BUJAR QESJA: Ali Kërtusha një zemër që rrahu me ritmin e detit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 4 min read

In memoriam
Ali Kërtusha një zemër që rrahu me ritmin e detit
BUJAR QESJA
Kur deti hesht
Kur deti u zgjon pa zhurmën e hapave të tij mbi kalldrëm, Durrësi e ndien mungesën.
Duket sikur dallgët u bënë më të buta, jo nga qetësia, por nga respekti. Në bregun e vjetër, aty ku porti dhe qyteti flasin të njëjtën gjuhë, një emër mungon në shëtitjen e përditshme. Është Ali Kërtusha.
Durrësi nuk ka qenë kurrë vetëm qytet. Ka qenë dhe mbetet frymë, ritëm, kujtesë, miqësi, det dhe njeri. Dhe në këtë mozaik, Aliu ishte një gur i çmuar. I gjallë, i ngrohtë, i drejtë, i dashur, i papërsëritshëm.
Nuk iku si dikush që humbet në mjegull. U largua si detar, që dorëzon timonin pasi ka lundruar gjatë. La pas gjurmë, histori, buzëqeshje, shaka, kujtime dhe një familje, që mban mbi supe emrin e tij me krenari.
Rrënjët e një emri qytetar
Ali Kërtusha lindi më 4 tetor 1951, në një familje durrsake me emër dhe traditë. Ishte djali i Jusuf Kërtushës, vëllai i Halimit dhe i "Mjeshtrit të Madh", këngëtarit të njohur durrsak Qemal Kërtusha. Ishte një familje, që i ka dhënë qytetit art, karakter dhe kulturë.
Aliu nuk jetoi nën hijen e mbiemrit, por e ndriçoi vetë atë. Krahas tij rritej vëllai Edmondi dhe katër motra. Shtëpi plot zëra, dashuri, respekt dhe solidaritet.
Që fëmijë u dallua për humorin e hollë, fjalën e ngrohtë, respektin për njerëzit dhe atë mirësjellje tipike durrsake, që nuk mësohet, por trashëgohet.
Ishte nga ata burra që edhe pa folur shumë, e ndjeje se kishte zemër të madhe.
Djali i detit në anijen "Arbëria"
Deti e thirri herët. Aliu lidhi jetën me flotën detare tregtare shqiptare, duke shërbyer për një kohë të gjatë në anijen e famshme “Arbëria”, me detyrën e nostromit. Ishte pozicion përgjegjësie, disipline dhe besimi. Aliu ynë, nuk ishte thjeshtë punonjës deti, por njeri që i ishte falur detit.
Në çdo udhëtim, në çdo port të huaj, mbante me vete krenarinë e Durrësit,
besën e shqiptarëve dhe ngrohtësinë njerëzore që e dallonte. Shokët e ekuipazhit e kujtojnë si korrekt, i qeshur,
gjithmonë gati për të ndihmuar, gjithmonë me një shaka që e zbuste lodhjen e lundrimit.
Deti nuk ia mori kurrë shpirtin, përkundrazi ia formësoi karakterin.
Familja porti i tij më i sigurtë
Në tokë, porti i tij më i sigurtë ishte familja.
Krah tij ishte bashkëshortja Fatbardha, shoqja e jetës, e sakrificës dhe e kujdesit, veçanërisht në vitet e fundit të sëmundjes.
Së bashku ndanin jo vetëm shtëpinë, por edhe shëtitjet buzë detit, shpesh në lokalin “Kështjella”, ku Aliu ndihej si në shtëpi mes miqsh.
Fëmijët ishin krenaria më e madhe. Juliana dhe Bledari punojnë dhe jetojnë në Angli, ndërsa Esterina është vendosur në Itali.
Edhe pse jeta i shpërndau larg, lidhja me babain nuk u këput kurrë. Esterina veçanërisht, u bë mbështetje e fortë, duke e marrë shpesh Aliun në Itali për trajtime mjekësore, në kërkim të kujdesit më të mirë.
Kjo flet për diçka shumë të bukur. Nuk la pas fëmijë vetëm biologjikë, por fëmijë të edukuar me dashuri, përgjegjësi dhe mirënjohje.
Një durrsak popullor, i lidhur me miqësinë, humorin dhe sportin
Në Durrës, Aliu ishte figurë e njohur. Një durrsak popullor në kuptimin më fisnik të fjalës. Ishte artdashës, sportdashës,
njeri i tavolinës së miqësisë, njeri i bisedës së sinqertë.
Qendronte shpesh në shoqëri me miq të vjetër, mes tyre edhe çifti i respektuar Likmeta Zyraja dhe Agimi (ish futbollist i Lokomotivës), miqësi që tregojnë nivelin e tij njerëzor.
Kudo që shkonte, linte buzëqeshje, sillte gjallëri,
bashkonte njerëzit. Në një qytet si Durrësi, ku miqësia është pasuri, Aliu ishte ndër ata që e pasuronte.
Sëmundja beteja që e mundoi
Në vitin 2015, jeta i dha një goditje të rëndë. Operacioni në zemër ishte provë e madhe. E përballoi me kurajë, por shëndeti nisi gradualisht të dobësohej. Pas 11-të vitesh erdhi
Infarkti dhe hemorragjia cerebrale. Dy goditje që do të ligështonin çdo njeri.
Por edhe në vështirësi, Aliu nuk e humbi kurajon dhe optimizmin. Mbeti burrë i qetë, i respektuar, i dashur nga familja dhe miqtë.

Fatbardha ishte gjithmonë pranë tij, një bashkëshorte e vërtetë deri në fund.
Me sytë drejt detit, me zemrën flori që na e la ne të gjallëve, sosi frymën e fundit, nga njerëzit e njohur dhe popullor të Durrësit Ali Kërtusha.
Dallga e fundit dhe kujtesa e përjetshme
Pas kësaj humbje, deti i Durrësit duket një grimë më i heshtur. Por emri i Ali Kërtushës, nuk do të shuhet. Do të mbetet bir i një familjeje me traditë, detar i ndershëm i “Arbërisë” dhe i Flotës detare, baba i përkushtuar,
bashkëshort i dashur, mik i rrallë dhe qytetar model i Durrësit.
Njerëzit ikin, por kujtimi i tyre mbetet si drita e farit në mes të stuhisë. Do t'ia kujtojmë fizikun! Do t'ia kujtojmë atë bukurinë shpirtërore, me plot aromë miqësie dhe dashurie, që veçse Ali Kërtusha mund ta krijonte!
Deti do ta ketë gjithnjë pranë birin e tij, që nuk e tradhëtoi asnjëherë. Durrësi do t'ia ndjejë gjithnjë frymëmarrjen, pasi ia la si pasuri të çmuar. Durrsakët do t'ia dëgjojnë hapat, do t'ia kapin zërin, pasi vetëm kështu do të mendohet, se Ali Kërtusha është dhe do të mbetet tërë kohën pronë e tyre.
Ali, ti nuk je larguar!
Ti thjeshtë ke kaluar në një port tjetër, atje ku deti nuk krijon stuhi dhe zemrat nuk dhembin.
Edhe në parajsë Durrësin dhe durrsakët do t'i keshë pranë.
Familja do të të nderojë.
Miqtë do të të mbajnë gjallë në biseda, kujtime dhe histori.
Ti le pas atë buzëqeshje të paharruar, atë dashuri për Bardhën, Julianën, Bledarin dhe Esterinën, të cilët në asnjë rast, nuk do ta sosin mallin për të shtrenjtin e tyre.
Udhëtimi yt vazhdon, por tashmë me anijen e kujtesës, në kuvertën e së cilës ndodhet familja, shokët, miqtë, të afërmit, i gjithë qyteti, që e ka për nder të krenohet me ty.
U prefsh në paqe biri i detit, biri i Durrësit ku linde! Tani je vendosur përjetësisht, në atë tokë të ëmbël që e deshe tërë kohën.
I lehtë dheu Ali Kërtusha! Tashmë në paqen tënde të gjithkohshme.









Comments