top of page

BUJAR QESJA: Agim Bajrami poeti që i vuri detit shpirt dhe Çamërisë zërin

ree

 “S’dua të jem zë në erë, dua të jem gjurmë në mendje.”

-Në rrugën ku fjala gjen shtëpi

 

BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Ka njerëz që jetojnë me fjalën dhe ka të tjerë, që fjala jeton përmes tyre. Agim Bajrami i përket të dytës. Nuk është thjesht poet, as thjesht krijues. Është një frymë, një ritëm, një gjendje. Ndër ata njerëz, që i ka dhënë fjalës elasticitet, kujtesës gjuhë, vargut drejtim dhe Durrësit tjetër dritare nga ku shikohet deti.

Vjen prej rrënjëve që nuk i shkul dot as koha, as mjegulla e historisë. Vjen prej një toke të lagur me lot e krenari, prej atij dheu që quhet Çamëri, vend ku çdo gur flet, çdo përrua kujton një emër, çdo erë fryn një amanet. E megjithatë, kur mbërriti në Durrës, ishte si të hapej një kapitull i ri i epopesë së tij. Qyteti i lashtë, që di të presë me zemër deti e shpirt amfiteatri, ia shtriu krahët me butësi.

Dhe atë ditë, njerëzit panë jo thjesht një të ardhur. Panë një njeri që sillte me vete peshën e mallit, zërin e brigjeve të humbura, tingullin vajtues të fyejve çame që këndojnë edhe kur heshtin. Ecte në kalldrëmet e Durrësit, sikur të udhëtonte mbi një hark të padukshëm që lidhte dy brigje, atë që e humbi dhe këtë që i hapi shpirtin.

Në zemrën e tij ka një duel të heshtur: malli për atë që la pas…dhe mirënjohja për atë që e priti. E në atë duel, nuk u thye, lulëzoi.

E di fort mirë se Çamëria nuk është vend që e braktis, ajo të rritet në gjak. Dhe Durrësi nuk është qytet që të mban larg, të rritet në shpirt. Mes këtyre dy dashurive, ndërtoi jetë që nuk i ngjante askujt tjetër, të fortë si gurët e Konispolit, të butë si gjurmët e valëve të ngulura tek kodrat e qytetit. Të pathyeshme si legjendat e çamëve, të ngrohtë si mikpritja durrsake.

Në fytyrën e tij, koha gdhendi histori. Në zërin e tij, fjalët marrin zjarr. Në ecjen e tij, ka peshë që nuk të rëndon, por të ngren lart, si të ecje pranë një këngëtari epik, të cilit nuk i duhet as lahutë, as violinë, as skenë. Atij i mjaftonte të ishte Agim Bajrami.

Në mbrëmjet durrsake, kur deti dilte të flinte dhe zërat e qytetit treteshin, rrinte pranë dritares dhe shikonte horizontin. Nuk fliste. Nuk qante. Vetëm shihte. Edhe harrkat e zogjve, e kuptonin në heshtje se nuk ishte duke parë detin, por duke prekur me sy tokën e vet.

Dhe prapë…Nesër në mëngjes, zgjohej i qeshur. E mbante veten si mal. I drejtë, i pathyeshëm, burrëror. Një njeri që mban mbi sup Çamërinë dhe e çon në zemër të Durrësit, atë njeri nuk e përkul dot stuhia.

Në të gjitha gjurmët që la pas në qytet, në fjalët që tha, në dorën që shtriu, në mikpritjen që dha, në dinjitetin që ruajti, u bë një far i gjallë, një dritë që vazhdon të ndizet ende mbi ata që e njohin.

Është ura mes dy brigjeve. Është ai që bart mallin, por jep dashuri. Është ai që humbi një tokë, por fitoi një qytet. Është ai që kudo ku shkon, sjell me vete madhështi, pa e thënë me zë. Sepse madhështia e tij është  brenda, prej atij burimi të thellë që nuk shter.

Në dukje i qetë, i matur, i buzëqeshur. Në thellësi një shpirt që vlon, që mban brenda dhimbjen e hershme të Çamërisë, mallin e një fëmijërie të largët në Cërrik, ritmin e këngëve epike të gjyshes dhe ndjeshmërinë e një qyteti bregdetar ku deti nuk është vetëm element, por kujtim, strehë dhe frymëzim.

Agim Bajrami lindi më 22 shtator 1959, në Cërrik, por rrënjët e tij shkojnë më thellë, në tokën e humbur të Çamërisë, në shtegun e gjatë të historisë ku dhimbja, krenaria dhe identiteti janë endur si fijet e një motivi të lashtë. Ai është bir çam dhe këtë nuk e ka pasur kurrë dekor. E ka mbartur si gur të çmuar, si amanet, si pjesë të pandarë të zemrës.

Shpirti i heshtur i fjalës së bukur

Ka njerëz që flasin pak, por thonë shumë. Ka njerëz që ecin ngadalë, por lënë gjurmë të thella. Ka njerëz që nuk bëjnë zhurmë, por krijojnë botë. Agim Bajrami është një prej tyre. Si njeri është i përulur, i butë, me atë qetësinë që duket se e bart vetëm ai që ka parë shumë, ka ndjerë shumë, ka duruar shumë. Por në varg është krejt tjetër. I zjarrtë, i pashtruar, i hapur si deti në stuhi, i ndjeshëm deri në dhimbje dhe i sinqertë deri në rrënjë.

Është njeriu që sheh, dëgjon dhe ndjen. Pastaj pret. Pastaj shkruan. Dhe çdo varg i tij ka pjekurinë e mendimit, elegancën e shprehjes dhe thellësinë e përjetimit. Nuk ka aspak fjalë të tepërta në poezinë e Agimit . Çdo fjalë është enë ku ai hedh kujtimet, dhimbjet, shpresat dhe ëndrrat e veta.

I forti, i gjalli, i drithërueshmi

Durrësi e ka mënyrë të tijën për t’i pritur njerëzit. Nuk të pyet kush je, as nga vjen, por të sheh në sy dhe vendos nëse i përket. Dhe kur ai hyri në qytet, në mëngjesin që dukej sikur deti kishte larë me akull çdo grimë ajri, Durrësi  pa që kishte ardhur dikush, që mbante Çamërinë në shpinë si mal të shenjtë. Çamëria, vend i zërit që s’trembet, vend i burrave që bëhen këngë sapo lindin, i kishte falur këtë njeri që sillte në sy terrin e kujtesës dhe në buzë ndriçimin e përballimit. Ai mban të heshturën e gurëve çamë. Mban erën që rri pezull mbi Janinë. Mban atë zjarrin e fshehtë, që s’e shuajti as një shekull mërgim.

Durrësi nuk i shikon njerëzit me sy, por me zemër. I tejçon, i peshon, i zbulon. Dhe aty nisi ndërtimi. Jo i shtëpisë. I ndikimit. Nuk u ul në stol e të priste rastet. Jo. U ngrit në këmbë dhe nisi t’i krijojë rastet vetë. Dhe atëherë qyteti pa se çfarë kishte në dorë. Një mendje që e kapte hapësirën si rrjetë peshkatari, por nuk humbiste asnjë grimë detaji. Një fjalë që nuk dinte të përdridhet, po vetëm të ngrihej. Një forcë të brendshme, që i bënte njerëzit të mbajnë frymën pa e ndjerë.

Në këtë sfond Agim Bajrami, u bë pa e ditur pikë referimi. U bë orjentim. U bë rrezja e qartë, që të çon drejt portit kur deti trazohet. Njerëzit filluan ta ndjekin.Edhe kur ai nuk kërkonte ta ndiqnin. Autoriteti i vërtetë nuk thërret me zë, thërret me përmasë.

Dhe aty lindi magjia e vërtetë. Vargjet e padukshme që e ndiqnin pas sikur ishin frymë poetësh të lashtë, u lidhën me historinë e tij. Fjala iu bë si shpata e dritës.Argumenti si rrufe prej qielli të kthjellët. Figura si goditje e beftë, që s’të lejon t’i shmangesh.

Fliste, dhe dëgjohej, jo për volumin e zërit, por për peshën e mendimit. Dhe aty lindnin vargje që rrinë pezull si vela anijesh, që mezi presin të fryjë era.

“Çamëria më rri pas shpine,si hije që nuk largohet dot,por Durrësi m’i hapi krahëtdhe m’i ngrohu shpatullat e ftohta të mallit.”

“Erdha nga toka ku lahuta qan,por këtu gjeta detin që më qetësoi gjakun.Mes valëve e gurëve,mora frymë si për herë të parë.”

“Unë jam biri i dy brigjeve:i njërit që më mungon,dhe i tjetrit që më mbajti.”

Kjo është figura e tij e vërtetë. Njeri që vjen nga dhembja, por ecën me dinjitet. Njeri që vjen nga malli, por jep dashuri. Njeri që vjen nga një plagë, por shëron të tjerët.Njeri që ulet në qytet dhe e ngre qytetin më lart se ishte.

Durrsaku i adoptuar, poeti që deti e birësoi


ree

Poezia e Agimit vjen si zë i një brezi, që nuk e harron rrënjën. Motivet e Çamërisë tek ai nuk janë dekor folklorik. Janë frymë. Janë damar. Janë përbërje e shpirtit. Në shumë poezi, të duket sikur shfaqet hija e një fëmijërie ku përzihen zërat e gjyshes, tingujt e lahutës, baladat e trimërisë së humbur dhe detyra e heshtur për të mos harruar.

Edhe kur nuk e përmend Çamërinë me emër, ajo është aty në ritëm, në metaforë, në pulsime të padukshme, që lidhen nga një varg tek tjetri. Ajo është kujtim, por edhe mësim. Është dhimbje, por edhe krenari. Është e shkuara, por edhe detyrë e së ardhmes.

Durrësi nuk ka pak poetë. Por ka shumë pak të tillë që qyteti i ka ndier si të vetët, ia ka dëgjuar rrahjet e zemrës në varg dhe ia ka njohur hijen në breg. Agim Bajrami është bërë pjesë e Durrësit pa bërë zhurmë, pa zor. U bë durrsak natyrshëm, sikur e kishte pasur në ADN tokën e lashtë, bregun, dallgën, erën e kripur, muret e amfiteatrit dhe gurgullimën e portit. Në Durrës gjeti jo vetëm vendbanimin, por edhe portin shpirtëror. Poezia e tij u shtri, u qetësua, u thellua, u pjek. Këtu ndërtoi një jetë, një reputacion, një komunitet.

Krijimtaria toka ku ecën pa këpucë

“Romancat e muzgut”, “Arratisje pulëbardhe”, “Mbrëmje të puthura”, “Kohë që s’dashuron”. Tituj të dashuruar me ndjenjën. Poezi e mbështjellë me dritë dhe me pluhur ëndrrash. Vargje që nuk i përdorin metaforat si stoli, por si thelb.

Në poezinë e Agimit nuk ka asgjë të rastësishme. Çdo gjë është e menduar, e ndjerë, e kaluar përmes filtrit të ndjeshmërisë njerëzore dhe përmes hallkës së përvojës.Poezia e tij është e qartë, por e thellë, e butë, por e fortë, e përditshme, por mitike, intime, por universale.

E gjithë krijimtaria e tij e ka melodinë e vet,  melodinë e kujtesës. Melodinë e një njeriu që përmbledh në vete dy identitete: çamërinë dhe durrsakërinë, tokën e humbur dhe qytetin e gjetur, mallin dhe shpresën.

“Misionar i fjalës së bukur”

Kritikët e kanë quajtur: “Misionar i fjalës së bukur”, “Poet që e di se nga vjen, por nuk e harron se ku jeton”, “Njeri i heshtur me zë të fortë”. Kolegët e tij në Durrës e respektojnë jo vetëm për vargun, por edhe për karakterin. Është njeri që nuk ka delire. Nuk ka prirje për protagonizëm. Nuk ngutet. Nuk ngre zërin, por i njeh të gjithë. I dëgjon të gjithë. I ndihmon të gjithë.

Nëse do ta përmbledhim Agim Bajramin në një fjali, do të ishte kjo: poet çam që e solli rrënjën në breg të detit dhe e ktheu në lule fjale. Nëse do ta përmbledhnim në imazh : ulur pranë detit, duke parë horizontin me sytë e dikujt, që kërkon një tokë të largët dhe njëkohësisht e ndërton përditë një tokë të re në varg.

Dhe nëse do ta përmbledhnim në një jetë, do të Arrijmë të gjykojmë. Në fillim fëmijëria në Cërrik. Pastaj kujtimi i Çamërisë. Pastaj Durrësi. Pastaj poezia. Pastaj njerëzit. Pastaj misioni. Pastaj fjala. Fjala e cila do ta mbajë gjallë Agim Bajramin përmes brezave, ashtu si ai ka mbajtur gjallë kujtimet e të parëve të vet.

“Në gjakun tim ka një hije të lashtë,

por në Durrës gjeta dritën për ta parë.”

Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve  jo institucion, por frymë

Kur e mori drejtimin e Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, nuk u soll si kryetar. U soll si shtëpi. Sepse kjo është, në themel, mënyra e tij e të qenit: të krijojë hapësirë, jo të marrë, të nxisë, jo të ndalë, të hapë dyer, jo të ruajë çelësa.

Nën drejtimin e tij, shtëpia u kthye në vatër të vërtetë krijimtarie, jo klub formalitetesh. Prej tij, artistët prisnin më shumë se një mbledhje, prisnin gjallërinë e diskutimit, mendimin e kthjellët, idenë që vinte si dritë nga një qoshe e papritur.

Në takimet krijuese, nuk vinte për të imponuar, por për të pajtuar, për të forcuar, për të shtyrë përpara. Dhe kjo është arsyeja pse kolegët e respektojnë jo për titullin, por për mënyrën si e mban atë. Agimi është i thjeshtë. Nuk vesh kostum rëndues. Nuk mban kollare për t'u dukur. Nuk rri në podium për t’u lartësuar. Por kur flet, ka një aristokraci të heshtur. Një dinjitet që nuk blihet. Një maturi që nuk imitohet. Është “i urtë”, thonë të gjithë. Po edhe i mprehtë. Edhe humor të hollë ka. Edhe qartësi mendimi. Edhe buzëqeshje që të afron.

Nga një institucion që rrezikonte të kthehej në formalitet, krijoi ritëm. Nga një mbledhje që mund të ishte e vakët, krijoi vallëzim mendimesh. Nga një tavolinë e thjeshtë diskutimesh, krijoi qendër graviteti ku fjalët shkojnë vetë. Krijuesit e qytetit filluan të vijnë me dëshirë. Artistët e dinin se aty nuk gjykohesh, por dëgjohesh.Shkrimtarët e dinin se aty nuk ka pronar fjale, por bartës të ndershëm të saj.

“Në hapin tim mbaj dy rrugë:atë që lashë dhe atë që më zgjodhi.”

Agimi Bajrami nuk është thjesht një emër, nuk është thjesht kryetar i një shtëpie arti apo poet me vargje të bukura. Ai është frymë e një qyteti, lidhje mes kujtesës dhe të tashmes, energji që bën të tjerët të ndihen pjesë e një rrjedhe të madhe kulturore.

Dhe Durrësi e ngriti

Agimi nuk kërkon të ndrisë, po e bën qytetin të shkëlqejë, i jep njerëzve hapësirë për të ndjerë, për të menduar dhe për të krijuar. Malli për origjinën, dashuria për fëmijët, lidhja me Durrësin dhe pasioni për fjalën, bëjnë që çdo aktivitet i tij të dridhet nga energjia dhe sinqeriteti, duke lënë gjurmë të përjetshme në qytet dhe njerëzit që takon.

 “Njeriu s’ka rrënjë vetëm tek vendi ku lindi,por tek vendi që e ngriti.”

Dhe Durrësi e ngriti.

Bujar Qesja

Durrës: 2 dhjetor 2025

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page