dritat e skenës. Në vitet e pjekurisë, u mësua me heshtjen e detit dhe me qetësinë e punës. Në mërgim, e kuptoi se Atdheu nuk është vetëm vendi ku ke lindur, por vendi që mban brenda teje. Dhe Durrësi jeton brenda Flamurit, ashtu siç jeton ai brenda kujtesës së qytetit.

Dhe kur dikur brezat e rinj, do të kërkojnë të dinë ç’ishte “Pallati Rinia”, do të mjaftojë të përmendet emri i Flamur Jakupit. Sepse ai nuk ishte thjesht organizator, por frymë që bëri bashkë njerëz, emocione, kohëra dhe ëndrra.Ishte ura mes dritës dhe kujtesës, mes së shkuarës që nuk shuhet dhe së tashmes që ende ka nevojë për shembuj të tillë.

Në këtë përvjetor të 75-të të lindjes, qyteti i tij i dashur, Durrësi, i thotë me zë të ngrohtë:Faleminderit, Flamur Jakupi!

Faleminderit për mënyrën si ke ditur të duash, të shërbesh dhe të kujtosh. Sepse edhe në heshtje, ke folur shumë. Edhe larg, ti ke qenë pranë. Edhe në vite që ndryshuan gjithçka, mbete po ai, njeriu i mirë i qytetit, që e mbart artin në shpirt dhe dashurinë në zemër.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page