top of page

BEKSHIU I PIQERASIT


Miho Gjini "Mjeshter i Madh"

BEKSHIU I PIQERASIT


Nuk e di nëse e ka apo jo, fjalori ynë, spiegimin e kësaj figure njerëzore që ruante dikur pronën e fshatarëve të mi, si gjënë më të shenjtë, pas kishës e Manastirit të Kremesovës, atje lart, afër qiellit. Dhe qe njeriu më i besuar, më i urti e i drejti, si të ishte gjykatës i ndershëm e i paanshëm.Dhe e kishte për nder kur asgjë nuk prekej, nuk vidhej e shkelej. Gjithçka qe e të zotit dhe e Perëndisë. Mirëpo, kjo kohë i përkiste periudhave më te vjetëra të historisë e të shoqërisë dhe ndruhem se do na i marrin për ters shëmbëlltyrën e levdatën për të! Për të vetmen arsye që fjala Bekshi, e mbetur që nga Turqia do të thotë "Roje i Arave të Miletit!" dhe kur sot, nuk ka më roje, as "ara të fiksuara me ferman", ndërkohë që "mileti ka marrë arratinë, nëpër botë! Po përse e kujtojmë përsëri këtë figurë në fshatin tënë, pasi kemi folur edhe për kulturën e qytetërimin e njëhershëm, që e sillnin kurbetllinjtë që venin e vinin nga detrat e steretë e largëta, për këngët e vallet që gjëmonin në sheshin me pllaka guri, në Pashkën e Madhe e në Pashkën e Vogël të Gushtit, për shtëpiat dy katëshe prej guri, mbuluar me çatitë e kuqe që ndërtonin, për brezaret shekullore të ullinjëve e të agrumeve qe i ngritën etërit tanë me thonjë, si edhe për ujësjellësin e lashtë që furnizonte me ujin e pijshëm të Bunecit varkat dhe anijet e shumta, tona e të huaja?! Sepse, është bërë për turp që ta themi këtë gjëmë që ka ndodhur, me zë të lartë: MASAKRËN E PRONËS,zhbërjen e saj, tjetërsimin, bile edhe shkatërrimin. Agrumet shkojne drejt zhdukjes , ndërsa ullinjtë janë bërë pre e hajdutërive dhe e njerëzve më të pandërgjegjshëm që i gjymtojnë, i sakatojnë e i presin rëndshëm, gjoja "për krasitje", persona aspak specialistë(!), vetëm për dru zjarri, duke harrur se me to, me vajin e ullirit fshatarët e mi risnin fëmijët e mbanin jetën gjallë. Kur, brenda fshatit kishim edhe 14 qendra artizanale, lutërvi që bënin vajin dhe kur gjatë dimrit këtu, mbushej fshati edhe me punëtorë me mëditje, kryesisht nga gegëria, që vinin e ndihmonin në shkundjen e transportin e tyre, ndërkohë që ishte krijuar tashmë edhe kjo figurë besnike dhe fisnike:BEKSHIU, që ruante fshanë dhe pronën e fshatarit. Pa qenë nevoja për policë e "më the e të thashë"!. Atë e zgjidhte dhe e vinte në krye të kësaj pune të domosdoshme, vetë fshati dhe e paguanin vetë fshatarët, që të mos humbiste asnjë kokërr ulliri.

Miku im i moshuar, Vasil Gjivogli, që ka shkruar edhe 10 libra me gjëra të mençura , fabula, vjersha satirike, proverba, gje e gjëza dhe ka mbledhur me kujdes folklorin e vendit, i cili për të 365 ditët e vitit, i përket vetëm Piqerasit, më thotë se kur binin kokrrat e ullinjve të tjetrit në pronën a oborrin tim nuk i prekte askush, po thërriste të zotin të vinte t'i gjuante,,,Dhe se, i gjithë Bregdeti në të djeshmen e të parëve tanë, kishte vetëm një xhandar që vinte rregull e drejtësi dhe , kur qëllonte që dikush "vinte dorë" mbi pronën e popullit, vidhte e vriste, vepronte ligji më i rreptë, deri në varrje tek lisi. Siç u bë me Muslli Çorrin, që vate vodhi Neço Gjonin të sapo kthyer nga Amerika , në tridhjetën, në pragun e martesës së tij, kur e diktuan dhe bëri edhe vrasjen më makabre që i ka ndodhur këtij fshati të bekuar. Ndaj ai shfleton librin e tij "Thesari" e më lexon porosinë që dha Gjoleka: " O Muslli, o tungjatjeta,/Të dërgon një fjalë Gjoleka/ Të të të varë në lis me dega!...", Si edhe më pas, vajin e së motrës , kur e pa të vëllanë të varur për atë krim tronditës, për gjithë Bregdetin, me këto fjalë:" O Muslli, more vëlla,/Nuk kamte se si të qa/S'vrave burra, vrave gra!..." Po ky kriminel e hajdut, qe e mbante fshati me punë e bukë, gjeti atë që kërkonte:fundin e tij të mjerë, me lemeri! Dhe që nga ajo kohë, ra një qetësi e madhe e u vendos rregulli më i ndritur. Pa Bekshi fare. Se mire i thone edhe asaj fjale se :"Frika e ruan vreshtin!". Po edhe ligji, ligji i paprekshmërisë së pronës! Gjithsesi, pa ardhur ende koha e Leninit që i zhveshi krejtësisht pronarët nga prona e tyre e shumicën e tyre i internoi në Siberi e i burgosi si borgjezë reaksionarë, sikunder e pasoi edhe Enveri ynë, me një imititacion prej majmuni. Pra u tha e u bë: "Toka u ndahej atyre qe e punojnë!" e jo atyre që e kanë. U be edhe këtu katraurë! Se e kishtë lënë me të shkruar dhe Karl Marksi:"Teoria Komuniste mund të përmblidhet në një fjalë të vetme: zhdukje e pronës private"! Kur qe prona e gjithëkujt, në Piqeras, mbahej mend një Bekshi i ndershëm si Kliu i Gjine, i vellai i gjyshit tim, Nikollës. Po, pasi errdhi komunizmi , u bë edhe këtu si donte Lenini, siç bëri me kolektivizimin e tokës dhe të gjësë së gjallë. Ua mori tokën njerëzve, atë pak tokë që e kishin të tyre dhe e punonin, sa për të jetuar e rritur fëmijët dhe e shpalli atë si "të të gjithëve e te askujt!"!! Pra, të vet shtetit, duke mos e lejuar fshatarin të këpuste edhe një kokërr ulli a nje portokalle për të njomur buzën! U shtuan edhe bekshinjtë, po edhe policët me uniformë që ruanin "pronën e Shtetit", që dikur qe e fshatarit të varfër! O Perëndi ! Alogjizmi qe i tmerrshëm, kur ainte puna deri ne krijimin e "bekshinjve të fshehtë" , që përgjonin. Vetëm se, fshati ynë i njihte dhe i respektonte bekshinjtë që i kishte zgjedhur si të tillë. U bë kooperativë, mandej edhe fermë bujqësore dhe u emëruan tre bekshinj menjëherë: Ndreko Çuni, Leo Bitri e Spiro Nino, nga që "plasën" edhe vjedhjet në masë. Varfëria e skamja ekstreme qenë bërë gërryese! ..Dhe vetë Bekshiu qe i detyruar, shpesh herë, ta "mbyllte njerin sy"! 50 vite më pas, kur iku edhe ky sistem i mallkur, u sajua një ligj me numëra: 7501, i cili bëri sikur vuri drejtësi mbi tokën e dikurshme. Po bëri vetëm disa "mballoma" dhe e ndau si tha Lenini, Enveri, Fatosi, Saliu e me radhë: vetëm për ata që u ndodhën këtu në atë kohë dhe u fotografua vendi nga ajëri, kur fshati qe bërë heterogjen, me të ardhur të shumtë, me ish vullnetarët e taracimeve, me ish të internuaurit e ish te burgosurit e saj kohe dhe duke përjashtuar të gjithë ata banorë autoktonë që ishin larguar përkohësisht në qytet, apo me emërime pune gjetkë fshatit të tyre. Ideja që "t'i bëjmë gjithë "Shqiptarët Pronarë" qe sa utopike, aq edhe dritëshkurtër", nga që i binte që "pronari i fshatit " të merrte deri tetë hektarë tokë dhe pronari i qytetit, nje apartament me nje a dy dhoma(!) , të cilëve u ndalohej edhe kthimi tek prona e vogël e të parëve, po edhe të bënte një shtëpi aty, për të "futur kokën"! Ky tjetërsim i pronës e bëri të diskutueshm edhe figurën e Bekshiut, i cili nisi të lakohej si i dobishëm tashmë , kur ullinjtë e agrumet, trajtoheshin edhe si dru zjarri, priteshtin e gjymtoheshin barbarisht, sidomos në periudhën e braktisjes së fshatit, pas shembjes së vet shtetit, po edhe më vonë, pas tmerrerve të firmave piramidale e trazirave të 97-ës , kur edhe ligji aktual 7501 u dha fshatarëve vetëm një"Çertifikatë Formulari" në dorë, po jo një pronë të hipotekuar .


Sociologu David Friedman, shkruan se :"Prona është institucioni më i rëndësishm për seicilën shoqëri dhe prona private është institucioni i çdo shoqërie të lirë"! Por, kaluan 30 vite e akoma, megjithatë, toka e ndarë në pronësi, sipas ketij ligji famëkeq e me "mballoma", nuk është hipotekuar e gjitha dhe kudo që, në këto ditë "zie e hajdutërie", të mund të të tjetërsohet nga vetë pronari, të ndërtohet diçka tjetër, të shitet a të blihet prona, që të ketë një ZOT e ,secili ZOT të jetë edhe Bekshiu i vetvetes e të dijë si të bëjë! Ky ligj problematik, kur prona është degraduar e po masakrohet, shpërdarë edhe pa kritere rigoroze e mbi baza ligjore trashëgimie, sociale e pronësie, sidomos në këtë Bregdet të lakmuar, nga "skifterët", mandej edhe e pa fiksuar dhe e pa hipotekuar akoma(!?),-ka pjellë e pjellë vazhdimisht , sherre, vjedhje, shkatërrime pambarimisht. Duke shtuar këtu edhe ikjet masive, nga fshati më i bukur në Shqipëri (sipas meje), mjerisht janë bërë të dukshëm edhe keqbërësit, disa syesh i kanë parë edhe dyert e komisariatit të Sarandës e te Himarës, që kanë rastisur edhe të filmohen nga Kryepleqësia (e mbetur vetëm dhe pa mundësira e hapësira ligjore të forta) mbi këtë katrahurë të rikrijuar tashmë, që na bëjnë të rikujtojme të kaluarën e qetë e pa probleme të tilla, si edhe të lëvdojmë ende figurën e Bekshiut, që ishte në këtë fshat të bukur e të begatë figura më fisnike e më e dashur, mbrojtëse e pronës, e ligjit dhe e së drejtës.Ndërkohë kur edhe një keqbërës e kriminel, si Muslli Çorri, u përball me ligjin më të ashpër... Kuptohet që, arritjet e sotme të shtetit ligjor, kur i është dhënë prioritet Drejtësisë, deri në krijimin e SPAK-ut, është detyrë e ligjëvënësve që ta mbrojnë një jetë, një fshat, një qytet e gjthë shoqërinë, nga kapardisje të tilla keqbërësish ordinerë!

PIQERAS, në të dalë të muajit qershor të vitit 2021

44 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page