top of page

BOTA FËMIJËRORE – LAJTMOTIV QË FRYMËZON



Teuta Kadriu: “BOTA NË NJË ÇANTË”, vjersha dhe tregime për fëmijë, botoi SHB “Faik Konica” – Prishtinë, 2018

Xheladin MJEKU



Teuta Kadriu (1979), me paraqitjet e para në botën letrare u vlerësua ndër zërat që premtojnë, marrë parasysh trajtimin me pedantëri, deri në finesa, të gjithë lëndës poetike që e publikonte. Ajo, që në nismë me shkrimet e saj, kryesisht poetike, sjell pasqyrime të shumëta nga përditshmëria, duke i dhënë ngjyrime jetës së fëmiut, nxënësit, punëtorit, sportistit, etj. Një reflektim brilant në ambiente të fushëveprimtarive të saj si mësuese dhe pedagoge që sfidohet. Këto ndiesi i krijon edhe me librin me vjersha dhe tregime për fëmijë “Bota në një çantë”, që zgjon kërshërinë e lexuesit të vogël, deri në dashuri për të bukurën, për lulet, për qiellin e kaltër dhe librat që farfurijnë hapësirës qiellore, gjithandej kah fluturon imagjinata e fëmiut. Autorja, pedagoge nga profesioni, edhe në krijimtarinë e saj letrare reflekton po atë mesazh, me këshilla e udhëzime, që pasqyrojnë një frymë të suksesshme edukativo-letrare.


Kur vargjet krijojnë emblemën e jetës


Pas leximit të vëmendshëm të përmbledhjes me vjersha dhe tregime për fëmijë “Bota në një çantë, do të shpalos sa më afër vlerat që sjell fjala e bukur letrare-artistike gjithandej kah ndihet fryma e jetës së fëmijëve, që mbushin jetë shkollën, fushën e lojës, shetitoret e çerdheve, e deri tek ëndrrat e bukura që ua trasojnë rrugën e lumturisë. Mbi bazën e këtyre pasqyrimeve kaq të bukura ndërtohet e gjithë lënda poetike dhe shpalosen rrëfimet tregimtare të këtij libri, që autorja e ka ndarë në dy kapituj, ku poezia shtrinë krahët në arenën e lojë-fjalëve “Duam topin nga qielli”, me tufën e mbi dyzetë vjershave, për t’i dhënë hapësirë pastaj dhjetë tregimeve, poaq të bukura e të realizuara në pjesën e dytë “Kopshti i fluturave”, që përbëjnë tërësinë e margaritarëve që rrezatojnë vlera nën kupolën e këtij libri të mirërealizuar.

Teuta Kadriu ka bërë një punë të vyer në harmonizimin e lëndës poetike, që me një përcjellje të kujdesshme hetohet një lidhshmëri tematiko-motivore, për të krijuar kështu funksionalizimin e ngjarjeve nga bota fëmijërore si një veprim i pashkëputur i ngjarjeve dhe veprimtarive të tyre, në veçanti, por asnjëherë të shkëputura nga ambientimi me jetën e përditshmërisë mes prindërve dhe fëmijëve, mes nxënësit dhe mësuesit, lojës dhe këngës, etj.

Në dialogun mes “Dy shqiponjave”, me të cilën vjershë fillon libri, autorja do të sjell në kujtesë rëndësinë e bashkimit kombëtar, që pastaj të veprohet shlirshëm në gjithë hapësirën ilirike me jetën normale, me mësimet, me lojën dhe gëzimet e jetës.


“Fluturojmë s’bashku,

Gjithandej trojeve tona,

Se kufinj mes Arbërisë

S’duron dot shqiponja!


Një shpirt e dy krena

Rrijnë bashkë në flamur,

Kosovë e Shqipëri,

S’jetojnë të ndara kurrë!”


(“Dy shqiponjat”, fq. 8).


Imagjinata krijuese e Teutës, sikur lundron detit të paanë në gjetjen e temave, duke u dhënë karakteristikat e veçanta, si në vjershën tjetër, ku bilbilat do të bëhen pjesë e gëzimit të nxënësve në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor: “Nuk ua morëm këngën/ Lëre larg trishtimin,/ Sot është Një shtatori/ Do fillojmë mësimin” (“Një shtatori”, fq.9). Një gjetje e mirë e ballalfaqimit të bukurive të çastit, ku zëri i bilbilave dhe ai i shkollarëve krijojnë ambiente të këndshme në ditë të veçantë. Një paraqitje tjetër e takojmë edhe te “Risoni dhe xhaxhai”, ku befasia e saj është shprehur ndryshe: ”-Do shkoj që me ag,/ Me xhaxhin t’ha mëngjes,/ Pastaj do t’i biemë bashkë/ Botës mes për mes” (po aty, fq.11). Ky shpjegim i Risonit për babain në fillim mbetet enigmë, meqë ai nuk e kupton atë udhëtim që do të marrin djali dhe vëllau i tij. Por, kjo enigmë nuk do të zgjasë shumë, sepse Risoni shumë shpejt ia rikujton se ”Xhaxhi është mësues historie!” dhe me tregimet e tij do ta shëtisim botën përmes ngjarjeve e trimërive të treguara nga ai.

Poashtu, një veçanti tjetër vjen përmes kërkesave të fëmijëve në vjershën “Duam topin nga qielli”. Imagjinata e fëmijëve këtu del e saktë. Ata kërkojnë top krejtësisht tjetër, jo nga ata që blihen në dyçanet e lodrave.


“-Ne nuk duam top

Që sjell nga qyteti!

Duam topin e madh

Ta zbresim nga qielli!”


(Po aty, fq. 22)


Pikërisht ky është qëllimi i autores, që sa më shumë ta pasqyrojë shumëllojshmërinë e dëshirave, kërkesave dhe synimeve të fëmijëve. Ata kanë horizonte të gjëra dëshirash, sa edhe vetë hapësirat qiellore, prej nga duan ta zbresin edhe hënën. Në këtë mënyrë e shtron tematikën e botës fëmijërore, që është përmbledhur në ciklin e vjershave me të njëjtin titull, ku defilojnë ngjarje nga më interesantet, që si tërësi e përbëjnë universin e botës fëmijërore, për të cilin nuk rresht së kërkuari fjalët dhe vargjet më të ëmbla, që zgjojnë kërshërinë e lexuesit të saj.

Bota fëmijërore është krejtësisht ndryshe nga përditshmëria jonë që e jetojmë. Këtë mund ta kupton më së miri nëna, mësuesja, edukatorja dhe vetë fëmijët. Çdo kërkesë e tyre është e arsyeshme, sepse ata dijnë ta thonë veç atë që e ndiejnë, atë që u mungon, apo atë, për të cilën kanë nevojë dhe e shprehin me gjuhën dhe mimikën e tyre. Edhe atëherë “Kur thërrasim nanë”, ata dashurojnë pa hile dhe ndiejnë ngrohtësi nga zemra, por edhe kur kanë probleme me dhëmbin, ashtu si do ta shprehte edhe Bulëza, derisa ishte duke ngrënë ëmbëlsirë dhe e vë re se po i lëvizë dhëmbi. Kurreshtare të mësoj më shumë për dhëmbin, ajo kërkon këshilla nga gjyshja dhe nga nëna, e cila do ta këshillon: “-Dhëmbët sërish të dalin,/ Të bardhë dhe më të mirë,/ Por duhet kujdesur/ T’i pastrosh me dëshirë!” (“Dhëmbi i Bulzës”, fq.14). Po këto këshilla i japin edhe mësuesit në shkollë. Autorja këtu ka rolin e dyfishtë, poaq sa është edhe misioni i saj.

Botë e larmishme e fëmijëve është përplot mrekulli, ku ata shpërfaqin dëshirat e tyre për lojërat me top, për macet, qentë; tema këto që trajtohen në disa nga vjershat e këtij libri. Ata i gëzohen “Bredhit të Vitit të Ri”, pastaj “Qenushëve të Lizit”, por edhe me befasitë që takojnë te “Drini dhe qeni i tij”, “Macet mbi çati”, “Luani luan me luanin”, “Tomi dhe Xheri”, etj. Interesante do të vijnë edhe shumë zhvillime tjera, si loja me topa, befasia gazmore që do ta krijonte “Byreku i Herës”, etj.

Në çste të ndryshme ndodhin edhe veprime që nuk përkojnë me lojën, si në vjershat “Poezi ngatërrestare” dhe “Gjimnastika e Gencit”, ku autorja trajton disa vese të fëmijëve, që do të kuptohen pas një leximi të kujdesshëm, për të mësuar se jo gjithmonë ka veprime të mira në shkollë, por përkrahja e mësueses dhe shokëve do të ndikojnë në përmirësimin e veseve dhe do të krijojnë mundësitë që protagonistët e këtyre veprimeve t’i kthehen jetës normale në mesin e shokëve, për t’u dëshmuar pastaj si shembuj për mirë.

Shkolla, si njëra ndër vendqëndrimet kryesore të nxënësve është trajtuar në disa nga vjershat, ku shtjellohen ngjarje e data të ndryshme, që simbolizojnë zhvillimet e pandalura të jetës dhe edukimit të brezave (“Yje të ardhmërisë”, “Korça e krenarisë”, “ABC-ja”). Aty gjejnë trajtim edhe tema të konkretizuara me përditshmërinë e mësimit, me sukseset që do t’i gëzojnë prindërit (“Dhuratë mbi dhuratat”, “Pesa”). Në pyetjen kurreshtare të gjyshes: “Ç’ke kështu o Liz,/ Çfarë të duhet ajo çantë”, nipi i saj do t’i përgjigjet me po aq përpikmëri:


“Gjyshja ime e dashur,

Çdo ditë shkoj në shkollë,

Çanta ime magjike,

Brenda ka të tërë një botë.”


(“Bota në një çantë, fq. 43)


Për ta sqaruar pastaj një për një gjithë rëndësinë e mjeteve që bart në çantën e tij, për rëndësinë e librave që i mësojnë gjithçka në jetë, që pastaj të del shembullor në mësime.

Derisa “Zanat pikturojnë stinët”, “Fluturat pikaloshe ia shtojnë lojës bukurinë”, çfarë ndodh me takimin e Shkumbinit me lumin me të njëjtin emër, do të kuptoni në vjershën “Lumi dhe Shkumbini dy miq si floriri”. Mes të bukurës dhe dëshirave qëndrojnë edhe vjershat “Janari fiton garën”, “Lulet na mrekullojnë ditën”, “Nis me këngë bilbili”, “Qershori këngës ia mori”, “Mrekulli madhështore”, etj.

Edhe vjersha e radhës “Kanarina me violinë”, që me muzikalitetin e saj do të mbetet e përhershme në kujtesën e fëmijëve duke u kthyer në këngë, sjell kënaqësinë e leximit, duke bërë që vargjet e saj tashë mrekullojnë si edhe vetë kanarina. Një krijuese e suksesshme që bën të flet e të këndoj vargu i saj nuk ka si të mos admirohet për punën përkushtuese që bën.

Është për tu vlerësuar Teuta Kadriu, për mënyrën e trajtimit me përkushtim të shumë ngjarjeve, fenomeneve dhe situatave që takon, duke u dhënë ngjyrim të saktë kohor dhe ambiental, për të sjellë këtu botën magjepse të fëmiut edhe përmes këngëve e lojërave (“Ninulla e parë”), pastaj lapsi i saj “Me vëmendje i përcjell/ Të gjithë fëmijët e botës”, për të mësuar për sukseset dhe fitoret e tyre (“Kur vështron hëna”). Të shumta janë dëshirat e fëmijëve, që asessi të përmbushen plotësisht, por disa prej tyre janë motivuese për suksese të reja (“Të bëhem si daja”), pastaj krenaria e fëmijëve për prindërit, gjyshërit, etj. ua shtojnë dashurinë edhe për mësime (“Gjyshja dhe mbesa”).

Ndonëse ka prekur e trajtuar shumë momente të jetës së fëmiut, ka dhënë këshilla të shumta përmes vargjeve të saj që kanë vlera edhe pedagogjike, Teuta Kadriu nuk ndalon të shkruaj edhe më tutje. Vjersha “Lojës ia fal buzëqeshjet” shpalos fuqishëm synimet e autores që për asnjë çast nuk do të ndaloj së shkruari e krijuari sa më shumë vjersha e tregime me vlera të lakmuara për të përquar mesazhe të reja pë fëmijët, dashurinë prindore, për mësuesin dhe të gjitha veprimtaritë që e begatojnë jetën e tyre, ku, siç e shpreh edhe në vargjet: “Lojës i fal ngapak dashuri,/ prindërit t’i duam përgjithmonë!”, (po aty, fq. 56), për të kujtuar edhe dashurinë për lojën, për rrezet diellore që ndriçojnë gjithçka, për fëmijërinë e lumtur, me urimet “Të buzëqeshur jetën t’na trasojnë”.

Çka fshehin në brendinë e tyre dhe çfarë janë porositë edhe nga vjershat tjera, si: “Ora”, “Kapela”, “Roboti”, “Lapsi”, “Goma fshin gabimet”, etj. që nuk i shpalosëm këtu një për një, do të ishte me interes t’i dëgjojmë nga goja e lexuesit të vogël, i cili në këtë rast është kritiku dhe analizuesi më i saktë, meqë ai i shpreh mendimet ashtu si i kupton dhe i përjeton vetë, pa u ndikuar nga faktorë tjerë.


Tregimi – lajmëtar i një emri që premton


Teuta Kadriu është sprovuar edhe me tregimin për fëmijë, duke ndjekur rrugën e nisur më parë me krijimin e vargjeve të bukura dhe të suksesshme. Ajo, edhe në këtë gjini letrare trajton ngjarje e tema nga përditshmërie e fëmijëve, për lojërat dhe elementë tjerë që e pasurojnë intuitën e tyre imagjinative. “Kopshti i fluturave” është pjesa e dytë e këtij libri me vjersha e tregime, ku defilojnë gjithsej dhjetë tregime, për të sjellë dhjetë befasi, e për të plasuar dhjetë kënaqësi leximi që do t’iu mbesin gjatë në kujtesë fëmijëve.

Ndryshimet e mëdha në teknologji kanë ndikuar dukshëm edhe në jetën e njeriut. Këto ndryshime i kanë prekur edhe fëmijët, sidomos ata për të cilët nuk është krijuar kujdes i mjaftueshëm në edukimin rreth përdorimit të këtyre mjeteve, që nganjëherë dijnë të shkaktojnë edhe problemme të jashtëzakonshme, frikë e pasiguri në përditshërinë e tyre. Një veprim i tillë do të trajtohet në tregimin “Kur mposhtet frika”, që vjen si mesazh i fuqishëm për prindërit, që të kujdesen për fëmijët e tyre në çdo kohë. Por cila është “Mbretëria e pemëve”, do të kuptojmë kur të ndodhemi në një kopsht me pemë e perime, ku personazhet janë ndërlidhur në dialog të mirë bashkëveprimi. Këtu krijohet përshtypja se ndodhesh në një botë interesante, ku çdonjëri nga protagonistët paraqet botën e vet me vlerat që ka, për të përmbyllur rrëfimin me ndarjen e roleve dhe detyrave që zotërojnë. Kështu, Rrushi do të caktohet në detyrën e Mbretit, për të vazhduar pastaj me “Mollën përgjegjëse për shëndetin, Dardhën për bukurinë, Ftoin për qëndrushmërinë etj.” (po aty, fq. 63). Këtu gjejmë një këshillë dhe një sugjerim që të marrim sa më shumë fruta, sepse aty kemi shumë vlera ushqyese dhe të dobishme për ruajtjen e shëndetit.

Por, nuk mbarojnë me kaq mrekullitë e rrëfimeve të Teuta Kadriut. Ajo në vazhdimësi do të sjell tema e ngjarje shumë interesante dhe të realizuara. Të tilla, si: “Ujku doktor”, “Kur vonohet dimri”, “Nxënësit në piknik”, “Shkolla e re”, “Peshku që u bë kopshtar”, etj. trajtojnë laryshi temash e ngjarjesh që për kërshërinë e fëmiut flasin shumë. Edhe tregimet “Hana arkitekte” dhe “Galaktika” veçohen për realizimin letrar dhe për temat që trajtojnë.

Si përmbyllje e këtyre rrëfimeve të bukura vjen “Kopshti i fluturave” ku ndodhin befasitë. Aty krijohet një miqësi mes fëmijëve dhe fluturave që do të rrezatojë mrekulli. Në realitet kjo ndërlidhje vjen si mesazh i mirë për dashurinë mes të bukurës dhe vlerave, si një rrjedhshmëri e pashkëputur gjithandej në familje, në shkollë, në kopsht, pastaj në ambiente të tjera, si në piknik me nxënësit, në kopshtije, etj.


Jeta në vargje e fjalë


Teuta Kadriu ka përmbushur me sukses një mision të dytë me krijimin e një vepre artistiko-letrare shumë të këndshme për të vegjlit. Loja imagjinative me vargje e fjalë, me rrëfime e vlera e dëshmon punën e saj përkushtuese që të ndodhet sa më afër botës fëmijërore, edhe në frymën e edukimit përmes të bukurës artistike. Ajo tashmë mund të konsiderohet emër që lakohet në disa dimensione: si pedagoge, krijuese dhe, mbi të gjitha emër që meriton të vlerësohet.

Një lexim i vëmendshëm i këtij libri shpërfaq shumë elementë pozitiv që e bëjnë të pranueshëm dhe të dëshiruar për lexuesin, duke u mbështetur në trajtimin tematik, në leksikun e pastër dhe kapjen e ngjarjeve me delikatesë.

Ky libër me vjersha e tregime për fëmijë, falë vlerave letrare që ka, meriton të lexohet, madje edhe të rilexohet në një rast të dytë.

109 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page