Bilall MALIQI: NJË POEMË ME GJETJE INTERESANTE DHE TËRHEQËSE PËR LEXIM
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 3 min read

1.
Libri më i ri “Udhëtimi i Karvanit” (Shkrimtarët për fëmijë nga Kristoforidhi e deri më sot) i poetit dhe studiuesit të njohur për fëmijë, prof.dr. Xhevat Syla, është një prurje e re në letërsinë tonë, e sidomos në atë për fëmijë, duke u nisur nga gjetja motivuese e profesorit, për t’i vargëzuar një numër të konsiderueshëm të poetëve (181) që shkruajnë kryesisht për fëmijë, e disa të tjerë të dy ligjerimeve poetike, duke ua kushtuar nga një strofë katrena të pajisur me rimë m’u ashtu siç e duan fëmijët , rimën muzikalitetin, figurshmërinë dhe kuptimshmërinë e vargut.
Kur themi se është një libër i veçantë, atëherë thirremi në gjetjen motivuese të autorit që pjesë të udhëtimit të Karvanit të jenë shkrimtarë të dëshmuar të letrave shqipe, të cilët janë të njohur tanimë me shkrimet e tyre si në poezi, po ashtu edhe në prozën e shkurtër dhe të gjatë (roman) për opinionin e sidomos për fëmijët në përgjithësi. Autori i kësaj poeme sigurisht se i ka lexuar dhe ua njeh krijimtaritë poetike e letrare të prezantuarve në poemën e tij, në disa ka qenë redaktor a recensent apo redaktor gjuhësor, e disa të tjerë i ka lexuar qoftë nëpër biblioteka, qoftë në shkëmbim të librave, prandaj i ka lindur ideja që të bëj një libër të këtij formati, libër interesant dhe tërheqës për lexim.
2.
Duke e ditur mirëfilli se autori i librit është studiues i letërsisë, poet i dëshmuar dhe kritik me nam dhe serioz, ka ditur me kompetencën e tij t’i përzgjedh këta emra, të cilët kanë lënë gjurmë (ata që nuk janë më) dhe ata që do të lënë gjurmë në letërsinë tonë me përpjekjet e tyre që me shkrimet të jenë të dashur, të lexuar nga fëmijët dhe të dëshmuar nga kritika letrare, prandaj për të gjithë këta emra që nga Kristoforidhi i madh e deri krijuesja më e re e kësaj poeme, Dea Halimi, ka bërë një rrugëtim të gjatë poetik nëpër emra, duke ua kushtuar nga një strofë katrena, strofa këto të rimuara me kujdes, me kuptimshmëri dhe me gjetje interesante të fjalëve nëpër vargje, prandaj kjo poemë ka një vlerë të lartë artistike, duke u nisur nga ndërtimi i vargut me mjete poetike, pajisja me figura stilistike dhe veçantia e ndërtimit të kësaj poeme.

3.
Vetë titulli i librit (poemës) tregon qartë rëndësinë e Karvanit Poetik nëpër shkolla në mbarë Kosovën, ku poetët janë ballë për ballë me fëmijët e grupmoshave të ndryshme, njëjtë siç janë edhe vjershat e poetëve për grupmosha të ndryshme të ciklit të ulët klasor. Ky rrugëtim i Karvanit ka karakterin edukativ dhe nxitës për fëmijët për t’u marrë aktivisht me shkrime e që në të ardhmen të bëhen pjesë e këtij Karvani të suksesshëm poetik.
Kur jemi te poema dhe te strofat e përkushtuara poetëve të zgjedhur me kriterin e këtij studiuesi të zellshëm, produktiv dhe profesional themi se për bazë ka marrë poetët jo për nga sistemi alfabetik, por për nga mosha nga më i vjetri i kësaj poeme, poeti i madh Kristoforidhi, duke rrugëtuar kështu nëpër poetë të kohëve të ndryshme, me vargje figurative e mbresëlënëse deri te poetja më e re e kësaj poeme, Dea Halimi.
Dihet mirëfilli se rima në një masë të madhe ja kufizon mendimin poetit, pastaj edhe shëtitja nëpër personalitete e figura poetike të poetëve të pranishëm, po ashtu nuk është e lehtë, por këtu kemi të bëjmë me një studiues që e njeh me rrënjë letërsinë për fëmijë, e shkruan bukur poezinë për fëmijë, prandaj as rima dhe as ndërrimi i poetëve nëpër strofa nuk i kanë nxjerrë telashe autorit, porse me dashuri dhe me përpikëri i ka vargëzuar poetët, duke u shëtitur e shërbyer nëpër tituj të librave të tyre të dashur dhe të afërt për fëmijët.
4.
Libri nis me fjalën hyrëse të autorit, pastaj poezinë/ Shkrimtarët për fëmijë/ poezi kjo si në vend të prologut, ku ndër të tjera përmes vargjeve shprehet:
“I kemi përherë në kujtesë
Emra që kurrë s’i harrojmë,
Me dashrui e respekt të thellë
Gjithherë i kujtojmë”
Pra, me këto vargje poeti porositë lexuesin se emrat e poetëve duhet t’i mbajmë në kujtesë, së lexuar të librave të tyre dhe kurrën e kurrës nuk do t’i harrojmë…
Dhe me poezinë/ Krejt në fund/ poezi kjo si në vend të epilogut, poeti shprehet:
“Këto vargje m’i falën kujtimet
Me admirim e dashuri,
Shkrimtarët për fëmijë nuk harrohen,
Jetojnë në përjetësi”.
Libri përfundon me pasthënien e tij, ku thotë se/ Ky Karvani nuk ndalet/ por do të vazhdojë rrugëtimin e tij të përjetshëm.
Ky libër me vlerë, është si një lloj Antologjie vargëzuese për të gjithë këta poetë të vargëzuar nga autori dhe mendojmë se ky libër duhet të futet në lekturë (qoftë ndihmëse) shkollore për fëmijë, dhe se ky libër i veçantë do t’i bëj nderë letërsisë shqiptare për fëmijë.









Comments