top of page

Bota italiane




Përveç kumtesave, referateve e leksioneve në pjesën kontinentale të Italisë, kam dhënë mësim si i ftuar edhe në universitetet e pjesës ishullore të saj dhe pikërisht në qytetet Kaliari (Cagliari) e Kuartu Sant’Elena (Quartu Sant'Elena).

Në këtë kuadër, si studiues, shfrytëzova rastin të thellohesha në historinë e lashtë të popullit sard, në trevat e të cilit qytetërimi finiko-punik është dokumentuar gjerësisht e në mënyrë shkencore. Rrjedhojë e hulumtimeve të mia ishte përpilimi i një profili kronologjik mbi bazën e ndërthurrjes së të dhënave letrare dhe arkeologjike, që grumbullova në arkiva, biblioteka e muzeume.

Në arkivat e Kaliarit më ranë në sy njoftime mjaft interesante për banorët e Finikisë, me prejardhje semite, pra farefis me hebrenjtë, asirianët e arabët, që zinin zonën bregdetare të Lindjes së Mesme, nga Mali Karmel gjer në Lumin Oronte, pra Libanin e sotëm dhe Sirinë Veriperëndimore. Ishin bujq të zot, por fushat i kishin të kursyera. Kultivonin drithrat, perimet, ullirin e hardhitë në terraca, duke përdorur rrjete ujitëse. Finikasit përdornin një teknikë të posaçme për prodhimin nga molusqet të ngjyrës së kuqe të ndezur. Teknikën në fjalë e mbanin të fshehtë sepse u sillte të ardhura të mëdha nga pëlhurat e ngjyrosura me këtë të kuqe dhe donin të mbeteshin të vetmit prodhues të saj. Gjithashtu finikasit ishin të paarritshëm në përpunimin e metaleve, në ndërtimin e anijeve dhe në prodhimet e qeramikës. Megjithatë, finikasit “ia thoshin” më shumë se kudo, në tregti, me çka merreshin gjithkund, në Atlantik, në Detin e Kuq, por edhe në Mesdhe. Gjurmët e tyre të ndritshme i hasim fort shpesh edhe në Sardenjë.

Shpresoj që të mos e shtyj shumë kohën e shkrimit të një historie të shkurtër të Sardenjës nga periudha e parë finikase (shekujt XI-IX para Krishtit) e deri në ditët tona. Në këtë ndërmarrje shpresoj të kem ndihmën, - që nuk më ka munguar as edhe herë të tjera, - e princeshës Alberta Serluppi Kreshenci e sidomos të së bijës, të dyja me detyra të rëndësishme në arkivat e Selisë së Shenjtë. Familjen Kreshenci e respektoj edhe për bujarinë e pazakontë. Në një nga vilat hijerënda të shekullit XIII, që ka në pronësi në kërthizë të Romës, në Via del Seminario, numur 13, përballë Panteonit, më ka vënë në dispozicion një apartament luksoz, ku frigoriferi nuk zbrazet asnjë çast. Meqënëse aty banon krejt fisi Kreshenci, nuk më kanë lënë, qoftë edhe një herë, të mërzitem: me të dy djemtë e me dhëndrrin e princeshës, jo rrallë pimë nga një gotë. Por, nuk mund të harroj sidomos faktin që, në drekat e darkat zyrtare që shtrohen, nuk më lenë pa më ftuar. Aty më ka zënë veshi vlerësime mjaft pozitive për ish-ambasadorin shqiptar në Vatikan, doktor Jul Bushatin, vëllai i kolegut tim, të ndjerit inxhinier Salvatorit, kuadër i dalluar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Pò në fushën e dokumenteve historike, do të konsultohem edhe me dijetarin Françesko Guida, profesor në Universitetin Roma Tre, specialist në problemet e Evropës Juglindore, sidhe me gjeneralin Serxhio Pelagalli në Milano, ekspert i njohur në çështjet ushtarake, autor i një numuri të madh punimesh për lidhjet e marrëdhëniet ndërmjet ushtrive të vendeve të rajonit tonë gjatë kohërave. Si me Guidan, ashtu edhe me Pelagallin, jam njohur gjatë pjesëmarrjes së përbashkët në veprimtari shkencore të zhvilluara në Bukuresht.

25 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page