top of page

Bilbili dhe Bulkthi


Bilbili dhe Bulkthi


Fatmir Terziu


Bilbili dhe Bulkthi themi se jetuan. Eh, jetuan, sikurse një faksimile e mbetur në llogarinë e inventareve ideo-kulturore ka lënë të shkruar: „Jetuan të gëzuar në një trung. Trungu kishte mbetur në një moçal. Moçali ishte në mes të dy lumenjve. Lumenjtë quheshin: Lumi Shqiti dhe Lumi Karpi.“

Të dy, Bilbili dhe Bulkthi kishin dy miq të mirë. Miku i parë i tyre ishte Lerku. Lerku ishte urith mashkull. Ai kishte një bisht të prerë dhe kishte shtëpi në Lumin Shqiti. Miku i dytë ishte Zverdhku. Edhe Zverdhku ishte urith, por tashmë anonte nga gjinia femërore. Ndaj preferonte ta quanin Zverdhkja. Zverdhkja ishte me një sy dhe jetonte në Lumin Karpi.

Një ditë Bilbili, pasi çukiti në trungun në mes të moçalit, zgjoi Bulkthin. Në zgjim e sipër i afroi Bulkthit me zërin e tij të hollë e të përkor një melos popullor. Ka ardhur koha që ti dhe unë, Lerku Lumin Shqiti, dhe ZverdhkuLumin Karpi, të realizojmë një muzikal të paparë për të gjithë banorët e kësaj ane.

Bulkthi gumëzhinte i emocionuar. Pastaj bëri sikur pushoi gumëzhimën dhe e pyeti Bilbilin se çfarë kishte në mendje.

„Kam dëgjuar“, tha Bilbili, se ka një Çafkë që jeton pranë rrjedhës së lumit, se po investon në një sallë të madhe koncertesh. Për shkak të moshës së saj të madhe, ku duket se ka dalë në pension, ajo po mbledh, kërkon, e rrëmon gjithandej të realizojë këtë sallë, të cilën kam mësuar se e ka pasur ëndërr që nga mosha e saj e rinisë, kur ajo synonte të bëhej këngëtare e madhe. Ndaj mendova se ti dhe unë dhe Lerku me bishtin e prerë dhe Zverdhku me një sy mund të gjenim një plan për të marrë bashkërisht iniciativën të bëjmë koncertin e parë në atë sallë.

„Sa ide e mrekullueshme“ i tha Bulkthi, Bilbilit, „jam i gatshëm, që të shkojmë të thërrasim miqtë tanë, Lerkun dhe Zverdhkun dhe le të fillojmë pa u ndier përgatitjet tona“.

Kështu Bilbili dhe Bulkthi u nisën për të gjetur Lerkun që kishte shtëpinë në Lumin Shqiti dhe Zverdhkun që jetonte në Lumin Karpi. Pasi i gjetën, u shpjeguan atyre, se ishte një Çafkë që kishte filluar të bënte një sallë të madhe rreth kthesës së Lumit.

Lerku që kishte shtëpinë në Lumin Shqiti dhe Zverdhku që jetonte në Lumin Karpi, thuajse me një dëgjim, treguan se nuk kishin problem për t'u bindur. Të gjithë ranë dakord të fillonin përgatitjet në një thellësi të padukshme në trungun në mes të moçalit. Dhe vendosën që përgatitja e tyre të merrte drejtimin.

Lerku me bishtin e prerë i tha Zverdhkut me një sy: „Ne kemi nevojë që dhe pse je me një sy që ti të jesh udhërrëfyesi ynë në këtë projekt të madh, pasi provat do t'i bëjmë në errësirë të plotë, që të mos na shikojnë e diktojnë planin tonë“.

Zverdhku, me një sy, i tha Lerkut me bishtin e prerë„ne kemi nevojë që ju të mbani e ndihmoni boshtin e këtij projekti, duke punuar së bashku për të mbajtur fort ekuilibrin e projektit tonë, edhe pse ekuilibri juaj jo pak herë tregon se është i destinuar të vuaj“.

Miqtë u nisën për në qytetin Qiti, që ndodhej afër Lumit Shqiti. Rruga ishte e gjitha e ujshme. Kërcenin në sy e ndër sy me britma shtazore bretkoca e qënie të shumta ujore. Ky ishte një shqetësim. Dukej qartë se ishte më shumë se një sfidë ky udhëtim. Dhe ja, nga një Rrap Madhështor ndanë rrugës kërceu furishëm një Levrek, i cili jetonte edhe ai në një trung në mes të moçalit. Levreku kërceu dhe kërciti me shumë teksa hidhej nga shtrati i Rrapit të gjendej mes zambakëve të vendosur si me dorë në strehëza zambakësh të shkulura forcërisht nga Liqeni i Praptë, ku kishin ngritur shtëpitë e tyre për të jetuar, një duzinë Minjsh të një race të deformuar në një mori laboratorësh të ndërtuar me forcat e veta.

Bulkthi gumëzhinte i frikësuar duke u mbajtur fort mbi shpatullën e majtë të Bilbilit, që tashmë nuk kishte më asnjë arsye që t'u thoshte miqve të vetë se ishin destinuar të zhyteshin në ujësinë e moçalit e të mos dilnin nga aty përjetshëm. Po si do t'ua thoshte? Më mirë do të ishte të dëgjonin me veshët e tyre, të shikonin me sytë e tyre, e të mbaheshin me bistin vetë. Por ja, që kishte njërin me një sy, e tjetrin me një bisht. Dhe kështu e kishte mjaft të vështirë të fliste e të sqaronte atë që po ndjente, shikonte dhe parashikonte lirisht.

Sidoqoftë foli. Më duket se po shkojmë në hell. Shoh që ata minjtë e e atjeshëm po mbledhin vrere. Dhe …, dhe po shpëtuam dhe këtë herë, për ne të gjithë do të jetë një tjetër jetë me vlerë. Ne do të këndojmë me lirinë tonë, do të jemi vetvetja, dhe brezat që do të na pasojnë do të na bekojnë.

U shkund dhe pa se dikush ia kishte shtrënguar fort shpatullën e djathtë. Buzëqeshi paksa, se fundja kishte tashmë një arsye për të buzëqeshur dhe…, dhe ja e ndjeu dorën e tij mbi shpatullën e djathtë akoma më të fortë. Pastaj dëgjoi një zë që i vinte nga larg, pikërisht aty ku i kishin ngrirë sytë mbi Moçal: „Ne kënduam, kënduam me zemër e me pak fjalë, por mbetëm me ëndërra në atë Festival. Sidoqoftë kënduam, edhe pse Çafka na e mbylli atë sallë. Kjo që po shikon, që ndjek me sy, që të përhumb në këtë Moçal, nuk është thjesht një memorje katrahurë, edhe pse shkëlqen në këtë karikaturë“.

30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page